ATV

Category: Lajme

  • Arrestohen 18 persona në Gjermani për mashtrim online dhe pastrim parash – dëmi mbi 300 milionë euro

    Arrestohen 18 persona në Gjermani për mashtrim online dhe pastrim parash – dëmi mbi 300 milionë euro

    Një veprim i koordinuar ndërkombëtarisht kundër rrjeteve të dyshuara të mashtrimit online dhe pastrimit të parave, që përfshinte edhe ofrues gjermanë të shërbimeve të pagesave, ka rezultuar me 18 të arrestuar, kanë njoftuar autoritetet gjermane të mërkurën.

    Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë dhe prokurorët kanë bërë të ditur se midis viteve 2016 dhe 2021, të dyshuarit kishin përdorur të dhënat e kartave të kreditit të 4.3 milionë individëve nga 193 vende në skemën e tyre, duke grumbulluar fonde në vlerë mbi 300 milionë euro.

    Të dyshuarit kishin përvetësuar para përmes abonimeve në faqet e internetit të rreme, të dizajnuara për transmetim, takime dhe argëtim.

    Autoritetet kanë shtuar se të pandehurit kishin kompromentuar katër ofrues të mëdhenj gjermanë të shërbimeve të pagesave për të përpunuar pagesat, por emrat e kompanive nuk janë bërë të ditura.

    Të martën vonë, autoritetet kanë kryer kontrolle në ndërtesa në Gjermani, Itali, Kanada, Luksemburg, Holandë, Singapor, Spanjë, SHBA dhe Qipro.

    Prokurorët kanë thënë se fokusin e kanë pasur tek 44 të dyshuar në Gjermani dhe vende të tjera, përfshirë anëtarë të rrjetit të mashtrimit, punonjës të firmave të pagesave dhe ofrues të shërbimeve kriminale si shërbim.

  • Prindërit kërkojnë drejtësi, Nëna e Astrit Deharit: Prokuroria nuk ka punë me Vetëvendosjen, Astriti u vra në burg

    Prindërit kërkojnë drejtësi, Nëna e Astrit Deharit: Prokuroria nuk ka punë me Vetëvendosjen, Astriti u vra në burg

    Në nëntë vjetorin e vdekjes së djalit të tyre, Xhemile e Avni Dehari kërkojnë drejtësi për Astritin.

    Prindërit e Astrit Deharit pas homazheve tek varri i tyre që u bënë edhe nën shoqërim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti e kryeparlamentarit Dimal Basha, kanë hedhur kritika ndaj sistemit të drejtësisë që nuk ka zbardhur rastin.

    E nëna Xhemile Dehari u përgjigj kritikëve që pse Vetëvendosje nuk po bënë asgjë për rastin, pa cka ajo tha se Prokuroria nuk ka punë me Vetëvendosjen sepse sipas saj ai u vra në burgin në të cilin u mbyll për çështje politike.

    “Për me u përgjigj ajo prokurori, nuk ka punë me Vetëvendosje. Astriti ka qenë anëtar i Vetëvendosjes. Astriti politikisht është mbyllur, është vrarë në burgun e Prizrenit. Sylë Hoxha, Nexhmi Krasniqi le të dalin e ta thonë, ndoshta u ka ardhur koha me dalë e me thënë të vërtetën, se çka kanë parë në Astritin. E jo neve me na kërku që nuk kemi qenë prezent. Por nëntë vite nuk është pak me prit. Duhet edhe ata prokurorët e rinj me ditë çka duhet të bëjnë tutje”, ka deklaruar nëna e Deharit, Xhemilja.

    Moszbardhjen e rastit, dyshime po ka edhe babai i Astrit Deharit i cili tha se mosfunksionaliteti i drejtësisë po bëhet ndoshta me qëllim për të mos hedhur dritë mbi vdekjen e djalit të tij.

    “Kjo flet shumë për një sistem jofunksional të drejtësisë, dhe ky jofunksionalitet më shumë duket të jetë i qëllimshëm sesa i paqëllimshëm. Ne, si familje, por edhe në emër të të gjithë pjesëmarrësve këtu, kërkojmë që ky rast ta gjejë zgjidhjen dhe drejtësia të kthehet në binarët e duhur, sepse kjo flet për një njollë të keqe të drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe nuk do të duhej të vazhdohej kështu. Uroj që për këtë rast dhe për të gjitha rastet në Kosovë, drejtësia ta thotë fjalën e vet”, tha Dehari.

  • Për herë të parë, Kurti publikon letrën ku kishte kërkuar lirimin e krerëve të UÇK-së: S’ka arsye ligjore e as morale që të mbahen më tej

    Për herë të parë, Kurti publikon letrën ku kishte kërkuar lirimin e krerëve të UÇK-së: S’ka arsye ligjore e as morale që të mbahen më tej

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar sërish lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë, duke theksuar se tashmë nuk ekziston asnjë arsye ligjore apo morale që ata të vazhdojnë të mbahen pas hekurave.

    Ky reagim i Kurtit vjen në kohën kur bëhen pesë vite nga arrestimi dhe paraburgimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po mbahen në Hagë mbi akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Në një postim publik, Kurti kujtoi se më 5 nëntor 2020, menjëherë pasi kishte vendosur lule te varri i Astrit Deharit, Rexhep Selimi u dërgua në burgun e Hagës – ku ndodhet ende edhe sot.

    “Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave, ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: ‘rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët’. Por prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim,” ka shkruar Kurti.

    Ai ka bërë publike edhe një letër që i kishte dërguar në shtator të vitit 2022 kryetares së Dhomave të Specializuara, znj. Ekaterina Trendafilova, në të cilën kishte kërkuar lirimin e tyre dhe mundësinë që të mbrohen në liri.

    “E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës,” ka shtuar ai.

    Kurti tha se përgjigjja e Trendafilovës nuk solli ndryshim, por kërkesat për lirimin e tyre mbeten të vlefshme, pasi Kosova ofron të gjitha garancitë që të katër të mbrohen në liri.

  • Pas Italisë, Kosova ndalon importin e shpezëve edhe nga Hungaria për shkak të gripit të shpezëve

    Pas Italisë, Kosova ndalon importin e shpezëve edhe nga Hungaria për shkak të gripit të shpezëve

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar se ka marrë vendim për ndalimin e importit të shpezëve dhe produkteve të tyre nga Hungaria, pas konfirmimit të përhapjes së gripit të shpezëve në disa rajone të këtij shteti.

    Vendimi vjen pas raportimeve të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian, të cilat kanë njoftuar se virusi është përhapur në fermat komerciale dhe tek shpezët e egra në njësitë administrative Jasz, Nagykun dhe Szolnok të Hungarisë.

    “Në bazë të raportimeve zyrtare, ndalohet importi i shpezëve të gjalla dhe i produkteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e infektuara të shtetit të Hungarisë, përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 km larg zonave të prekura”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

    Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe vjen vetëm pak ditë pasi Kosova ndaloi importin e shpezëve nga Italia, për arsye të njëjta.

    Agjencia ka theksuar se masat janë ndërmarrë për të parandaluar futjen e virusit në territorin e Kosovës dhe për të mbrojtur shëndetin e kafshëve vendore.

  • Therja e zyrtarit të BE-së në Gjakovë, flasin nga QKUK-ja: Gjendja e tij është stabile

    Therja e zyrtarit të BE-së në Gjakovë, flasin nga QKUK-ja: Gjendja e tij është stabile

    Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, ka bërë të ditur se gjendja e zyrtarit të Bashkimit Evropian, i cili u plagos rëndë me mjet të mprehtë, është stabile.

    Syla tha se i plagosuri është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm.

    “Gjendja e tij është stabile. Është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm”, u shpreh drejtori Syla.

    Viktima, rreth 49-vjeçar, i cili gëzon imunitet diplomatik, është transportuar nga Gjakova në QKUK për shkak të plagëve të rënda që mori. Ai fillimisht ishte paraqitur më 4 nëntor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, ku mjekët konfirmuan se kishte dy plagë shpuese — një në qafë dhe një në gjoks.

    Për shkak të gjendjes së tij, ai nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë para autoriteteve.

    Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për rastin, të cilin e ka cilësuar si “vrasje në tentativë”.

    Ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes dhe vendndodhja e saktë ku ka ndodhur plagosja.

  • Nëntë vite nga vdekja e Astrit Deharit, rasti ende i pazbardhur, Kurti: Sistemi i drejtësisë të bëjë më tepër

    Nëntë vite nga vdekja e Astrit Deharit, rasti ende i pazbardhur, Kurti: Sistemi i drejtësisë të bëjë më tepër

    Janë bërë plot nëntë vite nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, por edhe pas thirrjeve të shumta e kohës që ka kaluar, rasti i Deharit ende mbetet i pazbardhur.

    Me rastin e përvjetorit, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë homazheve në nderim të Astritit, theksoi rëndësinë e domosdoshmërinë e zbardhjes së plotë të rastit.

    “I bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë të bëjë më tepër dhe të angazhohet, sepse ky krim është një plagë e hapur, jo vetëm për familjen Dehari dhe Lëvizjen Vetëvendosje, por për mbarë popullin e Kosovës dhe Republikën tonë”, ka thënë ai.

    Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha bashkë me ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiun dhe deputeten Shqipe Mehmeti-Selimi, kanë bërë homazhe pranë varrit të Astrit Deharit.

  • Ra dukshëm në zgjedhjet e së martës, Trump del me arsyetim për republikanët

    Ra dukshëm në zgjedhjet e së martës, Trump del me arsyetim për republikanët

    Zgjedhjet në të gjithë SHBA-në kanë dëshmuar një rënie të dukshme të republikanëve.

    Lideri amerikan, Donald Trump, ndërkaq ka dal me arsyetim pas “disfatës“ zgjedhore.

    Votuesit të martën i dhanë demokratëve një fitore të madhe, duke zgjedhur kandidatë nga e gjithë spektri ideologjik i partisë, një shprehje e gjallë e pakënaqësisë ndaj presidentit amerikan, Donald Trump thuajse një vit pas fillimit të mandatit të tij të dytë.

    Në Virginia, ish-kongresmenja e moderuar Abigail Spanberger arriti performancën më të fortë demokratike në historinë e fundit të shtetit, duke fituar me një avantazh të lehtë.

    Në New Jersey, një tjetër kongresmene e moderuar, Mikie Sherrill, shpërtheu koalicionin që Trump dhe kundërshtari i saj republikan, ish-kongresmeni shtetëror Jack Ciattarelli, kishin formuar për të zvogëluar diferencën në këtë shtet gjatë zgjedhjeve.

    Zohran Mamdani, ndërkohë është 34-vjeçari që do të udhëheq me New Yorkun.

    Mamdani shënoi herën e dytë këtë vit që ai mundi ish-guvernatorin Andreë Cuomo, fillimisht në primaret demokrate dhe pastaj në zgjedhjet e përgjithshme, ku Cuomo kandidoi si kandidat i pavarur me mbështetjen e Trumpit. Megjithatë, fushatat e tyre kishin disa elemente të përbashkëta. Edhe pse zgjidhjet e tyre ndryshonin, kandidatët u përqendruan te çështja e qasjes. Dhe të gjithë kritikuan ashpër performancën e Trumpit

    Trump në aën tjetër nuk humbi kohë për të arsyetuar vetën dhe republikanët.

    “Trump nuk ishte në fletën e votimit dhe mbyllja e qeverisë ishin dy arsye pse republikanët humbën zgjedhjet sonte”, shkroi Trump.

  • Krasniqi kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së: Shkuan në Hagë me kokën lart

    Krasniqi kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së: Shkuan në Hagë me kokën lart

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në pesë vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ka kërkuar drejtësi dhe liri për çlirimtarët.

    Krasniqi në një postim në Facebook, ka thënë se për 1,826 ditë ata dhe familjet e tyre kanë përballuar vuajtjen me qetësi, durim e besim.

    “Pesë vjet më parë, u ndaluan padrejtësisht katër nga udhëheqësit kryesorë të luftës çlirimtare: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pesë vjet më vonë, procesi po vazhdon të zvarritet, padrejtësia të rritet ndërsa e vërteta që ne e njohim dhe e dijmë, ende s’e ka marrë verdiktin që e meriton. Ata shkuan në Hagë me kokën lart, pa u fshehur, pa u ankuar, pa kërkuar privilegje. Shkuan si burrështetas, si ushtarë të lirisë, me besim në drejtësi, me dinjitetin që ua dha historia dhe me dashurinë që ia dhanë Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

    Më tej, ai ka theksuar se historia e vendit tonë është shkruar me gjak dhe sakrificë dhe se asnjë gjykatë nuk mund ta rishkruajë atë.

    “Sot, pesë vjet më vonë, me mirënjohje, mall e krenari, Kosova kërkon asgjë më pak se atë që u takon bijve të saj: Drejtësi, të vërtetën dhe liri për çlirimtarët!”, ka shkruar lideri i PDK-së. /Telegrafi/

  • 68 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, Policia shqipton mbi dy mijë gjoba

    68 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, Policia shqipton mbi dy mijë gjoba

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Sipas raportit të policisë, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ku 27 kanë qenë me lëndime, ndërsa 41 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 17 persona, ndërkaq 16 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2173 gjoba.

  • Australia ndalon Reddit për fëmijët nën 16 vjeç

    Australia ndalon Reddit për fëmijët nën 16 vjeç

    Forumi i njohur Reddit i është shtuar listës së mediave sociale të ndaluara në Australi për fëmijët nën moshën 16-vjeçare.

    Platforma e transmetimeve të drejtpërdrejta, Kick, i është shtuar gjithashtu listës, duke bërë që numri i faqeve të ndaluara të shkojë në nëntë. Këtu përfshihen edhe Facebook, X, Snapchat, TikTok, YouTube, Instagram dhe Threads.

    Nga 10 dhjetori, kompanitë teknologjike do të dënohen deri në 50 milionë dollarë australian nëse nuk marrin hapat e duhur për të deaktivizuar llogaritë ekzistuese për personat nën moshën 16-vjeçare dhe për të ndaluar ata që duan t’i hapin.

    “Ndalimi i qasjes së fëmijëve në rrjetet sociale do t’u japë atyre kohën që të mësojnë dhe të rriten, të çliruar nga forcat që dëmtojnë ata”, ka thënë komisionerja australiane për Sigurinë Elektronike, Julie Inman Grant.

    Shërbimet e mesazheve Discord dhe WhatsApp, si dhe platformat e lojërave Lego Play dhe Roblox nuk do të përfshihen, as Google Classroom dhe YouTube Kids.

    Nuk është e qartë se si kompanitë do ta zbatojnë ndalimin, i cili po monitorohet nga afër nga liderët globalë, por disa nga metodat e mundshme përfshijnë përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit, miratimin prindëror dhe teknologjinë e njohjes së fytyrës.