ATV

Category: Lajme

  • “Pusho e qetë në parajsë”, fjalët e babait të studentes që vdiq në Tetovë

    “Pusho e qetë në parajsë”, fjalët e babait të studentes që vdiq në Tetovë

    Babai i studentes 25-vjeçare, Daorsa Spahija nga Gjakova e cila u gjet e vdekur të mërkurën mbrëma në Tetovë ka reaguar me një postim në rrjetin social Facebook.

    Ai ka ndarë një fotografi të së bijës e shkruan: “Pusho e qetë në Parajsë, dritë e syve të mi”.

    25-vjeçarja do të varroset të premten në varrezat e qytetit të Gjakovës me fillim nga ora 14:00.

  • Gjermania mbyll shoqatën islamike pasi bënte thirrje për kaIifat

    Gjermania mbyll shoqatën islamike pasi bënte thirrje për kaIifat

    Gjermania ka ndërmarrë një veprim të ashpër ndaj ekstremizmit fetar. Ministria e Brendshme gjermane njoftoi të mërkurën se ka mbyllur një shoqatë myslimane, duke e akuzuar për veprimtari kundërkushtetuese, përfshirë thirrje për krijimin e një kalifati.

    Policia gjermane bastisi shtatë ndërtesa në qytetin verior të Hamburgut, ku shoqata “Muslim Interaktiv” kishte selinë e saj.

    “Ne nuk do të lejojmë që organizata, si Muslim Interaktiv, ta minojnë shoqërinë tonë të lirë me urrejtjen e tyre… dhe ta sulmojnë vendin tonë nga brenda”, tha ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt.

    Kjo shoqatë kishte rënë në qendër të kritikave që në prill të vitit 2024, gjatë një proteste në Hamburg, ku mbi 1.200 persona dolën në rrugë duke dënuar politikat gjoja islamofobe të Gjermanisë. Në protestë u panë pankarta me mbishkrimin “Kalifati është zgjidhja”, që shkaktuan tronditje dhe debat të ashpër në mbarë vendin.

    Shoqata akuzohet gjithashtu për mohim të të drejtave të grave dhe nxitje të urrejtjes ndaj Izraelit. Ministria njoftoi se ajo do të shpërbëhet plotësisht dhe pasuria e saj do të konfiskohet.

    Autoritetet e Hamburgut bënë të ditur se “Muslim Interaktiv”, e themeluar në vitin 2020, ishte kryesisht aktive në rrjete sociale, ku kritikonte politikanët dhe shoqërinë për mospranimin e “të gjithë komunitetit mysliman”.

    Ministri i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote, përshëndeti mbylljen e shoqatës, duke theksuar se autoritetet “eliminuan një grup islamist të rrezikshëm dhe shumë aktiv”.

    Po ashtu, policia zhvilloi bastisje edhe në Berlin dhe në landin Hese, në kuadër të hetimeve ndaj dy organizatave të tjera: Generation Islam dhe Realitaet Islam.

    Gjermania ka ndaluar edhe më parë organizata të ngjashme, si Ansaar, e cila në vitin 2021 u akuzua për financim të terrorizmit islamist nën petkun e bamirësisë.

  • Shqipëri–Kosovë: Kalim kufitar pa kontrolle deri më 28 shkurt 2026

    Shqipëri–Kosovë: Kalim kufitar pa kontrolle deri më 28 shkurt 2026

    Nga 1 nëntori 2025, qytetarët që udhëtojnë mes Shqipërisë dhe Kosovës kalojnë kufirin pa kontrolle dokumentesh.

    Pas përfundimit të periudhës njëmujore të kontrolleve gjatë tetorit, prej pesë ditësh në të gjitha pikat kufitare mes dy vendeve është rikthyer procedura e kalimit të lehtësuar për automjetet me targa shqiptare dhe kosovare.

    Kjo masë është pjesë e marrëveshjes së përbashkët ndërqeveritare mes Tiranës dhe Prishtinës, e cila do të mbetet në fuqi deri më 28 shkurt 2026.

    Sipas marrëveshjes, periudha e lehtësuar zbatohet për gjithsej nëntë muaj gjatë vitit, të ndarë në dy faza: nga 1 maji deri më 30 shtator (sezoni turistik veror) dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt (periudha dimërore). Këto periudha janë cilësuar si më të ngarkuarat për hyrje-daljet në kufi, sidomos gjatë verës dhe festave të fundvitit.

    Praktika e kalimit të lehtësuar nisi të zbatohej verën e kaluar dhe përfshin jo vetëm heqjen e kontrolleve kufitare, por edhe patrulla të përbashkëta të policisë rrugore, që mbikëqyrin rrugët drejt zonave bregdetare.

    Fillimisht, marrëveshja vlente vetëm për pikën kufitare Morinë–Vërmicë, por pas kërkesave të qytetarëve dhe shtimit të fluksit të qarkullimit, ajo u zgjerua edhe në Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec, Borje dhe Orgjost.

    Gjithashtu, përgjatë brezit kufitar janë hapur 22 vendkalime të lehtësuara për banorët e fshatrave që ndodhen brenda një rrezeje 30 kilometrash në të dy anët e kufirit.

    Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës ka përfshirë edhe përmirësimin e infrastrukturës. Qeveria e Kosovës ka ndërtuar rrugët Kërstec, Pakisht, Zapod dhe Gorozhup–Pogaj, si dhe disa projekte të tjera lidhëse në zonat kufitare.

    Vetëm këtë vit, sipas të dhënave të policisë kufitare, mbi 5.5 milion shtetas janë regjistruar në hyrje dhe dalje të Shqipërisë në pikat e përbashkëta kufitare, me Morinën që mban peshën kryesore të trafikut.

  • Lajm i mirë për studentët, 50% më lirë biletat e trenit

    Lajm i mirë për studentët, 50% më lirë biletat e trenit

    Kompania e Hekurudhave Trainkos Sh.A. ka njoftuar se studentët në Kosovë mund të përfitojnë zbritje prej 50% në udhëtimet me tren, me kusht që të dëshmojnë statusin e tyre aktiv si studentë.

    Sipas njoftimit zyrtar, për të përfituar nga kjo lehtësi, studentët duhet të posedojnë ID kartelën e fakultetit për vitin akademik aktual ose, në mungesë të saj, fletëpagesën e semestrit për vitin përkatës.

    Ndërkohë, absolventët që janë të liruar nga pagesat duhet të kenë vërtetim nga fakulteti që dëshmon statusin e tyre për vitin akademik në vijim.

    Në rastet kur studentët nuk posedojnë ID kartelë, ata mund të paraqesin vërtetim zyrtar nga fakulteti, që konfirmon se janë aktivë në studime.

    Nga kompania është bërë e ditur se këto kritere janë vendosur për të garantuar transparencë dhe verifikim të saktë të përfituesve, duke parandaluar abuzimet me lehtësitë e ofruara.

    “Falënderojmë studentët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre,” thuhet në njoftimin e Departamentit të Transportit të Udhëtarëve të Trainkos Sh.A.

    Ky vendim, sipas Trainkos, synon të lehtësojë udhëtimet e studentëve drejt qyteteve të ndryshme të Kosovës, si pjesë e përpjekjeve për të promovuar transportin publik më të qasshëm dhe të qëndrueshëm.

  • Horror në një spital gjerman: Infermieri vriste pacientët për të pasur më pak punë, u dënua me burgim të përjetshëm

    Horror në një spital gjerman: Infermieri vriste pacientët për të pasur më pak punë, u dënua me burgim të përjetshëm

    Infermieri ka kryer krimet nga dhjetori i vitit 2023 deri në maj të vitit 2024 në një klinikë pranë Aachent, në perëndim të Gjermanisë.

    Një teknik mjekësor gjerman, i cili punonte në kujdesin paliativ, u dënua të mërkurën me burgim të përjetshëm për vrasjen e dhjetë pacientëve me injeksione dhe përpjekjen për të vrarë edhe 27 të tjerë. Prokurorët thanë se ai u jepte pacientëve të tij, kryesisht të moshuar, injeksione me ilaçe kundër dhimbjeve ose qetësues, në mënyrë që të kishte më pak punë gjatë natës.

    “Krimi është veçanërisht i rëndë,” tha zëdhënësi i gjykatës në Aachen, që do të thotë se tekniku mjekësor ka pak gjasa të lirohet pas 15 vjetësh burg – që është minimumi që duhet të vuhet në Gjermani për një dënim me burgim të përjetshëm. Tekniku mjekësor i kreu krimet nga dhjetori 2023 deri në maj 2024 në një klinikë pranë Aachent, në perëndim të Gjermanisë.

    Vendimi mund të apelohet. Hetuesit po shqyrtojnë edhe disa incidente të tjera të dyshimta gjatë karrierës së tij, raportojnë mediat gjermane. Një tjetër ish-teknik mjekësor u dënua në vitin 2019 në Gjermani me burgim të përjetshëm për vrasjen e 85 pacientëve, që është krimi më i rëndë i këtij lloji në historinë e pasluftës të vendit.

  • Operacion i madh në Spanjë, shkatërrohet organizata shqiptare e trafikut të drogës

    Operacion i madh në Spanjë, shkatërrohet organizata shqiptare e trafikut të drogës

    Autoritetet spanjolle kanë zbuluar dhe çmontuar një organizatë kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, e cila merrej me trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike drejt Spanjës dhe vendeve të tjera të Europës.

    Operacioni, që ka zgjatur afro dy vite, çoi në kapjen e mbi 687 kilogramëve kokainë, rreth 2.500 kilogramëve hashash dhe mbi 1.5 milionë eurove në para, si dhe në arrestimin e disa personave kyç, përfshirë drejtues të rrjetit, trafikantë dhe një zyrtar policie të përfshirë në aktivitetin kriminal.

    Sipas hetimeve, grupi kishte ngritur një sistem të ndërlikuar shpërndarjeje, ku ishulli i Ibizës shërbente si pika kryesore e futjes së drogës në territorin spanjoll. Nga aty, rrjeti kishte shtrirë veprimtarinë në Mallorca dhe në zona të tjera të vendit.

    Mediat spanjolle raportojnë se grupi, i drejtuar nga shtetasi Milojevic, kishte trafikuar në total mbi 2 tonë kokainë dhe afro 5.6 tonë hashash, duke përfituar më shumë se 25 milionë euro.

    Hetuesit zbuluan se droga transportohej nga Afrika dhe Amerika e Jugut me anije tregtare. Paketat hidheshin në det të hapur dhe më pas mblidheshin nga anije të vogla të shpejta, të kontrolluara nga rrjeti kriminal. Në Ibiza, grupi kishte ngritur depo të fshehta për ruajtjen e drogës para se të dërgohej në destinacione të tjera.
    Autoritetet vunë re se trafikantët kishin instaluar pajisje gjurmimi në automjetet e policisë për të shmangur kontrollet dhe për të siguruar transportin pa probleme të sasisë së madhe të hashashit.

    Një pjesë e konsiderueshme e drogës dërgohej në Mallorca, ku Milojevic bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale lokale për ta shpërndarë atë. Droga fshihej në një pronë në Llucmajor, në kontejnerë të varur, për të shmangur grabitjet nga banda të tjera rivale.
    Në qendër të organizatës, sipas policisë spanjolle, qëndronte avokati Gonzalo Márquez, i konsideruar si “truri” i skemës, përgjegjës për menaxhimin financiar dhe pastrimin e fitimeve. Dokumentet e sekuestruara tregojnë se përmes disa kompanive fantazmë, grupi kishte investuar në blerjen e tre hoteleve në Mallorca, Pamplona dhe Almansa.

    Në skandal u përfshi edhe inspektori i Policisë Kombëtare, Faustino Nogales, i akuzuar se ka ofruar informacion të klasifikuar dhe ka paralajmëruar grupin për veprimet e policisë. Arrestimet e Milojevic, Márquez dhe Nogales u kryen në gusht, dhe të tre ndodhen aktualisht në paraburgim.

    Pas magazinimit në Ibiza, droga transportohej me kamionë drejt Valencias, ku rrjeti kishte logjistikë të ngritur, përpara se të shpërndahej në pjesë të ndryshme të Spanjës dhe më gjerë në Europë./Sinjali

  • Haxhiu: Konjufca e bën qeverinë

    Haxhiu: Konjufca e bën qeverinë

    Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe një prej zërave më të afërt të Albin Kurtit, ka folur në Ditar nga Pandi Gjata në A2 CNN mbi zhvillimet e fundit politike në Prishtinë, duke konfirmuar se mandati për krijimin e qeverisë i është dhënë Glauk Konjufcës, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj opozitës për bllokimin e institucioneve dhe për urrejtje ndaj Vetëvendosjes e Kurtit personalisht.

    “Konjufca është person unifikues, i dytë më i votuari në vend, dhe propozimi ynë ka ardhur për të shmangur një krizë të re politike. Ne kërkojmë votimin e buxhetit dhe një qeveri të përkohshme, para se vendi të shkojë sërish në zgjedhje”, tha Haxhiu, duke theksuar se opozita, sipas saj, po e mban peng shtetin “nga inati me Albin Kurtin”.

    Ajo shtoi se “LDK-ja është shkëputur nga elektorati i saj”, ndërsa për Fatmir Limajn tha se negociatat dështuan sepse “kërkoi më shumë se sa ia dha populli”.

    Sipas saj, Vetëvendosja nuk pranon pazare për poste, ambasada apo tenderë. Duke folur për mandatin e dytë të Konjufcës, Haxhiu u shpreh optimiste se votat mund të sigurohen, “nëse deputetët do të ishin të lirë nga presionet e kryetarëve të partive”.

    Ajo gjithashtu vlerësoi rolin e presidentes Osmani, e cila “ka vepruar në përputhje me Kushtetutën” për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme.

    Haxhiu foli edhe për çështjen e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, duke zbuluar se qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për lirimin e tyre nga paraburgimi. “Ne kemi dhënë garanci për kthimin e tyre në Kosovë dhe respektimin e vendimeve të gjykatës. Ata mbahen padrejtësisht, dhe pas përfundimit të dëshmive të prokurorisë nuk ka më asnjë arsye që të qëndrojnë në paraburgim”, theksoi ajo, duke shtuar se “Kosova ka paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e tyre”.

    Haxhiu tha se përpjekjet e qeverisë janë bërë “në heshtje, sepse puna e mirë bëhet pa zhurmë”, ndërsa akuzat e opozitës i quajti “të pabaza”.

    Ajo vlerësoi edhe fitoret e kandidatëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe deklaroi besim të plotë në suksesin e Vetëvendosjes në balotazhin e së dielës, veçanërisht në Prishtinë, Mitrovicë e Prizren.

  • Putini sfidon botën, arma e re bërthamore që mund të zhysë të tërë Manhatanin nën ujë

    Putini sfidon botën, arma e re bërthamore që mund të zhysë të tërë Manhatanin nën ujë

    Një raportim i “Daily Mail” ka tronditur opinionin ndërkombëtar, pasi zbulon se Rusia ka zhvilluar një armë të re bërthamore, e cilësuar si më e frikshmja që Moska ka ndërtuar ndonjëherë.

    Arma mban emrin “Poseidon” një supertorpedë me energji dhe ngarkesë bërthamore, e aftë, sipas ekspertëve, të zhysë brigjet e Shteteve të Bashkuara nën ujëra radioaktive në rast konflikti.

    Burime perëndimore pohojnë se “Poseidon” është projektuar për të vepruar në thellësi të mëdha, duke shmangur sistemet e mbrojtjes detare dhe duke shkaktuar cuname të përmasave katastrofike.

    Raporti paralajmëron se një shpërthim pranë brigjeve amerikane mund të fundosë qytete të tëra – përfshirë Manhattanin – nën ujë të kontaminuar radioaktiv.

    Publikimi i këtyre detajeve ka ngritur alarmin në Uashington. Sipas “Daily Mail”, zhvillimet e fundit e kanë detyruar ish-presidentin Donald Trump të shqyrtojë “të paimagjinueshmen” në lidhje me ekuilibrin bërthamor dhe strategjitë mbrojtëse të SHBA-së.

    Nga ana tjetër, Rusia e paraqet projektin si një “armë parandalimi strategjik”, por në Perëndim ai shihet si një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë globale.

  • Qeveria e Kurtit nis pagesat prej 100 eurosh, paralajmëron grupin e dytë

    Qeveria e Kurtit nis pagesat prej 100 eurosh, paralajmëron grupin e dytë

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot është nisur procesimi i pagesave për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të shumës së njëhershme prej 100 eurove, në kuadër të mbështetjes për fillimin e vitit të ri akademik.

    Në njoftimin e tij, Kurti ka theksuar se 49,623 studentë nga të gjitha drejtimet dhe institucionet arsimore, publike e private, janë përfshirë në këtë grup të parë.

    Ai ka shtuar se pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret do të shqyrtohen dhe procesohen në ditët në vijim, si pjesë e grupit të dytë të përfituesve.

    “Sot është procesuar pagesa për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të shumës së njëhershme prej 100 eurove, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik. Janë gjithsej 49,623 studentë përfitues të të gjitha drejtimeve e institucioneve arsimore, publike e private që janë procesuar me grupin e parë. Pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret për përfitim do të shqyrtohen dhe procesohen me grupin e dytë në ditët në vijim. Me qeverinë tonë, studentët çdoherë do të kenë mbështetjen e shtetit,” ka shkruar Kurti.

  • Detaje tronditëse nga Malisheva, kryeprokurori Gashi zbulon të dhënat e para nga vendi i ngjarjes

    Detaje tronditëse nga Malisheva, kryeprokurori Gashi zbulon të dhënat e para nga vendi i ngjarjes

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Golluboc të komunës së Malishevës, ku dy vëllezër kanë mbetur të vrarë nga një person tjetër, që dyshohet se është dhëndri i tyre.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka konfirmuar për mediat nga vendi i ngjarjes se autoritetet janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për kapjen e të dyshuarit, i cili aktualisht ndodhet në arrati.

    “Kemi të bëjmë me një vrasje të rëndë, konkretisht me një vrasje të dyfishtë me dy viktima. Kryerësi i kësaj vepre penale është ende në arrati dhe policia, në bashkëpunim me prokurorinë, po ndërmarrin të gjitha masat që sa më shpejt të identifikohet dhe të sigurohet prezenca e tij”, tha Gashi.

    Ai shtoi se për momentin nuk mund të jepen më shumë detaje për shkak të procesit të verifikimit të informatave.

    “Tani për tani s’mund të japim informacione shtesë sepse duhet të bëjmë verifikimin e të dhënave dhe më pas do të dalim me një njoftim zyrtar që informatat të jenë sa më të sakta. Ajo që mund të konfirmoj është se viktimat dhe i dyshuari kanë raporte familjare,” shtoi ai.

    Sipas kryeprokurorit, policia është në terren dhe po punon në koordinim të plotë me prokurorinë për mbledhjen e provave materiale dhe personale. Pas kësaj, pritet të jepet një njoftim më i detajuar për rastin.

    Ndërkohë, personi i dyshuar, me inicialet A.I, është aktualisht në kërkim nga Policia.