ATV

Category: Lajme

  • E mashtruar, e kërcënuar dhe e lënë pa rrugëdalje, zbulohen detaje tronditëse për vdekjen e Daorsa Spahijës, 24-vjeçares nga Gjakova

    E mashtruar, e kërcënuar dhe e lënë pa rrugëdalje, zbulohen detaje tronditëse për vdekjen e Daorsa Spahijës, 24-vjeçares nga Gjakova

    “Studente shembullore, njeri i dashur dhe e rritur në mirëqenie familjare”, kështu e përshkruan një mik i saj, Daorsa Spahijën, 24-vjeçaren që u gjet e vdekur javën e kaluar në Tetovë.

    Miku i saj, që në rrjetet sociale njihet si “Zhubi the goat”, ka publikuar një video me rrëfime prekëse nga jeta e të ndjerës, e cila – sipas tij – dyshohet se i dha fund jetës për shkak të kërcënimeve dhe shantazheve nga i dashuri i saj 31-vjeçar.

    Sipas këtij rrëfimi, Daorsa nuk kishte qenë në dijeni se i dashuri i saj ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve.

    “Hevzi Sejdiu, 31-vjeçar, njihet si kriminel në Maqedoni. Edhe pse kishte grua dhe tre fëmijë, ai u përfshi në jetën e Daorsës pa i treguar të vërtetën. E prezantoi madje edhe te familja e tij, deri në momentin kur u zbulua gjithçka. Hevzi Sejdiu u lirua disa muaj më parë për trafikun e dhjetëra armëve. Po të ishte në burg, sot Daorsa do të ishte gjallë”, – shprehet shoku i saj.

    Në rrëfimin e tij, miku i të ndjerës shton se Daorsa do të duhej të diplomonte më 13 nëntor, por nuk arriti ta bënte, sepse, sipas tij, “një kriminel e kishte mashtruar dhe e kishte shkatërruar psikologjikisht”.

    “Ai nuk tregoi që ka familje. E përfshiu në jetën e tij dhe kur u kuptua e vërteta, e kërcënoi, e shantazhoi dhe ia mori dokumentacionin. Ajo nuk kishte zgjidhje, as ku të shkonte. As policia nuk ishte opsion për të. Dy vite lidhje, dy vite vuajtje dhe gjendje e rënduar mendore”, – tha Zhubi.

    24-vjeçarja, bija e ish-ushtarit të UÇK-së Arbër Spahija, u varros më 7 nëntor në varrezat e qytetit të Gjakovës, duke lënë pas dhimbje të madhe në familje dhe miq.

    Lidhur me këtë rast që ka tronditur opinionin publik, Prokuroria Themelore në Tetovë ka njoftuar se janë intensifikuar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndonëse deri më tani, sipas tyre, “të dhënat e para nuk tregojnë për vepër penale”.

  • Tre persona të zhdukur në dy komuna të Kosovës brenda 24 orëve të fundit

    Tre persona të zhdukur në dy komuna të Kosovës brenda 24 orëve të fundit

    Dy raste të zhdukjeve janë evidentuar në raportin 24 orësh të policisë, me gjithsej tre persona për të cilët nuk dihet se ku janë.

    Rasti i parë është raportuar në Obiliq më 11 nëntor ku është zhdukur një burrë.

    “Obiliq 11.11.2025-17:20. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se viktima mashkull kosovar është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij”, thuhet në raportin e policisë.

    Policia njofton se në konsultim me prokurorin kujdestar është iniciuar rasti, për të cilin kane filluar të zhvillohen hetime.

    Ndërkaq, pasditen e së martës dy persona të tjerë janë raportuar të zhdukur në Kamenicë.

    “Kamenicë 11.11.2025-13:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dy viktimat femra kosovare janë larguar nga shtëpia dhe nuk di asgjë për vendndodhjen e tyre”.

    Bëhet e ditur se edhe ky rast ka shkuar në procedurë hetimore.

  • Formimi i qeverisë dhe zhvillimet e tjera politike, AAK mbledh sot Kryesinë

    Formimi i qeverisë dhe zhvillimet e tjera politike, AAK mbledh sot Kryesinë

    Zhvillimet e fundit politike në vend, kanë bërë që partitë të intensifikojnë takimet e brendshme.

    Një ditë pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u bë e ditur dorëheqja e Memli Krasniqit, sot pritet të mbajë të njëjtën mbledhje edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Siç mëson Telegrafin nga burime brenda AAK-së, në këtë mbledhje e cila është paraparë të nisë në orën 17:00, do të marrin pjesë edhe kryetarët e degëve të partisë.

    Sipas të njëjtave burime në këtë mbledhje do të diskutohen zhvillimet e fundit politike në vend, në një periudhë kur kanë mbetur pak ditë deri në thirrjen e seancës për votimin e mundshëm të Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e Qeverisë, pas mandatimit nga presidentja Vjosa Osmani.

    Po ashtu, pritet që pjesë e diskutimeve të jenë edhe përgatitjet e Aleancës në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Kujtojmë se në zgjedhjet komunale të mbajtura së fundmi, AAK konfirmoi fuqinë politike duke ruajtur 5 komunat ku kishte qeverisur deri tani.

    Partia e Ramush Haradinajt do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes në mbi 10 komuna të tjera, ndërkaq do të përfaqësohet në asambletë komunale me 98 asambleistë, duke marrë mbi 87 mijë vota. /Telegrafi

  • Ndërpritet përkohësisht seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Ndërpritet përkohësisht seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.

    Dy të dyshuarit tashmë janë sjellë në Gjykatë, transmeton Telegrafi.

    Gjykatësi Rrahman Beqiri në hyrje të seancë tha se janë njoftuar që Bedri Shabani ka marrë tretman mjekësor, dhe se i njëjti nuk është mirë me shëndet.

    Ndërsa, i akuzuari Bedri Shabani kërkoi që seanca të mos mbahet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

    “Po kam marrë trajtim shëndetësor, por nuk jam mirë me shëndet. Ju kisha lut që kjo seancë mos të mbahet. Jam në mbikëqyrje të mjekëve. Gjendja shëndetësore është e vështirë, dhe jam në mbikëqyrje të mjekëve çdo 30 min”, deklaroi ai.

    Pas kësaj trupi gjykues vendosi që të shkojnë në konsultime.

    Pas konsultimeve, u bë e ditur se seanca të ndërpritet përkohësisht deri në ora 10:30.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.

    Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.

  • Prangoset një grua për keqtrajtim të fëmijëve, njëri prej tyre kërkon ndihmë mjekësore

    Prangoset një grua për keqtrajtim të fëmijëve, njëri prej tyre kërkon ndihmë mjekësore

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Ferizajt, ku një grua është arrestuar nga policia nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

    Sipas raportit zyrtar, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 5 nëntor, ndërsa bëhet fjalë për më shumë se një fëmijë.

    “Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimave kosovarë,” ka bërë të ditur policia.

    Po ashtu, njëri nga fëmijët ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore.

    “Njëri nga viktimat ka pranuar tretman mjekësor, kurse me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje,” thuhet në njoftim.

    Hetimet për rastin janë në vazhdim.

  • Gjendet një granatë dore në Podujevë, ndërhyn KFOR-i dhe FSK-ja – dy të arrestuar

    Gjendet një granatë dore në Podujevë, ndërhyn KFOR-i dhe FSK-ja – dy të arrestuar

    Dy persona janë arrestuar të martën në Podujevë, pasi që tek njëri prej tyre është gjetur një mjet i dyshuar shpërthyes – granatë dore.

    Sipas njoftimit të policisë, njëri nga të dyshuarit është ndaluar për posedim të mjetit shpërthyes, ndërsa tjetri për moslajmërim të veprës penale.

    “Njësia për deminim e KFOR-it dhe FSK-së ka bërë tërheqjen e mjetit shpërthyes”, thuhet në raportin e Policisë.

    Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti vazhdon të trajtohet në gjendje të lirë.

  • Mbahet sot samiti i parë ndërqeveritar mes Italisë dhe Shqipërisë në Romë

    Mbahet sot samiti i parë ndërqeveritar mes Italisë dhe Shqipërisë në Romë

    Italia dhe Shqipëria zhvillojnë sot në Romë një samit të përbashkët ndërqeveritar, që pritet të shënojë një hap të ri në marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve. Pala italiane ka theksuar se ky samit synon të ndërtojë një bashkëpunim më të strukturuar dhe afatgjatë me Tiranën, duke planifikuar një qasje më të gjerë dhe më strategjike në raportet dypalëshe.

    Marrëveshja kryesore që pritet të nënshkruhet është konceptuar për të krijuar një kuadër të qëndrueshëm dhe të rregullt bashkëpunimi, që përfshin fusha të gjera: nga ekonomia dhe infrastruktura, te mbrojtja, siguria, energjia dhe mjedisi, deri te inovacioni, shëndetësia dhe trajnimi profesional.

    Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rolit të përbashkët që Italia dhe Shqipëria po marrin në rajon — si një qendër kyçe për lidhjen e energjisë dhe infrastrukturës me Evropën. Ndër projektet prioritare që do të diskutohen është Korridori VIII Evropian, i cili do të lidhë Detin Adriatik me Detin e Zi, duke e bërë Shqipërinë një nyje të rëndësishme në rrjetin energjetik dhe transportues të kontinentit.

    Sipas mediave italiane, marrëveshjet teknike që do të firmosen do të fokusohen në rritjen e bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes, energjisë dhe shëndetësisë, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve për mbrojtjen civile, mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, luftën kundër trafikut të drogës dhe bashkëpunimin në projektimin dhe trajnimin e muzeve.

    Italia mbetet partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë, me një vëllim tregtar që tejkalon 3 miliardë euro dhe një pjesë tregu prej 20%.

    Ndërkohë, Protokolli Itali–Shqipëri po shihet si një model inovativ për menaxhimin e çështjeve të migracionit, duke tërhequr interes gjithnjë e më të madh nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së.

  • Publikohen pamjet e atentatit të Rinasit

    Publikohen pamjet e atentatit të Rinasit

    Janë publikuar pamjet e atentatit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani.

    Në videon e kapur nga kamerat e sigurisë, shihet momenti mjeti ‘Benz’ i ndaluar pranë rreth rrotullimit të aeroportit të Rinasit. Një person afrohet te xhami i pasagjerit dhe qëllon me armë, dhe sapo largohet, breshëri plumbash zbrazet mbi makinën e bardhë, nga një distancë jo shumë e largët.

    Pamjet tregojnë se ndaj automjetit është qëlluar në tre momente të ndryshme.

    Autorët, të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të objektivit të tyre, Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.

    Pas këtij momenti, duket se ndaj makinës së viktimave është qëlluar serish, në distancë për herë të tretë.

    Pamjet tregojnë se atentatorët janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ndërsa kalimtarë të rastit janë afruar për të ndihmuar personat brenda mjetit.

  • The Devil Wears Prada 2 po vjen më herët se që është pritur – publikohet traileri i shkurtër

    The Devil Wears Prada 2 po vjen më herët se që është pritur – publikohet traileri i shkurtër

    Pas paralajmërimeve të bujshme për zhvillimin e pjesës së dytë, filmi “The Devil Wears Prada 2” tashmë ka një datë zyrtare publikimi.

    Platforma e njohur Disney ka bërë të ditur se filmi do të shfaqet më 1 maj 2026, duke premtuar një rikthim të paharrueshëm në botën e modës dhe intrigave që e bënë pjesën e parë kaq të famshme.

    Përveç njoftimit të madh, Disney ka publikuar edhe një trailer të shkurtër, i cili ka ngjallur entuziazëm të madh dhe po pritet me padurim nga fansat e të gjithë botës.

    Në sekuencat e shkurtra, shfaqet aktorja ikonike Meryl Streep, në rolin e kryeredaktores së revistës Runway, e cila bashkëpunon ngushtë me personazhin e Andrea Sachs.

    Filmi rikthen gjithashtu edhe dy aktorë thelbësorë të pjesës së parë: Emily Blunt, e cila rikthehet si personazhi Emily, dhe Stanley Tucci, i cili përsëri luan rolin e Nigel.

    Me këtë kast të njohur dhe intrigat e reja që pritet të sjellë historia, “The Devil Wears Prada 2” duket se do të jetë një nga premierat më të pritura të vitit 2026.

  • Miratohet komisioni për vlerësimin e fletëvotimeve, PDK votoi kundër

    Miratohet komisioni për vlerësimin e fletëvotimeve, PDK votoi kundër

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin për krijimin e komisionit rreth procesit zgjedhor të 9 nëntorit në Mitrovicë të Jugut.

    Ishin vetëm dy anëtarët e PDK-së në KQZ që votuan kundër krijimit të komisionit, derisa 9 vota ishin pro miratimit të formimit të tij.

    Në këtë komunë, të hënën ishte ndërprerë numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit, nën dyshimin për manipulim dhe keqpërdorim të votave.

    Derisa sot, në mbledhjen e KQZ-së, kryetari i këtij komisionit, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se PZAP ka kërkuar përgjigje për fletëvotimet specifike, që sipas kompanisë CETIS, që shtypi fletëvotimet për zgjedhjet lokale në Kosovë, kishte pasur gabime në shtyp.

    Sipas Radoniqit, KQZ mund të ia japë këto përgjigje PZAP-së, vetëm nëse hapen kutitë në Mitrovicë, për çka dhe u votua komisioni.