ATV

Category: Lajme

  • Murati nuk do takim me Ramën? Refuzon të përgjigjet, lëshon akuza ndaj LDK-së

    Murati nuk do takim me Ramën? Refuzon të përgjigjet, lëshon akuza ndaj LDK-së

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media, përveç për pagat e RTK-s, është arsyetuar edhe për situatën me Trafikun Urban në Komunën e Prishtinës.

    Ai e akuzoi LDK-në se ka bërë fushatë në kurriz të qytetarëve, ndërsa shtoi se VV në kuvendin komunal, sot do të japë votë mbështetëse.

    “Kemi pasur të bëjmë më një fushatë të LDK-së, të udhëhequr në kurriz të qytetarëve të Komunës së Prishtinës. Kur ishte seanca, nuk e bëri. Atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK në Kuvendin e Kosovës, për buxhetin e Prishtinës, sot po e bën LVV në Kuvendin Komunal, duke ofruar mbështetjen, përkundër shpifjeve, ofendimeve dhe fyerjeve që po i shohim çdo ditë”, tha Murati.

    Por kur u pyet nga gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, a do të takohet me Ramën, Murati refuzoi të përgjigjet.

    Ai ia ‘lëshoi’ radhën kolegut të tij, Ejup Maqedonci për t’u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

  • Murati: Ndarja e mjeteve për RTK-në ishte e pamundur për shkak të mungesës së komisioneve parlamentare

    Murati: Ndarja e mjeteve për RTK-në ishte e pamundur për shkak të mungesës së komisioneve parlamentare

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka uruar Ditën e Forcës dhe ka folur për mbështetjen buxhetore të ushtrisë dhe të RTK-së.

    “Mund ta them me krenari, se si qeveri nuk kemi kursyer asnjëherë kur ka ardhur puna për ndarjen e buxhetit dhe për mbështetjen e ushtrisë tonë, e që po besoj që me hapa shumë të shpejtë po merr formën e një ushtrie moderne, ndoshta më moderne në rajon,” u shpreh Murati, duke vlerësuar avancimin e FSK-së.

    Ai gjithashtu komentoi ndarjen e mjeteve për punëtorët e RTK-së, duke e cilësuar këtë si një improvizim të detyruar për shkak të mosformimit të Komisionit të Buxhetit nga partitë opozitare.

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se ndarja e buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) ka qenë e pamundur deri më tani për shkak të mungesës së komisioneve parlamentare që duhej të miratonin alokimin.

    “Sa i përket ndarjes së mjeteve, ishte pritur që këtë ta kryente Kuvendi. Por PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë refuzuar kategorikisht, dhe nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore që të themelohej Komisioni për Buxhet dhe Financa, i cili është përgjegjës për miratimin e alokimit të buxhetit për RTK-në. Për shkak të këtij dështimi, si qeveri na është dashur të sigurojmë mjetet nga burime të tjera buxhetore për të garantuar funksionimin e RTK-së, në vend që të përdorej buxheti i paraparë me ligj,” ka thënë Murati.

    Ai ka theksuar se ky veprim ka qenë një masë emergjente, duke u bazuar në situatën aktuale ku Kuvendi nuk ka kryer detyrën e tij ligjore për të miratuar ndarjen buxhetore.

  • Ndarja e mjeteve për RTK, Bajrami: Më 28 dhjetor do të merrni përgjigjen për keqtrajtimin që po ua bëni qytetarëve

    Ndarja e mjeteve për RTK, Bajrami: Më 28 dhjetor do të merrni përgjigjen për keqtrajtimin që po ua bëni qytetarëve

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi qeveria në detyrë ndau mjete për pagat e punëtorëve të RTK-së.

    Sipas tij, vetë qeveria në detyrë po ka prodhuar këtë krizë, duke i mbajtur qytetarët të varur nga vendimet e pastaj për të dalë si shpëtimtar.

    “Qytetarët paguajnë taksa për me marrë shërbime, jo për me u maltretu nga inskenimet e mashtrimet tuaja”, ka shkruar mes tjerash Bajrami.

    Reagimi:

    I paskan nda mjetet për RTK.

    E kemi thënë prej ditës së parë: këta vetë janë prodhues të krizave. I lanë një muaj pa paga punëtorët e RTK-së, me protesta e greva dhe në fund jo Kuvendi po këta uzurpatorët e Qeverisë paskan gjetë zgjidhje, me 28 ditë vonesë.

    Albin Kurti me klikën e tij jeton duke shkaktuar kriza, duke i bë njerëzit me vuajtë, duke i mbajtur qytetarët të varur nga vendimet e tij, e pastaj me dalë si shpëtimtar, por ranë maskat.

    Ndalni bllokadat, tash uluni me Komunën e Prishtinës dhe gjeni zgjdhje!

    Qytetarët paguajnë taksa për me marrë shërbime, jo për me u maltretu nga inskenimet e mashtrimet tuaja.

    28 dhjetori do të jetë dita kur do të merrni përgjgijen për krejt këtë keqtrajtimin që po u bëni qytetarëve!

  • Memli Krasniqi uron ushtarët e Kosovës në Ditën e Forcës

    Memli Krasniqi uron ushtarët e Kosovës në Ditën e Forcës

    Ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar “Ditën e Forcës” duke thënë se FSK-ja është besimi se Kosova qëndron e fortë dhe e përgatitur.

    Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se çdo ushtare e ushtar, është shembulli më i pastër i përkushtimit ndaj atdheut.

    “Sot është dita kur urojmë me krenari Forcën që mbron shtëpinë tonë të përbashkët. FSK-ja është besimi ynë se Kosova jonë qëndron e fortë dhe e përgatitur. Çdo ushtare e çdo ushtar është shembulli më i pastër i përkushtimit ndaj atdheut. Me ju, ecim më të sigurt drejt së ardhmes. Urime Dita e Forcës, ushtarë”, ka shkruar Krasniqi.

  • Ish-ambasadori i Kroacisë, Gëzim Kasapolli i bashkohet LDK-së

    Ish-ambasadori i Kroacisë, Gëzim Kasapolli i bashkohet LDK-së

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar aderimin e radhës në partinë e tij para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Ish-zëvendësministri dhe ish-ambasadori i Kroacisë, Gëzim Kasapolli, i është bashkuar partisë së tij.

    “Gëzim Kasapolli i bashkohet sot Lidhjes Demokratike të Kosovës me përvojë të jashtëzakonshme, dije të thellë dhe një angazhim të sinqertë për shtetin. LDK fiton një kuadër të ri që beson në vlerat tona, në vizionin evropian të vendit dhe në forcimin e institucioneve”, shkroi Abdixhiku.

    Mirë se vjen, Gëzim!

    Gëzim Kasapolli, një prej emrave më të njohur të diplomacisë, integrimit evropian dhe analizës politike në vend, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Me më shumë se dy dekada përvojë të qëndrueshme në institucione vendore e ndërkombëtare, Gëzimi ka ndërtuar një profil unik profesional, nga shërbimi diplomatik, tek proceset kyçe shtetformuese dhe zhvillimi i politikave evropiane.

    Si Ambasador i Republikës së Kosovës në Kroaci, ai ka përfaqësuar vendin me dinjitet, duke forcuar marrëdhëniet bilaterale dhe duke promovuar interesat strategjike të Kosovës në një prej kryeqyteteve më të rëndësishme të BE-së.

    Përpara kësaj, Gëzimi ka mbajtur pozitat më të larta në procesin e integrimit evropian: si Zëvendësministër dhe më pas si Ministër në detyrë i Integrimit Evropian. Ai ishte njeriu kyç në nisjen dhe negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), akti juridik më i rëndësishëm kontraktual mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

    Në rolin e Këshilltarit Politik në Kuvendin e Kosovës dhe më herët në Qeveri, Gëzimi ka qenë lidhja institucionale me vendet anëtare të BE-së, Parlamentin Evropian, si dhe me diplomacinë ndërkombëtare gjatë fazave kyçe të shtetndërtimit, përfshirë komunikimin me të dërguarin special të OKB-së, Kai Eide, në prag të negociatave për pavarësinë e Kosovës.

    Gëzim Kasapolli i bashkohet sot Lidhjes Demokratike të Kosovës me përvojë të jashtëzakonshme, dije të thellë dhe një angazhim të sinqertë për shtetin. LDK fiton një kuadër të ri që beson në vlerat tona, në vizionin evropian të vendit dhe në forcimin e institucioneve.

    Ardhja e tij, dhe e të tjerëve pas tij, është sinjal i qartë se bashkimi rreth vlerave, seriozitetit dhe profesionalizmit është rruga përpara për të gjithë ata që nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale politike dhe që kërkojnë ndryshim të vërtetë.

    Dyert tona janë të hapura.

    Mirë se vjen, Gezim Kasapolli!

    Paç shëndet, forcë dhe përkushtim në këtë etapë të re të angazhimit tënd për Republikën.

  • Bie në prangat e policisë greke një shtetas shqiptar, kërkohej për vrasje

    Bie në prangat e policisë greke një shtetas shqiptar, kërkohej për vrasje

    Një shtetas shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht është arrestuar nga policia greke në pikën kufitare të Kakavijës, në një operacion të zhvilluar nga oficerët e Departamentit të Kontrollit të Pasaportave në bashkëpunim me Nëndrejtorinë e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve të Janinës.

    Gjatë kontrollit, autoritetet konstatuan se 54-vjeçari kishte një urdhër arresti evropian të lëshuar nga autoritetet italiane.

    Sipas policisë, urdhri lidhej me akuza për “vrasje dhe lëndime të rënda trupore”. I dyshuari u dërgua në prokurorinë kompetente për nisjen e procedurave të ekstradimit drejt Italisë, raportoi Top Channel.

  • “Made in Kosova”, Kurti: Ndërtimi i fabrikës së municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm

    “Made in Kosova”, Kurti: Ndërtimi i fabrikës së municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se fabrika e municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm.

    Këtë deklaratë, ai e bëri para kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, ku theksoi se me vendimin e sotëm për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e zonës industriale të mbrojtjes në Jahoc të Gjakocës, do të hapet rruga për ndërtimin e fabrikës së municioneve.

    Kurti tha se ky miratimi i këtij vendimi do të bëhet në mbledhjen e sotme, pikërisht në Ditën e Forcës.

    “Është kërkesa për shpronësim të pronave të paluajtshme, shoqërore të KBI Ereniku për ndërtimin e zonës industriale të mbrojtjes në Jahoc të Gjakovës. Me miratimin e saj, hapim rrugë në terren ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së llojit të saj në Republikën e pavarur që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rris sigurinë tonë dhe do t’i ngris edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse. Këtë vendim edhe më veçantë e bën fakti që po e miratojmë pikërisht në Ditën e Forcës”, deklaroi Kurti.

    Ndërtimi i kësaj fabrike, Kurti theksoi se do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.

    “Ndërtimi i kësaj fabrike për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk MKE do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Përveç fabrikës së municionit, kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojnë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarak dhe civil ‘Made in Kosova’.

    Kurti tha se gjatë këtij mandati kanë katërfishuar buxhetin e mbrojtjes dhe e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ushtria është pajisur me sisteme të reja dhe moderne të armatimit nga shtete anëtare të NATO-s.

    Tutje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se në mandatin e tij të radhës do të investohen 1 miliard euro në mbrojtje.

    “Mbi 430 milionë euro blerje të armatimit në mandatin e parë janë shënuar. Në mandatin tonë të radhës do të investojmë mbi 1 miliard euro në mbrojtje. Duke rritur ushtrinë e sigurojmë republikën, duke rritur FSK-në e forcojmë partneritetin me aleatët, urime të gjithëve Dita e Forcës”, përfundoi Kurti.

  • Profesori i UP-së, Gëzim Qerimi i bashkohet PDK-së

    Profesori i UP-së, Gëzim Qerimi i bashkohet PDK-së

    Profesori i asociuar i Universitetit të Prishtinës, Gëzim Qerimi i është bashkuar PDK’së.

    Lajmin e ka dhënë i pari i kësaj partie, Bedri Hamza.

    Hamza në një postim në Facebook, tha se Qerimi përveç përvojës profesionale është autor i shumë punimeve shkencore në revista ndërkombëtare dhe më herët ka qenë edhe lider studentor.

    “Në ekipin tonë e mirëpritëm Dr. Gëzim Qerimin, profesor i asociuar në Universitetin e Prishtinës. Ai ka mbi 17 vjet përvojë në mësimdhënie universitare dhe 13 vjet angazhim në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes…”, ka shkruar ai.

  • Koloneli i FSK-së në pension i bashkohet AAK, do të jetë kandidat për deputet

    Koloneli i FSK-së në pension i bashkohet AAK, do të jetë kandidat për deputet

    Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka njoftuar se AAK-së i është bashkuar Kolonel Avdi Raci, dhe njëherësh do të jetë kandidat për deputet nga kjo parti.

    “Avdiu, si oficer me përvojë të jashtëzakonshme që shërbeu në Ushtrinë e Kosovës si udhëheqës i shumë dikastereve, do të jetë një përfaqësues i denjë i popullit dhe i vlerave universale të kombit tonë”, tha Haradinaj.

    Ai ishte ndër themeluesit e UÇK-së dhe po ashtu ishte pothuajse në çdo betejë që kaloi kombi ynë në luftën e fundit. “Avdiu, bashkë me vëllezërit e tij, ishin krah i fortë i shumë heronjve dhe luftëtarëve në beteja”, shtoi Haradinaj.

    Rrugëtimi i ri i tij është një sfidë e re për t’i kontribuar vendit dhe popullit tonë. “I urojmë suksese, Gjeneral Avdi Raci!”, përfundoi Daut Haradinaj.

  • Festat e nëntorit, shqiptarët e Kosovës zgjedhin Durrësin

    Festat e nëntorit, shqiptarët e Kosovës zgjedhin Durrësin

    Si çdo vit, Durrësi vazhdon të mbetet ndër destinacionet më të preferuara për të kaluar festat e nëntorit.

    Numri më i madh i rezervimeve bëhet nga shqiptarët e Kosovës, ndërsa të tilla ka edhe nga bashkatdhetarët e diasporës, që zgjedhin qytetin bregdetar për të festuar.

    “Durrësi ka qenë gjithmonë epiqendra e festave të nëntorit, pasi është dhe i preferuar nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e festojnë këtë festë me shumë krenari, dhe e gjithë Kosova zbarkon në Durrës në këto festa”, u shpreh Blerim Norja, operator turistik.

    Për të krijuar një atmosferë sa më festive, hotelet dhe strukturat akomoduese kanë përgatitur aktivitete të ndryshme, duke e bërë qëndrimin e vizitorëve më të këndshëm.

    “Të gjitha hotelet kanë organizuar evente të ndryshme me muzikë tradicionale, me ushqime tradicionale… Pra, është një festë e përvitshme që nga viti në vit vjen duke u shtuar numri i turistëve”, tha Norja.

    Edhe këtë vit, për festat e Nëntorit, institucionet vendore kanë veshur qytetin kuqezi, ndërsa janë planifikuar një sërë aktivitetesh kulturore artistike