ATV

Category: Lajme

  • Presidentja shpërndan Kuvendin, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

    Presidentja shpërndan Kuvendin, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pak minuta pas takimit të thirrur me liderët e partive politike parlamentare.

    Këtë e bëri të ditur kryetari i GUXO, Faton Peci pas takimit, duke thënë se Osmani nuk pati zgjidhje tjetër veçse të firmoste shpërndarjen e Kuvendit.

    Ky veprim erdhi pasi edhe mandatari i dytë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, dështoi të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë, duke përmbyllur kështu të gjitha afatet kushtetuese për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 26 tetorit.

    Pas shpërndarjes së Kuvendit, sipas Kushtetutës, presidentja është e obliguar të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh.

    Osmani tashmë ka zhvilluar konsultimet me përfaqësuesit e partive, të cilët kanë shprehur data 21 dhe 28 dhejtor si të preferuara për mbajtjen e zgjedhjeve.

    Me nënshkrimin e vendimit, vendi hyn zyrtarisht në proces zgjedhor, ndërsa institucionet aktuale do të vazhdojnë punën në kapacitet të kufizuar deri në formimin e qeverisë së re.

  • Haradinaj: Mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor, ofendim për qytetarët

    Haradinaj: Mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor, ofendim për qytetarët

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se data më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve është 21 dhjetori.

    Në një konferencë për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ai tha se mbajtja e zgjedhjeve më 28 dhjetor është një ofendim për qytetarët pasi të gjithë janë në pushime dimërore.

    Ai madje kritikoi Glauk Konjufcën që priti 15 ditë, kur veç e dinte që nuk i kishte numrat.

    “Koha ka kaluar, kemi ardhur në ditën e sotme. Unë kam shprehur kritikë për mandatarin e dytë pse me prit 15 ditë. Ka mujt një javë nëse e ka ditë që si ka votat. S’ka pas arsye mu thirr seanca ditën e fundit, pse se kanë thirrë para një jave, në mënyrë që të ketë mundësi koordinimi”, tha Haradinaj.

    Në zgjedhjet e ardhshme ai tha se qëndrimi i AAK-së nuk ndryshon, janë për qeveri të opozitës.

    “Ne qëndrojmë për qeveri të opozitës, kjo nuk ndryshon. Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që opozita ta gjeje një formulë për të ecur përpara. Besoj që shumë zhvillime e ka rënduar jetën e qytetarëve, janë tepër serioze. Duhet të reflektojmë, secili nga ne. S’ka të bëjë me vija të kuqe, por duhet të reflektojmë. Nuk e kemi lluksin që pas zgjedhjeve të ardhshme me u sjell sikur tash”, tha Haradinaj.

  • Peci: Guxo kërkon që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen më 28 dhjetor

    Peci: Guxo kërkon që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen më 28 dhjetor

    Faton Peci, nga GUXO, ka thënë se ata preferojnë datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

    Këto deklarata ai i dha pas takimit me presidenten Vjosa Osmanin, dhe liderët e tjerë të partive politike.

    ‘’Pat diskutime të ndryshme se kur është opsioni më optimal dhe më i favorshëm për qytetarët e Kosovës. Ne si GUXO kemi mbrojte qëndrimin se mes datës 21 dhjetor dhe 28 dhjetor, kemi preferuar datën 28. Arsyeje janë të thjeshta, për shkak se KQZ ende nuk ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale,.

    Për shkak të nevojës të kemi koordinimin dhe përgatitje më të mirë të KQZ edhe të partive, dhe njëkohësisht dhe për nevojën e organizimi t më të mirë në nivelë të ambasadave dhe të konsullatave në vende të BE’, SHBA’së. Ky është propozimi jonë.

    Ne mendojmë se data më e favorshmja, më e përshtatshmja, për qytetarin, për mërgatën, për institucionin, është data 28 dhjetor’’, ka deklaruar ai.

  • Kallas: Çdo plan paqeje për Ukrainën kërkon miratimin e Kievit dhe Evropës

    Kallas: Çdo plan paqeje për Ukrainën kërkon miratimin e Kievit dhe Evropës

    Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka reaguar pas qarkullimit të lajmeve se ShBA-ja dhe Rusia kanë hartuar një plan për fundin e luftës në Ukrainë, i cili do të kërkonte kapitullimin e Kievit.

    Kallas ka deklaruar çdo plan paqeje për Ukrainën kërkon mbështetjen e Kievit dhe Evropës.

    Drafti i planit, i cili thuhet se u zhvillua nga i dërguari i Donald Trumpit, Steve Ëitkoff, dhe këshilltari i Kremlinit Kirill Dmitriev, do të detyronte masa “drakoniane” mbi Ukrainën që do t’i jepnin Rusisë kontroll të paparë mbi sovranitetin ushtarak dhe politik të vendit. Plani ka të ngjarë të shihet si dorëzim nga Kievi zyrtar, raporton The Guardian.

    Financial Times dhe Reuters raportuan se propozimi do t’i kërkonte Ukrainës të dorëzonte territorin që kontrollon në lindje të vendit dhe të përgjysmonte madhësinë e ushtrisë së saj, kushte që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në të kaluarën i ka quajtur të papranueshme. Kushte të tjera përfshijnë kufizimin e ndihmës ushtarake amerikane dhe kategoritë e armatimeve të përdorura nga ushtria ukrainase.

  • Merz zotohet se Gjermania do të pajisë Ukrainën me armë me rreze të gjatë veprimi

    Merz zotohet se Gjermania do të pajisë Ukrainën me armë me rreze të gjatë veprimi

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka premtuar se Gjermania do të pajisë Ukrainën me sisteme armësh me rreze të gjatë veprimi, megjithëse nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për furnizimin me raketa Taurus.

    Kur u pyet lidhur me këtë çështje, Merz tha: “Në muajt e fundit, ne kemi punuar intensivisht me qeverinë ukrainase në projekte që teknikisht i quajmë zjarr me rreze të gjatë veprimi. Ushtria ukrainase do të pajiset me sisteme të tilla armësh.”

    Ai shtoi se Gjermania dhe Ukraina kanë rënë dakord të mos diskutojnë më publikisht detajet, pasi duan që “pala ruse të ketë një shkallë pasigurie në lidhje me fushëveprimin e mbështetjes sonë ushtarake”.

    Merz theksoi se Gjermania “po bën gjithçka që është e mundur për të pajisur ushtrinë ukrainase me sisteme armësh që posedojnë rreze të mjaftueshme veprimi”.

    Ai gjithashtu shtoi: “Kjo sasi do të rritet në javët dhe muajt e ardhshëm, nëse është e nevojshme, derisa sisteme të tilla armësh të prodhohen edhe në Ukrainë.”

  • Përfundon takimi i Osmanit me liderët e partive politike për zgjedhjet e reja

    Përfundon takimi i Osmanit me liderët e partive politike për zgjedhjet e reja

    Ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e partive politike.

    Takimi në fjalë ka filluar rreth orës 10:30 dhe në të është diskutuar për datën e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    Në takim ishin të gjithë liderët e partive politike në vend.

  • Deçan: Hajnat marrin kasafortën me 150 mijë euro dhe ari, viktima: ‘Paratë i kisha kursyer për shërimin e nipit’

    Deçan: Hajnat marrin kasafortën me 150 mijë euro dhe ari, viktima: ‘Paratë i kisha kursyer për shërimin e nipit’

    Një vjedhje ka ndodhur dje në Carrabreg të Deçanit.Nga ora 15:00 deri në 18:00, persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e M. K., pronar i furrës së bukës “Evropa”, duke hyrë përmes një dritareje të katit të dytë dhe kanë marrë kasafortën e hekurt që ndodhej në dhomën e fjetjes.

    Sipas ankuesit, brenda kasafortës ndodheshin 150 mijë euro para të gatshme, si dhe stoli ari në vlerë rreth 6 mijë euro.

    Sinjali raporton se ai ka deklaruar se këto para i kishte kursyer nga biznesi ndër vite, ndërsa një pjesë ia kishin dhënë miqtë e tij për shërimin e nipit jashtë vendit, në Turqi.

    Në vendngjarje kanë dalë njësitë e hetimeve të stacionit, të cilat kanë njoftuar prokurorin kujdestar, hetimet rajonale, forenzikën dhe kanë kërkuar edhe angazhimin e njësisë K-9. Deri tani nuk ka persona të dyshuar, ndërsa rasti është nën hetime.

  • Daut Haradinaj pas peticionit të 336 akademikëve: Kuvendi të veprojë urgjentisht ndaj shkeljeve të Speciales

    Daut Haradinaj pas peticionit të 336 akademikëve: Kuvendi të veprojë urgjentisht ndaj shkeljeve të Speciales

    Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas peticionit të nënshkruar nga 336 akademikë, juristë dhe intelektualë, të cilët i janë drejtuar Kuvendit të Kosovës me kërkesën për miratimin e një rezolute ose krijimin e një mekanizmi llogaridhënës ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Haradinaj e ka cilësuar këtë nismë si të domosdoshme dhe të vonuar, duke theksuar se shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore ndaj të paraburgosurve shqiptarë janë bërë të pandalshme.

    Sipas tij, gabimet procedurale, mohimi i të drejtave dhe cenimi i integritetit njerëzor nga ana e Speciales po vazhdojnë pa asnjë përgjegjësi institucionale. Ai ka theksuar se kjo gjykatë, e krijuar nga Republika e Kosovës, ka detyrim t’i përgjigjet institucioneve të saj dhe të operojë në përputhje me Kushtetutën – gjë që sipas tij nuk po respektohet.

    “E mbështes fuqishëm këtë nismë dhe do të jem aty për ta votuar pro, si dhe për të artikuluar kundërshtimin tim ndaj kësaj padrejtësie”, ka deklaruar deputeti i AAK-së.

    Ai ka kërkuar që peticioni i 336 nënshkruesve të shqyrtohet me urgjencë nga Kuvendi i Kosovës.

  • Gjykata shkarkon nga detyra Belinda Ballukun

    Gjykata shkarkon nga detyra Belinda Ballukun

    Gjykata e Posaçme ka marrë dy masa sigurie për Belinda Ballukun, pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit si zv. Kryeministre dhe ministre, dhe ndalim i daljes jashtë vendit.

    Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erion Çela, i kërkuar nga prokurori Dritan Prençi, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.

  • Pas shkarkimit të Kelmendit, Agron Qalaj emërohet U.D. i kryeprokurorit të shtetit

    Pas shkarkimit të Kelmendit, Agron Qalaj emërohet U.D. i kryeprokurorit të shtetit

    Në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës është shkarkuar Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

    Në vend të tij është emëruar Agron Qalaj, zv/kryeprokuror.

    Pro këtyre dy vendimeve kanë votuar 5 anëtarë të KPK’së