ATV

Category: Lajme

  • Nisin punimet për modernizimin e sistemit të kanalizimit në QKUK, investim 1.3 milion euro

    Nisin punimet për modernizimin e sistemit të kanalizimit në QKUK, investim 1.3 milion euro

    Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se kanë filluar punimet për rregullimin e plotë të sistemit të kanalizimit fekal dhe atmosferik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Sipas tij, me investimin prej 1.3 milion euro do të zgjidhet përfundimisht një nga problemet më të mëdha infrastrukturore të QKUK-së, pasi në këtë sistem nuk është ndërhyrë që nga vitet ’60.

    “Po nisim punimet për rregullimin e plotë të sistemit të kanalizimit fekal dhe atmosferik në QKUK. 👉🏻 Me një investim prej 1.3 milion eurosh, po e zgjidhim përfundimisht një nga problemet më të mëdha infrastrukturore të QKUK-së , një sistem ku nuk është ndërhyrë që nga vitet ’60 dhe që për dekada ka shkaktuar përmbytje të bodrumeve në disa klinika”, ka shkruar Vitia.

    Mosfunksionimi i rrjetit aktual për dekada ka shkaktuar përmbytje të bodrumeve në disa klinika, duke krijuar rreziqe dhe vështirësi në funksionimin e tyre.

    Projekti, i cili pritet të zgjasë tre vjet, do të modernizojë tërësisht rrjetin e kanalizimit, duke siguruar kushte më të mira, më shumë siguri dhe funksionalitet për stafin mjekësor dhe pacientët.

    Vitia theksoi se ky investim është pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme brenda QKUK-së dhe garantimin e standardeve të duhura në shërbimet shëndetësore.

  • Eman Rrahmani thotë se ishin në diskutime edhe me LDK-në për koalicion

    Eman Rrahmani thotë se ishin në diskutime edhe me LDK-në për koalicion

    Ish-anëtari i LVV-së, Eman Rrahmani, bashkë me Visar Korenicën dhe Amir Ahmetin i janë bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës për të garuar së bashku në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Rrahmani në një konferencë për media bashkë me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, ka treguar se gjatë kësaj kohe kanë zhvilluar negociata me parti politike për koalicione të mundshme, derisa ka veçuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Rrahmani e ka falendëruar partinë e Abdixhikut për konstruktivitet në diskutime.

    Megjithatë ai ka treguar se në këto zgjedhje kanë vendosur që të garojnë me Partinë Demokratike të Kosovës.

  • Dy të lënduar nga aksidenti mes një kamioni dhe dy veturave në Skenderaj

    Dy të lënduar nga aksidenti mes një kamioni dhe dy veturave në Skenderaj

    Dy persona kanë pësuar lëndime pas një aksidenti që ka ndodhur sot rreth orës 13:25, në rrugën rajonale Skenderaj-Klinë, në segmentin rrugor në fshatin Llaushë.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se në aksident janë përfshirë një kamion dhe dy vetura,

    “Aksident trafiku me lëndime i shkaktuar sot rreth orës 13:25, në rrugën rajonale Skenderaj-Klinë, në segmentin rrugor në fshatin Llaushë. Në aksident janë përfshirë një kamion dhe dy vetura, përveç dëmeve materiale lëndime kanë pësuar dy persona,” ka thënë Zahiti.

  • Ndoqi policët me sharrë elektrike, shpallet fajtor shqiptari në Britani

    Ndoqi policët me sharrë elektrike, shpallet fajtor shqiptari në Britani

    Një burrë është paralajmëruar se përballet me një dënim të gjatë me burg pasi ndoqi një oficer policie me sharrë elektrike dhe u përpoq ta vriste atë.

    Liridon Kastrati ishte akuzuar për përplasjen e një makine në një automjet policie dhe më pas ndoqi me sharrë elektrike oficerët më 6 maj të vitit të kaluar.

    32-vjeçari mohoi një akuzë për përpjekje për të vrarë katër oficerë policie, por dje ai u shpall fajtor për një akuzë për tentativë vrasjeje në lidhje me një person, pas një gjyqi në Gjykatën e Lartë në Paisley.

    Akuza e ndryshuar gjithashtu hoqi referencën për aksidentin me makinë.

    Të hënën, Kastrati u lirua nga akuzat për thyerje të qetësisë, vjedhje të një makine dhe kundërvajtje rrugore kur prokuroria tërhoqi këto katër akuza, të cilat ai i kishte mohuar.

    Kastrati do të dënohet më 19 dhjetor dhe gjykatësi Gallacher i tha atij të presë një “dënim të konsiderueshëm”.

    Pamjet video të incidentit të tmerrshëm që u shfaqën në atë kohë tregonin Kastratin duke vrapuar në rrugë me sharrën elektrike në duar.

  • Shkon në 13 numri i të vdekurve nga djegia e kompleksit të banimit në Hong Kong

    Shkon në 13 numri i të vdekurve nga djegia e kompleksit të banimit në Hong Kong

    Trembëdhjetë persona, përfshirë një zjarrfikës, janë vrarë dhe të paktën 15 të tjerë ndodhen në gjendje kritike si pasojë e një zjarri të fuqishëm që po përfshin një kompleks banimi në lagjen Tai Po të Hong Kongut. Flakët kanë përfshirë edhe skelat prej bambuje nëpër shtatë blloqe, duke lënë shumë banorë të bllokuar brenda.

    Re të mëdha tymi të errët u ngritën lart në qiell në vendngjarje, në Wang Fuk Court, të mërkurën, ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi në shtatë nga tetë blloqet e kompleksit, shkruan South China Morning Post.

    Policia tha se kishte marrë raportime për njerëz të bllokuar në ndërtesën ku nisi zjarri, përfshirë një burrë dhe një grua që raportohej se ishin të pavetëdijshëm dhe me djegie.

    Wang Fuk Court, që ndodhet në lagjen Tai Po, është një nga 18 distriktet e Hong Kongut. Ky kompleks banimi përbëhet nga tetë ndërtesa dhe pothuajse 2,000 njësi banimi, dhe bën pjesë në programin qeveritar për strehim të subvencionuar.

    Sipas faqes së internetit të pronës, kompleksi është i banuar që nga viti 1983.

    Përfshihen nga zjarri disa kulla banimi në Hong Kong, humbin jetën katër persona

  • Parlamenti Evropian propozon kufizim të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Parlamenti Evropian propozon kufizim të mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Parlamenti Evropian ka propozuar kufizimin e qasjes në mediat sociale për fëmijët nën 16-vjeç për të forcuar mbrojtjen online për të miturit.

    Gjatë një seance plenare, eurodeputetët miratuan një raport jolegjislativ me 483 vota pro, 92 kundër dhe 86 abstenime, duke bërë thirrje për veprime ambicioze për të mbrojtur të miturit online.

    Sipas njoftimit nga Parlamenti Evropian, eurodeputetët kërkuan “moshën minimale prej 16-vjeç në të gjithë BE-në dhe ndalimin e praktikave më të dëmshme që krijojnë varësi”.

    “Për të ndihmuar prindërit të menaxhojnë praninë digjitale të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë angazhim online të përshtatshëm për moshën, parlamenti propozon moshë minimale digjitale të harmonizuar në BE prej 16-vjeç për qasje në mediat sociale, platformat e ndarjes së videove dhe shoqëruesit e inteligjencës artificiale, duke lejuar njëkohësisht qasjen e 13-16 vjeçve me pëlqimin e prindërve”, thuhet në njoftim.

    Eurodeputetët kërkuan ndalimin e platformave që nuk përputhen me rregullat e BE-së, marrjen e masave kundër teknologjive bindësi, siç janë reklamat e synuara dhe marketingu i influencuesve, mbrojtjen e të miturve nga shfrytëzimi komercial dhe adresimi urgjent i sfidave etike dhe ligjore të paraqitura nga mjetet gjeneruese të inteligjencës artificiale, përfshirë deepfake dhe chatbot-et shoqëruese.

  • Paralajmërim për reshje bore, Ministria e Infrastrukturës e gatshme për t’i mirëmbajtur të gjitha rrugët

    Paralajmërim për reshje bore, Ministria e Infrastrukturës e gatshme për t’i mirëmbajtur të gjitha rrugët

    Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se sipas parashikimeve meteorologjike, ditëve në vijim pritet të ketë reshje bore në disa zona të Kosovës.

    Ai theksoi se institucionet përgjegjëse janë të përgatitura për t’i mirëmbajtur të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale të hapura dhe të qarkullueshme.

    “Sipas parashikimeve meteorologjike, gjatë ditëve në vijim pritet që në disa zona të Kosovës të ketë reshje bore. Ju njoftoj se jemi të përgatitur që të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale të jenë të mirëmbajtura dhe të qarkullueshme”, ka shkruar Durmishi.

    Durmishi u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të kushteve të vështiruara atmosferike që mund të paraqiten.

    “Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe udhëtim të sigurt!”, përfundon njoftimi i tij.

    Ndryshe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se e mërkura do të karakterizohet nga ndikimi i fushave të presionit në rënie, të cilat do të favorizojnë zhvillimin e vranësirave të dendura në gjithë vendin.

    Parashihet mot kryesisht i vranët, me mundësi për riga të dobëta dhe lokale shiu.

    IHMK bën të ditur se temperaturat pritet të jenë të qëndrueshme, me minimale nga -1°C deri në 7°C dhe maksimale që do të arrijnë deri në 11°C, duke shënuar vlerat më të larta termike të javës.

  • A do të bëjë koalicion me Fatmir Limajn, përgjigjet Hamza i PDK

    A do të bëjë koalicion me Fatmir Limajn, përgjigjet Hamza i PDK

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë një konference për media është deklaruar për një koalicion të mundshëm mes PDK’së dhe NISMA’s së Fatmir Limajt, duke thënë se ai ende s’ka pasur takimin e kryetarin e NISMA’s.

    Hamza, ka potencuar se me Limajn kanë shoqëri mes vete dhe kanë miq të përbashkët, porse ende s’ka diçka konkrete, transmeton Gazeta Express.

    ‘‘Unë kam respekt për të gjitha subjektet politike në Kosovë, dhe të gjithë ata që dëshirojnë me garu në këto zgjedhje. Ne jemi në komunikime, deri me tash i keni pa këto çka i kemi finalizu. Nëse do të ketë finalizim të ndonjë marrëveshje ne prapë do të jemi këtu para juve, dhe do ta bëjmë publike. Sidoqoftë, njerëzit kanë të drejt të bëjnë koalicione me ata që gjinden në interesa, unë e vlerësoj atë, dhe se kush me kë bën prapë do të jenë të vlerësuar nga ana e jonë.

    Unë personalisht ende nuk kam mbërri në atë pikë do të thotë që ne të kemi takime. Ne jemi shokë dhe miq, kemi bashkëpunu, por nëse ka diçka konkrete ne do të dalim këtu prapë para juve.’, ka thënë Hamza.

  • Kurti i shpreh ngushëllime familjes së Shpat Kasapit: Një ikje e tillë, e papritur, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë

    Kurti i shpreh ngushëllime familjes së Shpat Kasapit: Një ikje e tillë, e papritur, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjes Kasapi pas ndarjes nga jeta të këngëtarit shqiptar, Shpat Kasapi.

    Përmes një telegrami ngushëllimi, kryeministri shkroi se një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë.

    “Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik”, u shpreh kryeministri.

    Kurti theksoi se muzika e Shpat Kasapit ka arritur të bashkojë shqiptarë në mbarë botën, duke veçuar bashkimin e shqiptarëve të Kosovës, Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

    Telegrami i plotë:

    E nderuar familja Kasapi,

    Me zemër të rënduar pranova lajmin për ndarjen nga jeta të Shpatit. Një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë. Tingëllon edhe e pavërtetë, aq i ri ishte dhe gjithë atë energji e mbante dhe e rrezatonte.

    Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik. Komuniteti artistik ka humbur njërin nga figurat më të dashura të tij, sepse secili prej tyre ka vetëm fjalë të mira për Shpatin. Muzika e tij ka arritur të bashkojë shqiptarë gjithandej botës, por më së shumti ka bashkuar shqiptarët e Kosovës e të Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ky kontribut i tij do të mbetet përherë i pashlyeshëm.

    Ngushëllime gjithë familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngushëllime zonjës Gjylymser, zonjës Selvije dhe djalit Roel. Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje.

    Me respekt të thellë,

    Albin Kurti

  • Bedri Hamza zyrtarizon koalicionin me Listën për Familje

    Bedri Hamza zyrtarizon koalicionin me Listën për Familje

    Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lista për Familjen e udhëhequr nga Eman Rrahmani sot kanë konfirmuar marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Në një konferencë për media, Hamza tha se koalicioni me Listën për Familje, është vlerë e shtuar për partinë.