ATV

Category: Lajme

  • Deçani nderon dy nëna fisnike nga Tropoja – Marrin mirënjohje për mbështetjen e UÇK-së

    Deçani nderon dy nëna fisnike nga Tropoja – Marrin mirënjohje për mbështetjen e UÇK-së

    Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur seancë solemne në prag të festës së 28 Nëntorit. Me çmimin “Mirënjohje Qyteti” janë nderuar Hate Rexhaj dhe Feride Hajdinaj dy nëna nga malësia e Gjakovës për kontributin dhe kujdesin ndaj ushtarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.

    Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se 28 Nëntori është ditë madhështore dhe historike.

    Banner

    “Në vigjilje të një date që është madhështore, është historike na kujton vitin e largët 1444 që është Skënderbeu, e vitit 1912 që është Ismail Qemali dhe ngritja e flamurit në Vlorë, vitin 1955 që është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari e po ashtu sot 28 vite më herët në një aksion të policisë të paramilitarëve serbë, të cilët ishin nisur në drejtim të heroit të kombit Abedin Rexhaj, rrugës në këtë destinacion hasin në një organizim të befasishëm nga komandi legjendar Adem Jashari, në Llaushë ku në shenjë hakmarrjeje gjuhet edhe mbi shkollë edhe mbi civil, me ç’rast vdes mësuesi Halit Geci, e që me datën 28 në varrimin e mësuesit bëhet edhe dalja publike e UÇK-së nga tre gjeneralë, ku tash njëri është hero i kombit, Mujë Krasniqi. Rexhep Selimi i cili qëndron padrejtësisht në Hagë dhe gjenerali Daut Haradinaj”, ka thënë Ramosaj.

    Në këtë seancë solemne janë nderuar me çmimin “Mirënjohje Qyteti” dy nëna shqiptare, Hate Rexhaj dhe Feride Hajdinaj për kontributin dhe kujdesin e ushtarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.

    Hate Rexhaj ka falënderuar Komunën e Deçanit për këtë mirënjohje.

    “Ju faleminderit për vlerësimin dhe mirënjohjen që po më bëni, në veçanti me rastin e kësaj feste të shumëfishtë të kombit shqiptar, siç janë Dita e Flamurit, po ashtu dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, dhe dita e daljes publike të UÇK-së. Lavdi dëshmorëve, respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata djem dhe vajza që luftuan për Kosovën dhe për lirinë e kombit. Ju dua shumë, ju jeni gjithçka për mua”, tha ajo.

    Në seancë solemne foli Edhe Feride Hajdinaj, e cila u nderua me mirënjohje nga Komuna e Deçanit.

    “Ju uroj Ditën e Flamurit, ju uroj ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, lavdi dëshmoreve të kombit”, tha ajo.

    Ish-doktoresha e UÇK-së dhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka folur për kontributin e çmuar të Feride Hajdinaj, e cila u nderuar me çmimin “Mirënjohje Qyteti”.

    “Unë isha pjesë e UÇK-së, isha pjesë edhe e brigadës 138 ‘Agim Ramadani’, te nëna Feride kam qëndruar shumë, kjo ishte edhe organizatore e një sulmi të parë mbi forcat serbe, kishte edhe familjarët në UÇK, ishin djemtë e nënës Feride, ishte burri i nënës Feride që ishin ushtarë të UÇK-së dhe gjithë ajo rrethinë që i kemi sot miq dhe që i nderojmë që e ruajnë këtë miqësi ”, ka thënë ajo.

  • Ish-nënkryetari i Kllokotit dënohet me 1 vit burgim, përmes kërcënimit siguronte vota për Listën Serbe

    Ish-nënkryetari i Kllokotit dënohet me 1 vit burgim, përmes kërcënimit siguronte vota për Listën Serbe

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Sasha Mirkoviq, ish-nënkryetar i Kllokotit, duke e dënuar me 1 vit burgim lidhur me akuzën për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.

    Ndaj Mirkoviq, është shqiptuar edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 viteve”.

    Ai u obligua që në emër të shpenzimeve gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro, 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për Fondin e Kompensimit të Viktimave, raporton Betimi për Drejtësi .

  • Tragjedi në Indi: 16-vjeçari humb jetën pasi i bie koshi i basketbollit gjatë stërvitjes

    Tragjedi në Indi: 16-vjeçari humb jetën pasi i bie koshi i basketbollit gjatë stërvitjes

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Rohtak të Haryanas në Indi, ku një 16-vjeçar humbi jetën gjatë stërvitjes në fushën e basketbollit. Hardik Rathi, i njohur për talentin dhe pasionin e tij për sportin, u aksidentua fatalisht pasi koshi i basketbollit, i cili dyshohet të mos ketë qenë i fiksuar siç duhet, u rrëzua dhe i ra mbi gjoks.

    Ngjarja ndodhi në fushën e lojës në Lakhan Majra, ku Hardiku po kryente ushtrime i vetëm. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se ai u përpoq të bënte një ngulitje (dunk) nga vija e tre pikëve — një manovër e zakonshme për basketbollistët që kërkojnë të përmirësojnë shtytjen dhe kërcimin.

    Herën e parë ai e përfundoi lëvizjen pa asnjë problem. Por gjatë përpjekjes së dytë, sapo ai kapi unazën e koshit, tabela dhe i gjithë mekanizmi i koshit u shkëput dhe u përmbys drejt tij, duke e shtypur rëndë në kraharor.

    Miqtë dhe shokët e tij të lojës, që ndodheshin afër, vrapuan menjëherë për t’i ardhur në ndihmë dhe ngritën koshin nga trupi i tij, por fatkeqësisht dëmtimet ishin të rënda dhe adoleshenti nuk mundi të shpëtohej.

    Aksidenti ka tronditur komunitetin lokal dhe ka ngritur pyetje mbi sigurinë dhe mirëmbajtjen e pajisjeve sportive në zonë. Hardik Rathi, një talent i ri me të ardhme premtuese në sport, humbi jetën në mënyrë tragjike gjatë një ushtrimi të thjeshtë që e bënte çdo ditë.

     

     

     

  • Haradinaj zyrtarizon Mumin Morinën si kandidat për deputet

    Haradinaj zyrtarizon Mumin Morinën si kandidat për deputet

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se Mumin Morina, Drejtor Teknik Rajonal në KRU “Hidromorava” Gjilan dhe si Hidroinxhinier Kryesor në “Hidroteknika” Gjilan, i është bashkuar partisë që ai udhëheq.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u shpreh në mënyrë metaforike se “kur hapim çeshmën dhe kemi ujë, kemi shpresë”, duke iu referuar aderimit të Morinës në AAK.

    “Kur hapim çeshmën dhe kemi ujë, kemi shpresë. Sepse uji është jetë, është siguri për familjet tona. Kur e dimë se furnizimi me ujë të pijshëm është i garantuar edhe për gjeneratat pas nesh, atëherë vendi ynë ecën përpara. Mumin Morina ndër vite ka punuar për ta siguruar ujin e pijshëm për vendin, përmes projektimit, zhvillimit dhe menaxhimit të projekteve të infrastrukturës hidroteknike. Përvoja e tij profesionale, veçanërisht si Drejtor Teknik Rajonal në KRU “Hidromorava” Gjilan dhe si Hidroinxhinier Kryesor në “Hidroteknika” Gjilan, dëshmon aftësitë e tij të jashtëzakonshme menaxheriale dhe teknike”, ka shkruar ai.

    Pos tjerash, Haradinaj i ka uruar fat Morinës në garën për deputet.

    “Në Qeverinë e Aleancës, furnizimi me ujë për qytetarët e Kosovës, sipërmarrësit dhe bujqit do të zgjidhet përfundimisht. Ashtu siç do ta zgjidhim një herë e përgjithmonë edhe trajtimin e ujërave të zeza, duke e ngritur Kosovën në standard të zhvillimit dhe mirëqenies. Kjo do të realizohet përmes ndërtimit të shtatë digave të reja dhe ngritjes së impianteve të reja të trajtimit të ujërave në komunat më të vogla. Mumin, Kosova ka nevojë për ty! Të uroj fat në garën për deputet”.

  • Von der Leyen: Situata në Ukrainë “e paqëndrueshme dhe e rrezikshme”, akuzon Rusinë për mungesë vullneti për paqe

    Von der Leyen: Situata në Ukrainë “e paqëndrueshme dhe e rrezikshme”, akuzon Rusinë për mungesë vullneti për paqe

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka përshkruar situatën rreth luftës në Ukrainë si “të paqëndrueshme” dhe “të rrezikshme” dhe e ka akuzuar Rusinë se nuk ka “qëllim të vërtetë” për t’u angazhuar në bisedime paqeje.

    Komentet e saj erdhën pak para se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të deklaronte se ishte “e parakohshme” të flitej për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

    Von der Leyen ka theksuar se Ukraina ka nevojë për garanci të forta sigurie, të afta për të penguar çdo sulm të mëtejshëm, duke argumentuar se Rusia ende mban një mentalitet të pas Luftës së Dytë Botërore dhe e shikon kontinentin evropian si një “sferë ndikimi”.

    Ajo bëri këto deklarata para Parlamentit Evropian në Strasburg, ndërsa SHBA-ja ka shtuar përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis Kievit dhe Moskës.

    Bisedimet këtë javë në Gjenevë dhe më pas në Abu Dhabi kanë bërë që Ukraina të bie dakord për “thelbin” e një marrëveshjeje paqeje, pasi u bënë ndryshime në një plan fillestar prej 28 pikash, i kritikuar gjerësisht si në favor të Rusisë.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se drafti i ri përfaqëson “qasjen e duhur”, por sipas tij, mbeten pika serioze mosmarrëveshjeje me Rusinë.

    Udhëheqësit evropianë kanë këmbëngulur se do të kenë nevojë për një vend në tryezë përpara se të arrihet ndonjë marrëveshje përfundimtare përfundimtare për t’i dhënë fund luftës. Të martën u mblodh një takim i të ashtuquajturit “koalicion i të vullnetshmëve”, i kryesuar nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, për të diskutuar garancitë e sigurisë.

    “Cilado qoftë dizajni i një traktati të ardhshëm paqeje, është e qartë se pjesa më e madhe e zbatimit do të varet nga Bashkimi Evropian dhe partnerët e tij në NATO”, tha von der Leyen në Parlament.

    “Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën. Asgjë për Evropën pa Evropën. Asgjë për NATO-n pa NATO-n”, shtoi ajo.

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjithashtu ka theksuar se Evropa “nuk është një gur shahu, por një aktor sovran, me interesat dhe vlerat e veta”.

    Megjithatë, aktualisht evropianët nuk pritet të jenë të përfshirë në rundin e ardhshëm të bisedimeve, dhe Rusia ka kundërshtuar përfshirjen e udhëheqësve evropianë.

    “Ndërhyrja e evropianëve në të gjitha këto çështje është, siç e shoh unë, krejtësisht e panevojshme”, ka thënë ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov.

    Ndërkohë, i dërguari presidencial i SHBA-së, Steve Witkoff, do të udhëtojë për në Moskë javën e ardhshme, ndërsa sekretari i Ushtrisë i SHBA-së, Dan Driscoll, do të shkojë në Ukrainë.

    Zelensky ka deklaruar të martën se dëshiron bisedime të drejtpërdrejta me ish-presidentin Donald Trump para fundit të muajit, për të diskutuar divergjencat kryesore midis qëndrimeve të Ukrainës dhe Rusisë, të tilla si sovraniteti mbi rajonet lindore të Ukrainës, anëtarësimi në NATO dhe madhësia e ushtrisë së saj.

  • Aksident i rëndë në Llaushë të Skenderajt, kamioni përfundon i rrokullisur pas përplasjes me një veturë

    Aksident i rëndë në Llaushë të Skenderajt, kamioni përfundon i rrokullisur pas përplasjes me një veturë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur në fshatin Llaushë të Skenderajt, ku një kamion është përplasur me një veturë, duke përfunduar i rrokullisur.

    Sipas Gazetës Sinjali në vendin e ngjarjes është edhe Policia e Kosovës, mirëpo ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar.

  • Hamza priti në takim udhëheqësit e OVL-UÇK-së

    Hamza priti në takim udhëheqësit e OVL-UÇK-së

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka pritur sot në takim udhëheqësit e OVL-UÇK-së.

    Hamza ka shkruar se çdo rrëfim i tyre na kujton se ky shtet u ndërtua me sakrifica që as koha dhe harresa nuk mund t’i shlyejnë.

    “Kosova që duam sot, më e zhvilluar, më e fortë, më dinjitoze, duhet të mbështetet mbi vlerat që heronjtë tanë i mbrojtën me jetë”, ka shkruar ndër të tjera Hamza.

  • Ushtarët e KFOR’it dhe Policia e Kosovës dhurojnë gjak

    Ushtarët e KFOR’it dhe Policia e Kosovës dhurojnë gjak

    KFOR ka bërë të ditur se disa ushtarë të këtij misioni, së bashku me oficerë të Policisë së Kosovës, kanë dhuruar gjak si pjesë e fushatës së organizuar nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut të Kosovës në Kampin Vrelo.

    Në postim thuhet edhe se, nisma synon të mbështesë institucionet shëndetësore në mbarë Kosovën dhe të forconte më tej bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, për të mirën e njerëzve në gjithë Kosovën.

    Ushtarët nga Komanda Rajonale Lindje e Forcës së Kosovës (KFOR), që është pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, së bashku me oficerë të Policisë së Kosovës (PK), morën pjesë në një fushatë dhurimi gjaku të organizuar nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut të Kosovës në Kampin Vrelo.

    Nisma synonte të mbështeste institucionet shëndetësore në mbarë Kosovën dhe të forconte më tej bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, për të mirën e njerëzve në gjithë Kosovën.

    Personeli i KFOR-it mbështet rregullisht fushata shtesë të dhurimit të gjakut në kohë dhe vende të ndryshme, duke dëshmuar përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj aktiviteteve humanitare.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në rolin e vet si reagues të sigurisë.

  • Siguronte vota për Listën Serbe, ish-nënkryetari i Kllokotit dënohet me 1 vit burgim

    Siguronte vota për Listën Serbe, ish-nënkryetari i Kllokotit dënohet me 1 vit burgim

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Sasha Mirkoviq, ish-nënkryetar i Kllokotit, duke e dënuar me 1 vit burgim lidhur me akuzën për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.

    Aktgjykimi ndaj Mirkoviq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndaj Mirkoviq, Gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues- Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 viteve.

    Gjykata obligoi të akuzuarin që në emër të shpenzimeve gjyqësor të paguajë shumën prej 100 euro, 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro për Fondin e Kompensimit të Viktimave.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 14 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Sasha Mirkoviq akuzohej se në periudhën kohore janar – shkurt 2021, në territorin e Komunës së Kllokotit, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, në bashkëkryerje me të dënuarin Bozhidar Dejanoviq dhe persona të tjerë, ka përdorur kanosje serioze ndaj qytetarëve të nacionalitetit serbë, me qëllim të ndikimit në vullnetin e tyre zgjedhor, gjatë periudhës kohore para dhe gjatë zgjedhjeve të Përgjithshme të Parakohshme Parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021.

    Në aktakuzë thuhet se, së bashku me kryetarin e Komunës së Kllokotit, të dënuarin Bozhidar Dejanoviq, kanë ushtruar presion dhe kërcënim serioz ndaj qytetarëve të nacionalitetit serbë të Komunës së Kllokotit, duke u kërkuar që të votojnë për subjektet e caktuara politike, me kërcënimin se do t’i largonin nga puna, ashtu që Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të Komunës, ka siguruar vota në mënyrë të kundërligjshme për subjektin politik “Lista Serbe”.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mirkoviq, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, ka siguruar vota me metoda të njëjta, për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq”, duke i kanosur qytetarët me humbje të vendit të punës apo me humbjen e të drejtës në pagesë sociale dhe kështu kanë ndikuar dhe i kanë detyruar qytetarët që të votojnë në mënyrë të caktuar, përkatësisht për subjektin politik me numër 129 “Ujedinjina Zajdenica- Ardiana Hoxhiq”.

    Me këtë, Sasha Mirkoviq akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimi të lirë të votuesve” e sanksionuar me nenin 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me një deri në pesë vjet burg.

  • Reagon Ali Ahmeti pas vdekjes së Shpat Kasapit: Herët Shpat, shumë herët

    Reagon Ali Ahmeti pas vdekjes së Shpat Kasapit: Herët Shpat, shumë herët

    Pas lajmit të rëndë për vdekjen e këngëtarit të njohur Shpat Kasapi, ka reaguar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen dhe miqtë e artistit.

    Ahmeti e ka quajtur të parakohshme ndarjen nga jeta të Kasapit, duke shkruar: “Herët Shpat, shumë herët. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe miqve të Shpat Kasapit për ndarjen e tij të papritur nga jeta në moshë kaq të re.”