ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet në Prishtinë shtetasi i huaj i kërkuar nga Interpoli me urdhër-arrest ndërkombëtar, Policia jep detaje

    Arrestohet në Prishtinë shtetasi i huaj i kërkuar nga Interpoli me urdhër-arrest ndërkombëtar, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se është arrestuar një person i kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar.

    I arrestuari, me shtetësi të huaj, ka qenë në kërkim nga INTERPOL-i me urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e një shteti tjetër, për dyshime lidhur me kryerjen e veprave penale që lidhen me shfrytëzim të miturve dhe privim të paligjshëm të lirisë.

    Komunikata:

    Prishtinë, 26 nëntor 2025

    Policia e Kosovës, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përkatësisht njësiti i specializuar FAST, ka realizuar me sukses arrestimin e një personi të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar.

    Sot, më 26.11.2025, rreth orës 13:30, zyrtarët policorë të kësaj drejtorie, në koordinim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, kanë ndaluar një person me shtetësi të huaj, i cili ishte i kërkuar nga INTERPOL-i me urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e një shteti tjetër, për dyshime lidhur me kryerjen e veprave penale që lidhen me shfrytëzim të miturve dhe privim të paligjshëm të lirisë.

    Personi i arrestuar është shoqëruar për procedura të mëtejme, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, për të vijuar pastaj me hapat e tjerë ligjorë sipas praktikave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për bashkëpunim policor.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave ligjore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në funksion të sigurisë së përgjithshme dhe luftimit të krimit pa kufij.

  • Seancë e jashtëzakonshme nesër në Kuvendin e Prishtinës për buxhetin 2026

    Seancë e jashtëzakonshme nesër në Kuvendin e Prishtinës për buxhetin 2026

    Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë gjatë ditës së nesërme një seancë të jashtëzakonshme.

    Në këtë seancë do të diskutohet lidhur me mjetet vetanake dhe buxhetin për vitin 2026.

    Sipas njoftimit, seanca do të fillojë në ora 15:00.

  • Erdogan nderohet me Çmimin Evropian të OBSH-së për punën humanitare të Turqisë në Palestinë

    Erdogan nderohet me Çmimin Evropian të OBSH-së për punën humanitare të Turqisë në Palestinë

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka marrë Çmimin për Evropën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për përpjekjet humanitare të Turqisë për palestinezët dhe rolin e saj në lehtësimin e evakuimeve mjekësore nga Gaza.

    Çmimi u dha nga Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, gjatë Kongresit të 11-të Botëror Mjekësor Turk në Ankara të mërkurën.

    Në fjalën e tij në ceremoni, Erdogan kritikoi heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare për shkatërrimin e spitaleve dhe vrasjen e pacientëve, punonjësve të shëndetësisë dhe foshnjave në Gaza gjatë dy viteve të fundit, shkruajnë mediat e huaja.

    “Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë për botën të largohet nga një realitet ku, për dy vjet të plota, mbeti spektatore ndërsa spitalet në Gaza u bombarduan dhe pacientë, punonjës të shëndetësisë, fëmijë dhe madje edhe foshnja të pafajshme në inkubatorë u vranë”, tha ai.

    Erdogani shtoi se bota do të bëhej “një parajsë” ditën kur njerëzimi do të ndajë gëzimin kolektiv të shpëtimit të një jete dhe do të festojë mbërritjen e sigurt të çdo të porsalinduri si lumturinë e vet.

    “Kjo është pikërisht ajo për të cilën po punojmë”, tha ai.

    Erdogan theksoi se Turqia e ka riorganizuar sistemin e saj të kujdesit shëndetësor në 23 vitet e fundit, duke e shndërruar atë në një rrjet të përhapur, me cilësi të lartë dhe të përballueshëm që i shërben të gjithë popullsisë.

    Ai vuri në dukje se vendi tani ofron shërbime të klasit të parë për 86 milionë njerëz me mbështetjen e më shumë se 1.47 milionë personelit shëndetësor.

  • Adelina Ismaili dekorohet me mirënjohje presidenciale nga Osmani

    Adelina Ismaili dekorohet me mirënjohje presidenciale nga Osmani

    Sonte, në mbrëmjen gala të mbajtur në AMC Hall, një nga momentet më emocionuese të recitalit të Adelinë Ismailit erdhi para se të niste koncerti.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dorëzuar këngëtares së njohur Mirënjohjen Presidenciale, në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm të saj në muzikën shqiptare ndër vite.

    Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani ka çmuar thellë figurën artistike të Adelinës, duke e cilësuar si një nga ikonat më të mëdha të skenës sonë muzikore. Ajo theksoi se Adelina, e njohur gjerësisht si diva e muzikës moderne shqiptare, ka qenë frymëzim për disa gjenerata dhe një zë i fuqishëm artistik e shoqëror.

    Ky moment vjen në kuadër të jubileut të madh të artistes, e cila këtë vit shënon 40 vjet karrierë – një rrugëtim që e ka bërë atë simbol të identitetit dhe emocioneve muzikore shqiptare. Në kuadër të këtij përvjetori, Adelina ka publikuar edhe mini-albumin e saj më të ri, të titulluar “Grua”, një projekt që është pritur me entuziazëm nga publiku.

    Koncerti recital pritet të sjellë një performancë të veçantë, duke rikthyer këngët dhe momentet më kulmore të karrierës së saj të pasur.

  • “KOSOVA VOTON”, është slogani për votimet e 28 dhjetorit

    “KOSOVA VOTON”, është slogani për votimet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prezantuar sot raportin e Listës Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

    Kjo listë përmban 2,076,422 votues, prej të cilëve 1,067,499 burra dhe 1,008,923 gra.

    Sipas një njoftimi të KQZ-së, ajo njëherësh përmban 7 mijë e 324 votues më shumë në krahasim zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    KQZ-ja ka miratuar edhe sloganin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës i cili do të jetë “KOSOVA VOTON!”, thuhet në njoftim.

  • Albin Kurti sërish kandidat i VV’së për kryeministër të Kosovës

    Albin Kurti sërish kandidat i VV’së për kryeministër të Kosovës

    Ashtu si edhe pritej, Albin Kurti do të jetë kandidat për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

    Glauk Konjufca e nominoi atë para delegatëve.

    “Të gjithë jeni duke thënë me siguri, kush do ta meritonte më shumë se ai?! Themelues i Lëvizjes Vetëvendosje, drejtues i saj nëpër të gjitha furtunat e kohës. Gjithnjë duke qenë i gatshëm të jap e sakrifikojë më së shumti nga ne të gjithë”, tha Konjufca.

  • “Kemi pranuar autopsinë, Rina nuk është e dyshuar” – Prokuroria jep detaje për vdekjen e Festim Isufit

    “Kemi pranuar autopsinë, Rina nuk është e dyshuar” – Prokuroria jep detaje për vdekjen e Festim Isufit

    “Rreth orës 15:00 është raportuar për dy persona të lënduar në një ndërtesë në rrugën “B” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara femër, 30 vjeçare është dërguar për tretman mjekësor. Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë. Hetuesit policor po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, thuhej për rastin.

    Mbi këtë ngjarje po atë ditë është deklaruar edhe Prokuroria, ku u tha se po bëhet gjithçka për të zbuluar rrethanat e ngjarjes, shkruan lajmi.net.

    “Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se sot, më datë 09.05.2025, rreth orës 03:00 në “Rrugën B” në Prishtinë, ka ndodhur një rast i rëndë, ku një (1) person mashkull ka humbur jetën, dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale me kallëzim penal si ‘’Hetim mbi vdekjen’’, për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje. Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

    Të njëjtën ditë, e lënduar kishte mbetur edhe bashkëshortja e Festim Isufit, tiktokerja, Rina Maloku. Ajo kishte dal e përgjakur dhe kishte kërkuar ndihmë në ordinancën dentare “Alba Dent”, e më pas ajo kishte pranuar tretman mjekësor, por që ishte lënduar lehtë.

    Që nga maji e deri më sot, nuk janë dhënë detaje të tjera që mund të tregonin rrjedhën e kësaj ngjarjeje.

    Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka thënë për lajmi.net se e kanë pranuar raportin e autopsisë dhe se në lidhje me vdekjen tragjike të Festim Isufit kanë intervistuar disa persona.

    Ata kanë treguar po ashtu se bashkëshortja e Festim Isufit, Rina Maloku nuk është e dyshuar.

    “Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar raportin e autopsisë dhe ka intervistuar disa persona. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se nuk ekzistojnë dyshime të bazuara lidhur me këtë rast”,thuhet në përgjigje.

    Përpos kësaj, u tha se Prokuroria po pret edhe disa prova shtesë, që do ndihmojnë në zbardhjen e plotë të çështjes.

    “R.M. nuk është e dyshuar dhe ndaj saj nuk është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Megjithatë, Prokuroria është ende në pritje të disa provave shtesë, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të çështjes”.

    Menjëherë pasi ndodhi rasti, qytetarët në Kosovë kishin zhvilluar pista të ndryshme se si kishte mundur të ndodhte ngjarja. Ata shpesh e kishin fajësuar dhe e kishin shfaqur si të dyshuar bashkëshorten e Festim Isufit, Rina Malokun, e cila që kur ka ndodhur ngjarja kishte reaguar vetëm njëherë dhe më nuk kishte qenë aktive në rrjete sociale.

    Në një reagim prekës në Instagram, Rina, bashkëshortja e ndjerë e Festimit, të nesërmen, më 10 maj, ka publikuar një fotografi me të në InstaStory, duke i dhënë lamtumirën me fjalë të dhimbshme: “Prehu i qetë jeta jem, humbja jote e papritshme na ka lënë me dhimbje të papërshkrueshme. Të du e të kujtoj si njeri të mirë, të buzëqeshur si ishe”.

    Dyshime se në këtë rast ka qenë i përfshirë edhe një person i tretë, ka nxitur vëllai i viktimës, Lulzim Isufi.

    “Sipas informatave që kam vetë unë personalisht, pa prokurori, pa asgjë, me sa e di unë, këtu është i përfshirë një i tretë. Ama pa qenë 100 për qind i sigurt, nuk mund të them më shumë”, ishte shprehur ai pak pasi kishte ndodhur rasti.

    Vëllai i stilistit të njohur theksoi më tej: “Besoj që edhe prokuroria e di që ka edhe të tjerë të përfshirë. Ne nuk i përzihemi prokurorisë çka bën, por me sa kam informacion, është edhe një i tretë i përfshirë. Kam thënë që po dyshoj, mirëpo tani në bazë të informacioneve që kam, po besoj që kjo është e sigurt”.

    Rina dhe Festimi, që të dy kanë qenë dy personazhe të njohura dhe aktive në media sociale. Festim Isufi ka qenë emër i njohur në dizajn, duke sjell gjithnjë vepra të reja shumë kreative.

  • KQZ vendos që të ketë qendra shtesë jashtë hapësirave diplomatike

    KQZ vendos që të ketë qendra shtesë jashtë hapësirave diplomatike

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të krijohen hapësira shtesë për të votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit, jashtë hapësirave diplomatike.

    Ky ishte propozim i MPJD, e cila u përkrah nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe që e njëjta u kundërshtuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Megjithatë, lista e qendrave u hodh në votim e plotë ashtu siç kërkoi VV’ja, ku morri 6 vota pro, dhe ku vota përcaktuese ishte vota e anëtares turke, Mufera Sinik.

    Ndryshe, partitë ish-opozitare kërkuan qe votimi të mbahet vetëm në përfaqësi diplomatike. Më saktësisht në 50 përfaqësi diplomatike me 66 vendvotime në 36 shtete, me numër maksimal prej 63 mijë votuesve.

  • Më 28 nëntor konferenca për rastin kundër administrimit të drejtësisë, Thaçi do kyçet përmes video-lidhjes

    Më 28 nëntor konferenca për rastin kundër administrimit të drejtësisë, Thaçi do kyçet përmes video-lidhjes

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë më 28 nëntor do të mbahet një konferencë për ecurinë e çështjes së Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Sipas një njoftimi që e ka bërë mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon, klienti i saj do të marrë pjesë në këtë konferencë përmes video-lidhjes.

    Konferenca pritet të mbahet rreth orës 09:30 me 45 minuta vonesë në transmetim.

    Ndërsa, palët janë obliguar që të dorëzojnë parashtrime për gatishmërinë që gjykimi në këtë rast eventualisht të fillojë në javën që nis më 15 dhjetor 2025.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • “Një kafe me kryetarin”, Bekë Berisha publikon foto me Përparim Ramën

    “Një kafe me kryetarin”, Bekë Berisha publikon foto me Përparim Ramën

    Bekë Berisha i AAK-së që nuk arriti ta zë vendin e të parit të Prishtinës, ka publikuar një foto me kundërkandiatin e tij, që e rifitoi kryeqytetin.

    Në një postim në Facebook, Berisha ka publikuar një foto me Përparim Ramën dhe ka shkruar shkurt:

    “Një kafe me Kryetarin” – duke ia bashkëngjitur flamurin Kuq e Zi.