ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj nis ditën nga Boletini në prag të 28 Nëntorit: Isa Boletini mbetet frymëzim për çdo shqiptar

    Haradinaj nis ditën nga Boletini në prag të 28 Nëntorit: Isa Boletini mbetet frymëzim për çdo shqiptar

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka nisur mëngjesin e sotëm në Boletin, tek vendi ku prehet heroi kombëtar Isa Boletini, në shenjë nderimi për festën e 28 Nëntorit.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi se figura e Boletinit vazhdon të jetë simbol i qëndresës dhe frymëzim për çdo shqiptar që e do dhe e mbron lirinë.

    Sipas tij, Boletini mbetet shembull i përkushtimit ndaj të drejtave kombëtare dhe ruajtjes së identitetit shqiptar, ashtu siç ai veproi me “guxim dhe vendosmëri të pashoq”.

    Haradinaj rikujtoi edhe thënien ikonike të heroit: “Unë jam mirë kur është mirë Shqipëria”, duke e cilësuar si moto që e shoqëroi Boletinin gjatë gjithë jetës në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, të cilëve për dekada u ishte mohuar liria dhe identiteti.

    Ai shtoi se nderimi i figurave të tilla është i domosdoshëm, sidomos në prag të ditëve që simbolizojnë sakrificën dhe qëndresën shqiptare.

  • Maqedonci me urim të veçantë në “Ditën e Forcës”: Jeni guximi dhe nderi i Republikës së Kosovës

    Maqedonci me urim të veçantë në “Ditën e Forcës”: Jeni guximi dhe nderi i Republikës së Kosovës

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë një urim të veçantë në “Ditën e Forcës” duke iu adresuar gjithë oficerëve, nënoficerëve, ushtarakëve në pension, zyrtarëve civilë, për çka tha se ushtria e Kosovës e ndërtuar mbi themele gjaku e sakrifice të jashtëzakonshme sot është më e fortë se kurrë dhe respektohet nga të gjithë anë e mbanë botës.

    Ai teksa numëron arritjet e FSK-së tha se ushtria është e gatshme ta mbrojë Kosovën nga çdo kërcënim apo rrezik.

    “Të dashur, nënoficerë aktivë dhe rezervë të ushtrisë sot, ushtarakë të pensionuar dhe ju zyrtarë civilë që shërbeni në Forcën e Sigurisë së Kosovës, të dashur qytetarë të Republikës, sot në “Ditën e forcës” zemrat tona rrahin me krenari të veçantë. Sot nderojmë rrugëtimin e jashtëzakonshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, një forcë e ndërtuar mbi themele gjaku e sakrifice të shumë brezave e që po rritet e fiton respektin e gjithë aleatëve tanë anë e mbanë botë. Ushtria e Kosovës është historia jonë e suksesit, përkushtimi i çdo ushtari, oficeri e kadeti që zgjohet me një mision, mbrojtjen e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci në adresimin e tij.

    Maqedonci numëron pajisjet ushtarake që zotëron Forca e Kosovës e cila forcë respektohet, llogartitet e ngrihet me dinjitet krah për krah me aletatët e saj.

    “Në këto vitet e punës sonë të përbashkët përmes punës dhe angazhimit të përbashkët e kemi rritur dhe fuqizuar FSK-në si kurrë më parë. Me fluturake në qiell, sisteme raketore dhe sisteme artilerie ën tokë, autoblinda në rrugë dhe armë e pajisje moderne të këmbësorisë po sigurohemi që forca jonë të fuqizojë kapacitet e saj luftarake dhe të jetë e gatshme të përballet me çdo kërcënim dhe rrezik që synon të cenoj territorin dhe jetën e qytetarëve tanë. Infrastruktura e ushtrisë sonë po zhvillohet çdo ditë, me poligone të reja trajnimi dhe baza të reja ushtarake duke mundësuar zhvillim të stërvitjeve dhe realizim të punëve ditore përmes rekrutimi të personelit dhe investimeve në trajnim dhe edukim po sigurohemi që shkathtësitë dhe dijen t’i ndërlidhim me pajisjet dhe armët për të kryer me sukses detyrat taktike. FSK sot është nëj forcë që respektohet, llogaritet dhe një Forcë po ngrihet me dinjitet e po zhvillohet krah për krah me aleatët tanë duke bërë Kosovën më të fortë dhe më të sigurtë se kurrë”, thekson Maqedonci.

    E në fund ai thekson se ushtarët janë zemra e kësaj arritjeje.

    “Ju ushtarë jeni zemra e kësaj arritje, ju jeni guximi, disiplina dhe nderi i republikës së Kosovës, në këtë ditë dua t’iu them nga zemra, vazhdojmë sëbashku me besim, me guxim dhe me dashuri për këtë tokë. Gëzuar Dita e Forcës rroftë ushtria dhe Republika jonë”, përfundon urimi i Maqedoncit.

  • Petkoviq: Beogradi nuk shkel asnjë detyrim nga dialogu

    Petkoviq: Beogradi nuk shkel asnjë detyrim nga dialogu

    Drejtori i ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, ka pretenduar se “Beogradi nuk shkel asnjë detyrim, sepse është i vetmi në dialog që i është përkushtuar normalizimit dhe marrëveshjeve të arritura”.

    Petkoviq ka reaguar në rrjetin social X ndaj deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian, i cili tha se Serbia, duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, po bie ndesh me obligimet që ka marrë nga marrëveshjet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Prishtina refuzon prej 13 vitesh të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe të formojë Asociacionin, ndërsa me terrorin ndaj serbëve çdo ditë e shkel dialogun. As Kurti e as zëdhënësi i BE-së nuk duan të flasin për këtë. Të mençurit i mjafton kaq”, ka shkruar Petkoviq në propagandën e tij të “mençur” të radhës.

  • Arrestohet djali, tentoi ta sulmojë nënën e tij nga e cila kërkonte para

    Arrestohet djali, tentoi ta sulmojë nënën e tij nga e cila kërkonte para

    Një rast i dhunës në familje ka ndodhur në Prishtinë. Djali i cili ka tentuar ta sulmoi nënën e tij, nga e cila ka kërkuar para është arrestuar. Në raportin e policisë thuhet se i dyshuari ka ushtruar dhunë psiqike ndaj nënës së tij, të cilën pastaj ka tentuar dhe ta sulmojë fizikisht.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe me urdhër të tij, i dyshuari është liruar me procedurë të rregullt.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se ka ushtruar dhunë psikike duke i kërkuar para dhe ka tentuar ta sulmoj nënën e tij. Është njoftuar prokurori dhe me urdhrin e tij i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Gucati: Hagës i përgjigjemi me zë të fuqishëm, protesta e radhës në Shkup

    Gucati: Hagës i përgjigjemi me zë të fuqishëm, protesta e radhës në Shkup

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka zhvilluar disa protesta në muajt e fundit, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim kundërshtimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilin e konsideron të padrejtë dhe politikisht të motivuar.

    Protesta kryesore u mbajt më 7 gusht në Prishtinë, ku mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin kryesor të kryeqytetit me thirrjet për drejtësi dhe mbështetje për të akuzuarit. OVL-UÇK theksoi se qëllimi i protestës ishte “të ngrinte zërin kundër njollosjes së luftës çlirimtare dhe sakrificës së dëshmorëve”.

    Një tjetër protestë e rëndësishme u zhvillua më 17 tetor në Tiranë, ku veteranë të luftës nga Kosova dhe mbështetës nga Shqipëria u bashkuan për të kërkuar një proces të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

    Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati ka njoftuar se protesta e radhës e veteranëve do të mbahet në Shkup, pas disa protestave të zhvilluara më herët në qytete të ndryshme. Gucati bëri të ditur se kjo do të jetë protesta e gjashtë ose e shtatë me radhë, pjesë e aksionit të vazhdueshëm kundër proceseve gjyqësore që po zhvillohen ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    ‘’Dihet se ne jemi duke protestuar tash e disa herë nëpër vende të ndryshme protesta e 6 a 7 me radhë, tash të radhës e kemi ne Shkup ku do të shkojmë fuqishëm ’’, tha Gucati për FrontOnline, transmeton Periskopi.

    OVL-UÇK ka shprehur zhgënjimin e thellë për vendimin e Dhomave të Specializuara për të caktuar një konferencë përgatitore ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi pikërisht më 28 Nëntor, ditën më të shënuar të historisë kombëtare shqiptare.

    “28 Nëntori është dita kur Gjergj Kastrioti–Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, është dita e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit Adem Jashari dhe data e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për ne, kjo datë është identitet, sakrificë dhe krenari’’, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

    Organizata e ka quajtur këtë vendim të Hagës fyerje të ndjenjave kombëtare, duke thënë se zgjedhja e kësaj date shpërfill realitetin historik të popullit të Kosovës dhe tregon mungesë ndjeshmërie dhe qasje të njëanshme ndaj historisë sonë çlirimtare.

    ‘’Për OVL UÇK, mbajtja e një seance gjyqësore në këtë datë përbën fyerje të ndjenjave tona kombëtare dhe shpërfillje të realitetit historik të popullit të Kosovës. Kjo zgjedhje e panevojshme dhe e pakuptimtë vetëm sa e thellon bindjen se Dhomat e Specializuara vazhdojnë të tregojnë mungesë ndjeshmërie dhe një qasje të njëanshme ndaj historisë sonë çlirimtare dhe ndaj atyre që udhëhoqën luftën për liri’’, thuhet në reagimin e OVL-UÇK.

  • Ndërron jetë një person në qendrën e kujdesit për persona me aftësi të kufizuara

    Ndërron jetë një person në qendrën e kujdesit për persona me aftësi të kufizuara

    Të mërkurën rreth orës 10:35 një person ka ndërruar jetë në Institucionin – Shtëpinë për kujdesin e personave me aftësi të kufizuara në Graqanicë.

    Sipas njoftimit të policisë, viktima kishte qenë duke banuar aty që nga viti 2015.

    Nga mjeku është konstatuar vdekja e tij dhe sipas mjekëve ai kishte sëmundje të zemrës.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion.

    “ Graqanicë 26.11.2025 – 10:35. Është raportuar se një mashkull kosovar, ka ndërruar jetë në Institucionin – Shtëpinë për kujdesin e personave me aftësi të kufizuara i cili kishte qenë duke banuar aty që nga viti 2015. Nga mjeku është konstatuar vdekja e tij dhe sipas mjekëve ai kishte sëmundje të zemrës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Bllokada buxhetore në Prishtinë – Ahmeti: Dorëzimi i vonuar i dokumenteve e la Prishtinën pa buxhet

    Bllokada buxhetore në Prishtinë – Ahmeti: Dorëzimi i vonuar i dokumenteve e la Prishtinën pa buxhet

    Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një intervistë në emisionin “Herët” në Tëvë1, ka folur për situatën me buxhetin e komunës, duke theksuar se Prishtina aktualisht nuk e ka të miratuar buxhetin për vitin 2025 për shkak të vonesave institucionale.

    Ahmeti shpjegoi se buxheti i komunave në Kosovë formohet nga dy burime kryesore: grantet qeveritare dhe të hyrat vetanake.

    Sipas tij, “Buxheti i Komunës së Prishtinës bëhet prej dy të hyrave kryesore: një prej grandeve qeveritare dhe një prej të hyrave vetanake – taksat e ndryshme për leje ndërtimi, tatimi në pronë që paguhet. Grantet zakonisht caktohen duke u bazuar në numrin e popullatës, ndërsa të hyrat vetanake varësisht se sa i ka mbledhur komuna.”

    Ai tha se procedurat ligjore për përgatitjen e buxhetit janë të qarta dhe afatet duhen respektuar.

    “Buxheti për vitin e ardhshëm duhet me u kry deri më 1 shtator dhe duhet me u dërgu në Kuvendin Komunal. Pastaj janë diskutimet, ku deri më 1 tetor duhet me u dërgu në Ministri të Financave. Ata ia bashkëngjesin secilit komunë dhe shkon në votim në Kuvendin e Kosovës, ku vetëm në Kuvend ato mund të votohen,” deklaroi Ahmeti.

    Ai shtoi se në rast se komuna nuk arrin ta miratojë buxhetin me kohë, përgjegjësinë e merr Ministria e Financave.

    “Nëse vonohesh apo nuk e ke kalu buxhetin, nuk ke arrit me bo shumicën në Kuvend Komunal, atëherë Ministria e Financave e paraqet në Kuvend që mos me mbet pa buxhet,” theksoi ai.

    Duke folur për situatën aktuale të Prishtinës, Ahmeti tha se viti i kaluar ka qenë problematik.

    “Komuna e vitit të kaluar është vonuar. Më duket është dorëzuar diku më 9 dhjetor, edhe pse buxheti s’ka qenë i kalum. Pastaj edhe Ministria u vonu derisa e ka çu në Kuvend. Pastaj jemi hi në cikël zgjedhor dhe rrjedhimisht Komuna e Prishtinës nuk ka të aprovuar buxhetin për vitin 2025,” u shpreh ai.

    Sipas Ahmetit, këto vonesa e lënë Prishtinën në një situatë të rënduar financiare dhe organizative, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e shërbimeve komunale.

  • Rumania nënshkruan marrëveshje për blerjen e sistemeve franceze të mbrojtjes ajrore

    Rumania nënshkruan marrëveshje për blerjen e sistemeve franceze të mbrojtjes ajrore

    Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë tha se do të blejë sisteme franceze të mbrojtjes ajrore, Mistral, në vlerë prej mbi 626 milionë eurosh, si pjesë e një marrëveshjeje të përbashkët prokurimi me disa shtete të tjera të Bashkimit Evropian.

    Ministria tha se e ka nënshkruar marrëveshjen me Ministrinë franceze të Mbrojtjes të martën për blerjen e 231 sistemeve të mbrojtjes ajrore Minstral (MANPADS) – që prodhohen nga kompania e raketave MBDA – dhe 934 raketa. Në marrëveshje përfshihen edhe trajnimet, simulatorët dhe logjistika.

    Në njoftimin e lëshuar nuk u specifikua se kur këto pajisje do të dërgohen në Rumani. Ligjvënësit rumunë fillimisht kishin miratuar planin për blerjen e këtyre armëve më 2022.

    Rumania, shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s, ndan një kufi tokësor me Ukrainën të gjatë prej 650 kilometrash. Ky shtet është përballur me shkelje të hapësirës ajrore dhe copëza të dronëve kanë rënë vazhdimisht që kur Rusia nisi sulmet ndaj porteve të Kievit përgjatë lumit Danub.

    Mbrojtja ajrore rumune aktualisht përfshin avionë luftarakë F-16, sisteme Patriot, lëshues raketash HIMARS të prodhuara nga Lockheed Martin, raketa me rreze të shkurtër veprimi Chiron të Koresë së Jugut, dhe armë kundër avionëve Gepard, të prodhimit gjerman.

    Vendi po ashtu synon që të bashkëpunojë me Ukrainën për ndërtimin e dronëve nën një mekanizëm të ri të BE-së për financimin e mbrojtjes.

    Rumania po ashtu është në fazën finale të dislokimit të sistemeve kundër dronëve, Merops, që janë furnizuar nga Shtetet e Bashkuara.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Gjakovë, rasti po hetohet

    Gjendet pa shenja jete një person në Gjakovë, rasti po hetohet

    Një person është gjetur pa shenja jete.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 12:00, në Gjakovë.

    Tutje në raport bëhet e ditur se rasti po hetohet.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar, është gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor ku mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Aksident në rrugën Prishtinë–Podujevë, autobusi përplaset me veturën në Lluzhan

    Aksident në rrugën Prishtinë–Podujevë, autobusi përplaset me veturën në Lluzhan

    Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 08:00 në rrugën Prishtinë – Podujevë përkatësisht në fshatin Lluzhan.

    Në aksident janë përfshirë një autobus me një veturë.

    Deri më tani nuk dihet për dëmet e shkaktuara nga ky aksident.