ATV

Category: Lajme

  • “Të kërkosh pagë nuk është privilegj, por lutje për të jetuar”, Jasharaj: Inati i Qeverisë ndaj sindikatave po vazhdon edhe me punëtorët e RTK-së

    “Të kërkosh pagë nuk është privilegj, por lutje për të jetuar”, Jasharaj: Inati i Qeverisë ndaj sindikatave po vazhdon edhe me punëtorët e RTK-së

    Në përkrahje të 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka dalë edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), ku kryetari i saj, Rrahman Jasharaj, thotë se mosekzekutimi i pagave për këta punëtorë tregon një inat të kryeministrit dhe ministrit të Financave.

    Ai, në protestën e sindikatës së punëtorëve, tha se ashtu siç u gjetën mjetet për studentët dhe pensionistët, njësoj do të mund të bëhej edhe për RTK-në, por që sipas tij, ata nuk duan një zgjidhje.

    Jasharaj ka theksuar se të kërkosh pagën nuk është privilegj, por një lutje për të jetuar.

    “Mirë që u gjetën paratë për studentët, mirë që u gjetën paratë për pensionistët. Në këtë mënyrë është dashur të gjenden mjetet edhe për RTK-në dhe 700 punëtorët e tyre. Mosgjetja e mjeteve tregon se kryeministri dhe ministri i Financave kanë diçka, atë inatin që e kanë bërë edhe ndaj nesh në sektorin shtetëror, po e bëjnë një lloj inati me qëllimin më të keq që ta thyejnë vullnetin e sindikatës dhe punëtorëve. Të kërkosh pagë nuk është privilegj, por lutje për të jetuar. Pa pagë është e vështirë të përballet një punëtor këtu me çmime kaq të larta”, deklaroi ai.

  • Pas më shumë se 2 shekujsh, SHBA i japin lamtumirë monedhës prej një centi

    Pas më shumë se 2 shekujsh, SHBA i japin lamtumirë monedhës prej një centi

    ShBA-ja është gati të prodhojnë monedhën e tyre të fundit prej një centësh. Monedhat e Filadelfias do të shtypin grupin e fundit të monedhave një centësh të mërkurën, pas më shumë se 230 vjetësh prodhimi, raporton BBC.

    Megjithëse monedhat do të mbeten në qarkullim, heqja graduale e tyre ka nxitur tashmë bizneset të rregullojnë çmimet, duke u përballur me mungesën e monedhave prej një centi.

    Qeveria thotë se ky hap do të kursejë para, ndërsa presidenti Donald Trump deklaroi në shkurt kur njoftoi planet: “Shkëposni mbeturinat nga buxheti i kombit tonë të madh edhe nëse është një cent në të njëjtën kohë.”

  • Në Hagë, Ish-këshilltari i Clark rrëfen hakmarrjet, tradhtinë dhe dhunën pas luftës në Kosovë

    Në Hagë, Ish-këshilltari i Clark rrëfen hakmarrjet, tradhtinë dhe dhunën pas luftës në Kosovë

    Ish-këshilltari i gjeneralit amerikan Wesley Clark, Michael Durkee, ka vazhduar sot dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke u ndalur në periudhën pasluftës dhe situatën në Kosovë gjatë viteve 1999–2000.

    Durkee u paraqit për herë të parë para trupit gjykues pasditen e së mërkurës dhe dëshmia e tij u vazhdua të enjten. Ai foli gjerësisht për perceptimin e UNMIK-ut dhe KFOR-it mbi kthimin e refugjatëve shqiptarë pas përfundimit të luftës.

    “Perceptimi im, por edhe i UNMIK-ut dhe KFOR-it, ishte që refugjatët që po ktheheshin – të dëbuar nga forcat e Millosheviqit gjatë dimrit të egër të viteve ’98–’99 – po gjenin shtëpitë dhe pronat e tyre të shkatërruara. Miqtë, shokët dhe fqinjët nuk ishin më aty. Kishte nivele të ndryshme të shkatërrimit të jetës së përditshme të shqiptarëve të Kosovës. Shumë prej tyre reaguan me ndjenja hakmarrjeje dhe mëri,” tha Durkee.

    Sipas tij, shqiptarët që u kthyen pas luftës ndiheshin të tradhtuar nga ata që kishin jetuar bashkë para konfliktit.
    “Ata ndiheshin se ishin tradhtuar dhe viktimizuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta,” shtoi ai.

    Durkee shtoi se pas luftës kishin nisur të funksionojnë disa grupe kriminale që kishin ekzistuar edhe më parë dhe nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me UÇK-në.
    “Sipas mendimit tim, disa prej këtyre grupeve kriminale kishin ekzistuar shumë kohë para nisjes së luftës. Dhuna që ndodhi pas luftës nuk lidhej domosdoshmërisht me luftën, por me konflikte mes grupeve armiqësore që përpiqeshin të zgjeronin ndikimin e tyre,” u shpreh ai, duke iu referuar informacioneve nga pjesëtarë të KFOR-it dhe UNMIK-ut.

    Ish-këshilltari i Clark foli edhe për Kanunin shqiptar, duke theksuar ndikimin e traditës së nderit dhe gjakmarrjes në sjelljet e individëve gjatë pasluftës:
    “Duhet bërë dallimi dhe t’i referohemi traditës së Kanunit, idesë së nderit personal dhe mbrojtjes së familjes. Në historinë e Kanunit, disa prej këtyre hakmarrjeve kanë zanafillë shumë breza më parë,” tha Durkee.

    Ai gjithashtu sqaroi se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të plotë komanduese dhe komandantët lokalë vepronin në mënyrë të pavarur:
    “Komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme dhe vepronin sipas gjykimit të tyre. Nuk kishte një zinxhir të konsoliduar komande si në ushtritë perëndimore,” tha ai.

    Për pyetjen nëse Hashim Thaçi mund të ndalonte aktet e dhunës, Durkee u shpreh:
    “Nuk kishte Hashim Thaçi kompetencë dhe autoritet për të ndaluar dhunën në atë kohë. Struktura e komandës ishte ende në përpjekje për t’u konsoliduar, ndërsa UÇK-ja po punonte me KFOR-in për procesin e demilitarizimit.”

    Në përfundim, Durkee theksoi se qëllimi kryesor i udhëheqësve të UÇK-së ishte pavarësia e vendit:
    “Siç e kemi mësuar që në takimin e parë me zotin Thaçi dhe të tjerët, objektivi i tyre kryesor ishte krijimi i një shteti të pavarur të Kosovës,” deklaroi ai.

  • Trump nënshkruan projektligjin për rihapje të Qeverisë amerikane

    Trump nënshkruan projektligjin për rihapje të Qeverisë amerikane

    Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nënshkruar projektligjin për rihapjen e Qeverisë dhe përfundimin e mbylljes së saj më të gjatë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

    Ai e ka nënshkruar dokumentin për të financuar Qeverinë deri në fund të janarit, pasi atë e kanë miratuar Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

    Në Zyrën Ovale, Trump ka thënë se Qeveria do t’i rinisë operacionet normale, pasi “njerëzit janë dëmtuar aq keq” nga mbyllja 43-ditore.

    Shumë shërbime qeveritare janë pezulluar prej tetorit dhe rreth 1.4 milion punëtorë federalë kanë qenë në pushim pa pagesë, ose kanë punuar pa paga, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Edhe ndihmat për personat me të ardhura të ulëta ishin pezulluar, si dhe trafiku ajror ishte çrregulluar, me fluturime të anuluara apo të shtyra.

    Shërbimet qeveritare pritet të rikthehen në ditët në vijim, ndërsa situata në trafikun ajror pritet të stabilizohet para Festës së Falënderimeve, kur shumë amerikanë kthehen në shtëpi.

    Festa këtë vit shënohet më 27 nëntor. Besohet se edhe kjo datë ka ndikuar që kongresistët t’i rrisin përpjekjet për të arritur një marrëveshje,.

    Presidenti Trump, republikan, e ka fajësuar vazhdimisht Partinë Demokratike për mbylljen e Qeverisë.

    “Ata e kanë bërë këtë për arsye të pastra politike. Kur të afrohen zgjedhjet për Kongres dhe gjërat tjera, mos e harroni çfarë i kanë bërë shtetit tonë”, ka thënë ai.

    Demokratët dhe republikanët nuk janë pajtuar me javë për paketën e financimit të Qeverisë, mirëpo të dielën tetë demokratë janë shkëputur nga linja partiake dhe kanë ndihmuar në miratimin e projektligjit për hapje të Qeverisë./REL

  • EUROPOL-i arreston pjesëmarrës në komplotin për rrëmbimin e një trafikanti shqiptar të drogës

    EUROPOL-i arreston pjesëmarrës në komplotin për rrëmbimin e një trafikanti shqiptar të drogës

    Agjencia Evropiane e Policisë [EUROPOL] ka bërë të ditur se më 12 nëntor ka ofruar ndihmë në një hetim të kryer nga gjermanët, lidhur me një grup mercenarësh, të angazhuar nga një rrjet kriminal, me qëllim të kidnapimit të kreut të një bande rivale shqiptare për trafikim droge.

    Kreu i kësaj bande shqiptare – emri i të cilit nuk është bërë i ditur – dyshohet se e ka orkestruar vjedhjen e disa tonëve të kanabisit, në vlerë të miliona eurove.

    Aksioni i koordinuar është fokusuar në shtetas të Letonisë, disa prej të cilëve ishin me prapavijë në Legjionin e Huaj Francez.

    EUROPOL-i ka thënë se në operacion janë përfshirë autoritetet për zbatim të ligjit prej Danimarkës, Francës, Letonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Këta individë shumë të trajnuar kanë qenë të pajisur me pajisje profesionale dhe kanë qenë aktivë në emër të grupit të krimit të organizuar”.

    Në ditën e operacionit policor janë arrestuar katër individë në Danimarkë, Francë, Letoni dhe Mbretëri të Bashkuar, ndërsa dy të tjerë, që janë arrestuar në tetor të vitit 2014 në Gjermani, tashmë janë dënuar nga gjykatat.

    EURPOL-i ka thënë në njoftim se ky operacion është i lidhur me fenomenin e ashtuquajtur “Dhuna si shërbim”, që do të thotë se kryesit e krimit ofrohen për t’i kryer aktet e dhunshme në emër të rrjeteve tjera kriminale.

    Për organizatën evropiane, ky është një trend shqetësues, i cili është edhe rezultat i luftës në Ukrainë.

    “Ukrainasit e trajnuar nga forcat amerikane, legjionarët dhe mercenarët rusë, të gjithë ish-ushtarë të zonave të luftës, po kthehen nga fronti dhe po i shfrytëzojnë aftësitë e tyre për krim të organizuar. Teksa lufta në Ukrainë vazhdon dhe potencialisht intensifikohet, Evropa mund të përballet me numër në rritje të këtyre individëve të përfshirë në aktivitete kriminale”.

    Prandaj, EUROPOL-i ka bërë thirrje që të vëzhgohen këto veprimtari dhe të bëhen përgatitje për sfidat që mund t’i sjellin.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

  • “Pa të vërtetën s’ka paqe”, Vjosa Osmani me mesazh të fuqishëm nga takimi me drejtuesit e Institutit të Krimeve të Luftës

    “Pa të vërtetën s’ka paqe”, Vjosa Osmani me mesazh të fuqishëm nga takimi me drejtuesit e Institutit të Krimeve të Luftës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një mesazh të fortë për drejtësinë dhe kujtesën kombëtare, gjatë një takimi me drejtorin e Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, dhe ekipin e tij.

    Osmani ka theksuar se çdo jetë e humbur gjatë luftës është kujtesë e dhimbshme, duke theksuar se pa të vërtetën dhe pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të vërtetë.

    “Në takimin me drejtorin Atdhe Hetemi dhe ekipin e tij të përkushtuar, theksova se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës është borxhi ynë më i madh si shtet dhe si shoqëri. Çdo jetë e humbur është kujtesë e dhimbshme se pa mbrojtur të vërtetën, pa drejtësi dhe pa kujtesë – nuk ka paqe të vërtetë”, ka shkruar Osmani.

    Presidentja shtoi se Instituti nuk është vetëm një arkiv, por ndërgjegjja e kombit tonë, që dëshmon sakrificën mbi të cilën është ngritur liria e Kosovës.

    “Instituti nuk është vetëm arkiv – është ndërgjegjja e kombit tonë, dëshmia e sakrificës mbi të cilën u ngrit liria jonë. Prandaj, e vërteta e dokumentuar do të dëgjohet dhe do të jetojë”, thuhet tutje nga ana e Presidentes.

    Në fund, Osmani ka ftuar qytetarët, studiuesit dhe të rinjtë që të angazhohen për ruajtjen e kujtesës kombëtare, duke theksuar se drejtësia për viktimat e luftës mbetet një detyrë e përbashkët kombëtare.

  • 183 persona garojnë për vetëm një vend pune në MPB

    183 persona garojnë për vetëm një vend pune në MPB

    Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet vendi. Këtë e dëshmon edhe interesi i madh i qytetarëve për vende pune në institucione publike.

    Në konkursin e fundit për pozitën Zyrtar për regjistrim civil në Prishtinë, kanë aplikuar plot 183 kandidatë.

    Ky numër i madh aplikuesish për një vend pune tregon vështirësitë me të cilat përballen qytetarët për të gjetur punë dhe konkurrencën e ashpër në tregun e punës.

    Më poshtë lista e kandidatëve:




  • 50-vjeçari nga Kosova rrahet për vdekje me shkop bejsbolli në mes të ditës

    50-vjeçari nga Kosova rrahet për vdekje me shkop bejsbolli në mes të ditës

    Një burrë 50-vjeçar nga Kosova u rrah për vdekje me shkop bejsbolli të dielën në qytetin Annecy (Haute-Savoie) të Francës.

    Sipas policisë, një hetim për vrasje me dashje është hapur pas këtij rasti, raportoi AFP. Incidenti ndodhi rreth orës 13:30 të 9 nëntorit. Viktima u godit në fytyrë nga një ose më shumë persona, të cilët më pas ikën në këmbë nga vendi i ngjarjes.

    Mediat franceze raportojnë se burri rreth të pesëdhjetave u dërgua në spital, por ndërrimi i tij i jetës erdhi si pasojë e plagëve të marra.

    Hetimi, i hapur për vrasje me dashje, i është besuar Divizionit të Krimit të Organizuar dhe të Specializuar (DCOS).

  • Dy zyrtarë akuzohen për keqpërdorim të milionave në projektin e lapidarëve

    Dy zyrtarë akuzohen për keqpërdorim të milionave në projektin e lapidarëve

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuza lidhet me projektin e lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë të Suharekës.

    Sipas aktakuzës, nga data 20.10.2023 e në vazhdim, të pandehurit A.E. dhe L.G., duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, ashtu që i pandehuri i parë A.E., në cilësinë e menaxherit të kontratës ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshoj projektin dhe të realizoj punët që nuk kanë qenë në projekt duke ndryshuar projektin gjatë ekzekutimit, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe zyrën e autoritetit kontraktues, ndërsa e pandehura e dytë L.G., mbikëqyrëse e drejtpërdrejte, i ka pranuar të gjitha këto shkelje të menaxherit të kontratës, me qëllim që të mundësojnë përfitim për operatorin ekonomik duke konfirmuar me nënshkrimin e tyre të dhënat e pa vërteta për pagesën e vlerës prej 41.270.00 € si dhe për përfundim të punimeve të datës 22.12.2023 në vlerë prej 7.377.20 € edhe pse nuk është realizuar asnjë punim në ndërtimin e lapidarit në fshatin Studenqan, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.

    Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

    Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, dhe ndaj personave zyrtar të shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, bëhet e ditur në njoftim.

  • Mediat urdhërohen që të largohen nga seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh

    Mediat urdhërohen që të largohen nga seanca gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh

    Një zhvillim i papritur ka ndodhur sot gjatë seancës gjyqësore ndaj Bedri Shabanit, i akuzuar për spiunazh. Trupi gjykues ka kërkuar që të gjitha mediat të largohen nga salla, duke urdhëruar që brenda të qëndrojnë vetëm personat e domosdoshëm për procedurën.

    Gjatë seancës, Gjykata ka kontaktuar me Qendrën e Paraburgimit në Gjilan për të marrë informacione lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit. Përmes një kërkese zyrtare me email, është kërkuar sqarim nga mjekët e qendrës, dhe sipas përgjigjes së marrë, Shabani më datë 11.11.2025 është paraqitur për konsultë te mjeku i burgut, ku i është rekomanduar terapi dhe konsultë te specialistët përkatës.

    Megjithatë, pasi përgjigjja u konsiderua e mangët, Gjykata ka kontaktuar sërish me njësinë përkatëse për të konfirmuar nëse Shabani është vizituar sot nga mjeku. Nga përgjigja e dytë ka rezultuar se i akuzuari është vizituar dhe se parametrat e tij shëndetësorë janë brenda vlerave normale.

    Gjykata ka kërkuar që kjo përgjigje të dërgohet me shkrim dhe aktualisht është në pritje për ta dokumentuar. Ndërkohë, trupi gjykues ka bërë të ditur se nuk do të publikohen shqetësimet e ngritura nga Shabani “për momentin”.

    Avokati i të akuzuarit, Besnik Berisha, ka kërkuar që mediat të largohen nga salla dhe që çështja të trajtohet pa publicitet. Nga ana tjetër, prokurori ka theksuar se “ne jemi juristë dhe nuk jemi mjekë, prandaj nuk ka nevojë që në këtë fazë të elaborohet çështja e diagnozës”, duke ia lënë vendimin në diskrecion të gjykatës.

    Pas konsultimeve, trupi gjykues ka marrë vendim për përjashtimin e mediave nga seanca, ndërsa çështja po vazhdon me publikun e kufizuar.