ATV

Category: Lajme

  • Ekskluzive, e konfirmon Afrona Dika se është fejuar – ja kush është partneri i saj

    Ekskluzive, e konfirmon Afrona Dika se është fejuar – ja kush është partneri i saj

    Pas shumë thashethemeve dhe aludimeve nga fansat dhe mediat, Afrona Dika më në fund e ka konfirmuar në emisionin “LIBERO” se është në një lidhje dashurie dhe është fejuar.

    “Po… Është personi me të cilin jemi fejuar, dua ta mbaj shumë sekret – dua ta ruaj lidhjen tonë dhe atë si person. Nuk është person publik…” – ka thënë Dika.

    Kur e pyeti Resul Sinani se i fejuari a është shqiptar, Afrona duke i ikur pyetjes konkrete, ka zbuluar detaje të tjera rreth partnerit.

    “…Është shumë person i mirë, e ka zemrën e mirë dhe kaq, ka qenë prej fillimit vetvetja, më ka pranuar si person kështu siç jam me të mirat dhe të këqijat…”, potencoi ajo.

    Afrona gjithashtu tregoi se tash e disa muaj është në lidhje dhe pranoi se do të ketë edhe dasmë, po ashtu planifikon (edhe) të bëhet nënë.

    Vlen ta potencojmë se ky është konfirmimi i parë publik nga Afrona Dika e cila për një kohë të gjatë kishte zgjedhur ta mbante jetën personale larg syrit të publikut.

    Për më shumë detaje rreth intervistës së Afronës, ju ftojmë që ta ndiqni neser emisionin “LIBERO”, në orën 20:15!

  • Rrëmbimi i serbit në veri nga xhandarmëria e Serbisë, intervistohet një i dyshuar

    Rrëmbimi i serbit në veri nga xhandarmëria e Serbisë, intervistohet një i dyshuar

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar se është intervistuar një person i afërt me viktimën, lidhur me rastin e dyshuar të plagosjes dhe rrëmbimit të një shtetasi serb afër zonës së Leposaviqit.

    “Mund të konfirmojmë që është intervistuar një person i afërt me viktimën. Rasti është duke u hetuar në koordinim me Policinë e Kosovës,” thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë.

    Dy ditë më parë, Policia e Kosovës njoftoi se më 1 nëntor 2025 ka pranuar informacion për një rast ku një person M. V., shtetas i Kosovës dhe i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe më pas është rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe.

    Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në zonën e quajtur “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar dhe është në bashkëpunim me KFOR-in, si përgjegjës për sigurinë në brezin kufitar.

  • Katër vizitorë vdesin në Walt Disney World Resort brenda një muaji 

    Katër vizitorë vdesin në Walt Disney World Resort brenda një muaji 

    Një seri fatkeqësish në Walt Disney World Resort ka tërhequr vëmendje të madhe, pasi zyrtarët konfirmuan se katër vizitorë kanë ndërruar jetë në këtë destinacion të madh në Florida brenda një periudhe të shkurtër kohe.

    Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Orange (OCSO), incidenti më i fundit ndodhi të dielën, më 2 nëntor 2025, kur një grua rreth të 40-ave u gjet në Pop Century Resort dhe më pas u transportua në një spital lokal, ku u shpall e vdekur. Autoritetet deklarojnë se nuk ka shenja të krimit.

    Fatkeqësitë e fundit përfshijnë: Më 14 tetor 2025, një grua 31-vjeçare, e njohur si super fanse e Disney, vdiq nga një vetëvrasje e dukshme pas rënies nga një ballkon në Contemporary Resort.

    Më 21 tetor 2025, një burrë rreth të 60-ave pësoi një episod mjekësor dhe më pas vdiq në Fort Wilderness Resort & Campground.

    Më 23 tetor 2025, një burrë 28-vjeçar, i identifikuar si Matthew Cohn, vdiq pas rënies nga kati i 12-të i Bay Lake Tower në Contemporary Resort, vdekja e tij u konsiderua vetëvrasje.

    Këto katër raste ndodhën brenda një periudhe tre javore, duke shkaktuar shqetësim mes vizitorëve dhe vëzhguesve, megjithëse të gjitha duket se janë të pavarura nga njëra-tjetra. OCSO dhe autoritetet e tjera nuk kanë gjetur lidhje mes incidenteve dhe vazhdojnë t’i trajtojnë secilën në mënyrë të pavarur.

    Një zëdhënës i resortit ka refuzuar të japë një deklaratë zyrtare për momentin, duke cituar hetime në zhvillim dhe respekt për familjet e përfshira.

    Frekuenca e papritur e këtyre vdekjeve në një vend të njohur si “Më i Magjishmi në Tokë” ka shkaktuar natyrshëm pyetje dhe spekulime. Disa ekspertë vënë në dukje se komplekset e mëdha turistike, që presin mijëra vizitorë çdo ditë, do të hasin natyrshëm raste vdekjeje nga shkaqe natyrore ose kriza personale, ndërsa të tjerë shprehin shqetësim për modelet që përfshijnë çështje të shëndetit mendor.

    Për momentin, vizitorët e Disney që janë duke udhëtuar ose planifikojnë të udhëtojnë, këshillohen të ushtrojnë kujdes normal. Resorti vazhdon të funksionojë dhe të ofrojë shërbime, por këto ngjarje të fundit shërbejnë si një kujtesë serioze se edhe në mjedise argëtimi dhe festash, tragjedia mund të ndodhë.

  • Tajfuni Kalmaegi godet Vietnamin pasi vrau të paktën 140 persona në Filipine

    Tajfuni Kalmaegi godet Vietnamin pasi vrau të paktën 140 persona në Filipine

    Tajfuni Kalmaegi ka goditur pjesën qendrore të Vietnamit të enjten, duke detyruar mijëra banorë që të evakuohen nga zona nëpër të cilën do të kalojë një nga ciklonet më vdekjeprurëse në botë këtë vit.

    Gjatë kësaj jave, Kalmaegi shkaktoi dëme të mëdha në Filipine, duke lënë të vdekur të paktën 140 persona, teksa 127 të tjerë konsiderohen të zhdukur pas përmbytjeve që u shkaktuan nga stuhia.

    Tajfuni goditi Vietnamin me erëra që arritën deri në 149 kilometra në orë, tha Ministria e Mjedisit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Era është aq e fortë sa asgjë nuk i bën ballë”, tha për AFP-në banori i Vietnamit Vu Van Hao, 48 vjeç.

    Pjesa qendrore e Vietnamit, që u godit nga tajfuni, veçse ishte përballur me vërshime një javë më herët që vranë të paktën 47 persona.

    “Ky është një tajfun i madh me kapacitet të tmerrshëm shkatërrues”, tha zyrtari kryesor i provincës Gia Lai, Pham Anh Tuan. Mediat shtetërore thanë se në këtë provincë një natë më parë u evakuuan mbi 7.000 persona.

    Vietnami ndodhet në një nga rajonet më aktive në botë sa i përket cikloneve tropikale dhe zakonisht preket nga rreth dhjetë tajfune ose stuhi në vit, por Kalmaegi është stuhia e trembëdhjetë që godet këtë shtet gjatë vitit 2025.

    Sipas të dhënave shkencore, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po bëjnë që ngjarje të motit ekstrem të jenë më të shpeshta dhe më shkatërruese.

    Kalmaegi goditi fuqishëm Filipinet të hënën, duke shkaktuar dëme në ishujt Cebu dhe Negros, përpara se të rikthej në det.

    Stuhia shkaktoi vërshime të mëdha në Filipine, shtet që shpalli gjendje të fatkeqësisë kombëtare.

    Më shumë se 500.000 banorë në Filipine janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të stuhisë.

    Vietnami, që ka një bregdet prej 3.200 kilometrash dhe një rrjet prej 2.300 lumenjsh, përballet me rrezik të madh të përmbytjeve.

    Fatkeqësitë natyrore veçse kanë shkaktuar vdekjen ose zhdukjen e 279 personave gjatë këtij viti dhe kanë shkaktuar dëme në vlerë prej më shumë se 2 miliardë dollarësh, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Vietnamit./REL

  • Rritja e pagave në Shqipëri – Rama zbuloi kategoritë që do të përfitojnë

    Rritja e pagave në Shqipëri – Rama zbuloi kategoritë që do të përfitojnë

    Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se do të fillojë indeksimi i pagave te punonjësit në shtet, praktikë që deri tani ndiqej vetëm për pensionistët.

    Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë zbuloi kategoritë që do të përfitojnë.

    Po ashtu do të ketë përfitime në bazë të përllogaritjes vjetore të punës në sektorët e Shëndetësisë dhe policisë, shkruan tch.

    “Ka një tjetër lajm shumë të mirë në projekt-buxhetin 2026, i cili është fillimi i praktikës së indeksimit vjetor, edhe për pagat e punonjësve të sektorit publik, qoftë në nivel qendror, qoftë nivel vendor, të cilat do të korrektohen çdo vit në bazë të inflacionit.

    Kjo është një politikë e re pagash, që e kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale për të gjithë, i shton gati 100 milionë euro, qysh në vitin e parë 2026, shumës që mandati i katërt do të vërë në dispozicion të rritjes së fuqisë blerëse të të gjitha kategorive shoqërore.

    Kështu konkretisht:

    10600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë, magazinierë do të përfitojë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj.

    Për specialistët e administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja.

    Mësuesit do të përfitojnë pagë, 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj.

    Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, që do të thotë si mesatare për mjekët e përgjithshëm nga 131.700 lekë në 143.500 lekë të reja në muaj.

    Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të reja në muaj.

    Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92.500 lekë në muaj.

    Po ashtu, edhe për punonjësit e policisë së shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare me 5 mijë lekë të reja në muaj.

    E thënë ndryshe, për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave pagat rriten si më poshtë:

    Për inspektorët e thjeshtë nga 80.500 lekë të reja në 84.500 lekë të reja, plus shtesa për kushtet e punës dhe ushqimit, që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja.

    Për nënkomisaret, paga do të rritet nga 95.500 në 101 mijë lekë të reja, e cila me shtesën për kushtet e punës dhe po ashtu, për ushqimin shkon në 116 mijë lekë të reja.

    Për komisarët nga 105 mijë në 110.600 dhe me shtesën për kushtet e punës, plus për ushqimin, shkon në 125.600 lekë të reja.

    Dhe për drejtuesit e thjeshtë, nga 130.500, paga do të shkojë 141.450 lekë të reja, që me shtesën dhe me ushqimin bëhet mesatarisht 156.450 lekë të reja.

    Janë të gjitha lajme të mira për të gjitha këto kategori, sepse tani Shqipëria është në një nivel tjetër dhe ky fakt do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, të njerëzve që jetojnë me punë. Sepse ata që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm, me 83 mandate për Shqipërinë 2030, meritojnë çdo vit e më shumë dhe do të kenë çdo vit e më shumë.”, u shpreh Rama.

  • Dhuna në familje – Fillon zbatimi i hallkave elektronike për parandalimin e rasteve

    Dhuna në familje – Fillon zbatimi i hallkave elektronike për parandalimin e rasteve

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, mbajti një takim pune me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, në kuadër të fillimit të implementimit të hallkave elektronike për parandalimin e dhunës në familje.

    Në takim morën pjesë prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, gjyqtarë të rajonit, përfaqësues të Policisë Rajonale, avokatë, si dhe përfaqësues të Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave dhe të Shërbimit Sprovues. Qëllimi i takimit ishte koordinimi institucional dhe fillimi i zbatimit të kësaj mase për personat ndaj të cilëve gjykata ka shqiptuar masën e kufizimit të lëvizjes.

    Gjatë diskutimeve, u theksua se hallkat elektronike përbëjnë një mjet modern dhe efektiv për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe për forcimin e reagimit institucional në raste të tilla. Përfaqësuesit e Policisë prezantuan mënyrën e vendosjes së pajisjeve, ndërlidhjen me sistemin e monitorimit dhe procedurat që ndërmerren në rast të shkeljes së masës së kufizimit të lëvizjes.

    Kryeprokurori Petrit Kryeziu theksoi se ky proces shënon një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes më efikase të viktimave dhe zbatimit të vendimeve gjyqësore. Ai vuri në dukje se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Prokurorisë, Policisë dhe Gjykatës është thelbësor për zbatimin e suksesshëm të kësaj mase dhe për parandalimin e rasteve të përsëritura të dhunës.

    Në takim, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, drejtori i policisë rajonale në Prizren, kolonel Faton Alija, dhe kryetari i OAK – dega Prizren, Blerim Mazreku, të cilët theksuan rëndësinë e implementimit të hallkave elektronike si mjet mbrojtjeje për viktimat në rastet me masa kufizuese të lëvizjes.

    Në përfundim, pjesëmarrësit u dakorduan që të ndërmerren hapa konkretë për zbatimin praktik të kësaj mase dhe për sigurimin e informimit të vazhdueshëm ndërinstitucional mbi funksionimin e sistemit të mbikëqyrjes elektronike.

  • Kostumi i Heidi Klum si medusa për halloween shpallet nga publiku si look-u më rrënqethës ndonjëherë

    Kostumi i Heidi Klum si medusa për halloween shpallet nga publiku si look-u më rrënqethës ndonjëherë

    Halloween-i i vitit 2025 ka një mbretëreshë dhe kjo është Heidi Klum. Supermodelja dhe “Mbretëresha e Halloween-it” e njohur për transformimet e saj spektakolare, i la fansat pa fjalë edhe këtë herë, duke u shfaqur në festën e saj të “Heidiween” në Hard Rock Hotel New York si krijesa mitologjike dhe e tmerrshme, Medusa.

    Këtë vit, Klum shkoi deri në fund. Lëkura e saj e skalitur me ngjyra të zeza dhe të gjelbra, “flokët” gjarpërinj animatronikë, thonjtë si gjarpërinj dhe lentet e verdha që ndriçonin e bënë të duket e frikshme dhe magnetike njëkohësisht. Transformimi kërkoi rreth 10 orë për t’u realizuar, me ndihmën e një ekipi prej më shumë se 15 personash për aplikimin e pro­stetikës, makiazhit dhe detajeve të hollësishme të look-ut të saj.

    Edhe bashkëshorti i saj, Tom Kaulitz, u përfshi në temë, duke u shfaqur si një luftëtar i kthyer në gur nga shikimi i Medusës një referencë interesante mitologjike.

    Fansat menjëherë shpërthyen në rrjete sociale, duke e quajtur “ikonik” dhe “art të nivelit tjetër për Halloween-in”. Me këtë look, Klum tregon edhe një herë se nuk po feston vetëm Halloween-in ajo po e riformëson atë.

  • Kanadaja po shqyrton mundësinë e pjesëmarrjes në ‘Eurovision 2026’

    Kanadaja po shqyrton mundësinë e pjesëmarrjes në ‘Eurovision 2026’

    Kanadaja po shqyrton mundësinë e pjesëmarrjes në Eurovision, mbështetje e qeverisë dhe sfidat financiare

    Një njoftim i veçantë ka tërhequr vëmendjen e fansave të muzikës: qeveria kanadeze po shqyrton mundësinë që Kanada të marrë pjesë në Eurovision Song Contest, konkursin ndërkombëtar ku këngëtarë nga e gjithë bota konkurrojnë duke performuar këngë origjinale nën flamurin e vendit të tyre.

    Burime qeveritare kanë treguar se Kryeministri Mark Carney është personalisht i përfshirë në këtë iniciativë, shkruan CBC.

    Eurovisioni kryesisht përfaqëson talentin evropian dhe organizohet nga European Broadcasting Union (EBU), por çdo transmetues publik që është anëtar i EBU-së mund të marrë pjesë, duke përfshirë disa jashtë Evropës. Kanadaja është vetëm anëtare afiliate, ndërsa Australia, një tjetër anëtare afiliate, ka marrë pjesë në Eurovision që nga viti 2015.

    Kur CBC News e pyeti Eurovisionin muajin e kaluar për mundësinë e pjesëmarrjes së Kanadasë, përgjigja ishte se konkursi është i kufizuar për anëtarët e EBU-së.

    Megjithatë, pjesëmarrja kanadeze nuk duket e thjeshtë. Në vitin 2022, kompania prodhuese nga Toronto, Insight Productions – e njohur për spinoff-et kanadeze të The Amazing Race dhe Big Brother – tentoi të krijonte një Eurovision Canada, ku artistët kanadezë do të konkurrojnë dhe fituesi do të dërgohej në Evropë për konkursin kryesor.

    Organizatorët planifikuan që ky konkurs të niste në vitin 2023, duke përfshirë artistë nga të gjitha 13 provincat dhe territoret e Kanadasë, por projekti nuk arriti të realizohet. Sipas Lindsay Cox, shefe e përmbajtjes në Insight, dërgimi i artistëve kanadezë në Eurovisionin global ishte më kompleks se sa mendohej, ndërsa CBC/Radio-Canada nuk ishte e gatshme të përfshihej për shkak të kostove të larta.

    Megjithatë, Kanadaja nuk do të duhet domosdoshmërisht të organizojë një konkurs televiziv të shtrenjtë në vend për të zgjedhur artistin e saj – rregullat e Eurovisionit lejojnë vendet të zgjedhin vetë mënyrën e selektimit.

    Dean Vuletic, historian dhe ekspert i historisë së Eurovisionit, thekson se pjesëmarrja kërkon shpenzime të konsiderueshme: “Përveç tarifës së pjesëmarrjes, duhet të llogariten kostot e udhëtimit dhe të qëndrimit të ekipit dhe artistëve.”

    Kanadezët kanë marrë pjesë më parë nën flamuj të tjerë – Céline Dion fitoi festivalin duke përfaqësuar Zvicrën në vitin 1988, Natasha St-Pier përfaqësoi Francën në vitin 2001, dhe La Zarra nga Montreal, përsëri përfaqësoi Francën, në vitin 2023. Megjithatë, konkurrimi nuk është shumë i njohur në Kanada, gjë që mund të jetë një pengesë për pjesëmarrjen, thotë Karen Fricker, profesoreshë në Brock University dhe eksperte e Eurovisionit.

    “Njohësit e kulturës dhe komunitetet queer e njohin, por a është mjaft i njohur për të krijuar momentum, kjo është pyetja ime më e madhe”, shton Fricker.

    Eurovisioni ka tentuar të globalizojë markën e tij vitet e fundit, por mbetet kryesisht një ngjarje evropiane, thotë Vuletic. Ai vëren se organizatorët mund të jenë të kujdesshëm për të mos lejuar shumë vende jashtë Evropës, për të mos humbur identitetin kulturor të konkursit.

    Megjithatë, Ministri i Financave Francois-Philippe Champagne tha për Global News se ideja për pjesëmarrjen kanadeze ka ardhur nga vetë pjesëmarrësit, duke sugjeruar se Evropa nuk ka shumë pengesa për pranimin e Kanadasë.

    Edhe pse ka pengesa dhe debate të brendshme mbi pjesëmarrjen e vendeve të caktuara, përfshirë Izraelin për shkak të situatës së luftës në Gaza, mbështetja e qeverisë federale bën që kjo të jetë biseda më reale që Kanadaja ka pasur ndonjëherë për t’u bashkuar me Eurovisionin.

    “Është ende spekulative, por më konkrete se sa ka qenë më parë,” tha Fricker.

  • Ish-sekretari i NATO-s: Ukraina do të përballet me luftë të përjetshme nëse Evropa nuk shton presionin ndaj Rusisë

    Ish-sekretari i NATO-s: Ukraina do të përballet me luftë të përjetshme nëse Evropa nuk shton presionin ndaj Rusisë

    Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka paralajmëruar se Ukraina mund të përballet me një “luftë të përjetshme” dhe një erozion të ngadaltë të territorit nëse Evropa nuk rrit ndjeshëm presionin ndaj Rusisë.

    Ai theksoi se kjo përfshin vendosjen e trupave dhe krijimin e një mburoje raketash dhe dronësh në territorin e NATO-s për të mbrojtur Ukrainën nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës së saj.

    Rasmussen, që shërbeu si sekretar i NATO-s nga viti 2009 deri në 2014 dhe si kryeministër i Danimarkës nga 2001 deri në 2009, tha në një intervistë për The Guardian se vendet e NATO-s, si Polonia, nëse do të pranonin të strehonin sisteme të tilla mbrojtjeje ajrore, do të dërgonin një mesazh të qartë Rusisë: çdo sulm ndaj Ukrainës do të konsiderohej si një sulm ndaj të gjithë aleancës.

    “Ne duhet t’i ndihmojmë ukrainasit të mbrohen nga raketat dhe dronët rusë duke ndërtuar një mburojë ajrore që i lejon të rrëzojnë sulmet. Vendet fqinje të NATO-s me Ukrainën mund të jenë baza për një sistem mbrojtjeje ajrore dhe raketash me bazë në NATO”, deklaroi ai.

    Rasmussen gjithashtu bëri thirrje për krijimin e një force mbrojtëse evropiane për Ukrainën para çdo marrëveshjeje armëpushimi. Ai vuri në dukje se “koalicioni i të vullnetshëmve” që shpresonte të mblidhte një forcë të tillë pas luftës, ishte reduktuar në një grup të vogël që prisnin.

    “Nëse nuk kryejmë ndryshime të mëdha në strategji, do të shohim një luftë të përjetshme. Putini nuk ka asnjë nxitje për t’u angazhuar në negociata paqeje për sa kohë që mendon se mund të fitojë në fushën e betejës. Nevojiten ndryshime në shpejtësi dhe mentalitet”, shtoi ai.

    Gjatë vizitës së tij në kryeqytetet evropiane, Rasmussen po takohet me liderë të ndryshëm, përfshirë këshilltarin e sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Powell. Të dy diskutuan mundësinë që SHBA-ja t’i ofrojë garanci sigurie Ukrainës, duke përdorur një qasje të ngjashme me garancitë që iu dhanë Katarit pas sulmit të Izraelit ndaj Dohas.

  • Bajrami i reagon Muratit: Me fakte, 46 ditë e ke mbajtur buxhetin e Prishtinës në sirtar

    Bajrami i reagon Muratit: Me fakte, 46 ditë e ke mbajtur buxhetin e Prishtinës në sirtar

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati lidhur me reagimet e këtij të fundit për buxhetin e komunës së Prishtinës.

    Bajrami ka përmendur një fakt se qysh Hekruan Murati e kishte bllokuar vitin e kaluar buxhetin e komunës së Prishtinës për 46 ditë.

    “Qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike do të tregojnë të dielën se kush është bllokuesi në Prishtinë.” – ka thënë ajo.

    Postimi:

    ME FAKTE:

    Hekuran Murati 46 ditë e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës në sirtar e nuk e ka përcjellë për aprovim për Kuvend.

    Ministri propagandës i Albin Kurtit duke parë që humbjen në Prishtinë e kanë të paevitueshme që disa ditë po nxjerrë lot krokodili për buxhetin e komunës së Prishtinës dhe pagat e ndërmarrjeve publike në Prishtinë.

    Të nderuar qytetarë, populli thotë “Zoti nuk rrëhet”

    Kuvendi Komunal i Prishtinës e ka kaluar buxhetin e Prishtinës me datë 9.12.2024.

    Komuna e Prishtinës e ka përcjellë buxhetin në Ministrinë e Financave me datë 17.12.2024, shih shkresën e protokollit.

    Hekuran Murati e ka mbajtur buxhetin e Prishtinës plotë 46 ditë në sirtar dhe a e dini kur e ka përcjellë në Kuvend të Kosovës, e ka përcjellë me 31.01.2025, shiheni shkresën që ai ka postuar vetë.

    Dmth. Hekurani buxhetin e Prishtinës e ka përcjellë në Kuvend në kulmin e fushatës zgjedhore me 31 janar dhe normalisht Glauk Konjufca si kryetar as që është marrë me këtë punë, sepse ai është dashur të thërrasë mbledhje të Kryesisë, e të caktojë seancë dhe ta kalojmë buxhetin e komunës së Prishtinës para një viti, por jo këto nuk kanë ndodhur. Tani akuzat e propaganduesit janë se LDK-ja po e bllokon kuvendin dhe s’po e kalon buxhetin e komunës së Prishtinës.

    E qysh kalohet buxheti pa u formu komisionet parlamentare?

    E qysh formohen komisionet parlamentare pa u ditur se kush është pozita dhe kush është opozita?

    Tregoju qytetarëve pse e ke mbajtur në sirtar buxhetin e komunës së Prishtinës 46 ditë dhe nuk e ke sjellë në Kuvend atëherë kur Kuvendi ka qenë funksional dhe i ka pasur krejt trupat funksional.

    Qytetarët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike do të tregojnë të dielën se kush është bllokuesi në Prishtinë.

    Mjaft, propagandove!

    Liroje buxhetin e RTK-së, siç e bëre para tre muajve ose siç është vepruar më 2021, sepse derisa ti po mashtron në fcb. disa familje bukën në market janë t’u e marrë veresi.