ATV

Category: Lajme

  • Polonia do t’i stërvitë ushtarakisht rreth 400.000 njerëz në vitin 2026

    Polonia do t’i stërvitë ushtarakisht rreth 400.000 njerëz në vitin 2026

    Polonia do ta fillojë këtë muaj zbatimin e një programi të ri për stërvitje ushtarake, si pjesë e një plani më të gjerë për t’i stërvitur rreth 400.000 njerëz në vitin 2026, njoftoi të enjten Ministria e Mbrojtjes.

    E nxitur prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Polonia tani shpenzon për mbrojtjen më shumë nga prodhimi i brendshëm bruto (PBB) se çdo anëtar tjetër i NATO-s.

    Ajo tani ka ushtrinë e tretë më të madhe në aleancë, me një personel prej 216,000 vetash, dhe synon ta rrisë edhe më shumë ushtrinë në dekadën e ardhshme.

    Programi “Në Gatishmëri” do të jetë vullnetar dhe i hapur për të gjithë qytetarët, nga nxënësit e shkollave, tek të rriturit e punësuar, kompanitë dhe të moshuarit.

    Ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, e ka cilësuar këtë program si “stërvitja më e madhe mbrojtëse në historinë polake”.

    Polonia ngre aeroplanët në ajër pas sulmeve intensive ruse në perëndim të Ukrainës

    Programi do të ofrojë kurs bazik për sigurinë, stërvitje për mbijetesë, udhëzime mjekësore dhe mësime për higjienën kibernetike.

    “Vetëm në nëntor dhe dhjetor (…) ne do të trajnojmë rreth 20.000 njerëz në trajnim individual, por numri i përgjithshëm…, për të gjitha format e trajnimit, është rreth 100.000 njerëz”, tha në një konferencë zëvendësministri i mbrojtjes, Cezary Tomczyk.

    Ministria synon t’i stërvitë vitin e ardhshëm afërsisht 400.000 njerëz “individualisht, në grupe, si pjesë e programit ‘Edukimi me Ushtrinë’, në trajnimin e rezervës dhe në shërbimin ushtarak të detyrueshëm dhe vullnetar”, shtoi Tomczyk, shkruan REL.

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Polonisë, Wieslaw Kukula, tha se programi ka dy synime kryesore; të forcojë qëndrueshmërinë e qytetarëve dhe komuniteteve, dhe të rrisë disponueshmërinë, gatishmërinë dhe kapacitetin e rezervave.

    Programi u bë i ditur për herë të parë nga kryeministri Donald Tusk në mars për të “ndërtuar një ushtri rezervistësh” mes shqetësimeve të shtuara të sigurisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

  • Shqyrtohet ankesa e mbrojtjes për vëllezërit Vllasaliu që u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

    Shqyrtohet ankesa e mbrojtjes për vëllezërit Vllasaliu që u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e Bedri Rexhepit

    Në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ankesat e mbrojtjes për Jeton dhe Nexhat Vllasaliun.

    Ata kërkojnë ndryshimin e vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

    Shkalla e parë i shpalli ata fajtorë në muajin maj. Sipas aktgjykimit, vëllezërit Vllasaliu janë përgjegjës për “Vrasje të rëndë” dhe “Dëmtim të kufomave”, vepra të kryera në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit pasuror.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se planifikimi për vrasjen e Rexhepit kishte nisur në fillim të vitit 2021.

  • Vrasje e dyfishtë në Malishevë, i dyshuari kërkohet nga Policia

    Vrasje e dyfishtë në Malishevë, i dyshuari kërkohet nga Policia

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës, ku dy vëllezër, të moshave rreth 32 dhe 45 vjeç, janë qëlluar për vdekje me armë zjarri.

    Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari për këtë vrasje të dyfishtë është A.I., i cili sipas hetimeve paraprake, i dyshuari ka shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij.

    Pas një përplasjeje verbale, ai është larguar nga shtëpia, por më pas është kthyer dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve, të cilët ndodheshin para derës së shtëpisë. Njëri nga viktimat ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë gjatë transportit në spital.

    Dyshohet se konflikte të mëparshme mes familjes së të dyshuarit dhe viktimave mund të kenë kontribuar në eskalimin e situatës.

    Policia dhe Prokuroria janë në vendngjarje dhe po kryejnë hetime të mëtejshme, ndërsa i dyshuari është shpallur në kërkim. Veprime operative janë duke u zhvilluar për kapjen e tij.

  • Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, Kurti: Uron VLEN për fitoret

    Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, Kurti: Uron VLEN për fitoret

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar koalicionin VLEN për fitoret në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.

    Ai theksoi se ky sukses konfirmon vullnetin për ndryshim dhe se gjatë qeverisjes së VLEN, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë thelluar raportet fqinjësore si kurrë më parë.

    Përmes një postimi në facebook, Kurti theksoi se gjatë 15 muajve në pushtet, VLEN ka qeverisur “me duar të pastra, pa korrupsion e skandale”, duke sjellë dallim etik nga qeverisjet e kaluara.

    Kjo frymë ndryshimi, shtoi ai, ka sjellë bashkëpunim konkret, përfshirë takimin e dy qeverive dhe menaxhimin e përbashkët të kufirit. Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës i mirëpret këto zhvillime demokratike si dëshmi të perspektivës evropiane të aleatit fqinj.

  • Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat, paralajmërojnë grevë

    Punëtorët e RTK-së protestojnë për pagat, paralajmërojnë grevë

    Dhjetëra punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë protestuar të enjten pranë ndërtesës së televizionit shtetëror, për shkak vonesës së pagave, duke paralajmëruar grevë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

    Në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, punonjësit mbajtën pankarta me mbishkrimin “Punëtorët e RTK-së – jo viktima të krizës”, “Gazetarë pa pagesë, demokraci pa zë”, dhe “RTK nuk hesht edhe në errësirë”.

    Më shumë se 700 punonjës të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë nuk e kanë marrë pagën e nëntorit, për shkak se RTK-së nuk i është ndarë pjesa e dytë e buxhetit për këtë vit.

    Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Gazetari dhe përfaqësuesi i sindikatës, Gëzim Bimbashi, u bëri thirrje Kuvendit të Kosovës, Qeverisë në detyrë dhe menaxhmentit të RTK-së të punojnë për ta kaluar buxhetin për televizionin shtetëror.

    “Ne kemi qenë të durueshëm, por durimi jonë ka kufij. Nëse brenda një kohë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe, nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje protestat tona edhe mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.

    RTK-ja po përballet me probleme financiare tash e një kohë, pasi raporti vjetor i saj duhet të diskutohet nga Komisioni për buxhet i Kuvendit – që nuk është i themeluar – në mënyrë që më pas të ketë buxhet për pagat e mbi 700 punëtorëve.

    Javën e kaluar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, nuk gjeti pajtueshmëri me përfaqësuesit politikë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, që të shtynte përpara, ndër të tjera, edhe çështjen e buxhetit për RTK-në.

    Kjo është protesta e dytë e punëtorëve të RTK-së pas asaj në gusht, pas të cilës Qeveria në detyrë e miratoi kërkesën e televizionit për kredi në vlerë prej mbi 2.5 milionë euro.

    Ditë më parë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, se Qeveria në detyrë nuk mund ta përsërisë vendimin e gushtit.

    Murati shtoi se përgjegjësinë për ndarjen e mjeteve buxhetore për RTK-në e ka Kuvendi i Kosovës dhe jo Qeveria.

    Ai theksoi se zgjidhja për pagat e punëtorëve të transmetuesit publik varet nga formimi i komisioneve parlamentare./REL

  • Policia e Kosovës: E-mailat “ftesë/arrestim i menjëhershëm” janë të rremë

    Policia e Kosovës: E-mailat “ftesë/arrestim i menjëhershëm” janë të rremë

    Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik për qarkullimin e disa e-mailave të rremë që pretendojnë se janë dërguar nga zyrtarë të lartë të Policisë apo nga institucione ndërkombëtare të sigurisë.

    Në njoftimin zyrtar thuhet se “këto informacione, të emërtuara ‘FTESË/ARRESTIM I MENJËHERSHËM’, që kinse janë lëshuar nga stafi i lartë menaxhues i Policisë së Kosovës, Agjencia e Sigurisë Kibernetike, FBI, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik apo INTERPOL, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës”.

    Sipas PK-së, e-mailat e tillë janë “dokumente të falsifikuara, të krijuara për qëllime mashtruese dhe dezinformuese”.

    “Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, ka nisur hetime intensive për të identifikuar dhe ndjekur personat përgjegjës për këtë veprim,” thuhet në komunikatë.

    Institucioni apelon qytetarët që “të mos bien pre e mashtrimeve të tilla” dhe që çdo e-mail apo dokument të dyshimtë ta dërgojnë për verifikim në adresën zyrtare [email protected]

  • Policia trajton tri raste të dhunës në familje – Një person në mbajtje, një tjetër në kërkim

    Policia trajton tri raste të dhunës në familje – Një person në mbajtje, një tjetër në kërkim

    Policia në Prishtinë dhe Graçanicë ka trajtuar tri raste të ndara të dhunës në familje.

    Në Prishtinë, një grua dhe vajza e saj e mitur kanë kërkuar trajtim mjekësor pas dhunës së ushtruar nga bashkëshorti, i cili është shpallur në kërkim. Gjithashtu në kryeqytet, një person është arrestuar pasi i ka dërguar mesazhe kërcënuese ish-bashkëshortes së tij.

    Ndërkohë, në Graçanicë është regjistruar një mosmarrëveshje verbale mes një personi dhe babait të tij.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari për kërcënime në Prishtinë është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti në Graçanicë është duke u zhvilluar në procedurë të rregullt.

  • Prokuroria nis hetimet për vdekjen e 25-vjeçares në Tetovë, të dhënat fillestare përjashtojnë veprën penale

    Prokuroria nis hetimet për vdekjen e 25-vjeçares në Tetovë, të dhënat fillestare përjashtojnë veprën penale

    Prokuroria Themelore në Tetovë ka nisur hetimet për vdekjen e një 25-vjeçareje nga Kosova.

    Ajo u gjet pa shenja jete mbrëmjen e së mërkurës në banesën ku qëndronte me qira, pasi raportohet se ishte studente në këtë qytet.

    Sipas autoriteteve, ekzaminimet fillestare në vendngjarje dhe në trupin e viktimës nuk kanë treguar shenja dhune apo indikacione për një vepër penale. Megjithatë, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, prokurori kujdestar ka urdhëruar kryerjen e obduksionit.

    Ndërkohë, hetuesit kanë konfirmuar se do të merren në pyetje disa persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e rastit.

  • Mosmiratimi i buxhetit rrezikon pagat e sektorit publik – Sindikatat paralajmëron për pasoja të rënda

    Mosmiratimi i buxhetit rrezikon pagat e sektorit publik – Sindikatat paralajmëron për pasoja të rënda

    Sindikatat e sektorit publik kanë alarmuar për pasoja të rënda, nëse klasa politike dështon të miratojë buxhetin e vitit 2026 ose zgjatjen e tij.

    Bllokada rrezikon të lërë pa paga rreth 100 mijë punonjës në sektorin publik, si dhe pa të ardhura 210 mijë pensionistë e mijëra përfitues të skemave sociale e kategorive të tjera.

    Përfaqësuesit e shëndetësisë, arsimit dhe policisë paralajmërojnë se mund të cenohet funksionimi i shërbimeve bazike në këto institucione.

    Pacientët rrezikojnë të mbesin pa barna esenciale, ndërsa punonjësit e arsimit dhe policisë mund të mbesin pa të vetmin burim jetese, duke rrezikuar edhe pagesat e kredive bankare.

    Ndërkohë, LDK ka shprehur gatishmëri për vazhdimin tre-mujor të buxhetit aktual në rast zgjedhjesh të reja, ndërsa Vetëvendosje thotë se ka propozuar zgjidhje për shmangien e krizës buxhetore me nominimin e Glauk Konjufcës si mandatar.

  • Fitorja e Zohran Mamdanit – Reagime të shumta pas fitores së tij edhe nga partitë e majta në Evropë

    Fitorja e Zohran Mamdanit – Reagime të shumta pas fitores së tij edhe nga partitë e majta në Evropë

    Fitorja e Zohran Mamdanit si kryebashkiak duket se i ka zënë në befasi partitë e dorës së majtë në Evropë.

    Padyshim që rezultati zgjedhor e zgjedhja e Mamdanit u diskutua shumë pas zgjedhjeve të së martës në Amerikë, por nuk i lanë gjë mangut reagimeve edhe evropianët.

    Ngritja e shpejtë e Mamdanit për t’u bërë kryetar bashkie i Qytetit të Nju Jorkut u ka ofruar inkurajim partive të krahut të majtë në të gjithë Evropën se një agjendë e hapur radikale mund të ndihmojë në ndryshimin e situatës kundër forcave të krahut të djathtë në vend.

    Partitë nga Londra në Berlin e brohoritën Mamdanin, një 34-vjeçar të vetëshpallur socialist demokrat, videot virale të të cilit dhe premtimi për kontroll të qirasë dhe taksa ndaj të pasurve në një qytet që shihet si një fener i kapitalizmit global prekën telat e votuesve.

    Parti si Partia e Majtë e Gjermanisë dhe të Gjelbrit e Britanisë shpresojnë të marrin vrull nga fitorja e Mamdanit, duke sinjalizuar se nuk do t’i zbehin politikat e tyre ose nuk do të tërhiqen në fushëbetejën e krahut të djathtë të migracionit, raporton Reuters.

    Kjo gjithashtu mund t’u japë ushqim për të menduar partive të majta të vendosura si Partia Laburiste në pushtet e Britanisë, e cila ka rënë në sondazhe që nga fitorja e saj dërrmuese zgjedhore vitin e kaluar, dhe Social Demokratët (SPD) e Gjermanisë.

    Zack Polanski, i cili këtë vit u bë udhëheqësi i parë hebre dhe haptazi homoseksual i Partisë së Gjelbër të Anglisë dhe Uellsit, është krahasuar me Mamdanin për përdorimin e mediave sociale dhe bën thirrje për një taksë mbi pasurinë për të ulur pabarazinë.

    Një Polanski i entuziazmuar i tha Reutersit se fitorja e Mamdanit tregon se “shpresa ka triumfuar mbi urrejtjen”.

    “Kjo është e rëndësishme – jo vetëm sepse është e rëndësishme për Nju Jorkun, por në të vërtetë mendoj se kjo gjen jehonë në të gjithë botën. Por kjo ka të bëjë me përmirësimin e jetës së njerëzve, duke njohur pabarazinë që shtrihet si në zemër të Nju Jorkut, por sinqerisht, në pjesën më të madhe të botës.”

    “Dhe kjo ka të bëjë me thënien: le të ulim faturat e njerëzve dhe të taksojmë multimilionerët dhe miliarderët”, tha Polanski, partia e të cilit është rritur në sondazhe pasi fitoi vetëm katër vende në vitin 2024.

    Kostoja e jetesës është një fokus i madh në Britani, ku inflacioni i çmimeve të ushqimeve për shembull arriti në 19% në mars 2023, më i larti në 45 vjet, dhe ministrja e financave Rachel Reeves ka sinjalizuar “zgjedhje të vështira” dhe rritje të mundshme të taksave që do të vijnë.

    E majta do ndërtimin e momentumit

    Në një peizazh politik të polarizuar, partia e Majtë e Gjermanisë ishte një paketë surprizë në zgjedhjet federale në shkurt dhe shpreson të ndërtojë mbi paraqitjen e saj të fortë vitin e ardhshëm në zgjedhjet lokale, përfshirë kryeqytetin Berlin. Ashtu si të majtët e tjerë evropianë, anëtarët e saj vizituan Nju Jorkun gjatë fushatës.

    Franca nisi procedurat të mërkurën për të pezulluar shitësin online të modës së shpejtë Shein

    “Problemet me të cilat përballen njerëzit në Nju Jork janë shumë të ngjashme me ato që dëgjojmë në pragun e shtëpive të njerëzve këtu në Gjermani. Qiratë janë të papërballueshme dhe çmimet për ushqim, energji elektrike, ngrohje dhe transport publik po rriten më shpejt se pagat”, tha Jan van Aken, kreu i partisë së majtë të Gjermanisë, për Reuters.

    “Jemi në kontakt të ngushtë me Zohran Mamdanin dhe ekipin e tij dhe po mësojmë nga njëri-tjetri. Fushata e tij është si një plan për zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Berlin”, tha ai në një email. “Fitorja e Zohran Mamdanit na jep vrull.”

    I vendosur të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman i Nju Jorkut dhe më i riu që nga viti 1892, postimet e Mamdanit në mediat sociale jehonën në të dy anët e Atlantikut me votuesit e goditur nga inflacioni në rritje dhe shërbimet publike të stërngarkuara që nga pandemia.

    “Po ngrij… qiranë tuaj”, u tha Mamdani njujorkezëve pasi u zhyt në ujërat e akullta pranë Coney Island në janar me kostum dhe kravatë. E majta gjermane po nxit gjithashtu kontrollet e qirasë dhe transportin falas ose të subvencionuar shumë, dhe përdor mesazhe të drejtpërdrejta. “Po i sulmojmë të pasurit. Askush tjetër nuk po e bën këtë”, thuhej në një nga posterat e fushatës së saj.

    Të majtët në Francë, e cila po përgatitet për zgjedhjet presidenciale deri në vitin 2027, u frymëzuan gjithashtu.

    “Më në fund, një mësim për të majtën kudo: nuk fitojmë duke zbutur liberalizmin ekonomik, por duke e luftuar atë me dhëmbë e thonj”, shkroi Manon Aubry, nga partia e ekstremit të majtë Franca e Papërkulur (LFI), në X.

    Fokusi mbi koston e jetesës

    I pyetur se çfarë mësimesh duhet të nxjerrin partitë e krahut të majtë nga fitorja e Mamdanit, Polanski tha se kostoja e jetesës kishte rëndësi mbi të gjitha dhe se partitë progresive duhet të ofrojnë zgjidhje reale për të.

    Partitë kryesore më të vendosura gjithashtu kanë marrë zemër nga fitorja e Mamdanit. “Për ne në SPD, kjo do të thotë që duhet të përqendrohemi më fort në atë që është në zemër të punës sonë – politikat sociale për shumicën e shoqërisë”, tha ligjvënësja e SPD-së, Rasha Nasr, për Reuters.

    SPD, ndërsa ishte ende në pushtet, shënoi rezultatin e saj më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore në zgjedhjet e fundit.

    “Në fushatën e fundit zgjedhore federale, ne shpesh u përpoqëm të angazhoheshim në debate që, në atë pikë, vështirë se mund të fitoheshin në bazë faktike, për shembull, në lidhje me politikën e migracionit.”

    Philipp Koeker, shkencëtar politik në Universitetin e Hanoverit, tha se kjo tregoi se partitë që duan të fitojnë zgjedhje “ose nuk duan të humbasin votues ndaj të djathtës ekstreme populiste – duhet t’i përmbahen çështjeve të tyre thelbësore dhe të paraqesin zgjidhjet e tyre për problemet aktuale në vend që të imitojnë të djathtën ekstreme duke miratuar politika anti-imigracion”.

    Mamdani do të përballet me sfida për t’i vënë premtimet e tij në praktikë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar të shkurtojë fondet për Qytetin e Nju Jorkut. Disa, përfshirë ata në Ëall Street, shpresojnë dhe presin që Mamdani nuk do të jetë në gjendje të detyrojë ndryshime drastike.

    “Tani vjen pjesa e vështirë”, tha James Schneider, ish-drejtor i komunikimeve strategjike për Partinë Laburiste nën Jeremy Corbyn.

    “Shndërrimi i asaj shumice zgjedhore në pushtet të vërtetë – përmirësimi i jetës nga Bashkia, ndërsa transformimi i ushtrisë së tij vullnetare prej 100,000 trupash në organizatorë të komunitetit në çdo lagje të qytetit”.