ATV

Category: Lajme

  • Rama kërkon lirimin e Veliajt: Tirana nuk mund të trajtohet si jetime

    Rama kërkon lirimin e Veliajt: Tirana nuk mund të trajtohet si jetime

    Edi Rama mblodhi në studion e tij mediatike, në Kryeministri, pesë socialistët që garojnë për Beratin, Vlorën, Tepelenën, Cërrikun dhe Matin, por mendjen e kishte te kandidatja e gjashtë që nuk ishte në studio, Ogerta Manastirliu, shkruan A2 CNN.

    Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që hodhi poshtë përfundimisht mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, duket se nuk e kishte tejkaluar ende, duke e komentuar këtë herë me zë e figurë.

    “Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027 dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të largohet, përveçse me zgjedhje, atëherë jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë. Kush ka në dorë ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se, përtej të gjitha teorive të tjera të konspiracionit, kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë. Ky është një skandal në vetvete dhe është një skandal për të cilin qytetarët e Tiranës paguajnë një kosto, dhe kryeqyteti paguan një kosto çdo ditë, të padrejtë”, tha Rama.

    Komentet ndaj vendimit të Gjykatës i çoi edhe më tej, duke thyer zotimin e tij se akte të tilla nuk i komenton. Me deduksion logjik, ai shprehu qëndrimin se tanimë, Kushtetuesja duket të nxjerrë Veliajn nga qelia dhe ta ridërgojë në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

    “Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë, por ama në dëm të madh të Tiranës, por sheh një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që, me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë, apo jo? Më duket se edhe kjo është gjëja më normale!”, tha Rama.

    Erion Veliaj nga ana e tij vijon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës nga qelia e paraburgimit në Durrës, ku shkoi ta vizitonte edhe një grup nga institucioni i Avokatit të Popullit, kryesuar nga Erinda Ballanca, lidhur me kushtet e trajtimit të tij.

  • Policia harton planin operativ për mbarëvajtjen e balotazhit më 9 nëntor

    Policia harton planin operativ për mbarëvajtjen e balotazhit më 9 nëntor

    Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryetar komune-balotazh, ka hartuar urdhrin operativ policor, ku janë bërë planifikimet e duhura policore lidhur me zgjedhjet (në aspektin e sigurisë), të cilat do të mbahen me 9 nëntor 2025, në Kosovë.

    Planifikimi operativ, siç thuhet, ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor gjatë procesit të balotazhit, angazhimi dhe garantimi i sigurisë, transporti nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

    Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë balotazhit.

    Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ është:  krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas balotazhit.

    Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.

    Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha vendet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin e balotazhit.

    Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

    Profesionalizëm / Integritet / Llogaridhënie

    Në zbatim të urdhrit operativ, me qëllim të koordinimit në mes të nivelit qendror dhe atij rajonal të Policisë, sot më 7 nëntor 2025, është mbajtur takimi informues, këshillues e koordinues me drejtorët e Drejtorive Rajonale Policore dhe menaxhmentin e lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Në takim u diskutuan edhe pikat e veçanta që parasheh urdhri operativ, me qëllim që të sqarohen detyrat dhe aktivitetet policore lidhur me këtë aktivitet.

    Policia e Kosovës njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion, apo çështje që ndërlidhet me aspektin e sigurisë të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës, përmes linjës fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit.

  • KQZ: Më 8 nëntor përmbyllet periudha e votimit jashtë Kosovës

    KQZ: Më 8 nëntor përmbyllet periudha e votimit jashtë Kosovës

    Vetëm edhe një ditë kohë kanë votuesit jashtë Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë, në komunat që janë në balotazh.

    Ky proces që nisi më 27 të muajit të shkuar do të përmbyllet nesër, një ditë para se në Kosovë të hapen qendrat e votimit, të dielën e 9 nëntorit.

    Gjithashtu, KQZ-ja u ka bërë thirrje votuesve jashtë Kosovës të cilët ende nuk kanë pranuar pakon e tyre me fletëvotim, që të kontrollojnë kutitë e tyre postare.

    “Pas komunikimit me Postën e Kosovës, njoftojmë se një numër i dërgesave të padorëzuara në disa shtete në sistem figuron se pranuesve të pakove u është lënë njoftim për paraqitje, andaj është e nevojshme që të kontrollojnë kutitë e tyre postare, pasi kanë mundur të mos vërejnë këto njoftime”, ka thënë KQZ-ja.

    Periudha e votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave vlen vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që ishin regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim nga 23 korriku deri më 29 gusht.

    “Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim. Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimin; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; dhe zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se në votimin jashtë Kosovës për votim me postë, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotim ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së.

    “Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ”, ka njoftuar ky institucion.

  • Rreth 80 prokurorë të shtetit angazhohen për monitorimin e balotazhit

    Rreth 80 prokurorë të shtetit angazhohen për monitorimin e balotazhit

    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton se për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave më 9 nëntor.

    Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

    “Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë.

    Prokurori i Shtetit i fton qytetarët, subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë te prokuroritë përkatëse çdo rast të dyshuar për keqpërdorim ose manipulim të votave”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë, të dielën mbahet raundi i dytë për kryetar në 18 komuna.

  • Rundi i dytë i zgjedhjeve: Rreth 80 prokurorë në gatishmëri për çdo rast manipulimi të votës

    Rundi i dytë i zgjedhjeve: Rreth 80 prokurorë në gatishmëri për çdo rast manipulimi të votës

    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë me dije se në zgjedhjet e së dielës, do të angazhohen rreth 80 prokurorë për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor, shkruan Reporteri.net.

    Prokurori i Shtetit ka ftuar qytarët, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

    Balotazhi do të mbahet të dielën në 18 komuna.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave në Republikën e Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 9 nëntor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë. Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.

  • SHBA vendos sanksione ndaj kompanive ruse të naftës, Vuçiq zhvillon konsultime me ambasadorin rus në Serbi

    SHBA vendos sanksione ndaj kompanive ruse të naftës, Vuçiq zhvillon konsultime me ambasadorin rus në Serbi

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar sot me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandr Botsan-Kharchenko, për marrëdhëniet dypalëshe, stabilitetin energjetik dhe sfidat rajonale, veçanërisht për furnizimin me gaz.

    “Vëmendje të veçantë i kushtuam furnizimit me gaz dhe kushteve që sigurojnë siguri, parashikueshmëri të çmimeve dhe diversifikim të mëtejshëm të burimeve”, ka shkruar ai në Instagram.

    Udhëheqësi serb ka thënë se qëllimi i tyre mbetet i njëjtë: që, sa i përket NIS-it dhe të gjitha masave e kufizimeve përkatëse, të respektojnë plotësisht detyrimet ndërkombëtare, ndërkohë që mbrojnë “sigurinë energjetike, vendet e punës dhe investimet në Serbi”.

    Vuçiq ka thënë se Serbia “do të vazhdojë dialogun, me vendosmëri dhe pragmatizëm, duke mbrojtur interesat e qytetarëve të saj”.

    “Jam i bindur se dialogu mbetet mënyra më e mirë për të kapërcyer sfidat dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme energjetike për vendin tonë”, ka shkruar ai.

    Ndryshe, SHBA-ja i ka vendosur sanksione të reja kompanisë ruse të karburanteve, Lukoil, ku kjo e fundit ka shumicën e aksioneve në industrinë e naftës së Serbisë (NIS). 

  • Sorensen takohet me kryediplomaten finlandeze, thotë se diskutuan në “detaje” për dialogun Kosovë-Serbi

    Sorensen takohet me kryediplomaten finlandeze, thotë se diskutuan në “detaje” për dialogun Kosovë-Serbi

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është takuar dje me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, në Helsinki ku tha se qëndroi për një vizitë pune.

    Sorensen tha se me kryediplomaten finlandeze ka diskutuar “në detaje” mbi procesin që e lehtëson BE-ja, ndërsa e falënderoi atë për mbështetjen dhe interesimin.

    “Vizitë pune shumë e mirë në Helsinki, e organizuar sot nga Ministria e Jashtme e Finlandës. Diskutuam në detaje dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Jam mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e ofruar për procesin e normalizimit”, shkroi Sorensen në X.

  • “Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë”, reagimi i Veliajt pas vendimit të Kushtetueses

    “Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë”, reagimi i Veliajt pas vendimit të Kushtetueses

    Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vendosi ta rikthente në detyrë, duke rrëzuar vendimin e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave.

    Veliaj në një postim në Facebook shkruan Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull.

    Ai shkruan se e drejta mund të vonojë, por nuk harron.

    Lexoni të plotë postimin e tij:

    Për shkak të kushteve ku ndodhem, vetëm tani munda të çoj këtë pusullë-postim me avokatët.

    Drejtësia kushtetuese foli.

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës.

    Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij.

    Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron.

    Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua.

    Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar.

    Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë!. /Telegrafi/

  • ZRrE miraton tri licenca të reja në energji, kërkesat po rriten pas liberalizimit të tregut

    ZRrE miraton tri licenca të reja në energji, kërkesat po rriten pas liberalizimit të tregut

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka mbajtur mbledhjen e saj të dhjetë për këtë vit, në të cilën janë miratuar një numër i madh licencash dhe autorizimesh të reja në sektorin e energjisë, raporton Ekonomia Online.

    Prej gjithsej 80 licencave e autorizimeve të miratuara, tri ishin për furnizim dhe tregtim me energji elektrike, ndërsa 76 për ndërtimin e gjeneratorëve për vetkonsum.

    Drejtori i ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, theksoi se institucioni po përballet me një numër të madh kërkesash për shkak të liberalizimit të tregut.

    “Vlen të theksohet se kemi kërkesa të mëdha për licencim për shkak të liberalizimit të tregut. Këto kërkesa nxisin investime më të mëdha në kapacitetet e energjisë,” deklaroi ai.

    Anëtarët e bordit shqyrtuan dhe miratuan me katër vota për dhe asnjë kundër aplikacionin për licencim të aktivitetit të furnizimit me energji elektrike të kompanisë Swiss Solar.

    Gjithashtu, me katër vota për dhe asnjë kundër u miratua edhe aplikacioni për licencim të aktivitetit të furnizimit me energji elektrike të kompanisë Solar Neo.

    Në vijim, bordi shqyrtoi pikën tjetër të rendit të ditës që përfshinte miratimin e licencës për aktivitetin e tregtimit me energji elektrike nga kompania Alfa Company për një periudhë pesëvjeçare. Edhe kjo pikë u miratua me katër vota për.

    Pika e gjashtë e rendit të ditës kishte të bënte me vendimin për rihapjen e procedurës së tenderimit për zgjedhjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), e cila po ashtu u miratua me katër vota për.

    Në vazhdim të mbledhjes, me katër vota për u miratua edhe aplikacioni për lëshimin e autorizimit për subjektin juridik “Eris Solar sh.p.k.”

    Me katër vota për, bordi miratoi gjithashtu 76 pika të tjera të rendit të ditës, të cilat kishin të njëjtin qëllim – marrjen e autorizimit për ndërtimin e gjeneratorëve për vetkonsum nga aplikues të ndryshëm.

    Fejzullahu sqaroi se, për shkak të numrit të madh të kërkesave me qëllim të njëjtë, ato janë miratuar në bllok, ndërsa çdo aplikues do të njoftohet individualisht për vendimin përkatës.

    “Do t’u dërgohet vendim i veçantë secilës kërkesë përmes arkivës së ZRrE-së,” shtoi Fejzullahu.

  • Aksident në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, dy të lënduar

    Aksident në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, dy të lënduar

    Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti në rrugën Mitrovicë-Prishtinë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    Ai tha se aksidenti ka ndodhur mes dy veturave.

    “Vushtrri, 07.11.2025 – Aksident trafiku me lëndime i shkaktuar rreth orës 10:55,në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë segmenti rrugor në fshatin Stanoc. Në aksident janë përfshirë dy vetura, ku përveç dëmeve materiale lëndime kanë pësuar dy persona”, ka deklaruar Zahiti.