ATV

Category: Lajme

  • Dyshimet për parregullsi me fletëvotime në Mitrovicë të Jugut, raporti i Komisioni të KQZ-së pritet nesër

    Dyshimet për parregullsi me fletëvotime në Mitrovicë të Jugut, raporti i Komisioni të KQZ-së pritet nesër

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot ka nisur punën Komisioni i themeluar nga KQZ për të vlerësuar fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut dhe në Gjakovë, për të cilat janë raportuar parregullsi.

    Sipas KQZ-së, ky komision do të përgatis një raport deri me datën 14 nëntor.

    “Ndërkaq, për komunat tjera ky vlerësim do të bëhet sipas mostrës së caktuar dhe raporti do të finalizohet deri në fund të javës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    KQZ njofton se puna e këtij komisioni do të jetë në funksion edhe të përgjigjes së kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me një ankesë të parashtruar për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, por njëkohësisht edhe të sqarimit të mëtejshëm të situatës së krijuar.

  • Turqia pezullon përkohësisht fluturimet e aeroplanëve C-130 pas rrëzimit që i mori jetën 20 anëtarëve të bordit

    Turqia pezullon përkohësisht fluturimet e aeroplanëve C-130 pas rrëzimit që i mori jetën 20 anëtarëve të bordit

    Turqia ka pezulluar përkohësisht fluturimet e të gjithë aeroplanëve të saj ushtarakë C-130 si masë paraprake, tha ministria e Mbrojtjes të enjten, pas një rrëzimi në Gjeorgji që mori jetën e të gjithë 20 personelit ushtarak në bord.

    Aeroplani i mallrave po fluturonte nga Azerbajxhani për në Turqi kur u rrëzua në komunën Sighnaghi të Gjeorgjisë, pranë kufirit me Azerbajxhanin, të martën. Shkaku i rrëzimit është ende duke u hetuar.

    Personeli ushtarak ishte pjesë e një njësie përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe riparimin e aeroplanëve turq F-16, që kishin fluturuar për në Azerbajxhan për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Fitores në vend.

    Ministria e Mbrojtjes tha se fluturimet e C-130 u pezulluan përkohësisht për t’i lejuar aeroplanit t’i nënshtrohej inspektimeve të hollësishme teknike.

    Vetëm ata që kalojnë me sukses kontrollet do të lejohen të rifillojnë fluturimin, tha ministria në një deklaratë.

    Aeroplanët ushtarakë të mallrave C-130 Hercules të prodhuar në SHBA, përdoren gjerësisht nga forcat e armatosura të Turqisë për transportimin e personelit dhe trajtimin e operacioneve logjistike.

    Ankaraja dërgoi një ekip hetimor aksidentesh për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

    Ministria tha se regjistruesi i të dhënave të fluturimit dhe regjistruesi i të dhënave të zërit në kabinën e pilotit të aeroplanit, u dërguan në Turqi dhe po shqyrtohen.

    Aeroplani u ble nga Arabia Saudite në vitin 2012 dhe u shtua në inventarin e Forcave Ajrore të Turqisë në vitin 2014 pas mirëmbajtjes.

    Më vonë iu nënshtrua modernizimit dhe kishte qenë në përdorim që nga viti 2022.

    Mirëmbajtja e tij më e fundit e planifikuar u përfundua më 12 tetor, tha ministria.

    Mbetjet e aeroplanit u shpërndanë në vende të shumta dhe mbetjet e viktimës së 20-të u gjetën të enjten.

    Funeralet do të mbahen pasi mbetjet të kthehen në Turqi dhe të përfundojnë autopsitë.

  • U fjalosen gjatë orarit të punës, IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Prizren

    U fjalosen gjatë orarit të punës, IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Prizren

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policor në Prizren.

    Kjo pasi, sipas IPK-së të dyshuarit janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin gjatë orarit të punës.

    “Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore lidhur me një incident të ndodhur në Prizren e ku ishin përfshirë dy zyrtarë policorë. Bazuar në veprimet hetimore dyshohet se zyrtarët policorë janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri tjetrin që dyshohet të ketë ardhur pas një fjalosje gjatë orarit të punës. Pas këtyre veprimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Prizren”, njoftoi IPK.

    IPK thotë se sjelljet e këtilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet e profesionalizmit që kërkohen nga një zyrtar policor.

  • Kamberi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve është sistematik dhe i organizuar

    Kamberi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve është sistematik dhe i organizuar

    Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë, nga Lugina e Preshevës, ka thënë se diskriminimi ndaj shqiptarëve nuk është i rastësishëm dhe as procedural, por sistematik dhe i organizuar.

    Një reagim i tij përmes rrjetit social ‘Facebook’ vjen si rrjedhojë e deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, Besnik Bislimi, lidhur me bllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke shtuar se kjo vetëm sa e konfirmon publikisht atë që Kamberi prej vitesh e ka denoncuar në Kuvendin e Serbisë.

    “Fakti që 3,650 nxënës shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë tashmë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pagesa përkatëse është refuzuar tri herë me një kod pa arsye të specifikuar, tregon më së miri shkallën e arbitraritetit administrativ me të cilin shqiptarët trajtohen në këtë shtet. Ky nuk është gabim bankar, por një metodë e qëllimshme për të bllokuar mbështetjen për komunitetin tonë. E njëjta logjikë e pengesave e pamë edhe me anulimin e vendimit për subvencionet bujqësore, edhe me vonesat e vazhdueshme për funksionimin e institucioneve tona përfaqësuese”, ka shkruar Kamberi.

    Sipas tij, njoftimi i sotëm i Bislimit ka rëndësi të madhe politike, sepse, shtoi Kamberi, çështja e mjeteve zhvendoset nga plani teknik në planin ndërkombëtar dhe e vë këtë çështje në radar të Bashkimit Evropian dhe të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen.

    “Institucionet serbe duhet ta kuptojnë se nuk mund të promovojnë ‘dialog’ në Bruksel ndërkohë që përdorin administratën për të sabotuar të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ne do ta vazhdojmë betejën tonë politike dhe institucionale që çdo fëmijë, çdo familje dhe çdo qytetar i Luginës të trajtohet me dinjitet dhe barazi, sipas standardeve që Serbia pretendon se i respekton”, thuhet në fund të postimit.

    LEXONI EDHE:

    Bislimi takon Sorensenin, thotë se e njoftoi atë për bllokimin e fondeve nga Serbia për shqiptarët e Luginës

  • Rama dhe Meloni firmosin marrëveshje historike, Shqipëria hyn në një fazë të re me Italinë

    Rama dhe Meloni firmosin marrëveshje historike, Shqipëria hyn në një fazë të re me Italinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ai dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, kanë finalizuar shkëmbimin e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Italisë mbi bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve.

    Ky zhvillim shënon mbledhjen e parë të përbashkët ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Italisë, një hap që Rama e cilëson si historik në marrëdhëniet dypalëshe.

    “Romë – Shkëmbimi i Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë mbi bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen e zgjuar”, ka shkruar Rama.

    Ky format bashkëpunimi ndërqeveritar (G2G) shihet si një risi që do të thellojë partneritetin strategjik midis Tiranës dhe Romës në disa sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e të dy vendeve.

  • Ish-këshilltari i Wesley Clark përfundon dëshminë në Hagë

    Ish-këshilltari i Wesley Clark përfundon dëshminë në Hagë

    Michael Durkee, ish-këshilltar i Wesley Clark, ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.

    Para Dhomave të Specializuara të gjykatës atje, ai u paraqit për herë të parë pasditen e së mërkurës.

    Të enjten, ai u rikthye sërish për të folur në kohën e pasluftës në Kosovë.

    Ish-këshilltari politik i Clarkut në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha të mërkurën se në kohën kur kishte ndodhur takimi mes tyre dhe Hashim Thaçit në mars ose prill të 1999-ës në Mons të Belgjikës, nuk e dinin se cilat ishin kapacitete e UÇK-së.

    Tutje, ai tha se UÇK-ja nuk kishte një strukturë solide të konsoliduar komande, “që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra që më pas do të çonin në veprime apo operacione të caktuara në terren”.

    Pos tjerash, ai tha se shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës, ndiheshin se ishin tradhtuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta.

    Durkee ndër të tjera është pyetur nga prokurorja se a e ka lexuar aktakuzën në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    “Jo nuk e kam lexuar”, tha shkurt Durkee.

    Ai po ashtu deklaroi se nuk e di se për çfarë krime akuzohen ata.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë të ditur se Wesley Clark, ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, do të fillojë dëshminë të hënën e 17 nëntorit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Danezi Peter Due emërohet shef i ri i UNMIK-ut në Kosovë

    Danezi Peter Due emërohet shef i ri i UNMIK-ut në Kosovë

    Danezi Peter Due nga Danimarka është emëruar si shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka njoftuar të enjten sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

    Due do ta pasojë Caroline Ziadehin nga Libani.

    Guterresi e përgëzoi Ziadehin për “përpjekjet e përkushtuara për të çuar më tej paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, si dhe për udhëheqjen efektive të Misionit”. Ajo e kishte marrë drejtimin e UNMIK-ut në vitin 2021.

    Sipas njoftimit të UNMIK-ut, Due sjell në këtë pozicion 30 vjet përvojë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

    “Që nga viti 2019, ai ka shërbyer si Drejtor për Azinë dhe Paqësorin në Departamentet e Çështjeve Politike dhe të Ndërtimit të Paqes dhe Operacioneve të Paqes. Më parë, ai ishte drejtor për Azinë, Lindjen e Mesme, Evropën dhe Amerikën Latine në Departamentin e Operacioneve Paqeruajtëse (2015-2019. Due shërbeu gjithashtu si përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm dhe kryetar i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd (2013-2015), dhe ishte zyrtar i Çështjeve Politike me UNMIK-un në Prishtinë. Në New York, pozicionet e tij kanë përfshirë gjithashtu Shef Zyre/Asistent Special i Nënsekretarit të Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse (2009-2013), Udhëheqës Ekipi për Afrikën Perëndimore (2008-2009) dhe Udhëheqës Ekipi për Evropën dhe Amerikën Latine (2008)”, thuhet në njoftim.

  • Bislimi takon Sorensenin, thotë se e njoftoi atë për bllokimin e fondeve nga Serbia për shqiptarët e Luginës

    Bislimi takon Sorensenin, thotë se e njoftoi atë për bllokimin e fondeve nga Serbia për shqiptarët e Luginës

    Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi ka njoftuar Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, për një pengesë ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

    Ai bëri të ditur se pagesa prej 304,511.16 euro për tekstet shkollore dhe aktivitetet e Këshillit Kombëtar Shqiptar është bllokuar tri herë nga bankat serbe.

    Sipas tij, refuzimi është bërë pa arsye ligjore apo teknike, duke treguar një model të qëllimshëm administrativ.

    Bislimi theksoi se Kosova ka dorëzuar në BE të gjitha provat përkatëse. Ai shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut, por nuk mund të heshtë ndaj cenimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

    Postimi i plotë:

    Sot kam njoftuar z. Peter Sørensen, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, lidhur me një çështje serioze që tashmë ka marrë karakter të pengesës sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

    3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35,448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale.

    Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304,511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore.
    Pra ky nuk është gabim teknik. Kjo paraqet një model të qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë.

    E njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht. Këto veprime nuk janë raste të izoluara, por tregues të një qasjeje të strukturuar të pengimit administrativ.

    Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.

    Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

  • Nis verifikimi i pakove me fletëvotime nga diaspora

    Nis verifikimi i pakove me fletëvotime nga diaspora

    Komisioni Qendror i zgjedhjeve ka tërhequr mbi 13,000 pako të supozuara me fletëvotime nga kutitë postare të hapura në 22 shtete të ndryshme të botës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të këtyre pakove, me qëllim që të përcaktohet nëse ato janë dërguar nga shtetas të Kosovës të regjistruar si votues jashtë vendit.

    “Pra, procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen 13,000 pako dhe në fund do të kemi më shumë detaje. KQZ i referohet këtyre pakove si “pako të supozuara me fletëvotime” sepse në këtë fazë nuk mund ta dijmë me saktësi nëse brenda tyre ka fletëvotime dhe nëse të njëjtat janë dorëzuar nga votuesit e regjistruar”, theksoi ai.

    Tutje, Elezi shtoi se gjatë periudhës së regjistrimit (23 korrik – 29 gusht 2025) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave ishte: 29,725 votues.

  • Vritet nga policia e Tekasasit, influenceri dhe kuzhinieri i njohur amerikan

    Vritet nga policia e Tekasasit, influenceri dhe kuzhinieri i njohur amerikan

    Influenceri i njohur i ushqimit, i njohur në rrjetet sociale me emrin “FoodWithBearHands”, është vrarë nga një zëvendës-sherif në qarkun “Medina County”, Teksas, më 8 nëntor 2025. 

    Sipas autoriteteve, oficerët iu përgjigjën një thirrjeje emergjence për një person që po nuk po sillej normalisht, e me thikë në dorë, pranë festës së përvjetorit të martesës së tij. Duarte thuhet se bërtiste “Do të ju vras!” dhe i afrohej me thikë zëvendës-sherifit, pavarësisht urdhrave për t’u shtrirë. Oficeri hapi zjarr dhe qëlloi dy herë. Duarte u transportua në spitalin e universitetit në San Antonio ku edhe ndërroi jetë.

    Ai kishte ndjekës të shumtë, mbi 2 milionë në Instagram, TikTok, Facebook dhe YouTube ku publikonte receta, video duke bërë “barbeque” dhe përmbajtje rreth gatimit.

    Agjencia e tij e menaxhimit, “Alooma Media Group”, e përshkroi atë si “bashkëshort i përkushtuar, baba i dashur dhe një njeri me pasion të jashtëzakonshëm.”

    A është kjo një përdorim i panevojshëm i forcës së ushtruar nga policia apo jo, hetimet në lidhje me këtë situatë janë ende në zhvillim nga ndërmarrja përkatëse…