ATV

Category: Lajme

  • Arrin në 33 numri i viktimave nga sulmet e reja në Gaza

    Arrin në 33 numri i viktimave nga sulmet e reja në Gaza

    Disa sulme ajrore izraelite në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, si dhe në Qytetin e Gazës herët të enjten, kanë çuar numrin e të vdekurve në territorin palestinez gjatë një periudhe afërsisht 12-orëshe në 33 persona.

    Sulmet kanë qenë ndër më vdekjeprurëset që nga 10 tetori, kur kishte hyrë në fuqi armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja. Rikthimi i përshkallëzimit ka ndodhur pasi Izraeli njoftoi se ushtarët e tij u qëlluan në Khan Younis të mërkurën. Sipas ushtrisë izraelite, asnjë ushtar nuk është vrarë, ndërsa përgjigjja ka qenë sulme ajrore.

    Katër sulme ajrore izraelite në tendat që strehonin njerëz të zhvendosur në Khan Younis vonë të mërkurën dhe herët të enjten vranë 17 persona, përfshirë pesë gra dhe pesë fëmijë, sipas zyrtarëve në Spitalin Nasser.

    Në Qytetin e Gazës, dy sulme ajrore në një ndërtesë vranë 16 persona, përfshirë shtatë fëmijë dhe tre gra, sipas zyrtarëve në spitalin Al-Shifa në pjesën veriore të qytetit, ku u morën trupat.

    Grupi militant Hamas ka dënuar sulmet izraelite si një “masakër tronditëse”. Në një deklaratë, Hamasi mohoi gjithashtu të ketë qëlluar drejt trupave izraelite.

  • Prokuroria kërkon paraburgim për italianen, e dyshuar për transportim të narkotikëve dhe falsifikim të parasë

    Prokuroria kërkon paraburgim për italianen, e dyshuar për transportim të narkotikëve dhe falsifikim të parasë

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar ka kërkuar, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarës: D.G.E, shtetase italiane, për shkak të dyshimit të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Falsifikimi i parasë”.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 19.11.2025, rreth orës 10:30, në pikën kufitare Hani i Elezit, në hyrje të Kosovës, e pandehura, pa autorizim ka transportuar substanca dhe preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge me qëllim të shpërndarjes, në atë mënyrë që nga Njësia anti-kontrabandë e Doganës, në bashkëpunim me policinë kufitare pas kontrollit në vijë të dytë të autobusit nga Shkupi, konkretisht pas kontrollit të valixhes së udhëtares –tani të pandehurës, tek e njëjta kanë gjetur katër (4) qese me pluhur të bardhë dhe atë dy qese najloni me substancë narkotike të llojit.

    Methaphetamin, me peshë 24.93 gram, një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit Mephodrone (MMC) me peshë totale 4.20 gram, një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike pluhur i bardhë lloji i papërcaktuar, me peshë totale 1.78 gram, një shishe qelqi me likuid e dyshuar substancë narkotike e llojit Gamma Butyrolactone (GBL), me peshë totale 83.96 gram, një shishe qelqi me likuid e dyshuar për substancë narkotike të llojit Gamma Butyrolactone (GBL), me peshë totale 74.84 gram dhe një epruvetë qelqi për tymosje të drogave, të cilat i ka transportuar nga shteti i Polonisë, me ç’ rast të njëjtat sekuestrohen nga policia.

    Po ashtu, për të njëjtën ekziston dyshimi i bazuar se në të njëjtën ditë, duke ditur se paratë në vlerë 200€, dhe atë dy kartëmonedha nga 100€ janë të falsifikuara, të njëjtat i posedon me qëllim të vënies në qarkullim si të vërteta në Kosovë, në atë mënyrë që kartëmonedhat në fjalë i gjenden nga Njësia Anti-kontrabandë e Doganës, në bashkëpunim me policinë kufitare pas kontrollit në vijë të dytë të autobusit, konkretisht pas kontrollit të valixhes të udhëtares –tani të pandehurës, me ç’ rast kartëmonedhat janë sekuestruar nga policia.

    E pandehura që nga data 19 Nëntor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën
    masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartëcekura.

  • Rrezikohet pezullimi i transportit publik në Prishtinë

    Rrezikohet pezullimi i transportit publik në Prishtinë

    “Trafiku Urban” njofton se ofrimi i shërbimit të transportit publik rrezikon të pezullohet plotësisht nga java e ardhshme, për shkak të pamundësisë financiare të shkaktuar nga bllokimi i mjeteve buxhetore.

    Përmes një njoftimi në Facebook, thuhet se kjo situatë ka ardhur si rezultat i moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, çka ka pamundësuar Komunën e Prishtinës të shlyejë detyrimet ndaj ndërmarrjes.

    “Si rrjedhojë, “Trafiku Urban” po përballet me vështirësi të theksuara financiare, duke cenuar funksionimin operativ dhe aftësinë për të vazhduar ofrimin e shërbimit për qytetarët. Pavarësisht bilancit pozitiv dhe performancës së qëndrueshme të ndërmarrjes, vonesat në pagesa që nga muaji korrik kanë prekur furnitorët, partnerët bashkëpunues dhe proceset e brendshme teknike, duke krijuar rrethana që e bëjnë të pamundur operimin e rregullt. “Trafiku Urban” mbetet i përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe apelon për zgjidhje të menjëherëshme të bllokimit financiar, në mënyrë që të shmanget ndërprerja e qarkullimit për rreth 60 mijë qytetarë që përdorin transportin çdo ditë””, thuhet në njoftim.

  • Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit në Ferizaj – Policia jep detaje të reja

    Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit në Ferizaj – Policia jep detaje të reja

    Ende nuk janë zbuluar rrethanat e shpërthimit të zjarrit në një kompani në magjistralen Ferizaj-Kaçanik.

    Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt, tha se pos zjarrfikësve dhe njësive policore, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e KEDS-it, eksperti i zjarreve, si dhe zyrtarë nga Komuna e Ferizajt dhe Shërbimet Publike, për të koordinuar veprimet.

    Po ashtu, për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.

    Lidhur me rastin, nuk raportohet për të lënduar, derisa dëmet konsiderohen mjaft të larta.

  • Alarm në fluturimin Londër–Tiranë: 5 pasagjerë bien pa ndjenja, avioni devijon në Mynih dhe kthehet në Londër

    Alarm në fluturimin Londër–Tiranë: 5 pasagjerë bien pa ndjenja, avioni devijon në Mynih dhe kthehet në Londër

    Një avion i nisur nga Londra me destinacion Tiranën nuk ka mbërritur ende në Shqipëri pasi në Gjermani ka devijuar rrugën.

    Avioni i nisur nga Luton Airport pritej të mbërrinte në Rinas në orën 10:55, por në Mynih avioni ka devijuar rrugën dhe është kthyer në destinacionin fillestar, Londër.

    Raportohet se 5 pasagjerë janë sëmurur papritur me gjendje të fikëti dhe sapo ekuipazhi ka njoftuar pilotin ai ka devijuar rrugën për t’u kthyer në Londër pasi në atë pikë ishte më afër se Tirana.

    Avioni ka mbërritur në aeroport dhe 5 ambulanca ndodhen në pistë duke pritur pasagjerët e sëmurë, të cilét nuk dihet çfarë u ka ndodhur.

    Ndërkohë pasagjerët e tjerë pritet të nisen drejt Tiranës më vonë dhe kjo ka shkaktuar vonesa edhe për pasagjerët që do udhëtonin nga Tirana drejt Londrës.

  • Caktimi i zgjedhjeve më 28 dhjetor, Kurti: Më e përshtatshmja

    Caktimi i zgjedhjeve më 28 dhjetor, Kurti: Më e përshtatshmja

    Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se e mirëpret caktimin e datës 28 dhjetor si datë për zgjedhje të parakohshme.

    Kurti ka thënë se kjo datë është më e përshtatshmja për mbajtjen e zgjedhjeve.

    Postimi i plotë:

    Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presim.

  • Zgjedhjet më 28 dhjetor, vjen reagimi i parë i PDK’së: Vendim i njëanshëm i Presidentes

    Zgjedhjet më 28 dhjetor, vjen reagimi i parë i PDK’së: Vendim i njëanshëm i Presidentes

    Ka ardhur reagimi i parë nga PDK pas caktimit të datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, më 28 dhjetor nga Presidentja Osmani, dita kur qytetarët duhet t`i drejtohen kutive të votimit.

    Ish-deputetja e PDK’së Blerta Deliu në Facebook ka shkruar se edhe pse është vendim i njëanshëm i Presidentes, është mundësi për ta rikthyer institucionin te qytetari.

    “Edhe pse vendim i njëanshëm i Presidentes, kjo datë mbetet një mundësi historike për ta rikthyer institucionin te qytetari dhe te vullneti i shumicës. Vendimmarrja nuk mund të jetë e plotë pa zërin e popullit, prandaj 28 Dhjetori është dita jonë.”, ka shkruar ajo.

  • Si në filmat aksion të Hollywood-it, polici turk vishet si dërgues picash për ta kapur të kërkuarin për mashtrim

    Si në filmat aksion të Hollywood-it, polici turk vishet si dërgues picash për ta kapur të kërkuarin për mashtrim

    Një skenë si në filmat aksion të Hollywood-it janë parë në një qytet në Turqi.

    Një person i kërkuar nga policia turke në Hatay për mashtrim ishte në arrati për më shumë se tre vite, transmeton Telegrafi.

    Megjithatë, pasi policia ia ra në gjurmë, vendosën ta kapin në një mënyrë shumë dinake.

    Një prej policëve u vesh si dërgues i ushqimit, dhe mbante një helmetë në kokë derisa po qëndronte para derës së apartamentit.

    Madje për të qenë sa më bindës i thotë nga jashtë se ia ka sjellë ushqimin e porositur.

    Në momentin që e hap derën, policët tjerë të uniformuar që qëndronin anash i vërsulen për ta prangosur.

    Ai kërkohej nga policia pasi ishte arritur nga burgu pas një dënimi prej 77 vitesh burgim për mashtrim. /Telegrafi/

  • “Vjeshta 2025” kap katër persona për prostitucion, tre burra e një grua

    “Vjeshta 2025” kap katër persona për prostitucion, tre burra e një grua

    Zyrtarët policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me Inspektoriatin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, Inspektorët e Punës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, kanë zhvilluar operacionin “Vjeshta 2025” nga 10 deri më 15 nëntor 2025, me qëllim identifikimin e hershëm të viktimave të trafikimit dhe parandalimin e veprave penale në të gjithë vendin.

    Operacioni është zhvilluar në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikim të fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, kontrollimin e lokaleve “Muzikë Live”, kontrollimin e “Qendrave të Masazhit”, dhe është zhvilluar plani taktik lidhur me “Eskorta”.

    Gjatë operacionit, siç ka njoftuar Policia, janë inspektuar 50 lokale të “Muzikës Live”, ku janë hasur 449 persona, përfshirë 357 gra dhe 92 burra, prej të cilëve 168 qytetarë të Kosovës dhe 281 të huaj.

    Gjithashtu, janë kontrolluar 73 qendra masazhi, ku janë identifikuar 201 persona, prej të cilëve 112 shtetase kosovare dhe 89 të huaja. Si rezultat i shkeljeve administrative, janë mbyllur 6 lokale muzike dhe 5 qendra masazhi.

    Autoritetet kanë iniciuar 8 raste penale për “Keqtrajtim apo braktisje të fëmijës”, duke arrestuar 8 të dyshuara, ndërsa një rast për “Marrje me prostitucion” ka rezultuar me arrestimin e 4 personave, 3 burra dhe 1 grua. Gjithashtu, janë identifikuar 19 fëmijë lëmoshkërkues.

    Një tjetër kontroll është zhvilluar në një objekt me 8 njësi banesore në Prishtinë, i cili përdorej për qira të paligjshme dhe nuk ishte i regjistruar si veprimtari biznesore. Objekti u mbyll nga IQMT dhe ndaj pronarit u iniciua procedurë nga ATK për shkelje administrative.

    Zyrtarët theksuan se punëtorët e hasur në lokale dhe qendra masazhi u është dhënë mundësia të deklarojnë nëse janë viktima të trafikimit, por deri tani nuk janë raportuar raste konkrete.

    Operacioni ‘Vjeshta 2025’ vjen si një ndërhyrje gjithëpërfshirëse për të forcuar mbrojtjen e qytetarëve dhe për të luftuar fenomenin e trafikimit në Kosovë.

  • ATK zbulon 157 punëtorë të padeklaruar në Kosovë

    ATK zbulon 157 punëtorë të padeklaruar në Kosovë

    Administrata Tatimore e Kosovës ka zbuluar 157 punëtorë të padeklaruar gjatë një aksioni të gjerë inspektues, i zhvilluar në kuadër të Planit të Përbashkët Operativ kundër trafikimit me qenie njerëzore.

    Aksioni, i udhëhequr nga Policia e Kosovës përmes Drejtorisë Kundër Trafikimit me Njerëz, është fokusuar kryesisht në qendrat e masazhit dhe lokalet e natës me muzikë live, veprimtari të identifikuara me rrezik të shtuar për trafikim.

    Gjatë datave 10–14 nëntor, 30 ekipe të ATK-së kanë kryer 106 kontrolle në të gjitha regjionet e Kosovës. Përveç punëtorëve të padeklaruar, inspektorët kanë konstatuar edhe 20 raste të mosfiskalizimit, 35 raste të moslëshimit të kuponëve fiskal dhe një rast me mall pa dokumentacion.

    Aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Inspektoratin e Punës, në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Trafikimit me Njerëz 2022–2026.

    ATK ka njoftuar se do të vazhdojë kontrollet dhe koordinimin me institucionet tjera, me qëllim rritjen e ligjshmërisë dhe krijimin e një tregu më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë.