ATV

Category: Lajme

  • E quajti komunist, Trump konfirmon takim me kryetarin e New Yorkut në Uashington

    E quajti komunist, Trump konfirmon takim me kryetarin e New Yorkut në Uashington

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se një takim i shumëpritur me kryetarin e New Yorkut, Zohran Mamdani, do të zhvillohet në Uashington këtë javë.

    Takimi, të cilin Trump tha se do të mbahej të premten në Zyrën Ovale, mund të përfaqësojë një qetësim të marrëdhënieve midis presidentit republikan dhe yllit demokrat në ngritje.

    Duke e quajtur Mamdanin me emrin e tij të plotë – dhe duke e vendosur emrin e mesëm të kryetarit të zgjedhur, Kwame, në thonjëza – Trump postoi se Mamdani e kishte kërkuar takimin, duke premtuar: “Detaje të mëtejshme do të vijnë më pas!”

    Duke thënë se ishte “zakonore” që një kryetar i ri të takohej me presidentin, zëdhënësja e Mamdanit, Dora Pekec, tha se Mamdani planifikonte të diskutonte me Trumpin “sigurinë publike dhe sigurinë ekonomike”.

    Bëhet e ditur se Trump për muaj të tërë e ka kritikuar ashpër Mamdanin, duke e etiketuar si “komunist”.

    Ai gjithashtu kërcënoi të deportonte Mamdanin, i cili ka lindur në Ugandë dhe u bë shtetas amerikan i natyralizuar në vitin 2018, dhe të tërhiqte paratë federale nga qyteti.

  • Gazetari Festim Kabashi i bashkohet LDK-së

    Gazetari Festim Kabashi i bashkohet LDK-së

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se gazetari Festim Kabashi i është bashkuar kësaj partie.

    Abdixhiku ka thënë se Festimi ka dëshmuar profesionalizëm, integritet dhe përkushtim në informimin e publikut dhe nga tani do të nisë karrierën politike.

    Festim Kabashi ka qenë për vite gazetar në televizionin publik të Kosovës.

    Njoftimi i plotë:

    Mirë se vjen, Festim!
    Festim Kabashi, një prej emrave më të njohur e spikatur të gazetarisë, dokumentarëve dhe menaxhimit strategjik në mediat kosovare, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.
    Me mbi dy dekada përvojë në Radiotelevizionin e Kosovës, nga gazetar terreni, tek moderatori, redaktori, producenti, deri te drejtuesi i kanaleve kryesore televizive, Festimi ka dëshmuar profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të rrallë në informimin e publikut dhe ndërtimin e mediave kredibile në vend.

    I diplomuar në Shkenca Politike dhe Administratë Publike, ai ka ndërtuar një profil të fuqishëm profesional duke udhëhequr me dinjitet. Si autor e producent dokumentarësh, Festimi ka trajtuar temat më të ndjeshme sociale, politike dhe njerëzore, nga varfëria, të drejtat e fëmijëve, e deri te barazia gjinore dhe të drejtat e gruas për trashëgimi. Për punën e tij është vlerësuar me çmime prestigjioze nga UNKT, KOMF dhe organizata ndërkombëtare si BE dhe BIRN.

    Festimi sot nisë një etapë të re në karrierën e tij politike. Angazhimin fisnik për Republikën. LDK sot e fiton një kuadër të ri, që beson në vlerat tona, rrugëtimin tonë e ekipin që kemi.
    Ardhja e tij, dhe të tjerëve pas tij, le të shihet si një tregues dhe njëkohësisht thirrje për përbashkim të secilit i cili nuk ndjenë komfort me situatën e tanishme politke; që do ndryshim e që angazhohet për këtë ndryshim.

    Dyert e tona janë të hapura.

    Festimi është i martuar me Blerta Foniqi Kabashi dhe kanë dy fëmijë, Klean 18 vjeçe dhe Oson 14 vjeç.
    Mirë se vjen Festim Kabashi!
    Paç shëndet e përkushtim në këtë rrugëtim të ri.

  • Kurti merr pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian në Tiranë

    Kurti merr pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian në Tiranë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti merr pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian që mbahet më 21 nëntor, e premte, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

    Ndërkaq sonte, kryeministri Kurti merr pjesë në Darkën e Liderëve në kuadër të këtij samiti.

    Samiti do të mbahet në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

  • Komandanti i FSK-së pret në takim Komandantin e Forcave Tokësore të Turqisë

    Komandanti i FSK-së pret në takim Komandantin e Forcave Tokësore të Turqisë

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot me ceremoni ushtarake Komandantin e Forcave Tokësore të Turqisë, Gjeneral Metin Tokel.

    Fillimisht, Gjeneral Jashari e uroi Gjeneralin Tokel për emërimin e tij në pozitën Komandantit të Forcave Tokësore, dhe gjithashtu falënderoi për vizitën në Republikën e Kosovës. Gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin  e shkëlqyeshëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, me theks të veçantë trajnimet dhe aktivitetet të cilat kanë pasur një rol të veçantë në zhvillimin dhe ngritjen e Forcës,    si dhe për mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi në funksion të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

    Nga ana e tij, Gjenerali Tokel rikonfirmoi përkushtimin e tij por edhe të Forcave të Armatosura të Turqisë, për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lartë zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës.

    Në përfundim, të dy gjeneralët u pajtuan për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit  bilateral në fushën e mbrojtjes, me fokus në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, me qëllim të avancimit të ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave tona.

  • Pas shpërbërjes së Kuvendit, Osmani del në konferencë për media nga ora 13:00

    Pas shpërbërjes së Kuvendit, Osmani del në konferencë për media nga ora 13:00

    Presidentja Vjosa Osmani do të mbajë konferencë për media nga ora 13:00 pasi nënshkroi dekretin për shpërbërjen e Kuvendit.

    Këtë e konfirmoi këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.

    Osmani sot mbajti një takim me liderët partiakë për të caktuar datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pasi Lëvizja Vetëvendosje dështoi për të dytën herë të formojë qeverinë pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit.

    Më herët Presidenca njoftoi për shpërndarjen e Kuvendit.

    “Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”.

  • Kelmendi: Nga mediat u informova për shkarkimin tim, KPK s’ka pasur kuorum, do ta atakoj në gjykatë

    Kelmendi: Nga mediat u informova për shkarkimin tim, KPK s’ka pasur kuorum, do ta atakoj në gjykatë

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është shkarkuar nga kjo pozitë në mbledhjen e së enjtes me vendim të marrë nga pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Sipas përbërjes aktuale, kuorumi për vendimmarrje në KPK është gjashtë anëtarë, ndërsa në mbledhjen e së enjtes, edhe pse ishin fillimisht dhjetë anëtarë në takim, gjatë takimit pesë prej tyre e kanë lëshuar takimin si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të fundit, ndërsa vendimi për shkarkimin e UD Kryeprokurorit e morën pesë anëtarët e mbetur. Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, tha se për shkak të largimit të kundërligjshëm të anëtarëve të tjerë, takimi vazhdon.

    UD Kryeprokurori Besim Kelmendi i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi” tha se nga mediat është informuar për vendimin për shkarkimin e tij.

    “Për besë, u informova nga mediat për shkarkimin tim. Është vendim arbitrar, vendim i kundërligjshëm sepse dihet fare mirë që KPK s’ka pas kuorum. Posa ta pranoj një vendim të tillë, natyrisht se do ta atakoj në gjykatë”.

    Në anën tjetër, KPK në këtë takim pa kuorum, po ashtu ka caktuar si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorin Agron Qalaj.

    Ky i fundit, tha se nuk e ka idenë se çfarë ka ndodhur në KPK.

    “Kush more… Sen nuk di çka ka vendos Këshilli”, tha Qalaj.

    Në mbledhjen e së enjtës në KPK, kanë vazhduar akuzat e ndërsjella në mes të anëtarëve të KPK-së, ndërsa kërkesa e zëvendëskryetares së KPK-së, për shkarkimin e UD Kryeprokurorit Kelmendi, ka nxitur reagimin e pesë anëtarëve të KPK-së, të cilët e kanë lëshuar takimin përfshi Besim Kelmendin, Veton Shabanin, Arian Gashin, Visar Krasniqin dhe Dardan Vuniqi.

    Ndërsa takimin pa kuorum e kanë vazhduar Kryesuesi Ardian Hajdaraj dhe anëtarët Jetish Maloku, Milot Krasniqi, Jehona Grantolli dhe Ariana Shajkovci.

  • Zyrtare: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

    Zyrtare: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

    Presidenca ka njoftuar zyrtarisht shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Në njoftim, thuhet se në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës.

    Ndërkohë, krerët e partive politike, si Bedri Hamza i PDK-së, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i Nismës, kanë propozuar 21 dhjetorin si datën e preferuar për të mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

    Ndryshe nga ta, Faton Peci i Guxo kërkoi që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.

  • Limaj: Qytetarët të dënojnë në zgjedhjet e ardhshme ata që nuk formuan institucionet

    Limaj: Qytetarët të dënojnë në zgjedhjet e ardhshme ata që nuk formuan institucionet

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se është e dëmshme për vendin që është shpërbërë legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës.

    Në një konferencë për media pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ai ka theksuar se qytetarët duhet të dënojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme ata që nuk formuan institucionet e reja të vendit.

    “Po përfundon ky cikël nëntë mujor, pasi presidentja e ka shpërndarë parlamentin. Besoj se është një lajm i keq, këto forca politike të Kosovës e kanë dëshmuar se nuk kanë pjekuri politike për të ndërtuar marrëveshje, për të përmbushur kërkesat e qytetarëve, për t’u ulur e bashkëbiseduar dhe për t’i dhënë vendit institucione”.

    “Kjo tregon paaftësi, pa pjekuri dhe panjohuri se si ndërtohet shteti dhe institucionet dhe si funksionohet. Shpresoj se qytetarët në zgjedhjet që vijnë do t’i kërkojnë llogari përgjegjësve kryesorë të moskonstituimit të institucioneve të Kosovës”, ka thënë Limaj.

  • Hamza nuk ndryshon qëndrim, PDK kërkon 21 dhjetorin për zgjedhje

    Hamza nuk ndryshon qëndrim, PDK kërkon 21 dhjetorin për zgjedhje

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pak minuta pas takimit të thirrur me liderët e partive politike parlamentare.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani, deklaroi se në takim janë diskutuar datat e mundshme për zgjedhje, ndërsa tha se për PDK-në data 21 dhjetor është më e pranueshme.

    “Kemi diskutuar për datat e mundshme, ne si PDK kemi kërkuar që data 21 të jetë për mbajtjen e zgjedhjeve”, tha ai.

    Gjithashtu, ai deklaroi se si datë tjetër është përmendur edhe 28 dhjetori.

    “Jam optimist që pas zgjedhjeve do të kemi një qeveri funksionale”, deklaroi ai.

  • Katër kadetë të FSK-së përfundojnë Akademinë Ushtarake në Gjermani

    Katër kadetë të FSK-së përfundojnë Akademinë Ushtarake në Gjermani

    Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, u mbajt ceremonia e përfundimit të akademisë ushtarake tre vjeçare në Republikën Federale të Gjermanisë të katër kadetëve të FSK-së.

    Oficerët më të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës që diplomuan me sukses të lartë ishin: Nëntoger Shumëzim Karaqica, drejtimi ushtarak Logjistike/Mirëmbajtje, Nëntoger Arton Xhemajli në drejtimin ushtarak Logjistikë/ Furnizim, Nëntoger Xheladin Kurtaj në drejtimin ushtarak Xhenio Luftarake dhe Nëntoger Fatlum Agushi në drejtimin ushtarak IT ushtarake.

    Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë, Forcave të Armatosura Gjermane (Bundeswehr), stafi i Ambasadës së Republikës së Kosovës, familjarë të kadetëve, mysafirë të nderit.

    Me fjalë rasti u adresuan Atasheu i Mbrojtjes Kolonel Bekim Zejnullahu, Drejtori i Departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar nga Ministria e Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Ajeti si dhe shefi i departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar të Forcave të Armatosura Gjermane (Bundesëehr) Kolonel Christian Schmidt.

    Me këtë rast u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Ministrisë së Mbrojtjes/Ushtrisë Gjermane në arsimimin dhe trajnimin e oficereve të FSK-së si dhe vlerës që i japim partneritetit me Forcat e Armatosura Gjermane.“Bashkëpunimi midis Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, gjatë viteve ka luajtur një rol vendimtar në forcimin e kapaciteteve dhe profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sot oficerët tanë të sapo emëruar, bashkohen me trupën e oficerëve të FSK-së – të përgatitur, të aftë dhe të denjë për të udhëhequr trupat tona me nder, integritet dhe përkushtim”, njofton Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani.