ATV

Category: Lajme

  • Sveçla: Forca e Sigurisë së Kosovës po rritet dhe po forcohet çdo ditë

    Sveçla: Forca e Sigurisë së Kosovës po rritet dhe po forcohet çdo ditë

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka uruar qytetarë për Ditën e Forcës të Ushtrisë së Kosovës.

    Sveçla përmes një postimi në facebook është shprehur se , Forca e Sigurisë së Kosovës po rritet dhe po forcohet çdo ditë, duke i shërbyer sigurisë dhe mbrojtjes së Republikës sonë,=.

    “Si vijimësi e Ushtrisë sonë Çlirimtare, Forca e Sigurisë së Kosovës po rritet dhe po forcohet çdo ditë, duke i shërbyer sigurisë dhe mbrojtjes së Republikës sonë.

    Në prag të festës sonë kombëtare, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, sot shënojmë edhe Ditën e Forcës sonë.

    Urimet më të përzemërta për të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që me përkushtim dhe guxim i japin kuptim uniformës dhe i shërbejnë pa u kursyer vendit tonë.

    Gëzuar Dita e Forcës”, ka shkruar Sveçla.

  • Dita e Forcës, Osmani: FSK-ja, pasardhëse e denjë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

    Dita e Forcës, Osmani: FSK-ja, pasardhëse e denjë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

    Presidentja Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Forcës të Ushtrisë së Kosovës, ku sot është organizuar Dita e Hapur në të gjitha kazermat e FSK-së.

    Gjatë vizitës në kazermën “Adem Jashari”, Osmani tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është pasardhëse e denjë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Sot është një ditë krenarie për gjithë popullin e Kosovës. Është ditë krenarie, sepse ushtria jonë e sotme, është pasardhëse e denjë e krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e djemve, vajzave të cilët vunë themelet e lirisë sonë. Sot, këta djem e vajza na bëjnë krenarë , jo vetëm brenda vendit, por kudo që ata shërbejnë”, u shpreh Osmani.

    Nga ana tjetër, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se janë të lumtur për punën e jashtëzakonshme të FSK-së, të cilën e quajti amanet të njerëzve që ranë për lirinë e Kosovës.

    “Jemi jashtëzakonisht të lumtur për një punë të jashtëzakonshme të ushtrisë tonë, një vazhdimësi e një historie të lavdishme e popullit tonë, dhe trashëgimi e drejtpërdrejt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Basha.

    E krejt në fund, një urim për Ditën e Forcës e pati edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    “Na bëjnë krenar, e ndihemi të sigurt si shtet”, tha ai për Forcën e Sigurisë të Kosovës.

  • Me fustan transparent në tubim diplomatik, ambasadorja e ShBA-së në Athinë ngjall debat me paraqitjen e saj

    Me fustan transparent në tubim diplomatik, ambasadorja e ShBA-së në Athinë ngjall debat me paraqitjen e saj

    Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është bërë figura më e komentuar e një eventi të organizuar për Ditën e Falënderimeve nga Dhoma Amerikano-Helenike e Tregtisë.

    Vëmendja këtë herë nuk shkoi te fjalimi i saj, por te veshja – një fustan transparent me detaje të shkëlqyera, të cilin shumë e konsideruan tepër provokues për një tubim zyrtar diplomatik.

    Rrjetet sociale u ndanë në dy pjesë: disa e vlerësuan për vetëbesimin dhe stilin, ndërsa të tjerë argumentuan se një ambasadore e SHBA-ve nuk duhet të paraqitet me një veshje të tillë në evente formale, duke e quajtur atë shkelje të protokollit.

    Guilfoyle është një figurë e profilit të lartë: avokate, ish-prezantuese në Fox News, ish-bashkëshortja e guvernatorit të Kalifornisë Gavin Newsom dhe ish-e fejuara e Donald Trump Jr.

    Në dhjetor 2024, Presidenti Trump e emëroi ambasadore të SHBA-ve në Greqi, ndërsa ajo zyrtarisht mori detyrën në shtator 2025.

  • 28 Nëntori bashkon Policinë e Kosovës dhe të Shqipërisë në aktivitet festiv

    28 Nëntori bashkon Policinë e Kosovës dhe të Shqipërisë në aktivitet festiv

    Për nder të festës së madhe kombëtare, 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, Sindikata e Policisë së Kosovës dhe Sindikata e Policisë së Shqipërisë, në bashkëpunim dhe përkrahje të të dy policive nga Shqipëria dhe Kosova, organizuan një lojë sportive në futboll të vogël, me ekipe sportive nga Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë.

    “Në një ambient impozant, të ngrohtë dhe vëllazëror siç është Akademia e Sigurisë së Policisë së Shqipërisë në Tiranë, u mbajt gara sportive në futboll të vogël ku të dy ekipet treguan respekt, profesionalizëm dhe disiplinë të lartë garuese, duke treguar se rezultati pozitiv i kësaj gare është vet loja dhe festa e përbashkët për nder të 28 Nëntorit”, thuhet në njoftim.

    Të dy kryetarët e Sindikatave Policore, Avdi Hoti dhe Sadedin Fishta me stafin menaxhues, fillimisht u pritën në takim zyrtar nga Rektori i Akademis së Sigurisë Ilirjan Mandro, nga ku përçuan mesazhe të fuqishme të bashkimit, bashkëpunimit dhe kremtimit të përbashkët të festave të ndryshme ndërshtetërore.

    “Se vërtetë, sporti dhe vet sportistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi, e dëshmoj edhe ky organizim i përbashkët, i cili u realizua në një atmosferë të lartë vëllazërore e festive”, thuhet tutje në njoftim transmeton Klankosova.tv.

    “Sportistëve garues të të dy ekipeve të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë, iu ndanë medalje në shenjë nderimi për pjesëmarrjen në këtë garë sportive, e cila iu dedikua festës kombëtare të “28 Nëntorit””.

  • “A po fitojmë pa balotazh?”, fëmijët ngacmojnë Kurtin gjatë vizitës në kazermën e FSK-së

    “A po fitojmë pa balotazh?”, fëmijët ngacmojnë Kurtin gjatë vizitës në kazermën e FSK-së

    Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka hapur dyert për qytetarët, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës.

    Krerët e shtetit po qëndrojnë në kazermë, ku po shikojnë nga afër armatimin dhe pajisjet ushtarake.

    Në një moment, disa fëmijë i rikthyen buzëqeshjen kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e pyetur: “A po fitojmë pa balotazh?”

    Kjo frazë u bë e njohur gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, kur kandidati për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, në një tubim me qytetarë kishte pyetur nëse do t’i fitonin zgjedhjet në atë komunë pa balotazh.

    Më pas, kjo shprehje u bë virale në rrjetet sociale.

  • Fëmijët e thërrasin “Albin Baba” Kurtin kur e shohin tek Kazerma e FSK’së

    Fëmijët e thërrasin “Albin Baba” Kurtin kur e shohin tek Kazerma e FSK’së

    Kazerma “Adem Jashari” në “Ditën e Forcës” ka hapur sot dyert për qytetarët.

    Ndër vizitorët e parë ishin edhe disa nxënës të shkollave, të cilat bënë disa pyetje për ushtarët në kazermë.

    Ndërkaq, disa të tjerë filluan të thirrin “Albin baba” kur u takuan më kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Pamjet: EO

  • FSK hap dyert – Liderët e shtetit dhe qytetarët shohin nga afër punën dhe armatimin e ushtrisë

    FSK hap dyert – Liderët e shtetit dhe qytetarët shohin nga afër punën dhe armatimin e ushtrisë

    Në kazermën “Adem Jashari”, dyert sot janë hapur për të gjithë qytetarët të cilët duan të shohin nga afër ushtrinë e Kosovës.

    Në “Ditën e Forcës” presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryekuvendari, Dimal Basha dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci vizituan kazermën duke parë nga afër pajisjet ushtarake të FSK-së.

    Mes tjerash edhe fëmijët të cilët kishin mundësi të vizitonin kazermën me brohoritje përqafuan dhe shkëmbyen fotografi me liderët e vendit.

    Ndërkaq, në “Ditën e Forcës” tradicionalisht ushtria pret qytetarët e saj.

    Ndryshe, më 14 dhjetor të 20218-ës, Kuvendi i Kosovës pati miratuar tri ligjet me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, pra, Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Pas këtij vendimi, po në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ishte mbajtur një ceremoni ku është prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës.Në atë kohë, President i Kosovës ishte Hashim Thaci, Kryeministër Ramush Haradinaj dhe Kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli.

  • Nxënësit në kazermën “Adem Jashari” pyesin ushtarët: A frikësoheni nga lufta?

    Nxënësit në kazermën “Adem Jashari” pyesin ushtarët: A frikësoheni nga lufta?

    Kazerma “Adem Jashari” në “Ditën e Forcës” hapi dyert për qytetarët, e ku ndër vizitorët e para pati nxënësit e disa shkollave e të cilët nuk hezituan të bënin pyetjet më interesante teksa nuk fshihnin dot emocionin që takoheshin me ushtarët e shtetit të Kosovës.

    Ndër pyetjet që iu bënë ushtarëve nga nxënësit ishin “a frikësoheni nga lufta?”, “Armët që përdorni a janë të vërteta?”

    Ushtarët e Kosovës siguruan nxënësit se janë të gatshëm për çdo situatë që mund t’i ndodhë Republikës së Kosovës.

    Tradicionalisht kazermat e FSK-së në “Ditën e Forcës” hapin dyert për qytetarët e saj, raporton Ekonomia Online.

    Më 14 dhjetor të 20218-ës, Kuvendi i Kosovës pati miratuar tri ligjet me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, pra, Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Pas këtij vendimi, po në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë ishte mbajtur një ceremoni ku është prezantuar Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Në atë kohë, President i Kosovës ishte Hashim Thaci, Kryeministër Ramush Haradinaj dhe Kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli.

  • 61 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    61 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 23 aksidente me të lënduar dhe 38 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 1799 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 15persona, prej të cilëve 8 i ka dërguar në mbajtje.

  • Rusia po e pengon pranimin e Malit të Zi në marrëveshjen ndërkombëtare për kontrollin e eksportit të armëve

    Rusia po e pengon pranimin e Malit të Zi në marrëveshjen ndërkombëtare për kontrollin e eksportit të armëve

    Autoritetet ruse po e pengojnë anëtarësimin e Malit të Zi në marrëveshjen ndërkombëtare për kontrollin e eksportit të armëve dhe mallrave me përdorim të dyfishtë – e njohur si Marrëveshja e Vasenarit.

    “Rusia prej disa kohësh po e saboton procesin e pranimit të anëtarëve të rinj”, edhe pse të gjitha kushtet për anëtarësim janë përmbushur, thuhet në dokumentin e Qeverisë së Malit të Zi për zbatimin e rekomandimeve nga raporti i Komisionit Evropian.

    Marrëveshja e Vasenarit ka 42 vende anëtare, mes tyre edhe Rusia, dhe të gjitha vendimet merren me konsensus.

    Anëtarët, ndër të tjera, shkëmbejnë të dhëna për armatimin konvencional dhe teknologjitë e ndjeshme me qëllim forcimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

    Ambasada e Rusisë nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) nëse Moska po e pengon pranimin e Malit të Zi dhe pse.

    Marrëdhëniet midis Podgoricës dhe Moskës janë të dëmtuara prej më shumë se një dekade, kryesisht për shkak të hyrjes së Malit të Zi në NATO dhe pushtimit rus të Ukrainës.

    Çfarë është Marrëveshja e Vasenarit?
    Marrëveshja e Vasenarit u krijua pas Luftës së Ftohtë, për shkak të nevojës së vendeve për bashkëpunim në uljen e rrezikut nga përhapja e armatimit konvencional dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë.

    Marrëveshja përgatit dy lista kontrolli mbi të cilat mbështeten si Bashkimi Evropian ashtu edhe Mali i Zi në legjislacionin e tyre – njëra që ka të bëjë me eksportet e armëve dhe tjetra me mallra dhe teknologji me përdorim të dyfishtë.

    Në të parën përfshihen, për shembull, tanke, avionë luftarakë, helikopterë etj.

    Në të dytën hyjnë kompjuterë, telekomunikimi, sensorë, laserë, sisteme shtytëse… pra mallra dhe teknologji që përdoren për qëllime civile, por mund të shfrytëzohen edhe për zhvillimin, prodhimin ose forcimin e kapaciteteve ushtarake.

    “Marrëveshja nuk është e drejtuar kundër asnjë shteti apo grupi shtetesh dhe nuk pengon të drejtën e shteteve për të siguruar mjete legjitime për vetëmbrojtje”, tha një burim diplomatik i njohur me situatën.

    Megjithatë, shton ai, qëllimi i Marrëveshjes është që eksporti të kontribuojë në paqe dhe siguri ndërkombëtare dhe të mos lejojë që armët të bien në duart e terroristëve.

    Problemi i Malit të Zi
    Nismën për t’iu bashkuar Marrëveshjes, Mali i Zi – anëtar i NATO-s dhe kandidat për BE – e paraqiti 10 vjet më parë.

    Qeveria thekson se ka plotësuar të gjitha kushtet formale për anëtarësim.

    Përveç përshtatjes së legjislacionit, Ministria e Punëve të Jashtme – kompetente për çështjen e anëtarësimit – ka theksuar për REL-in se procesi ka edhe një dimension të gjerë politik, pasi pranimi kërkon konsensusin e 42 vendeve anëtare.

    “Megjithatë, vendimi përfundimtar, i bazuar në konsensus, për pranimin do të varet nga rrethanat gjeopolitike dhe klima brenda Marrëveshjes të Vasenarit, veçanërisht nga pozicioni i Federatës Ruse”, thuhet në dokumentin e Qeverisë.

    Komisioni Evropian në raportin e këtij muaji për Malin e Zi ka konstatuar se nuk ka pasur përparim në çështjen e anëtarësimit.

    “Për Malin e Zi kjo është një detyrë në kuadër të procesit të integrimit në BE, por BE-ja duhet të tregojë mirëkuptim për faktin që këtu ekziston një palë e tretë. Në këtë rast, Federata Ruse merr vendimin, jo institucionet e BE-së”, tha për REL-in analisti ushtarak Aleksandar Radiq.

    Radiq shtoi se një sjellje e tillë e shteteve të treta nuk është korrekte, por se ato kanë të drejtë ta bëjnë këtë si anëtare.

    Megjithatë, ai thekson se Mali i Zi tashmë po vepron sipas rregullave të Marrëveshjes së Vasenarit, duke veçuar cilësinë e lartë të raporteve malazeze për eksportet në krahasim me ato të vendeve të tjera.

    Veprimi i Rusisë në Marrëveshje – problem për SHBA-në dhe BE-në
    Sjellja e Rusisë në kuadër të Marrëveshjes së Vasenarit është vërejtur edhe nga Brukseli dhe Uashingtoni.

    Në një dokument të Parlamentit Evropian nga nëntori 2023 thuhet se Marrëveshja po përballet me sfida “për shkak të anëtarësisë së Rusisë dhe situatës së ndryshueshme gjeopolitike”.

    “Struktura e anëtarësimit e bazuar në konsensus ka ngritur shqetësime për efektivitetin e tij. Shtetet e Bashkuara kanë shprehur rezervat për respektimin e paktit nga Rusia, duke përmendur pjesëmarrjen e saj në sulme kibernetike dhe përpjekjet për të siguruar teknologji të ndjeshme”, thuhet në dokument.

    Serbia dhe Shqipëria “në pritje”?
    Mali i Zi nuk është i vetmi që pret anëtarësim.

    Analisti ushtarak Aleksandar Rodiq tha për REL-in se edhe Serbia është në listën e vendeve që presin anëtarësimin.

    Komisioni Evropian në raportin për Shqipërinë ka theksuar se “përfundimi i procesit të anëtarësimit është bllokuar nga një prej shteteve pjesëmarrëse”.

    Raporti nuk specifikon se për cilin shtet bëhet fjalë.

    Nga Ambasada e Shqipërisë nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjen e REL-it nëse bëhet fjalë për Rusinë.

    Kroacia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, këtë vit shënon 20-vjetorin e anëtarësimit në Marrëveshjen e Vasenarit.

    Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë i thanë REL-it se anëtarësimi në këtë Marrëveshje tregon se shteti ka një sistem të zhvilluar dhe të besueshëm të kontrollit të eksportit.

    “Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e sotëm gjeopolitik, në të cilin teknologjitë e avancuara – si inteligjenca artificiale, gjysmëpërçuesit e avancuar dhe teknologjitë kuantike – mund të përdoren për represion ose qëllime ushtarake”, thanë nga Ministria.

    Shumica e vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s janë pjesë e kësaj Marrëveshjeje.