ATV

Category: Lajme

  • Numri i viktimave nga zjarri në Tuzlla rritet në 13

    Numri i viktimave nga zjarri në Tuzlla rritet në 13

    Në Qendrën Klinike të Tuzllës të enjten në mbrëmje ka ndërruar jetë një person tjetër, duke e çuar numrin e të vdekurve nga zjarri që më 4 nëntor kaploi shtëpinë e pleqve në Tuzlla në 13.

    Kjo u bë e ditur të premten mëngjesin e 7 nëntorit nga ky institucion shëndetësor.

    Sipas rezultateve preliminare të autopsive të kryera deri më tani, të cilat mjekët ia kanë komunikuar gojarisht Prokurorisë, 11 persona kanë vdekur si pasojë e mbytjes, pra helmimit nga monoksidi i karbonit.

    Nga Prokuroria e Kantonit të Tuzllës u bë e ditur më 6 nëntor se hetimi në vendngjarje ka përfunduar dhe se ky institucion do t’i dorëzojë raportet në periudhën e ardhshme Sektorit të Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij kantoni.

    “Rreth shkaqeve të zjarrit do të informojmë publikun pasi të analizohen raportet dhe gjetjet e ekspertëve dhe hetuesve”, tha prokuroria në këtë katon.

    Në Tuzlla janë shpallur katër ditë zie.Drejtori i shtëpisë së pleqve në Tuzlla, Mirsad Bakalloviq, dha dorëheqjen më 5 nëntor.

    Ky institucion financon vetë veprimtarinë nga të ardhurat që siguron dhe, sipas deklaratës së drejtorit dhënë për N1 në janar, shtëpia e pleqve nuk merr para nga asnjë buxhet.

    Qyteti i Tuzllës është pronar i ndërtesës së shtëpisë së pleqve dhe emëron menaxhmentin, por nuk ka subvencione ose fonde nga buxheti.

    Kryeministri i Federatës, Nermin Nikshiq, premtoi ndihmën e Qeverisë së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për kujdesin e personave të vendosur në shtëpinë e pleqve./REL/

  • Vrasja në Malishevë: I dyshuari për krimin dërgohet në Klinikën Emergjente

    Vrasja në Malishevë: I dyshuari për krimin dërgohet në Klinikën Emergjente

    Astrit Isufi i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve Driton dhe Naim Morina para shtëpisë së tyre në Golluboc të Malishevës pas arrestimit që ndodhi sot në orët e hershme të mëngjesit është sjell në Klinikën Emergjente në QKUK, për të marrë trajtim mjekësor për plagët e marra e që dyshohet se janë nga armë zjarri.

    Sipas Policisë së Kosovës i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë është gjetur në fshatin Pllaqicë dhe më pas është arrestuar.

    “Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar.

    Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor. Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër dhe po udhëhiqen në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Dje në fshatin Gullboc të Malishevës dy vëllezër u vranë nga dhëndri i tyre para shtëpisë së tyre. I dyshuari pasi shtiu për vrasje në drejtim të dy vëllezërve iku nga vendi i ngjarjes.

  • Lëndohet në vendin e punës një person në Varosh të Ferizajt

    Lëndohet në vendin e punës një person në Varosh të Ferizajt

    Një person ka pësuar lëndime trupore gjatë punës në vendin e tij, të enjten, në fshatin Varosh të Ferizajt.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, viktima ka marrë tretman mjekësor.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitë përkatëse.

  • Arrestohet në Ferizaj shtetasja serbe që plagosi me thikë të dashurin pas një zënke

    Arrestohet në Ferizaj shtetasja serbe që plagosi me thikë të dashurin pas një zënke

    Një shtetase e Serbisë është arrestuar të enjten në Ferizaj, pasi dyshohet se e ka goditur me thikë të dashurin e saj.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se dyshohet se therja me thikë ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarës dhe të dashurit të saj.

    Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

  • Vdes foshnja njëvjeçare, Spitali i Pejës del me njoftim

    Vdes foshnja njëvjeçare, Spitali i Pejës del me njoftim

    Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar për vdekjen e një fëmije 1.5-vjeçar, i cili ka ndërruar jetë mëngjesin e datës 6 nëntor 2025, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta shpëtuar.

    Në komunikatën e spitalit thuhet se fëmija ishte pranuar fillimisht më 5 nëntor, rreth orës 22:15, me ankesa për të vjella. Pas trajtimit të ofruar, gjendja e tij ishte stabilizuar, ndaj ishte liruar nga spitali, me rekomandimin për monitorim nga afër dhe kthim për kontroll në rast përkeqësimi, përcjell Telegrafi.

    Sipas njoftimit, në mëngjesin e datës 6 nëntor, rreth orës 07:00, fëmija është sjellë sërish në gjendje të rëndë, me çrregullime të vetëdijes dhe probleme në frymëmarrje. Ai është trajtuar menjëherë nga ekipi mjekësor me oksigjen dhe terapi mbështetëse, ndërsa ekipi i anesteziologëve ka kryer intubimin për shkak të përkeqësimit të gjendjes.

    “Pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra me përkushtim dhe sipas protokolleve mjekësore, fatkeqësisht fëmija ka ndërruar jetë në orën 08:50”, thuhet në njoftim.

    Spitali ka bërë të ditur se, në përputhje me procedurat ligjore, ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës në orën 09:13, si dhe organet e tjera kompetente për zhvillimin e hetimeve zyrtare.

    Në fund të reagimit, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e fëmijës, duke theksuar se mbetet në dispozicion të autoriteteve për çdo sqarim shtesë, në respekt të dhimbjes dhe privatësisë së familjes. /Telegrafi/

  • Kaos në aeroportet amerikane, mijëra fluturime në rrezik anulimi

    Kaos në aeroportet amerikane, mijëra fluturime në rrezik anulimi

    Miliona amerikanë që presin të fluturojnë këtë muaj mund t’i anulojnë planet e tyre disa javë përpara sezonit të udhëtimeve festive, nëse mbyllja më e gjatë e qeverisë në historinë e SHBA-së zgjatet.

    Duke filluar nga e premtja, administrata Trump do të shkurtojë fluturimet në 40 aeroporte në të gjithë vendin me 4% dhe do ta rrisë gradualisht uljen në 10% deri të premten e ardhshme, nëse mbyllja vazhdon, sipas një urdhri emergjence nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA).

    Disa linja ajrore të mëdha kanë anuluar paraprakisht qindra fluturime të planifikuara për të premten dhe deri në fundjavë. Anulimet do të ndikojnë te linjat ajrore si një ditë me mot të ngjeshur, tha një zyrtar i linjës ajrore për CNN. Megjithatë, ndryshe nga një stuhi, ato do të përhapen në disa qytete në vend të një rajoni gjeografik.

    Ja çfarë duhet të dini nëse makthi i udhëtimit shndërrohet në realitet të premten:

    Cilat 40 aeroporte do të humbasin fluturime?

    Reduktimi i fluturimeve do të kufizohet në 40 “tregje me trafik të lartë”, tha administratori i FAA-së, Bryan Bedford. “Do t’u kërkojmë linjave ajrore të bashkëpunojnë me ne për të reduktuar oraret e tyre.”

    Lista e aeroporteve të përmendura në urdhrin e FAA-së, të lëshuar të enjten, përfshin tre qendrat kryesore të qytetit të Nju Jorkut — New York LaGuardia, New York John F. Kennedy International dhe Newark Liberty International.

    Aeroporte të tjera të prekura në verilindje përfshijnë Boston Logan International, Philadelphia International dhe Teterboro në Nju Xhersi.

    Ja aeroportet në rajone të tjera që do të shohin shkurtime duke filluar nga e premtja:

    Midwest: Indianapolis International, Chicago Midway International, Chicago O’Hare International, Cincinnati/Northern Kentucky International, Detroit Metropolitan Wayne County, Louisville International dhe Minneapolis–St. Paul International.

    Jug: Charlotte Douglas International, Dallas Love Field, Dallas–Fort Worth International, Fort Lauderdale–Hollywood International, Hartsfield–Jackson Atlanta International, Houston Hobby, George Bush Houston Intercontinental, Memphis International, Orlando International, Miami International dhe Tampa International.

    Zona e DC-së: Baltimore/Washington International, Washington Dulles International dhe Ronald Reagan Washington National.

    Perëndim: Denver International, Las Vegas McCarran International, Los Angeles International, Oakland International, Ontario International, Portland International, Phoenix Sky Harbor International, San Diego International, Seattle/Tacoma International, San Francisco International dhe Salt Lake City International.

    Hawaii dhe Alaska: Anchorage International dhe Honolulu International.

    Shumë aeroporte të tjera mund të preken gjithashtu, pasi fluturimet nga qytetet kryesore ku shkurtimet e FAA-së janë të detyrueshme udhëtojnë drejt aeroporteve më të vogla.

    Sa fluturime do të shkurtohen?

    Një ulje prej 10% e fluturimeve, siç përcaktohet nga FAA, mund të rezultojë në mijëra fluturime të anuluara në ditë — një ulje e paprecedentë.

    Fluturimet e anuluara do të rriten gjatë javës së ardhshme, duke filluar me një ulje prej 4% të fluturimeve që nga e premtja në orën 6 të mëngjesit, tha urdhri i FAA-së. Uljat do të rriten në 6% të martën, pastaj në 8% të enjten dhe deri në 10% të premten e ardhshme, thuhet në urdhër, nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë.

    Kompanitë ajrore do të vendosin se cilat fluturime specifike do të shkurtojnë.

    “Po shohim shenja stresi në sistem, kështu që po e zvogëlojmë në mënyrë proaktive numrin e fluturimeve për t’u siguruar që populli amerikan të vazhdojë të fluturojë në mënyrë të sigurt”, tha administratori i FAA-së, Bedford, në një deklaratë nga Departamenti i Transportit.

    Cilat linja ajrore kanë anuluar fluturimet të premten?

    Ndërsa shumica e linjave ajrore kryesore thanë se ndikimi do të ishte i kufizuar, katër linjat ajrore më të mëdha amerikane kanë anuluar paraprakisht qindra fluturime.

    Delta Air Lines ka anuluar rreth 170 fluturime rajonale dhe kryesore që ishin planifikuar për të premten, dhe do të anulohen edhe më shumë fluturime rajonale, tha një zëdhënës i transportuesit për CNN.

    United Airlines do të anulojë paraprakisht rreth 200 fluturime duke filluar nga e premtja — afërsisht 4% e orarit të linjës ajrore për të premten — dhe që përfshin kryesisht fluturime rajonale. Do të anulojë përsëri rreth 4% të fluturimeve të shtunën dhe të dielën, tha linja ajrore.

    American Airlines uli oraret e fluturimeve me 4% në 40 aeroporte nga e premtja deri të hënën, duke arritur në rreth 220 fluturime të anuluara çdo ditë, sipas zëdhënëses së linjës ajrore, Sarah Jantz. “Edhe me këto anulime, ne planifikojmë të operojmë rreth 6,000 fluturime çdo ditë,” tha Jantz për CNN.

    Rreth 100 fluturime të Southwest Airlines do të anulohen të premten, tha linja ajrore. Një zëdhënës i Southwest i kërkoi Kongresit që “të zgjidhë menjëherë bllokimin e saj” dhe tha se linja ajrore po përcakton përshtatjet e orarit të nevojshme për të përmbushur reduktimet e fluturimeve të FAA-së.

  • Arrestohet Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e dy vëllerzëve

    Arrestohet Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e dy vëllerzëve

    I dyshuari për vrasjen e dy vëllerzëve në Malieshvë, Astrit Isufi është arrestuar.

    Lajmin e ka konfirmuar komandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.

    “Po sot rreth orës 06:30 është arrestuar i dyshuari, ai ka qenë i plagosur, pas ndihmës së parë që i është dhënë, ai është dërguar për trajtim në QKUK”, tha Graishta.

    Arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë.

    “Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

    I dyshuari nga dje ishte në arrati, pasi në Golluboc të Malishevës vrau dy vëllezërit e gruas së tij, para dyerve të shtëpisë.

    Ndaj dorasit ka aktakuzë aktive për dhunë në familje, të kryer në mars.

  • KFOR-i konfirmon: Xhandarët serbë hynë në Kosovë edhe më 15 tetor

    KFOR-i konfirmon: Xhandarët serbë hynë në Kosovë edhe më 15 tetor

    Më 1 nëntor, shtetasi serb i Kosovës Millosh Vukashinoviq, u plagos dhe u kidnapua nga xhandarmëria e Serbisë, në zonën e njohur si “pika zero” në afërsi të Leposaviqit, zonë kjo që i përket Republikës së Kosovës.

    Por, ky nuk ishte rasti i vetëm që njerëz të uniformuar të Serbisë hynë brenda territorit të Kosovës në periudhën e fundit.

    Klankosova.tv ka në posedim një video të datës 15 tetor ku shihen forca të armatosura serbe brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Metergoc të Podujevës, që është zonë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    E kjo u konfirmua ga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.

    “Ne jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Ne ishim në kontakt me Forcat e Armatosura Serbe. Bazuar në informacionin e tyre, personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve. Sapo kuptuan se kishin kaluar Vijën Kufitare Administrative (ABL), ata u kthyen menjëherë në anën e Vijës Kufitare Administrative të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR për KlanKosova.

  • Tajfuni Kalmaegi godet Vietnamin: Pesë të vdekur dhe mbi 130 persona të zhdukur

    Tajfuni Kalmaegi godet Vietnamin: Pesë të vdekur dhe mbi 130 persona të zhdukur

    Tajfuni Kalmaegi ka vrarë të paktën pesë persona në Vietnam, pasi goditi provincat qendrore dhe malore të tij, sipas mediave shtetërore vietnameze.

    Sipas raportimeve, Kalmaegi goditi Vietnamin qendror të enjten në mbrëmje, duke sjellë erëra të forta dhe shira që dëmtuan mijëra ndërtesa në të gjithë rajonin.

    Sipas autoriteteve, numri i të vdekurve mund të vazhdojë të rritet, pasi 135 persona rezultojnë ende të zhdukur pas shirave të rrëmbyeshëm.

    Stuhia çoi në shembjen e gati 57 shtëpive dhe shkuli çatitë e rreth 3,000 të tjerave, ndërsa shkaktoi gjithashtu fundosjen e 11 anijeve dhe rrëzimin e linjave të energjisë në të gjithë vendin.

    Provincat Dak Lak, Quang Ngai dhe Gia Lai të Vietnamit ishin disa nga më të goditurat, me qeverinë që raportoi pesë vdekje dhe shtatë të plagosur deri në mëngjesin e të premten sipas orës lokale.

    Më shumë se 8,000 njerëz janë evakuuar nga zonat e goditura nga stuhia, ndërsa 1.28 milion familje mbeten pa energji elektrike, sipas autoriteteve vendase.

    Qeveria tha se kishte mobilizuar më shumë se 268,000 ushtarë për operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa ambasada amerikane në Hanoi lëshoi një njoftim, duke paralajmëruar se Vietnami bregdetar mund të përjetojë valë me lartësi midis 4-8 metrash dhe erëra deri në 135 km në orë në disa pjesë të vendit.

    Kalmaegi, tajfuni i 13-të që krijohet në Detin e Kinës Jugore këtë vit, tani është dobësuar në një stuhi tropikale, sipas parashikuesit të motit të Vietnamit, ndërsa lëviz drejt Kamboxhias dhe Laosit.

    Më herët këtë javë, uragani Kalmaegi përshkoi Filipinet qendrore, duke vrarë të paktën 188 persona në një nga katastrofat më të këqija të vitit, sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile.

    Vietnami dhe Filipinet janë shumë të prekshme nga stuhitë tropikale dhe tajfunet për shkak të vendndodhjes së tyre përgjatë brezit të tajfuneve të Paqësorit, duke përjetuar rregullisht dëme dhe viktima gjatë sezoneve të stuhive më të forta.

  • Parashikimi i motit për sot: I vranët dhe me reshje të herëpashershme

    Parashikimi i motit për sot: I vranët dhe me reshje të herëpashershme

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje të herëpashershme, lokale shiu.

    Në disa zona priten më shumë reshje dhe rrebeshe shiu ku mund të ketë edhe ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Në viset më të larta malore do të ketë reshje shqote e bore.

    Temperaturat do të shënojnë ulje kryesisht të lehta dhe ajo maksimale pritet të arrijë deri në 12 gradë Celsius.