ATV

Category: Lajme

  • KQZ certifikon rezultatet e balotazhit për kryetarët e 18 komunave

    KQZ certifikon rezultatet e balotazhit për kryetarët e 18 komunave

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës dhe mori vendim për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të raundit të dytë për Kryetarë të 18 komunave, të cilat janë mbajtur më 9 nëntor.

    Rezultatet u certifikuan për këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klina, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

    Deri më tani, përveç certifikimit të rezultateve nga raundi i dytë, javë më herë KQZ ka certifikuar rezultatet e 20 komunave tjera, ku fituesit janë zgjedhur në raundin e parë.

    Ndërkaq, nga zgjedhjet për Kuvende Komunale, KQZ ka certikuar rezultatet për 27 asamble, më përjashtim të Kuvendit Komunal në komunën e Istogut ku ende është aktive një ankesë.

  • Kurti uron “Ditën e Forcës”: Investime rekord në armatim, ushtria po pajiset me teknologji moderne

    Kurti uron “Ditën e Forcës”: Investime rekord në armatim, ushtria po pajiset me teknologji moderne

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga kazerma “Adem Jashari” ka uruar “Ditën e Forcës”, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për popullin e Kosovës dhe rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në garantimin e paqes dhe sigurisë për brezat e rinj.

    Ai foli edhe për investimet e mëdha të bëra në modernizimin e ushtrisë dhe pajisjet e reja që, sipas tij, po e transformojnë FSK-në në një forcë të denjë për standardet e NATO-s.

    Kurti kujtoi sakrificën e dëshmorëve të kombit, me theks të veçantë ndaj komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, duke thënë se falë tyre sot Kosova ka ushtrinë që e mbron popullin e vet.

    “Është një ditë e gëzuar për të gjithë ne, sepse me Forcën e Sigurisë së Kosovës, të pajisur gjithnjë e më mirë, brezat e rinj do të rriten më të sigurt për të jetuar në paqe, për t’u zhvilluar dhe për të lulëzuar. Sakrifica e dëshmorëve, mbi të gjitha e kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, si dhe kontributi i veteranëve e invalidëve të UÇK-së, qëndron në themel të çdo të arriture. Ndërsa sot shohim fëmijët që vijnë ta shohin ushtrinë e tyre, gjë që u ngroh zemrat dhe u jep shpresë për të ardhmen”, tha Kurti.

    Ai theksoi se FSK ka kaluar nga mungesa e pajisjeve në një periudhë investimesh të mëdha dhe modernizimi të armatimit.

    Kryeministri në detyrë falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme.

    “Duhet veçuar sigurimi i sistemit antitank ‘Javelin’ nga SHBA-të dhe procesi i marrjes së helikopterëve ‘Black Hawk’. Kjo është arsyeja pse i falënderojmë aleatët tanë, NATO-n dhe posaçërisht Shtetet e Bashkuara, që na mbështesin në pajisje, armatim, municion dhe trajnime. Trajnimet jashtë vendit janë katërfishuar dhe buxheti për mbrojtje është trefishuar. Ky është obligimi ynë ndaj mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, përfundoi Kurti.

  • Reagon FBI: Dy anëtarët e Gardës Kombëtare, të qëlluar në Uashington, nuk kanë vdekur

    Reagon FBI: Dy anëtarët e Gardës Kombëtare, të qëlluar në Uashington, nuk kanë vdekur

    Drejtori i FBI-së, Kash Patel dhe kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, thanë se dy anëtarët e Gardës Kombëtare, që u qëlluan në Uashington më herët gjatë ditës, janë në gjendje kritike, por jo të vdekur, siç kishte deklaruar fillimisht guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey.

    “Dy anëtarët e Gardës Kombëtare u qëlluan pranë stacionit të metrosë Farragut West, jo shumë larg Shtëpisë së Bardhë, rreth orës 14:15 (19:15 GMT)”, thanë autoritetet në një konferencë për shtyp rreth dy orë e gjysmë pas incidentit. Ju lutemi dërgoni lutjet tuaja për ata luftëtarë të guximshëm që janë në gjendje kritike dhe familjet e tyre”, tha Patel në një konferencë për shtyp të mërkurën pasdite”.

    Bowser tha se ajo gjithashtu po dërgonte “mendimet dhe lutjet e saj për familjet e rojave dhe për rojat që janë në gjendje kritike në një spital lokal”.

    Ndihmësshefi ekzekutiv i Departamentit të Policisë Metropolitane, Jeffery Carroll, tha se “anëtarët e Gardës Kombëtare të Uashingtonit ishin në një patrullë me dukshmëri të lartë… kur një i dyshuar erdhi nga një cep dhe me një armë zjarri qëlloi drejt tyre”.

  • Shqiptari i kërkuar për vrasje në Itali kapet në Kakavijë

    Shqiptari i kërkuar për vrasje në Itali kapet në Kakavijë

    Një shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht u arrestua nga policia greke në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në një operacion të oficerëve të policisë të Departamentit të Kontrollit të Pasaportave në bashkëpunim me Nëndrejtorinë e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve të Janinës.

    Gjatë kontrollit policor, u zbulua se 54-vjeçari shqiptar kishte një urdhër arresti evropian të lëshuar nga autoritetet italiane.

    Urdhri kishte të bënte me vepra të rënda penale, duke përfshirë vrasje dhe lëndime të rënda trupore.

    I arrestuari u shoqërua në prokurorinë kompetente, me qëllim fillimin e procedurave për ekstradimin e tij.

  • Eman Rrahmani pas koalicionit me PDK’në: Kosovës i duhet një kryeministër që bashkon e jo që përçan

    Eman Rrahmani pas koalicionit me PDK’në: Kosovës i duhet një kryeministër që bashkon e jo që përçan

    Eman Rrahmani nga Lista për Familjen, pas koalicionit të djeshëm me Partinë Demokratike të Kosovës, ka thënë se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz me integritet, dije dhe urtësi në përfaqësim dhe njerëz që e vendosin interesin e qytetarëve mbi gjithçka.

    Ai ka thënë edhe se, ata do të garojnë brenda listës së PDK’së pas ftesës së kryetarit të PDK-së dhe kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, duke shtuar se vendit i duhet një një kryeministër që bashkon e jo që përçan dhe një qeveri që i hap vendit horizonte të reja ekonomike.

    Postimi:

    Të nderuar qytetarë,

    Vazhdojmë angazhimin tonë politik me përkushtim të plotë, në shërbim të çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Sot vendi ynë ka më shumë se kurrë nevojë për njerëz me integritet, dije dhe urtësi në përfaqësim, njerëz që e vendosin interesin e qytetarëve mbi gjithçka.

    Në këto zgjedhje, ne do të garojmë si koalicion brenda listës së Partisë Demokratike të Kosovës, pas ftesës së kryetarit të PDK-së dhe kandidatit për kryeministër, z. Bedri Hamza, me të cilin kemi nisur këtë rrugëtim të përbashkët.

    Kosovës i duhet një kryeministër që bashkon e jo që përçan, një qeveri që i hap vendit horizonte të reja ekonomike, një qeveri që mbron familjen, vlerat konservatore dhe stabilitetin shoqëror, një lidership që e rikthen seriozitetin dhe besueshmërinë e shtetit tonë, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

    Familja është themeli i shoqërisë sonë. Ajo është vendi ku lindin dashuria, përgjegjësia dhe edukata qytetare. Ne do të angazhohemi për politika që e mbështesin familjen, që i japin dinjitet emrit nënë e babë, siguri ekonomike prindërve dhe perspektivë të rinjve tanë.

    Të forcojmë familjen do të thotë të forcojmë kombin.

  • Papa arrin në Stamboll, bllokohet komunikacioni

    Papa arrin në Stamboll, bllokohet komunikacioni

    Papa Leoni ka nisur udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar si udhëheqës i Kishës Katolike, një turne gjashtëditor në Turqi dhe Liban.

    Arritja e Papës në Stamboll ka shkaktuar kaos total në trafik.

    Gjatë vizitës, e cila do të zhvillohet nga 27 deri më 30 nëntor shumë rrugë të qytetit do të mbyllën për orë të caktuara për shkak të sigurisë.

    Kjo ka bërë që mëngjesi të nis në Stamboll me një trafik të dendur dhe me kolona masive.

  • Franca planifikon të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Franca planifikon të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Tri dekada pas heqjes, Franca planifikon të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Këtë fakt do ta bëjë publik presidenti Emmanuel Macron në vizitën që do të bëjë pranë Brigadës së 27-të të Këmbësorisë Malore në Alpet Franceze. Sipas raporteve të medias franceze, është planifikuar një shërbim ushtarak vullnetar dhjetëmujor për 18-vjeçarët. Ushtria franceze synon të rekrutojë 3,000 të rinj, burra dhe gra, në vitin e parë. Objektivi për vitin pasardhës është 10,000, me qëllim arritjen e 50,000 rekrutëve të secilës grupmoshë çdo vit deri në vitin 2035.

    Qëllimi është të forcohet “pakti midis ushtrisë dhe kombit”, siç shpjegoi Macron në një intervistë radiofonike me transmetuesin privat RTL të martën. Duke pasur parasysh kërcënimin nga Rusia dhe “konfrontimin e saj strategjik”, i cili deri më tani ka marrë një “formë hibride”, Franca duhet të demonstrojë forcë. Rusia po përpiqet të destabilizojë Evropën dhe të dobësojë demokracitë e saj, tha Macron. Ai përmendi si shembuj migrantët që Moska kishte dërguar në kufirin e jashtëm evropian nëpërmjet Bjellorusisë, si dhe shkeljet e shumta të hapësirës ajrore evropiane.

    Për më tepër, Rusia kryen sulme të përditshme informative dhe kibernetike kundër vendeve të BE-së, përfshirë Francën. “Nëse ne francezët duam të mbrojmë veten, nuk mund të tregojmë dobësi përballë fuqisë që na kërcënon më shumë”, tha Macron.

    Ndryshe nga Gjermania, në Francë nuk pati muaj debatesh parlamentare për këtë çështje. Si kreu i forcave të armatosura, presidenti mund të vendosë vetë për rikthimin e shërbimit ushtarak, veçanërisht shërbimit vullnetar. Por një javë para njoftimit zyrtar për rivendosjen e rekrutimit ushtarak, Shefi i Shtabit të Macronit, Gjenerali Fabien Mandon, kishte marrë iniciativën. Me deklaratën e tij se Franca nuk duhet të “luhatet” dhe duhet të përgatitet mendërisht për të “humbur fëmijët e saj”, siç e tha në fjalimin e tij para Kongresit të Kryetarëve të Bashkive Franceze, Mandon tronditi shumë francezë.

    Njoftimi i Macron nuk është surprizë. Në pritjen e Vitit të Ri të ushtrisë në fillim të këtij viti, ai kishte folur tashmë për nevojën për t’u ofruar të rinjve mundësi për të kontribuar, duke pasur parasysh peizazhin aktual të kërcënimit. Ai njoftoi se do t’i kërkonte propozime ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Njëkohësisht, instituti kërkimor i Akademisë Ushtarake Franceze (IRSEM) porositi një studim. Sipas studimit, 62 përqind e të rinjve francezë janë të gatshëm të shërbejnë për të mbrojtur Francën. Dyzet e tetë përqind madje do të sakrifikonin jetën e tyre.

  • Hamza uron Ditën e Forcës: Krenar për ushtrinë tonë që na përfaqëson me dinjitet kudo

    Hamza uron Ditën e Forcës: Krenar për ushtrinë tonë që na përfaqëson me dinjitet kudo

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar Ditën e Forcës, duke nderuar vajzat dhe djemtë e FSK-së, të cilët me atdhedashuri, disiplinë dhe përkushtim mbrojnë sovranitetin dhe dinjitetin e vendit.

    Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se vendi është krenarë për ushtrinë e vet, e cila po rritet, profesionalizohet dhe po ecën drejt standardeve të NATO-s.

    “Në Ditën e Forcës i nderojmë vajzat dhe djemtë e FSK-së, të cilët me atdhedashuri, disiplinë dhe përkushtim mbrojnë sovranitetin dhe dinjitetin e Republikës së Kosovës. Jemi krenarë për Forcën tonë që po rritet, profesionalizohet dhe po ecën drejt standardeve të NATO-s, duke na përfaqësuar me dinjitet kudo. FSK-ja e fortë, atdheu i sigurt! Ushtarë, urime Dita e Forcës!”, ka shkruar Hamza.

  • Rama ndan urim të veçantë nga nxënësit e Shkodrës për 28 Nëntorin (VIDEO)

    Rama ndan urim të veçantë nga nxënësit e Shkodrës për 28 Nëntorin (VIDEO)

    Në prag të festave të Nëntorit, Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale një urim të veçantë, realizuar nga nxënësit e shkollës “Ndre Mjeda” në Shkodër.

    Materiali artistik, i përgatitur në kuadër të programit “Art dhe Zeje”, sjell nxënësit me simbolet kombëtare, teksa interpretojnë këngën “Shqipëri o vendi im”.

    “Mirëmëngjes dhe me këtë urim emocionues nga nxënësit e shkollës ‘Ndre Mjeda’, përgatitur përmes programit ‘Art dhe Zeje’, me shumë dashuri për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama.

    Ndërkohë, vendi po përgatitet për festat e 28-29 Nëntorit, Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit – votimi jashtë vendit, planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit – votimi jashtë vendit, planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike

    Në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për miratimin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit, i cili do të mbahet më 27 dhjetor 2025, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.

    Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime të vendosura në 36 shtete të botës. Megjithatë, kjo listë u tha se do të mund të rishikohet nga KQZ, varësisht nga numri i votuesve që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike.

    Gjithashtu, KQZ ka caktuar numrin maksimal 950 votues që mund të regjistrohen për të votuar në një vendvotim në përfaqësi diplomatike. Sipas vendimit të KQZ-së, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto përfaqësi diplomatike është 62,700 votues.

    Po ashtu, sipas vendimit të KQZ-së, Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    “Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues. Në përgjithësi, numri i Qendrave të Votimit për votimin jashtë Kosovës, të miratuara nga KQZ është 60, me gjithsej 109 vendvotime. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit është 103,550”, thuhet në njoftim.

    KQZ sqaron se kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar.

    Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.

    Periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës ka filluar më 26 nëntor dhe do të përfundojë më 6 dhjetor 2025.