ATV

Category: Lajme

  • Ky është vendi ku u arrestua i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

    Ky është vendi ku u arrestua i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

    I dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Golluboc të Malishevës, është arrestuar mëngjesin e sotëm. Ai është gjetur i plagosur nga Policia e Kosovës.

    Ai dyshohet se ishte fshehur në një shtëpi të pabanuar, rreth 4 kilometra larg vendit ku kishte ndodhur rasti.

    ATV-ja ka publikuar pamje nga atje.

    Gjatë ditës, nga Policia e Kosovës kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se i njëjti dyshohet se është plagosur gjatë përleshjes me viktimat.

    Ai ka marrë trajtim mjekësor në QMF-në e Malishevës, për t’u transferuar më pas për në QKUK.

    Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla ka folur për gjendjen e të plagosurit. Ai ka thënë se i njëjti është sjellë në QKUK me plagë nga arma e zjarrit dhe pas ekzaminimit është transferuar për në Kirurgjinë Abdominale për trajtim të mëtutjeshëm.

    “Pacienti është pranuar rreth orës 08:30, i cili është sjellë nga Policia e Kosovës me plagë nga arma e zjarrit. Deri më tani janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Pas ekzaminimit klienti është transferu në Klinikën e Kirurgjisë abdominale për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Syla.

    Një numër policësh po e ruajnë të dyshuarin e vrasjes së djeshme të vëllezërve në Gollubovc të Malishevës, në QKUK ku po trajtohet pas plagëve që ka marrë nga arma e zjarrit.

    Dy vëllezërit mbetën të vdekur para dyerve të shtëpisë dje në Golluboc të Malishevës.

    Të afërm të viktimave treguan se i dyshuari ka ardhur ta marrë bashkëshorten, motrën e dy viktimave, e cila po qëndronte te familja pasi disa ditë më parë i vdiq babai.

    Në të dalë nga shtëpia, jashtë dyerve të oborrit ka nisur konflikti mes dhëndrit dhe vëllezërve, ndaj të cilëve shtiu me armë dhe i la të vdekur.

    I dyshuari edhe më parë kishte pas aktakuzë për dhunë në familje. Atij ishte ngritur aktakuzë në prill të këtij viti për dy vepra penale “Dhunë në Familje” dhe “Kanosje”.

     

     

  • Seuli: Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike

    Seuli: Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike

    Koreja e Veriut ka gjuajtur një raketë balistike më 7 nëntor, tha ushtria e Seulit.

    Ky njoftim vjen rreth një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, miratoi një plan të Koresë së Jugut për të ndërtuar një nëndetëse me energji bërthamore.

    Analistët kanë thënë e plani i Seulit për ndërtimin e një nëndetëseje të tillë me energji bërthamore mund të nxisë një reagim agresiv nga Pheniani.

    Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë në Seul tha se Koreja e Veriut gjuajti një raketë të paidentifikuar balistike drejt Detit Lindor, duke iu referuar trupit ujor që njihet edhe si Deti i Japonisë.

    Raketa ra në det jashtë ujërave të Japonisë dhe nuk është raportuar për ndonjë dëm apo për të lënduar, tha kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi.

    Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, raketa u lëshua në orën 12:35, sipas kohës lokale, nga një zonë në veri të Phenianit dhe fluturoi rreth 700 kilometra.

    Koreja e Veriut ka rritur ndjeshëm testimin e raketave në vitet e fundit. Këto testime, sipas analistëve, kanë për synim përmirësimin e kapaciteteve për goditje precize, sfidimin e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, si dhe testimin e armëve para se ato potencialisht të eksportohen drejt Rusisë.

    “Nga këndvështrimi i Koresë së Veriut, mundësia për sulme të papritura nga Deti Lindor mund të jetë burim ankthi. Nëse Koreja e Jugut pajiset me nëndetëse me energji bërthamore, ata do të jenë në gjendje të hyjnë në ujërat e Koresë së Veriut dhe të monitorojnë apo pengojnë armë, sikurse janë raketat balistike që lëshohen nga nëndetëset”, tha për AFP-në, Ahn Chan-il, që ka ikur nga Koreja e Veriut dhe që tani udhëheq Institutin Botëror për Studime të Koresë së Veriut.

    Trump kishte njoftuar se Koreja e Jugut do të ndërtonte nëndetësen në SHBA, ku teknologjia bërthamore konsiderohet një nga sekretet më të ndjeshme dhe më të ruajtura ushtarake.

    Për dallim nga nëndetëset që operojnë me dizel, të cilat duhet të dalin rregullisht në sipërfaqe për të mbushur bateritë, nëndetëset me energji bërthamore mund të qëndrojnë nën ujë për shumë më gjatë./REL

  • ​LVV-AAK, arrihet edhe një koalicion për balotazhin e 9 nëntorit

    ​LVV-AAK, arrihet edhe një koalicion për balotazhin e 9 nëntorit

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do ta mbështesë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Vitisë, për balotazhin e 9 nëntorit.

    Këtë e ka bërë të ditur ish-kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Vitisë, Labinot Bislimi, i cili në raundin e parë të votimit ka marrë 2.89 për qind të votave.

    Kandidati i LVV-së për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, është në garë në balotazh me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sokol Haliti, i cili është edhe kryetar aktual.

    Bislimi ka thënë se ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vetë pozicionimit të tyre, siç ka thënë, “pozicionimit të tyre karshi të keqes së komunës së Vitisë”.

    “Pasi u përafruan vlerat, idetë dhe programet, pasi e morëm vendimin brenda strukturave tona, sot në mëngjes nënshkruam marrëveshjen e koalicionit në nivel të degëve dhe i zgjatëm dorën njëri-tjetrit me kandidatin për kryetar, z. Arsim Ademi. Ky koalicion është rrjedhojë e natyrshme e situatës dhe e vetë pozicionimit tonë karshi të keqes së komunës së Vitisë, që me emër thërrasim Sokol Haliti. Aleanca Dega në Viti nuk ka qëndruar asnjëherë indiferente ndaj proceseve dhe nuk ka pasur asnjëherë pozicion neutral përballë të keqes. Ajo ka pasur dhe gjithmonë do të ketë qëndrime dhe pozicione politike, duke iu përgjigjur situatave të kohës. Situata e tanishme kërkon guxim, mobilizim dhe pozicionim. Ky koalicion e shpreh edhe njëherë guximin tonë për të qenë pjesë e proceseve politike; për t’i ndihmuar dinamikat shoqërore dhe për t’i shtyrë përpara vlerat, idetë dhe projektet e nevojshme për qytetarët e komunës tonë”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

    Në raundin e parë të votimit më 12 tetor, kandidati i LDK-së, Sokol Haliti, ka marrë 38.01 për qind të votave, kurse kandidati i LVV-së, Arsim Ademi, ka marrë 33.46 për qind.

  • Nafta, Rusia dhe Ukraina në agjendën e takimit Trump-Orban

    Nafta, Rusia dhe Ukraina në agjendën e takimit Trump-Orban

    Do të ketë shumë ngrohtësi në pritjen që presidenti amerikan, Donald Trump, do t’i bëjë kryeministrit hungarez, Viktor Orban, në Shtëpinë e Bardhë më 7 nëntor, por përveç kimisë së fortë personale, të dy udhëheqësit do të kenë një listë të gjatë çështjesh për të cilat do të diskutojnë gjatë drekës së tyre.

    Edhe pse prej kohësh i bashkon ideologjia dhe fjalët, dy udhëheqësit janë në anë të kundërta sa i përket politikës ndaj importeve të naftës ruse. Ndërkaq, planet që Orbani të mirëpresë Trumpin dhe presidentin rus, Vladimir Putin, në një samit në Budapest për momentin janë lënë mënjanë.

    Një përjashtim nga masat amerikane që synojnë të kufizojnë tregtinë me naftën ruse duket se është pikë kyç në listën e dëshirave të Orbanit në Uashington.

    Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë raportoi se bisedat me burime brenda Qeverisë hungareze sugjeronin se ata mendonin se një marrëveshje për përjashtim nga masat ka gjasa të ndodhë. Ka një precedent evropian, pas vendimit të muajit të kaluar që përkohësisht të përjashtohet nga sanksionet dega gjermane e Rosneft-it.

    Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti amerikan i Shtetit nuk iu përgjigjën pyetjeve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë.

    “Ai ka kërkuar për një përjashtim. Nuk ia kemi dhënë… Viktori është miku im. Ai ka kërkuar një përjashtim”, tha Trump më 31 tetor për gazetarët që gjendeshin në aeroplanin presidencial amerikan.

  • Qeveria në detyrë merr tri vendime të reja

    Qeveria në detyrë merr tri vendime të reja

    Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike të enjten, 6 nëntor.

    Kryeministri e ministrat në detyrë kanë marrë tri vendime.

    Kanë miratuar propozimin për të kërkuar nga presidentja dhënien e autorizimit Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje në Ballkanin Perëndimor”, ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian, si huadhënës dhe Kosovës, si huamarrës dhe Bankës Qendrore të Kosovës, si Agjent i huamarrësit.

    Është miratuar kërkesa e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, në Ndërmarrjen Shoqërore “Çeliku” në shumën prej 6,405 euro.

    Si dhe, u miratua kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje, sipas tabelave të bashkëngjitura në aneksin A (Kursimet) dhe në aneksin B.

  • Vendoset gurthemeli i projektit “Hambari i Luginës” në Preshevë, investim mbi 720 mijë euro

    Vendoset gurthemeli i projektit “Hambari i Luginës” në Preshevë, investim mbi 720 mijë euro

    Ky projekt kap vlerën prej mbi 720 mijë eurosh dhe bashkon 100 aksionarë shqiptarë nga mbarë rajoni dhe diaspora. Sipas organizatorëve, pika grumbulluese do të shërbejë për mbledhjen e të gjitha produkteve bujqësore, të cilat do të klasifikohen dhe më pas do të eksportohen në vendet perëndimore.

    Kryetari i Unionit të Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Xhelal Mehmeti, tha se ideja për këtë projekt ka ardhur nga konkluzionet e konferencave të kaluara, që kishin për qëllim zhvillimin e bujqësisë.

    “Nuk mund të bënim zhvillim të bujqësisë po të mos e kishim një pikë grumbulluese ku bëhet grumbullimi i produkteve dhe madje eksporti për në vende të caktuara. Falë miqve tanë, falë rrjetit të bizneseve në diasporë, kemi arritur të kontaktojmë disa distributorë dhe jemi përcaktuar për disa produkte me sasi të caktuara. Me bizneset në Luginë jemi konsultuar”, tha ai.

    Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, e vlerësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik të rajonit.

    “Sot është një ditë shumë e veçantë për ne, për shkak se nuk po vendoset thjesht në mënyrë simbolike, por po vendoset një gurthemel i një vizioni që i ka munguar Luginës. Kjo pikë grumbulluese është diçka që do t’u mundësojë bujqve tanë të trajtohen siç e meritojnë dhe produktet e tyre të ruhen këtu, me mundësi që të vlerësohen nga blerësit dhe konsumuesit në të ardhmen. Ne si komunë jemi të gatshëm ta ndihmojmë këtë projekt, të bashkëpunojmë dhe ta zhvillojmë”, tha ai.

    Biznesmeni Albin Hetemi u shpreh se ky projekt do të krijojë mundësi të reja për bujqit e Luginës.

    “Për mua është një ditë e veçantë sepse sot në këtë pikë grumbulluese, të gjithë bujqit do ta kenë mundësinë për plasmanin e produkteve të tyre. Unë do të mundohem që këtë objekt shumë shpejt ta rregullojmë dhe ta fusim në funksion, ku bujqit tanë t’i sjellin produktet e veta sa më shpejt,” tha ai.

    Po ashtu, sot nga ora 10:00 në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë mbahet Konferenca e III-të Ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën e Preshevës”, ku do të ketë disa panele diskutimi me pjesëmarrje të sipërmarrësve nga të gjitha trojet shqiptare.

  • Një kullë 60 metra e lartë është shembur në Korenë e Jugut – raportohen viktima dhe persona të zhdukur

    Një kullë 60 metra e lartë është shembur në Korenë e Jugut – raportohen viktima dhe persona të zhdukur

    Një punëtor ka humbur jetën, dhe sipas informacioneve jozyrtare, katër punëtorë të tjerë konsiderohen të vdekur pas shembjes së pakontrolluar të një kulle 60-metërshe në një termocentral të braktisur në qytetin Ulsan të Koresë së Jugut gjatë punimeve për prishjen e saj të enjten.

    Dy persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur, njoftuan zjarrfikësit lokalë të premten, raporton reuters.

    Në momentin e shembjes së kullës, në vendngjarje ndodheshin nëntë punëtorë. Shpëtimtarët arritën shpejt të nxirrnin dy persona nga nën mbeturinat e shembura, ndërsa një punëtor i tretë, i cili u nxor pak më vonë, vdiq të premten në mëngjes në spital.

    Trupat e katër punëtorëve të tjerë u gjetën disa orë më pas. Vetëm një prej tyre u dërgua në spital, por shërbimi i zjarrfikësve në Ulsan njoftoi se të katër konsiderohen të vdekur. Kërkimi të premten në mëngjes u pezullua përkohësisht për shkak të frikës se rrënojat e paqëndrueshme mund të rrezikonin më tej ekipet. Pas gjetjes së punëtorëve të tjerë, operacioni u rifillua.

    – YouTube  www.youtube.com

    Mbi 340 shpëtimtarë u dërguan në terren, së bashku me qentë kërkues, kamera termike dhe pajisje të tjera për detektim, për të marrë pjesë në kërkim dhe shpëtim.

    Vendi ku po kryhen operacionet e shpëtimit është i mbuluar me sasi të mëdha azbesti dhe fibra qelqi… hapësira është jashtëzakonisht e ngushtë dhe shpëtimtarët duhet të largojnë rrënojat me dorë për të vazhduar operacionet”, deklaroi një nga zyrtarët gjatë një konference për shtyp.

    Pas publikimit të lajmit për tragjedinë, presidenti i Koresë së Jugut, Yi Che-myong, urdhëroi të gjitha shërbimet përgjegjëse të angazhojnë personelin dhe pajisjet e disponueshme për punimet e shpëtimit, duke siguruar maksimalisht sigurinë e njerëzve në terren.

    Termocentrali u mbyll në vitin 2021 pas 40 vjetësh punë. Zyrtarët njoftuan se kulla e kazanëve, një nga tri kullat, ishte tashmë dobësuar sepse po përgatitej për prishje me eksploziv.

  • Gjatë tetorit, Policia në Ferizaj shqipton 329 gjoba për përdorimin e telefonit nga shoferët

    Gjatë tetorit, Policia në Ferizaj shqipton 329 gjoba për përdorimin e telefonit nga shoferët

    Pas përfundimit të fushatës sensibilizuese që filloi më 6 tetor 2025, me moton “Një sekondë në telefon mund të bëhet shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”.

    Policia rajonale e Ferizajt ka kaluar në fazën e zbatimit të masave ndëshkuese ndaj shoferëve që përdorin telefonin gjatë ngasjes së automjetit.

    Gjatë periudhës sensibilizuese, nga data 13 tetor 2025, policia ka zhvilluar ligjërata në shkolla, takime me qytetarë, si edhe ka shpërndarë fletëpalosje informuese me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.

    Si rezultat i veprimeve policore pas përfundimit të kësaj fushate, vetëm gjatë muajit tetor 2025 janë shqiptuar 329 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke përdorur telefonin gjatë drejtimit të automjetit, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

    Policia thekson se përdorimi i telefonit gjatë ngasjes mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, prandaj apelon te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të përqendrohen plotësisht në vozitje dhe të shmangin çdo shpërqendrim.

    “Edhe një sekond pakujdesie mund të ketë pasoja fatale”, thuhet në apelin e Policisë rajonale të Ferizajt.

    Kontrollet dhe masat ndëshkuese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

    Policia fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo shkelje në trafik përmes aplikacionit “Lajmëro policinë” ose në numrat e telefonit: 192, 0290/326-250, 0290/322-406.

  • Balotazhi: 1,690 të rinj do të votojnë për herë të parë, KQZ-ja tregon detajet

    Balotazhi: 1,690 të rinj do të votojnë për herë të parë, KQZ-ja tregon detajet

    Në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave, të drejtë vote do ta kenë edhe të rinjtë që kanë mbushur 18 vjet pas ditës së zgjedhjeve të raundit të parë dhe deri më 9 nëntor, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    “Në rundin e dytë të zgjedhjeve, do të përdoret e njëjta listë votuese e cila është përdorur në rundin e parë, me disa përditësime. Konkretisht, kjo listë është plotësuar me emrat e 1,690 të rinjve që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor kanë të drejtë të votojnë për herë të parë. Po ashtu, nga lista janë larguar rreth 1,150 persona që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë nga fillimshtatori deri në javën e fundit të tetorit”, sqaroi Elezi.

    Elezi ka sqaruar se në listën votuese, nuk do të përfshihen as lëvizjet eventuale të qytetarëve nga njëra komunë në tjetrën.

    “Lëvizjet e brendshme të qytetarëve ndërmjet komunave nuk përfshihen në këtë proces zgjedhor. Kjo do të thotë se qytetarët që kanë ndërruar vendbanimin nga një komunë në një tjetër pas rundit të parë nuk do të mund të votojnë në komunën ku janë zhvendosur, por vetëm në atë ku kanë qenë të regjistruar në listën votuese të rundit të pare dhe nëse komuna e tyre është pjesë e balotazhit”, tha Elezi.

    Rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të mbahet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

    Sipas listës së votuesve të publikuar nga KQZ-ja, pas përditësimit të të dhënave me votuesit e rinj dhe pas largimit të personave të vdekur si edhe të atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë.

    Rundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet në 525 qendra të votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

  • Shpërthim në një xhami në Xhakarta të Indonezisë, mbi 50 persona të plagosur

    Shpërthim në një xhami në Xhakarta të Indonezisë, mbi 50 persona të plagosur

    Dhjetëra persona janë dërguar me urgjencë në spital pas një shpërthimi në një xhami në kryeqytetin indonezian, Xhakarta, tha policia lokale të premten.

    Sipas raportimeve, incidenti ndodhi gjatë lutjeve të së premtes në një xhami brenda një kompleksi shkollor në Kelapa Gading, në Xhakartën Veriore.

    Shefi i policisë së qytetit, Asep Edi Suheri, tha se shkaku i shpërthimit është ende duke u hetuar.

    54 persona janë shtruar në spital me lëndime që variojnë nga të lehta deri në serioze, përfshirë djegie, tha Suheri.

    Mediat lokale treguan pamje të një kordoni policor rreth shkollës me ambulanca në gatishmëri. Ndërkohë, imazhet e xhamisë nuk treguan dëme të mëdha.