ATV

Category: Lajme

  • Mot kryesisht me diell sot

    Mot kryesisht me diell sot

    Kryesisht mot me diell dhe kthjellime po parashihet ditën e premtë në vend. Orëve të hershme të mëngjesit, ultësirave sërish priten kushte për mjegull e mjegullinë, që deri nga mesdita pritet të largohet. Megjithëse në pjesë të Dukagjinit mund të mbetet më gjatë.

    Temperaturat minimale zbresin deri në 0C e 3C, e ato maksimale shënojnë rritje deri në 14C e 16C. Në pjesë ku mund të mbetet më gjatë mjegulla, temperaturat mund të mos rriten mbi 10C. Vazhdojnë të dominojnë qetësitë, e pasdite frynë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-3m/s.

    Kryesisht me diell do të jetë edhe përgjatë fundjave, ku orëve të mëngjesit ultësirave mbeten gjasat për formim të mjegullës, mirëpo që largohet deri nga mesdita. Natën në mes së shtunës e së dieles kalojnë vransira shtresore kryesisht të nivelit të lartë. Temperaturat minimale zbresin deri në 1C e ato maksimale shënojnë rritje deri në 17C, lokalisht 18C.

    Ditën e hënë do të ketë shtim të vransirave, por që mbetet butë, e të martën reshje shiu pritet të përfshinë sërish vendin. Maksimalet zbresin në 12C e 13C, derisa ato maksimale shënojnë rritje deri në 6C e 8C. Pas një periudhe të dominuar nga qetësitë, nga dita e hënë frynë erëra mesatare jugore e juglindore 9-15m/s.

  • Bedri Hamza shpall kandidaturën për kryetar të PDK-së

    Bedri Hamza shpall kandidaturën për kryetar të PDK-së

    Bedri Hamza zyrtarisht ka shpallur kandidaturën për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, një ditë pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.

    Në një shkrim në Facebook, tek njoftoi për shpalljen e kandidaturës, Hamza ka thënë se beson që PDK-ja e ka “forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend”.

    “Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja. Falënderim i veçantë edhe për dy miqtë e mi, Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash. Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, ka shkruar ai.

    Një ditë më parë, Krasniqi njoftoi për dorëheqjen. Ai po ashtu bëri të ditur se ka ftuar konventën e partisë për 17 nëntor. E Krasniqi edhe ka shprehur pëlqimin që Hamza të kandidojë për kryetar të partisë.

    Hamza në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat i PDK-së për kryeministër. Deri tash ka qenë kryetar i Mitrovicës.

  • Antonio Brown lirohet nga burgu vetëm një ditë pasi u arrestua në Miami

    Antonio Brown lirohet nga burgu vetëm një ditë pasi u arrestua në Miami

    Ish‑ylli i NFL-it, Antonio Brown, u la i lirë nga burgu i Miami‑t pasi pagoi garancinë prej 25 000 dollarëve. Ai është akuzuar për tentim vrasje të shkallës së dytë dhe ka hedhur poshtë të gjitha akuzat duke u deklaruar i pafajshëm. 

    Në pamjet që kanë dalë në publik, Brown del nga qelia në Qendrën e Korrigjimit „Turner Guilford Knight“, shoqëruar nga avokati i tij, me një çantë me sende personale. Më pas ai ndalon tek një kamion ushqimi për të blerë diçka para se të hipë në makinën e avokatit dhe të largohet.

    Ngjarja e cila e ka futur në burg fillimisht ka ndodhur më 16 maj në Miami, pas një ndeshjeje boksi për VIP-at. Brown akuzohet se ka qëlluar me armë një person pas një sherri fizik, ndërsa një plumb thuhet se ka prekur qafën e viktimës.

    Gjyqtarja Mindy Glazer caktoi garancinë dhe vendosi kushte të rreptadhe ato janë:  Brown duhet të mbajë monitorin GPS në kyçin e këmbës, pasaporta është dorëzuar dhe burg shtëpiak në shtëpinë e tij në Countyn Broward, Florida, po ashtu i ndalohet çdo kontakt me të akuzuarin e përfshirë në ngjarje.

    Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon deri në 15 vjet burg dhe gjobë deri në 10 000 dollarë.

    https://www.tmz.com/watch/antonio-brown-prison-release-11-13-2025/?adid=share-tw

     

  • Vendet nordike dhe baltike, 500 milionë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës

    Vendet nordike dhe baltike, 500 milionë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës

    Danimarka, Estonia, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia dhe Suedia njoftuan sot rundin e fundit të mbështetjes për Ukrainën.

    Vendet po financojnë një paketë të përbashkët prej 500 milionë dollarësh “pajisjesh dhe municionesh ushtarake” për Ukrainën.

    Mbështetja po blihet nga ShBA-ja në kuadër të iniciativës së NATO-s për Listën e Kërkesave të Prioritare për Ukrainën (PURL).

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, në një deklaratë, thotë: “Këto pajisje janë jashtëzakonisht të rëndësishme ndërsa Ukraina hyn në muajt e dimrit dhe dërgesat përmes PURL po rrjedhin në Ukrainë.

    Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të dërgojnë pajisje dhe furnizime thelbësore”.

    Iniciativa përpiqet të zëvendësojë një pjesë të mbështetjes së ofruar më parë nga Uashingtoni.

    Në vend të kësaj, PURL është një mënyrë që aleatët e Kievit, nëpërmjet NATO-s, të blejnë armë dhe pajisje amerikane dhe më pas t’i dërgojnë ato në Ukrainë.

    Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës e përcakton iniciativën si të tillë: “Mekanizmi u lejon vendeve partnere të financojnë prokurimin e armëve të tilla sipas një liste të prioritizuar kërkesash të përcaktuara nga Ukraina dhe të dakordësuara me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n”.

  • Komuna e Prishtinës i dërgon shkresë Hekuran Muratit, për zhbllokimin e buxhetit të kryeqytetit

    Komuna e Prishtinës i dërgon shkresë Hekuran Muratit, për zhbllokimin e buxhetit të kryeqytetit

    Komuna e Prishtinës ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe partinë e tij në pushtet për bllokimin e buxhetit të Kryeqytetit.

    Sipas tyre, Murati është “adresa e vetme e bllokimit” të 33 milionë eurove të Prishtinës, prej të cilave 23 milionë janë të hyra vetanake dhe 10 milionë grant qeveritar.

    Nënkryetari i Komunës, Shkëmb Manaj njofton se sot i ka dërguar Ministrisë së Financave një shkresë të re për zhbllokimin e buxhetit të Kryeqytetit, i cili, sipas saj, është përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025.

    “Adresa e vetme e bllokimit të buxhetit të Prishtinës është Hekuran Murati dhe partia e tij në pushtet. Tjerat çfarë thotë ai në statuse në facebook, janë gënjeshtra të mëdha dhe tentim për ti ikur përgjegjësisë penale. Ai dhe bashkëpunëtoret e tij do të përgjigjen para drejtësisë, derisa e bllokojnë buxhetin e Prishtinës i cili është përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit 2025.

    Sot ia kemi dërguar shkresën e radhës Ministrisë së Financave për zhbllokimin e buxhetit të Kryeqytetit! 33 milion euro, prej të cilave rreth 23 milion të hyra vetanake dhe 10 milion të grantit qeveritar janë bllokuar nga Hekuran Murati me bashkëpunëtoret e tij në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën”, ka shkruajtur nënkryetari i LDK-së në Facebook.

  • Gjykata e Hagës nuk e dëgjoi mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, pranon dëshminë e dëshmitarit të ndikuar

    Gjykata e Hagës nuk e dëgjoi mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, pranon dëshminë e dëshmitarit të ndikuar

    Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara në Hagë ka rrëzuar ankesën e mbrojtjes ndaj vendimit të trupit gjykues që pranoi në prova dëshminë me shkrim të një dëshmitari, i cili ishte konstatuar se ishte ndikuar për të mos dëshmuar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Zëdhënësja e Gjykatës, Angela Griep, ka sqaruar se, sipas Rregullës 155, trupi gjykues mund të pranojë deklaratat me shkrim të një dëshmitari, nëse vërtetohet se ai nuk ka dëshmuar për shkak të ndikimeve të paligjshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas Griep, Paneli i Apelit ka konstatuar se shkalla e parë ka vepruar drejt kur e pranoi këtë dëshmi, duke theksuar se pesha e saj do të vlerësohet vetëm në fund të procesit.

    “Rregullorja nuk lejon që vendimi për fajësi të bazohet vetëm, ose në masë vendimtare, në provat e një dëshmitari që mbrojtja nuk ka pasur mundësi ta marrë në pyetje”, ka deklaruar Griep.

    Zëdhënësja njoftoi gjithashtu se është hedhur poshtë edhe një apel tjetër i mbrojtjes së Hashim Thaçit, që kishte kërkuar pranimin e pesë deklaratave të mëparshme me shkrim të një dëshmitari, të cilat trupi gjykues nuk i kishte pranuar.

    “Vendimi u bazua në parimin se deklaratat mund të pranohen vetëm sipas procedurave të rregullta (Rregullat 153–155), përveç nëse pala kundërshtare pajtohet”, theksoi Griep, duke shtuar se vendimi është në përputhje me jurisprudencën e tribunalëve ndërkombëtarë.

    Ndërkohë, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vrasje dhe pengim të drejtësisë, më 12 tetor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ka kaluar zyrtarisht dosjen tek gjyqtari i vetëm.

    Po ashtu, Griep ka bërë të ditur se është miratuar pjesërisht një kërkesë e Prokurorisë lidhur me materialet e sekuestruara në objektin e paraburgimit.

  • LDK paralajmëron zgjedhje në fund të dhjetorit: Data 28 nuk është e mirë

    LDK paralajmëron zgjedhje në fund të dhjetorit: Data 28 nuk është e mirë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, në një konferencë për media tha se grupi parlamentar i LDK-së nuk do të votojë për asnjë lloj qeverie dhe se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

    Zogaj theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë kontakt nga ana e mandatari të dytë për formimin e Qeverisë.
    “Nuk kemi informacion që është kontaktuar dikush prej anëtarëve të grupit tonë për formimin e Qeverisë. Po shohim qasje të njëjtë me mandatarin e parë, ai nuk ka pasur interes me i kriju institucionet, njëjtë po sillet edhe mandatari i dytë”, tha ai.

    Sipas tij, procesi politik po zvarritet pa arsye dhe do të përfundojë me një “shou politik”.
    “Do të shkojmë deri në ditën e fundit, do të ketë shou politik, s’do të ketë vota dhe pastaj do ta caktojmë datën e zgjedhjeve”, u shpreh Zogaj.

    Deputeti i LDK-së shtoi se afatet zgjedhore janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë dhe se zgjedhjet pritet të mbahen në fund të dhjetorit.
    “Afatet zgjedhore janë afate kushtetuese. Ato e përcaktojnë edhe datën e zgjedhjeve që me gjasë del të jetë fundi i dhjetorit”, tha ai.

    Megjithatë, Zogaj theksoi se data e 28 dhjetorit nuk është e përshtatshme për shkak të festave të fundvitit.
    “Data e 28 dhjetorit s’është datë e mirë për zgjedhje, sepse janë festat e fundvitit. E kemi të vështirë me i organizua zgjedhjet. Nuk është datë ideale, por nëse afatet kushtetuese e kërkojnë, LDK është e gatshme për zgjedhje”, deklaroi ai.

    Zogaj gjithashtu u shpreh i kënaqur me rezultatin e LDK-së në zgjedhjet lokale:
    “Ne jemi të lumtur me rezultatin zgjedhor, na qet parti fituese në shumë aspekte. Kemi fituar Prishtinën”, tha ai.

    Në fund, Zogaj shtoi se zgjidhja e vetme për ngërçin politik në të cilin ndodhet vendi janë zgjedhjet.
    “Zgjidhja e vetme e këtij ngërçi politik që na ka futur LVV janë zgjedhjet, dhe ajo sa më parë të jetë e mundur”, përfundoi Zogaj.

  • Kosova renditet si vendi me nivelin më të ulët të krimit në Ballkan

    Kosova renditet si vendi me nivelin më të ulët të krimit në Ballkan

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e të Gjitha Formave të Krimit të Organizuar Transnacional, më 10 nëntor është publikuar raporti “Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2025”, i cili e rendit Kosovën si vendin me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.

    Ky indeks, i publikuar nga organizata Global Initiative Against Transnational Organized Crime, mat përhapjen e krimit të organizuar dhe rezistencën e shteteve ndaj tij, duke vlerësuar fusha si trafiku i drogës, i qenieve njerëzore dhe krimi kibernetik, si dhe aftësinë institucionale për t’i luftuar këto forma të krimit përmes qeverisjes, zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Sipas rezultateve për vitin 2025, Kosova vlerësohet me mesatare prej 4.85 pikësh në një shkallë nga 1 deri në 10, duke zënë vendin e parë në rajon për nivelin më të ulët të krimit dhe numrin më të vogël të viktimave në aksidentet fatale.

    Policia e Kosovës thekson se kontribut kyç në këtë arritje kanë dhënë lidershipi dhe zyrtarët e saj, përmes planeve zhvillimore strategjike dhe objektivave të qarta në luftimin e të gjitha formave të krimit, që kanë prodhuar rezultate të qëndrueshme ndër vite.

  • Balotazhi përfundoi, këta kandidatë po përgatiten të betohen si deputetë të Kuvendit

    Balotazhi përfundoi, këta kandidatë po përgatiten të betohen si deputetë të Kuvendit

    Kosova, që nga fillimi i këtij viti, ka kaluar një vit plot zgjedhje: në muajin shkurt u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në tetor zgjedhjet lokale, ndërsa më 9 nëntor u zhvillua balotazhi në 18 komuna. Edhe në fund të këtij viti, pritet që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

    Në balotazhin e 9 nëntorit, sipas rezultateve të KQZ-së, të cilat ende nuk janë certifikuar, në komunën e Mitrovicës së Jugut u shpall fitues Faton Peci, ndërsa në Obiliq fitues doli Halil Thaçi. Të dy janë aktualisht deputetë të Kuvendit.

    Sipas renditjes, pas Pecit dhe Thaçit, në ulësen e Kuvendit pritet të vijë Vigan Qorrolli, i cili sipas listës së publikuar nga KQZ ka marrë 16,631 vota.

    I dyti kandidat i VV-së, që pritet të betohet, është Taulant Kelmendi me 16,424 vota. Kelmendi humbi zgjedhjet për kryetar të komunës, ku mori 12,478 vota ose 38.87%.

    Ndryshe, në rast se Kelmendi dhe Qorrolli bëhen deputetë të Kuvendit, ulëset e tyre në parlament mund të jenë të përkohshme, pasi fundi i vitit pritet të sjellë zgjedhje të jashtëzakonshme.

  • AAK: Në asnjë rrethanë nuk kemi votë për Glauk Konjufcën

    AAK: Në asnjë rrethanë nuk kemi votë për Glauk Konjufcën

    Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka përjashtuar çdo mundësi që deputetët e partisë së tij të votonin Glauk Konjufcën për kryeministër.

    Brahimaj tha se propozimi i Glauk Konjufcës për mandatar është një skenar i Albin Kurtit për të zvarritur krijimin e institucioneve:

    “Propozimi i Glauk Konjufcës për mandatar është mashtrimi i radhës i Albin Kurtit për blerje kohe. Në asnjë rrethanë Glauk Konjufca nuk është i interesuar që të marrë as 57 vota e lëre më 61 vota. Kështu që Kurti nuk është person që e duron që një kolegë të marrë vota më shumë se ai. Kështu që kjo është vetëm për blerje kohe dhe mashtrim për të vazhduar me zhvatjen e institucioneve pa llogaridhënie dhe pa një Parlament. AAK-ja në asnjë rrethanë nuk ka votë për Konjufcën dhe ashtu siç janë deklaruar edhe partitë tjera nuk kanë gatishmëri për të votuar Konjufcën. Të gjithë janë deklaruar pas takimit me presidenten se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet,” tha Brahimaj.