ATV

Category: Lajme

  • Trump përjashton Hungarinë nga sanksionet ndaj energjisë ruse për një vit

    Trump përjashton Hungarinë nga sanksionet ndaj energjisë ruse për një vit

    Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar Hungarinë nga sanksionet energjetike ndaj Rusisë për një periudhë njëvjeçare, për shkak të varësisë së vendit nga importet e naftës dhe gazit rus, ka konfirmuar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

    Vendimi erdhi pas takimit të Trump me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Uashington, ku të dy udhëheqësit diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet e sigurisë energjetike.

    Trump deklaroi se po shqyrtonte “një pagesë” për Orbanin, duke e cilësuar situatën energjetike të Hungarisë “shumë të vështirë”, pasi vendi nuk ka dalje në det dhe është i varur nga furnizimet ruse.

    Pas takimit, ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó njoftoi në rrjetin X se SHBA-të i kishin dhënë Budapestit “një përjashtim të plotë dhe të pakufizuar nga sanksionet mbi naftën dhe gazin”.

    Ky përjashtim përbën një fitore të rëndësishme për Orbanin, i cili më herët kishte paralajmëruar se sanksionet do të dëmtonin rëndë ekonominë hungareze.

    Vendimi vjen disa javë pasi SHBA kishin sanksionuar dy nga kompanitë më të mëdha ruse të naftës, duke paralajmëruar ndëshkime për vendet që vazhdojnë të blejnë prej tyre.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Gjatë dy ditëve të fundjavës, pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se temperaturat do të lëvizin nga 4 deri në 14 gradë Celsius.

    Më poshtë gjeni parashikimin e plotë të motit për vikend:

    Të shtunën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje të kohë pas kohëshme shiu.
    Temperatura minimale do të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriperëndimi e lehte deri mesatare.

    Të dielën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-5m/s.

  • Burri shkon për të marrë gruan dhe fëmijët, Prokuroria me detaje të reja për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

    Burri shkon për të marrë gruan dhe fëmijët, Prokuroria me detaje të reja për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me inicialet A.I., i cili dyshohet për vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 6 nëntor në fshatin Golluboc të Komunës së Malishevës.

    Në kërkesën e paraqitur në Gjykatën Themelore të Gjakovës, Prokuroria thekson se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri A.I., në rrethana familjare, ka privuar nga jeta dy vëllezërit D.M. dhe N.M., të cilët janë vëllezërit e bashkëshortes së tij.

    Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:25, kur i pandehuri kishte shkuar në shtëpinë e familjes së bashkëshortes së tij për t’i marrë atë dhe fëmijët, të cilët ndodheshin atje për shkak të ceremonisë së varrimit të babait.

    Gjatë momentit të largimit, pas një fjalosjeje, i dyshuari ka shtënë disa herë me pistoletë të llojit TT, fillimisht ndaj D.M., e më pas ndaj N.M., duke i lënë të dy të vdekur në vend.

    Pas krimit, i pandehuri ka hedhur armën dhe është larguar nga vendngjarja, ndërsa viktimat janë dërguar në QKMF-në e Kijevës pa shenja jete.

    Prokuroria njofton se A.I. është arrestuar të nesërmen dhe se ndaj tij është ngritur dyshim i bazuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë” sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i të njëjtit Kod.

    Aktualisht, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa gjykata pritet të vendosë për kërkesën e paraburgimit.

  • Kurti shpërthen ndaj Vuçiçit: Serbia duhet sanksionuar nga BE dhe NATO

    Kurti shpërthen ndaj Vuçiçit: Serbia duhet sanksionuar nga BE dhe NATO

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër pas rrëmbimit dhe plagosjes së një qytetari serb me shtetësi kosovare në Leposaviq, rast që dyshohet të jetë kryer nga xhandarmëria serbe brenda territorit të Kosovës.

    Në një deklaratë për media, Kurti ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se ka nisur përndjekjen e serbëve të integruar në institucionet e Kosovës, duke i quajtur veprimet e Serbisë si agresive dhe hegjemoniste.

    “Fqinji ynë verior, përveç se është agresor është edhe agresiv. Vazhdimisht bën sulme, kërcënime e provokime. Së fundmi është e qartë që Serbia është dorëzuar para Republikës së Kosovës dhe para shqiptarëve. Ajo tash i ka në shënjestër serbët të cilët janë integruar në Kosovë, që punojnë për të mirën e komunitetit serb, dhe të cilët nuk i kanë librezat e partisë së presidentit të Serbisë, Vuçiq atje,” deklaroi Kurti.

    Shefi në detyrë i qeverisë theksoi se Serbia është orientuar kah Kremlini, ndërsa Kosova kah vlerat perëndimore.

    “Kosova dhe Serbia janë dy shtete fqinje. Kosova është shtet demokratik, me paqe e siguri, me ligjshmëri dhe rend publik, ndërkaq Serbia është shtet autokratik, armiqësor, i orientuar kah veri-lindja, pra nga Kremlini, dhe gjithashtu me aspirata ekspansioniste e hegjemoniste në Ballkan. Ne jemi të orientuar kah Perëndimi, kah Bashkimi Evropian dhe NATO-ja,” shtoi ai.

    Nga veriu i Mitrovicës, Kurti kërkoi që Bashkimi Evropian dhe NATO të vendosin sanksione ndaj Serbisë, duke e cilësuar atë si kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon.

    “Është e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare, e posaçërisht Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, t’i bëjnë trysni Beogradit ta vendosin Serbinë nën sanksione, sepse ajo po i lufton serbët në Kosovë të cilët dëshirojnë të jetojnë në paqe e në liri, për të cilët jemi garant ne si qeveri e Republikës – meqenëse unë nuk jam kryeministër vetëm i shqiptarëve, por edhe i të tjerëve përfshirë serbët që janë rreth 4% të popullsisë në Kosovë,” deklaroi Kurti.

    Kryeministri në detyrë pati edhe një thirrje direkte për serbët në katër komunat veriore që të bashkëpunojnë me institucionet e Republikës së Kosovës.

    “Kushtetutshmëria, ligjshmëria, paqja e siguria, rendi publik do të jenë cep më cep Republikë sonë, tërë kohën për të gjithë, pa dallim për inat të askujt, por për të mirën publike e qytetare. Andaj edhe organet e Kosovës, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë social, do të jenë pranë gjithë qytetarëve, pa diskriminuar apo favorizuar askënd,” u shpreh Kurti për Tëvë1.

    Ndërkohë, rasti i rrëmbimit të Milan Vukasinoviqit më 1 nëntor në Leposaviq është duke u hetuar nga organet e rendit në Kosovë.

  • Gjykata i jep të drejtë Trumpit: Pasaporta amerikane do të njoh vetëm dy gjini – mashkull dhe femër

    Gjykata i jep të drejtë Trumpit: Pasaporta amerikane do të njoh vetëm dy gjini – mashkull dhe femër

    Gjykata Supreme i ka lejuar administratës Trump të zbatojë një politikë që synon kufizimin e të drejtave transgjinore, e cila do të kufizonte përcaktimet e seksit në pasaporta në “mashkull” dhe “femër” bazuar në seksin e caktuar në lindje.

    Gjyqtarët miratuan një kërkesë emergjente të paraqitur nga administrata, e cila kërkon të përmbysë një politikë të futur gjatë administratës Biden që u lejonte njerëzve të vendosnin “X” si shënues gjinor ose të vetëzgjidhnin mashkull ose femër.

    “Shfaqja e seksit të mbajtësve të pasaportave nuk shkel më shumë parimet e mbrojtjes së barabartë sesa shfaqja e vendit të tyre të lindjes – në të dyja rastet, Qeveria thjesht po dëshmon një fakt”, tha gjykata.

    Bëhet e ditur se që nga viti 1992, Departamenti i Shtetit, në rrethana të caktuara, u ka lejuar njerëzve të zgjedhin një shenjë mashkullore ose femërore që nuk korrespondon me gjininë e tyre në lindje.

    Administrata Biden prezantoi opsionin “X” në vitin 2021 dhe e bëri më të lehtë për aplikantët transgjinorë duke hequr nevojën për provë mjekësore të tranzicionit të gjinisë.

    Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi tha se vendimi pasqyron pikëpamjen e administratës se “ekzistojnë dy gjini dhe avokatët do të vazhdojnë të luftojnë për këtë të vërtetë të thjeshtë”.

    Politika e Trumpit në fakt do të thotë që personat transgjinorë, madje edhe ata që kanë kaluar plotësisht tranzicionin dhe kanë të dhëna mjekësore për ta vërtetuar këtë, nuk do të jenë në gjendje të kenë shënjues gjinorë që korrespondojnë me identitetin e tyre.

    Presidenti Donald Trump njoftoi në ditën e tij të parë në detyrë, më 20 janar, një heqje të rregullit të Bidenit dhe gjithashtu tha se njerëzit duhet të kenë pasaporta që pasqyrojnë gjininë e tyre në lindje.

    Politika e Trumpit u kundërshtua nga disa persona transgjinorë, të cilët pretenduan se ajo shkelte të drejtën e tyre për mbrojtje të barabartë sipas Amendamentit të Pestë të Kushtetutës, si dhe një ligji federal të quajtur Akti i Procedurës Administrative.

    Ashton Orr, një burrë transgjinor nga Virxhinia Perëndimore, është paditësi i emëruar në këtë çështje.

    Ai aplikoi për një pasaportë me një shënues seksi mashkullor në janar dhe, në shkurt, Departamenti i Shtetit iu tha se mund të shkruhej vetëm seksi i tij në lindje, femër.

    Një gjyqtar federal në Massachusetts vendosi kundër administratës, duke thënë se njerëzit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin shënuesit e tyre ose “X” si alternativë.

    Gjykata e Apelit e Qarkut të Parë të SHBA-së me seli në Boston refuzoi ta pezullonte vendimin ndërsa vazhdonte procesi gjyqësor.

    “Politika e re e Trumpit është krejtësisht e ligjshme”, tha Prokurori i Përgjithshëm D. John Sauer në dokumentet e gjykatës.

    “Kushtetuta nuk e ndalon qeverinë të përcaktojë seksin në terma të klasifikimit biologjik të një individi”, argumentoi ai.

    Ndryshe, administrata Trump këtë vit është nxituar rregullisht në Gjykatën Supreme kur politikat e saj bllokohen nga gjykatat e shkallës së parë.

    Çështja e pasaportës shënon herën e 22-të që gjykata ka miratuar një kërkesë emergjente të paraqitur nga administrata nëpërmjet asaj që është quajtur “regjistri i çështjeve në hije”.

    Administrata, deri më tani, ka humbur vetëm dy nga këto çështje.

    Nuk është një vendim përfundimtar dhe procesi gjyqësor do të vazhdojë, por sinjalizon se si do të vendoset përfundimisht çështja.

  • Duda Balje: Glauk Konjufca nuk merr votë nga unë

    Duda Balje: Glauk Konjufca nuk merr votë nga unë

    Deputetja Duda Balje ka deklaruar se nuk do të ketë votë pro Glauk Konjufcës si mandatar i dytë për formimin e qeverisë së re.

    Balje,u shpreh se nuk ka ndryshuar qëndrim teksa shtoi se një funksionar nga Lëvizja Vetëvendosje e ka thirrur në telefon zëdhënësin e saj dhe i ka thënë se ka përfunduar bashkëpunimi mes tyre.

    “Ka qenë shumë e kjartë që prej takimit me presidenten, e gjithë partia ka deklaruar kundër dhe ne jemi dy deputetë që nuk kemi thënë direkt me po. Unë nuk kam ndryshuar qëndrim dhe nuk kam asnjë arsye për të dhënë përkrahje – në kontaktin e fundit me një funksionar të VV-së që ka thirre zëdhënësin tim i kanë thënë se ka përfunduar bashkëpunimi dhe ata nuk duan të bashkëpunojmë me mua dhe as unë nuk kam ndryshuar qëndrim dhe nuk u japë përkrahje”, deklaroi Balje.

    Deputetja, mes tjerash, bëri të ditur se vetë Konjufca nuk i ka kërkuar votën.

  • Turqia lëshon urdhërarrest për gjenocid ndaj Netanyahut

    Turqia lëshon urdhërarrest për gjenocid ndaj Netanyahut

    Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka hapur sot një hetim për gjenocid dhe ka lëshuar 37 urdhër-arreste ndërkombëtare.

    Në krye të listës është kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe bashkë me të akuzohen pothuajse e gjithë komanda e lartë ushtarake dhe politike e Izraelit që drejton luftën në Gazë që nga 7 tetori 2023.

    Dosja turke është 184 faqe dhe mban titullin “Gjenocidi në Gaza – Hetim Penal Nr. 2025/41341”.

    Aty thuhet fjalë për fjalë se Netanyahu dhe 36 të tjerët “me dashje dhe në mënyrë sistematike kanë kryer akte që synojnë shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të popullsisë palestineze në Rripin e Gazës, duke plotësuar elementët e nenit 6 të Statutit të Romës për gjenocid”.

    Konkretisht, prokuroria turke i akuzon për vrasjen e qëllimshme të 43.712 civilëve palestinezë (shifër zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza deri më 6 nëntor 2025), shkaktimin e dëmit të rëndë fizik dhe mendor ndaj 96.000 të plagosurve, krijimin e kushteve të jetesës që synojnë shfarosjen fizike (bllokimi i ujit, ushqimit, ilaçeve dhe energjisë për 2.3 milionë njerëz), pengimin e lindjeve duke shkatërruar 33 nga 36 spitalet dhe duke vrarë 387 punonjës shëndetësorë

    Si prova kryesore përmendet shpërthimi në oborrin e spitalit Al-Ahli Baptist më 17 tetor 2023 ku u vranë 471 persona brenda pak sekondash.

    Përveç Netanyahut, në listë janë edhe emrat që drejtojnë çdo ditë operacionet ushtarake: ministri i mbrojtjes Israel Katz, shefi i shtabit Eyal Zamir, komandanti i jugut Yaron Finkelman, ish-shefi i inteligjencës Aharon Haliva, kreu i Shin Bet Ronen Bar, komandanti i forcave ajrore Tomer Bar, dhe 30 oficerë të tjerë që kanë firmosur urdhrat për bombardimet në Jabalia, Khan Younis, Rafah dhe kampin Nuseirat.

    Urdhër-arrestet janë dërguar sot në Interpol dhe në 124 vende që njohin juridiksionin universal për gjenocid. Turqia ka njoftuar se do të kërkojë edhe nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë që t’i bashkëngjitet kësaj dosjeje. Izraeli e ka quajtur vendimin “antisemitizëm ligjor” dhe “farsë politike”.

    Zëdhënësi i qeverisë tha se “Turqia strehon udhëheqës të Hamasit në pallatet e Ankarasë dhe tani lëshon urdhër-arreste për ne që mbrojmë popullin tonë nga terroristët. Është e njëjta Turqi që mohon gjenocidin armen.”

    Ndërkaq presidenti Erdogan ka dalë live në televizionin TRT duke thënë se “Netanyahu ka kaluar çdo kufi. Ai është Hitleri i shekullit 21. Sot Stambolli foli në emër të 2 miliardë muslimanëve dhe të gjithë njerëzve me ndërgjegje.”

    Kjo është hera e parë në histori që një prokurori turke lëshon urdhër-arrest për një kryeministër në detyrë të një vendi tjetër për gjenocid.

  • Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s, dëshmitari i fundit në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë

    Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s, dëshmitari i fundit në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë

    Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Hashim Thaçit në procesin gjyqësor në Hagë. Kjo është bërë e ditur në konferencën e përjavshme për media nga zyrtarët e Gjykatës Speciale, të cilët thanë se mbrojtja e Thaçit ka thirrur gjithsej katër dëshmitarë deri më tani dhe synon të thërrasë edhe tre të tjerë, përfshirë gjeneralin Clark.

    “Mbrojtja e Thaçit ka thirrur katër dëshmitarë deri më sot, dhe sipas parashtrimeve publike aktuale, synon të thërrasë edhe tre dëshmitarë të tjerë në kuadër të paraqitjes së provave të saj”, thanë zëdhënësit e Speciales.

    Më 4 nëntor, Trupi Gjykues miratoi kërkesat e mbrojtjes për të organizuar dëshminë e Clarkut, e cila mund të fillojë pasditen e 18 nëntorit dhe pritet të vazhdojë më 19 nëntor, me një ditë shtesë të rezervuar më 21 nëntor për të përfunduar dëshminë.

    Dokumentet e publikuara tregojnë se Clark ka marrë miratimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në Hagë.

    Sipas mbrojtjes, dëshmia e gjeneralit amerikan do të përfshijë temat e mëposhtme: drejtimi i përpjekjeve të NATO-s për zbatuar Marrëveshjen Holbrooke-Millosheviq nga tetori 1998, zbatimin e Rezolutës 1199 të KS të OKB-së, kryerjen e fushatës ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Millosheviqit për të nënshkruar marrëveshjet e Rambujesë, vendosjen e forcave në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarake Teknike dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, si dhe mbikëqyrjen e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së.

    Mbrojtja shpreson që dëshmia e Clarkut të përfundojë brenda dy ditësh, por ka kërkuar një ditë shtesë në rast nevoje, për t’i dhënë të gjitha palëve një mundësi të drejtë për të finalizuar dëshminë.

  • Rundi i dytë i zgjedhjeve, KQZ: Mijëra votues të rinj në listë

    Rundi i dytë i zgjedhjeve, KQZ: Mijëra votues të rinj në listë

    Në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave, të drejtë vote do ta kenë edhe 1,690 të rinj që kanë mbushur 18 vjet pas ditës së zgjedhjeve të raundit të parë dhe deri më 9 nëntor.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se do të përdoret e njëjta listë votuese si në rundin e parë, me disa përditësime të rëndësishme.

    “Në rundin e dytë të zgjedhjeve, do të përdoret e njëjta listë votuese e cila është përdorur në rundin e parë, me disa përditësime. Konkretisht, kjo listë është plotësuar me emrat e 1,690 të rinjve që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor kanë të drejtë të votojnë për herë të parë. Po ashtu, nga lista janë larguar rreth 1,150 persona që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë nga fillim shtatori deri në javën e fundit të tetorit”, tha Elezi.

    Ai ka sqaruar gjithashtu se në këtë proces nuk përfshihen lëvizjet e brendshme të qytetarëve ndërmjet komunave, gjë që do të thotë se ata që janë zhvendosur pas rundit të parë nuk mund të votojnë në komunën e re.

    “Lëvizjet e brendshme të qytetarëve ndërmjet komunave nuk përfshihen në këtë proces zgjedhor. Kjo do të thotë se qytetarët që kanë ndërruar vendbanimin nga një komunë në një tjetër pas rundit të parë nuk do të mund të votojnë në komunën ku janë zhvendosur, por vetëm në atë ku kanë qenë të regjistruar në listën votuese të rundit të parë dhe nëse komuna e tyre është pjesë e balotazhit”, shtoi Elezi.

    Rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të mbahet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

    Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 1,316,672, pra vetëm 543 votues më shumë se në raundin e parë.
    Zgjedhjet do të zhvillohen në 525 qendra votimi me gjithsej 1,648 vendvotime, përfshirë 20 vendvotime për votim me kusht.

  • Policia e Kosovës dhe KFOR-i me ushtrim të përbashkët në veri

    Policia e Kosovës dhe KFOR-i me ushtrim të përbashkët në veri

    Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in, kanë realizuar sot një ushtrim të emëruar “ALAMO”, i cili u realizua në pjesën veriore të vendit.

    Në njoftimin e Policisë thuhet se qëllimi i këtij ushtrimi ishte koordinimi, komunikimi dhe bashkëpunimi mes njësive policore dhe KFOR-it, për të siguruar një reagim të shpejtë dhe profesional ndaj çdo situate, ku kërkohet ofrimi i një ambienti të sigurt.

    Pjesëmarrës të këtij ushtrimi nga Policia ishin njësitet relevante speciale të Policisë.

    “Në këtë ushtrim është testuar koha e reagimit, pajisjet dhe komunikimi. Janë zbatuar taktika të reagimit me njësitet relevante policore. Ushtrimi ka përfunduar me sukses rreth orës 11:30. Policia e Kosovës dhe KFOR-i mbesin të përkushtuar, të angazhuar në ruajtjen e sigurisë për gjithë qytetarët e vendit”, u tha në njoftimin e PK-së.