ATV

Category: Lajme

  • Lirohet nga paraburgimi prokurori Beqë Shala

    Lirohet nga paraburgimi prokurori Beqë Shala

    Është liruar nga paraburgimi Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Beqë Shala, dhe i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

    Lajmin për lirimin e tij nga paraburgimi e ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, avokati Naim Rudari.

    Rudari thotë se gjykata ka vlerësuar se nuk janë përmbushur më kushtet ligjore për t’ia vazhduar masën e paraburgimit.

    Më 6 nëntor, Gjykata e Apelit përmes njoftimit pati bërë të ditur se ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh prokurorit të suspenduar, Beqë Shala i dyshuar për marrje ryshfeti.

    Sipas vendimit, ekziston rreziku që Shala po të gjendet në liri mund të asgjësojë provat, të pengojë rrjedhën normale të hetimeve apo të ndikojë në dëshmitarë dhe që sipas Apelit Shala duhej të qëndrojë nën masën e paraburgimit.

    Ndaj vendimit të Themelores për caktim paraburgimit, kishte ushtruar ankesë mbrojtja e Shalës.

    Më 27 tetor, Shala ishte është arrestuar në vendin e tij të punës nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”.

  • Hamza fton mërgimtarët të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Hamza fton mërgimtarët të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

    Përmes një postimi në Facebook, Hamza ka ndarë edhe linkun ku diaspora mund të regjistrohet.

    “Zgjidhni vetë mënyrën e votimit, por ju mirëpresim të vini sa më shumë edhe në atdhe dhe ta ushtroni këtu të drejtën tuaj. Le të jetë 28 dhjetori ditë e festës dhe e fitores sonë të përbashkët!”, ka shkruar Hamza.

    Aplikimi është i hapur deri më 6 dhjetor, derisa mund të të aplikoni në: https://diaspora.kqz-ks.org ose me postë, duke e dërguar formularin në adresën e KQZ-së në Kosovë.

  • Haradinaj sot bën homazhe në Prekaz

    Haradinaj sot bën homazhe në Prekaz

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkon sot në Prekaz.

    Atje do të bëjë homazhe, në prag të festës së 28 Nëntorit.

    Në njoftimin e bërë përmes një komunikate për media, AAK-ja ka njoftuar se këto homazhe pritet të bëhen me fillim nga ora 10:00.

  • 25 vjet nga konfrontimet e para të UÇPMB-së në Luginë

    25 vjet nga konfrontimet e para të UÇPMB-së në Luginë

    Gjatë vitit 2000 dhe gjysmës së parë të vitit 2001 territoret e komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë qenë fushë e konfrontimeve të armatosura të policisë dhe Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).

    Pjesëtaret e saj për herë të parë janë paraqit publikisht në fund të janarit të vitit 2000 në fshatin Dobrosin (komuna e Bujanocit) gjatë varrimit të vëllezërve të vrarë Shaqipi.

    Konfrontimi i armatosur dhe incidentet janë intensifikuar posaçërisht pas tërheqjes së policisë nga punktet e kontrollit në fshatrat shqiptare nga komuna e Bujanocit me 27 nëntor 2000.

    Tërheqja është bërë pas sulmit të UÇPMB-së mbi patrullën policore, me ç’rast vdiqën tre policë e pesë policë janë plagosur. Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ishin vrarë, plagosur ose rrëmbyer më tepër se 100 njerëz, shqiptarë, serbë, dhe përfaqësues të ushtrisë dhe policisë.

    Në fillim të vitit 2001 Qeveria e Republikës së Serbisë dhe Qeveria Federative formuan trupin Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegje.

    Në përpjekje që të zgjidhet kriza në mënyrë politike, në fillim të vitit 2001 përfaqësues të pushtetit dhe komunitetit shqiptar filluan negociatat, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të paktit Veri-atlantik (NATO), Kombeve të Bashkuara (KB) dhe Organizatës Evropiane për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE). Rezultatet e këtyre negociatave kanë qenë hyrja graduale e Ushtrisë Jugosllave në Zona Tokësore të Sigurisë, në të njëjtën kohë dhe demilitarizimi dhe shpërbërja e UÇPMB-së.

    Zona Tokësore të Sigurisë me marrëveshje të mëvonshme është anuluar në mënyre formale. Kuvendi Federativ në vitin 2002 nxjerri Ligjin për amnisti për të gjithë pjesëtarët të UÇPMB-së.

  • KQZ-ja sot certifikon rezultatet përfundimtare të balotazhit

    KQZ-ja sot certifikon rezultatet përfundimtare të balotazhit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës, me ç’rast do të bëhet certifikimi i rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

    Mbledhja është njoftuar të fillojë në orën 11:00.

    Mes të tjerash, KQZ-ja do të bëjë shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për zëvendësimin e anëtarit të kuvendit komunal, sipas komunave, për zgjedhjet lokale 2025.

  • Mblidhet qeveria në detyrë, 14 pika në rend të ditës

    Mblidhet qeveria në detyrë, 14 pika në rend të ditës

    Qeveria në detyrë do të mblidhet sot.

    Në njoftimin për media është bërë e ditur se mbledhja do të nisë në ora 12:00.

    Në rend të ditës në mbledhjen e sotme janë gjithsej 14 pika.

    Në mbledhjen e ekzekutivit sot pritet të shqyrtohen propozim-vendimet për disa shpronësime. Po ashtu sot kabineti qeveritar në detyrë pritet të shqyrtojë propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në kategorinë e shpenzimeve “paga dhe shtesa” për nëntor 2025 për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

  • Shefi i NATO-s: Rusia do të mbetet kërcënim afatgjatë edhe me marrëveshje të paqes

    Shefi i NATO-s: Rusia do të mbetet kërcënim afatgjatë edhe me marrëveshje të paqes

    Rusia do të vazhdojë të përbëjë një kërcënim afatgjatë për Evropën, pavarësisht nga çdo marrëveshje paqeje e arritur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë , paralajmëroi të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte .

    Duke folur për El Pais në Bruksel, Rutte tha se edhe nëse Kievi dhe Moska arrijnë një marrëveshje, “Rusia do të mbetet një kërcënim afatgjatë për një kohë të gjatë”.

    Në një intervistë të gjerë, ai tha se Spanja në fund të fundit do të duhet të rrisë shpenzimet e mbrojtjes shumë përtej vlerësimeve aktuale të qeverisë.

    Ndërsa Madridi pohon se mund të përmbushë kërkesat e NATO-s duke investuar 2.1% të PBB-së së saj, Rutte tha: “Spanja së shpejti do të shohë se edhe ajo duhet të shpenzojë 3.4% deri në 3.6%”, tha ai, duke shtuar se kriteri i mëparshëm prej 2% kishte qenë thjesht një “vlerësim i përafërt”.

    Rutte ofroi mbështetje të fortë për Presidentin e SHBA-së Donald Trump, qasjen e të cilit ndaj shpenzimeve të mbrojtjes dhe sigurisë ai e vlerësoi, duke këmbëngulur se udhëheqësi amerikan ka qenë qendror në nxitjen e aleatëve për të forcuar aftësitë e tyre ushtarake.

    “Po, më pëlqen djali,” tha ai. “Ai po bën pikërisht atë që na duhet.”

    Ai ia atribuoi Trumpit përpjekjet për të thyer ngërçin diplomatik mbi Ukrainën.

    Edhe pse ai pranoi se plani aktual i paqes “përmban elementë të fortë dhe të tjerë që kanë nevojë për më shumë punë”, ai e përshkroi atë si një bazë të besueshme për negociata të mëtejshme.

    “Unë e ndaj plotësisht vizionin e Trump: kjo masakër duhet të ndalet”, tha Rutte, duke shtuar se Rusia po pëson humbje të mëdha – “rreth 20,000 ushtarë çdo muaj” – ndërsa fiton territor minimal.

    Lidhur me të ardhmen e Ukrainës brenda NATO-s, Rutte theksoi se Moska nuk ka asnjë rol në këtë çështje.

    “Rusia nuk ka as të drejtë vote dhe as të drejtë veto se kush mund të jetë anëtar i NATO-s”, tha ai, duke shtuar se pranimi ende kërkon unanimitet midis aleatëve. Derisa kjo të jetë e mundur, argumentoi ai, Ukraina do të ketë nevojë për “garanci të forta sigurie”.

    Rutte gjithashtu kundërshtoi idenë se vendet larg vijës së frontit ndihen më pak të kërcënuara. “Ka pesë minuta midis Vilniusit dhe Valencias”, paralajmëroi ai, duke iu referuar shpejtësisë së raketave të përparuara ruse. “Ne jemi të gjithë në krahun lindor”.

  • 35-vjeçari mbytet në përroin e Elbasanit, trupi i pajetë u gjet pas disa orësh

    35-vjeçari mbytet në përroin e Elbasanit, trupi i pajetë u gjet pas disa orësh

    Një 35-vjeçar nga fshati Mlizë i Elbasanit është mbytur në përroin që kalon pranë fshatit.

    Florian Tahiri dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur.

    Sipas Top Channel, gjatë gjithë natës kanë vijuar kërkimet për gjetjen e trupit i cili u gjet këtë mëngjes nga ekipet zjarrfikëse dhe ato të emergjencave të Elbasanit.

  • Presidentja Osmani viziton Shkodrën në prag të 28 Nëntorit

    Presidentja Osmani viziton Shkodrën në prag të 28 Nëntorit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta zhvilloj sot një vizitë zyrtare në Shkodër, ku do të pritet në takim nga kryetari i Bashkisë, Benet Beci. Pas takimit, është paralajmëruar edhe një deklarim për media

    Gjatë vizitës së saj në Shkodër, Presidentja Osmani do të vizitoj Muzeun “Marubi”, si dhe në Muzeun e Kujtesës, ku do të zhvillojë një takim me përfaqësues të komuniteteve fetare. Vizita e saj do të vazhdojë me një takim me gratë intelektuale shkodrane.

    Në përmbyllje të vizitës, është paraparë edhe një Koncert Festiv në sheshin pranë Bashkisë së Shkodrës, aktivitet që mbahet në vigjilje të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.

  • Punëtorët e RTK-së vazhdojnë grevën dy-orëshe

    Punëtorët e RTK-së vazhdojnë grevën dy-orëshe

    Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) edhe sot vazhdojnë grevën e përgjithshme për shkak të mos-marrjes së pagave.

    Sindikalistët e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) kanë njoftuar se punëtorët e transmetuesit publik janë në gjendje jo të mirë sociale, si dhe funksionimi i RTK-së, është “rënduara në skaj”, duke e cilësuar situatën të papranueshme.

    Po ashtu, Sindikata ka theksuar se greva do të vazhdojë dhe i bën thirrje të gjithë punëtorëve për mbështetje të plotë në veprimet e tyre, të cilat i konsideron “të drejta dhe ligjore”.

    Kreu i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, dje ka deklaruar se ende nuk ka pasur asnjë reagim apo sinjal nga Qeveria e Kosovës për zgjidhjen e situatës.

    Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe adresimeve të shumta, institucionet nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë. Ai është shprehur i habitur se si Qeveria arrin të gjejë zgjidhje dhe mjete financiare për çështje të tjera, përfshirë zgjedhjet, por jo për RTK-në, edhe pse transmetuesi publik ka buxhet të ndarë.

    Ai ka theksuar se një nismë nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, do të mjaftonte për të proceduar mjetet e nevojshme për RTK-në. Sipas tij, situata është rënduar aq shumë sa rreth gjysma e punëtorëve rrezikojnë të mos paraqiten më në punë, pasi nuk po paguhen për punën e tyre.

    Bimbashi ka përsëritur thirrjen drejtuar Qeverisë Kurti që të gjejë zgjidhje sa nuk është bërë vonë. Ai ka theksuar se punëtorët e RTK-së nuk janë të përfshirë në politikë dhe se greva ka vetëm qëllim kërkimin e një të drejte themelore.

    Kreu i SPERTK-ut ka paralajmëruar se mungesa e veprimeve institucionale, përfshirë vonesën e miratimit të ligjit të ri për RTK-në, ka çuar transmetuesin publik në një krizë serioze. Ai i ka bërë thirrje edhe partive politike të legjislaturës së ardhshme që të miratojnë ligjin dhe t’i garantojnë RTK-së vazhdimësinë e punës.

    Ai ka kujtuar se RTK ka buxhetin më të ulët në rajon për një medium publik dhe se vazhdon të funksionojë edhe me 2.2 milionë euro më pak, mjete të cilat janë hequr pesë vjet më parë.