ATV

Category: Lajme

  • Shkelje të etikës profesionale, MPJD i kërkon Osmanit shkarkimin e Vehbi Miftarit pas kritikave ndaj Kurtit

    Shkelje të etikës profesionale, MPJD i kërkon Osmanit shkarkimin e Vehbi Miftarit pas kritikave ndaj Kurtit

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka nisur një procedurë që prek drejtpërdrejt një nga emërimet diplomatike të Presidentes Vjosa Osmani.

    Qeveria e Kosovës i ka dërguar Presidentes Osmani një kërkesë zyrtare për lirimin nga detyra të Vehbi Miftarit, Shef i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan. Kjo kërkesë vjen pas disa ditësh kur Miftari e kritikoi publikisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte marrë pjesë në një koncert të Filharmonisë së Kosovës në Vatikan. Miftari kishte shkruar se ishte anashkaluar tërësisht.
    Sipas MPJD-së, Miftari ka kryer “veprime të paautorizuara”, “sjellje të papranueshme” dhe “shkelje të etikës profesionale”, të cilat dëmtojnë integritetin e shërbimit të jashtëm të shtetit. Në tri dokumente të siguruara nga Demokracia.com, MPJD njofton Presidencën se veprimet e Miftarit përbëjnë shkelje të ligjeve dhe rregulloreve të diplomacisë kosovare.

    “Fillimisht, më lejoni t’ju shpreh konsideratat e mia më të larta dhe t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona.

    Nëpërmjet kësaj shkrese, ju lutem të pranoni arsyetimin lidhur me kërkesën për lirimin nga detyra të Shefit të Misionit të Posaçëm në Vatikan, z. Vehbi Miftari. Lirimi nga detyra propozohet për shkak të sjelljeve dhe veprimeve të paautorizuara të Shefit në fjalë, sjellje dhe veprime që përbëjnë shkelje të etikës profesionale dhe dëmtojnë integritetin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, të ndryshuar me Ligjin Nr. 03/L-207, si dhe me Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm, Nr. 02/2009, e ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren Nr. 04/2014. Mbete mi në dispozicion për të ofruar çdo informacion shtesë mbi arsyetimin e kësaj kërkese, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

    Me respekt,
    Kreshnik Ahmeti
    Zëvendësministër në Detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në njëren prej letrave.

    Vehbi Miftari ka qenë këshilltar politik i Presidentes Osmani për tre vite, si në Presidencë, ashtu edhe më herët kur ajo drejtonte Kuvendin e Kosovës. Ai dha dorëheqje nga pozita e këshilltarit në janar 2024 dhe pak javë më pas u emërua Shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, një detyrë diplomatike e ndjeshme që kërkon pëlqimin e shtetit pritës dhe vendimmarrje të përbashkët mes Presidentes dhe Kryeministrit.

    Vetëm disa muaj pas emërimit, MPJD i ka kërkuar Presidentes Osmanit shkarkimin e Miftarit, duke vënë në lëvizje mekanizmat formalë të diplomacisë.

    Pak javë pas hapjes së Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, Miftari u emërua ambasador dhe e njoftoi vetë fillimin e detyrës nga 1 shkurti 2024. Më 12 janar 2024, Presidentja Osmani njoftoi krijimin zyrtar të Misionit, duke theksuar rëndësinë e tij për marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe njohjen e Kosovës.

    Në vitin 2023, gjatë një vizite me audiencë private te Papa Françesku, Presidentja kishte theksuar se njohja nga Vatikani do të kishte ndikim të rëndësishëm për shtetësinë e Kosovës dhe integrimin euro-atlantik.

  • Dodiku hakmarrës, paralajmëron bllokimin e institucioneve të Bosnje e Hercegovinës

    Dodiku hakmarrës, paralajmëron bllokimin e institucioneve të Bosnje e Hercegovinës

    Kreu i SNSD-së, Milorad Dodik, reagoi me dhunë pas vendimit të Ministrit të Mbrojtjes të Bosnje e Hercegovinës për të mos lejuar një aeroplan ushtarak hungarez të ulet në Banja Luka.

    Dodik, ndër të tjera, njoftoi bllokada të reja të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës të drejtuara nga personeli i tij.

    “Nuk kemi nevojë për atë BeH. U ndalon miqve tanë të ulen në aeroportin e Banja Lukas. Nuk është aeroporti i tyre. Padrejtësia ka çuar në faktin se ato kanë njëfarë rëndësie. Është aeroporti i Republikës Srpska. Jam i indinjuar nga ky veprim. Pse? Sepse është një mik i yni? A është Szijjarto në listën e të kërkuarve? Asnjë ministër nuk mund të veprojë në mënyrë të njëanshme. Pastaj ata habiten që njerëzit kanë qëndrime të ndryshme ndaj tyre”, tha Dodik.

    Ai gjithashtu njoftoi se do t’u kërkonte stafit të tij në institucione të bllokojnë vendimmarrjen.

    “Ju ia ndaloni dikujt të ulet në Banja Luka? Dhe si mund të ulen në Sarajevë? Pse nuk mund të ulen në Banja Luka? Do t’u kërkoj të gjithë njerëzve tanë të ndalojnë së marri vendime. Kjo nuk mund të bëhet ndryshe. Është një poshtërim, e ftuam burrin si mysafir. I dhamë ambiente formale. Prisnim që nesër të ishte një ditë e bukur. Ata po qeshin, mendojnë se u kanë bërë keq Dodikut dhe Szijjartos. A doni të bëni një milion keqbërje dhe të jeni të kënaqur. BeH duhet të merret nga një stuhi, në mënyrë që gjithçka e gjallë të mos ekzistojë. Ali u tha mirë myslimanëve, nëse nuk mund të krijoni një vend demokratik, nuk meritoni të keni një të tillë”, tha Dodik.

    Në fakt, Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helez, njoftoi se nuk donte të jepte pëlqimin për uljen e një avioni ushtarak hungarez në aeroportin e Banja Lukës, në të cilin duhej të ishte kreu i diplomacisë, Peter Szijjarto.

  • Osmani merr pjesë në “Sofrën Shqiptare” në Shkodër në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit

    Osmani merr pjesë në “Sofrën Shqiptare” në Shkodër në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shkodër në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit, ka marrë pjesë në “Sofrën Shqiptare” të shtruar në sheshin e qytetit, ku ka ndarë mesazhe të bashkëpunimit dhe lidhjes së ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, tha se “Shkodra ka qenë gjithmonë një urë mirësie dhe bashkëpunimi dhe vllazërimi me Kosovën. Prania juaja sot është një simbol i fortë i asaj lidheje që na bashkon në histori, kulturë dhe vlera”, tha ai.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj theksoi afërsinë e veçantë mes Kosovës dhe Shkodrës.

    “Sonte jemi në zemrën e nje qyteti që nuk ka nevojë të prezantohet. Nga Kosova ne e ndjejmë Shkodrën si shtëpinë tonë të dytë, na lidh gjuha sepse shumë prej fjalive që ne i ruajmë me krenari kanë lindur pikërisht këtu, na lidh muzika që ka qenë shoqëruesja jonë në çdo dasëm guxim e festë, na lidh tradita, na lidh humori që si në Shkodër ashtu edhe në Kosovë është armë mbijetese butësi dhe mençuri”, tha Osmani.

  • Reshje bore dhe temperatura të ulëta në ditët në vijim

    Reshje bore dhe temperatura të ulëta në ditët në vijim

    Reshjet e borës pritet të vazhdojnë gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të së premtes në shumë pjesë të vendit, ndërsa lokalisht mund të shfaqen edhe gjatë ditës, herë pas here të përziera me shi në ultësira.

    Në mbrëmje, intensiteti i reshjeve mund të rritet, duke krijuar shtresë dëbore sidomos në Rrafshin e Kosovës dhe Anamoravë. Temperaturat do të lëvizin ndërmjet 0°C dhe 2°C, të shoqëruara me erë të ftohtë veriore 4-8 m/s.

    Të shtunën reshjet e borës do të vazhdojnë në orët e para, ndërsa pasdite pritet të pushojnë gradualisht. E diela sjell shpërndarje të vranësirave dhe intervale me diell, me temperatura deri në 5°C.

    Nga e hëna parashihet mot më stabil dhe më shumë diell, por në ultësira do të formohet mjegull që mund të qëndrojë deri pas mesditës.

    Temperaturat maksimale pritet të arrijnë 7°C deri 10°C, ndërsa në zonat me mjegull mund të jenë 4-5°C më të ulëta. Minimalet zbresin deri në -2°C. Erërat mbesin të lehta, me qetësi dominuese.

  • AKR bashkohet me LDK-në për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    AKR bashkohet me LDK-në për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Aleanca Kosova e Re (AKR) do të garojë në zgjedhjet e 28 dhjetorit si pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    Lajmin e ka konfirmuar kryetari i AKR-së, Vesel Makolli, i cili bëri të ditur se sot është takuar me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe se nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet në mënyrë ceremoniale të martën e ardhshme.

    “Po është e vërtetë, unë sot pasdite kisha takim me z.Abdixhiku, ku u morëm vesh të jemi pjesë e listës së tyre. Vendimin e kemi marrë pas përsiatjeve të situatës aktuale politike dhe pas sugjerimeve të presidentit tonë z. Behgjet Pacolli. Nënshkrimin e marrëveshjes do ta bëjmë në mënyrë ceremoniale të martën e ardhshme, deri atëherë do të merremi vesh për detajet e marrëveshjes”, është shprehur Makolli.

  • Ministri në detyrë Elbert Krasniqi i dyshuar për kanosje, flasin nga Prokuroria në Pejë

    Ministri në detyrë Elbert Krasniqi i dyshuar për kanosje, flasin nga Prokuroria në Pejë

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dyshohet për kansoje në Pejë, me datën 23 nëntor derisa “Rruga e Re” ishte e bllokuar nga kolona.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se ndaj ministrit në detyrë është iniciuar vepra ‘kanosje’.

    “Me urdhër të prokurorit është inicuar rast për veprën penale të kanosjes. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, ka deklaruar Nikçi.

    Sipas deklaratës së viktimave, Krasniqi në ato momente e kishte vendosur dorën në armë.

  • Dekretimi i ministres Diella, Gjykata Kushtetuese kalon çështjen në seancë plenare

    Dekretimi i ministres Diella, Gjykata Kushtetuese kalon çështjen në seancë plenare

    Gjykata Kushtetuese e ka kaluar seancë plenare çështjen e dekretimit të ministres virtuale, Diella.

    Vendimi është marrë këtë të enjte, shkruan TCH.

    Ishte PD ajo që kundërshtoi dekretin për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale Diella.

    Në padinë e dorëzuar kushtetueses kërkohet: “Shfuqizimin e nenit 2, të Dekretit “Për emërimin e Kryeministrit”, nr.331, date 12.09.2025, te Presidentit të Republikës se Shqipërisë si te papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimin e nenit 1, pika 1, fjalia e dytë, te Dekretit “Për emërimin e Këshillit te Ministrave”, nr.333, datë 15.09.2025, të Presidentit të Republikës se Shqipërisë si te papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

  • 28 Nëntori do të jetë ditë pushimi për administratën publike në Kosovë

    28 Nëntori do të jetë ditë pushimi për administratën publike në Kosovë

    Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se e premtja do të jetë ditë pushimi për nëpunësit e administratës publike me rastin e Festës së 28 Nëntorit.

    Në komunikatën e MPB-së thuhet se dita e premte, do të jetë ditë pushimi, duke uruar 28 Nëntorin.

    Festa e 28 Nëntorit shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe në të gjithë vendin organizohen aktivitete kulturore e ceremonialet tradicionale.

    Kujtojmë se 28 Nëntori për Kosovën është festë e katërfishtë, është: Dita e Flamurit që lidhet me Skënderbeun; Dita e Pavarësisë së Shqipërisë; Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe përvjetori i daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

  • Trafiku Urban Prishtinë: Transporti publik mbetet i pezulluar deri në transferimin e mjeteve nga qeveria

    Trafiku Urban Prishtinë: Transporti publik mbetet i pezulluar deri në transferimin e mjeteve nga qeveria

    Ndërmarrja Publike Komunale “Trafiku Urban” në Prishtinë ka njoftuar se transporti publik do të mbetet i pezulluar deri në transferimin e mjeteve buxhetore nga institucionet qendrore, ndonëse Kuvendi Komunal ka votuar sot bartjen e buxhetit nga viti 2024.

    Përmes një komunikate, ndërmarrja ka shprehur keqardhje për vështirësitë që po u shkaktohen qytetarëve, duke theksuar se pa realizimin e transferimit financiar, Trafiku Urban mbetet në pamundësi të shlyejë obligimet ndaj furnitorëve dhe të rifillojë operimin normal.

    Votohet bartja e mjeteve buxhetore nga viti 2024 në 2025 në Komunën e Prishtinës

    Sipas ndërmarrjes, të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, duhet të përshpejtojnë procedurat në mënyrë që shërbimi publik të rikthehet sa më shpejt.

    Gjatë kësaj periudhe, protesta e paralajmëruar e punëtorëve të Trafikut Urban do të vazhdojë, derisa situata të zgjidhet.

    Ndërmarrja gjithashtu ka bërë të ditur se qytetarëve do t’u kompensohen ditët e biletave mujore që nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë për shkak të ndërprerjes së shërbimit.

    “Të gjitha biletat mujore të paguara do të kompensohen për ditët kur shërbimi nuk ka qenë i qasshëm”, thuhet në njoftim.

  • Zjarri apokaliptik në Hong Kong, të paktën 55 të vdekur dhe 280 të zhdukur

    Zjarri apokaliptik në Hong Kong, të paktën 55 të vdekur dhe 280 të zhdukur

    Numri i të vdekurve nga zjarri që përfshiu disa ndërtesa në një kompleks banimi në Tai Po, një periferi të Territoreve të Reja të Hong Kongut, është rritur në 55, me 280 të zhdukur.

    Kryetari Ekzekutiv, John Lee e njoftoi lajmin në një konferencë për shtyp të mbajtur në Spitalin “Princi i Uellsit”.

    Lee shtoi se flakët ishin “nën kontroll” që pak pas mesnatës sipas orës lokale. Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, presidenti kinez Xi Jinping shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave këtë mbrëmje. Policia ka arrestuar tre burra me dyshimin për vrasje të paqëllimshme.

    Videoja nga vendi i ngjarjes tregonte ndërtesat fqinje të përfshira nga flakët, me shkëndija intensive dhe tym që dilte nga dritaret e shumë apartamenteve ndërsa binte nata.

    Zjarrfikësit po drejtonin avionë uji drejt flakëve nga shkallët e larta të zjarrit. Flakët shkaktuan një re flakësh dhe tymi të trashë që valëvitej mbi skelat prej bambuje dhe rrjetat e ndërtimit të instaluara përgjatë pjesës së jashtme të kompleksit, i vendosur në lagjen “Tai Po”, duke shkatërruar shtatë nga tetë ndërtesat e banimit të kompleksit.

    Skelat prej bambuje janë një tipar i zakonshëm në projektet e ndërtimit dhe rinovimit të Hong Kongut, megjithëse qeveria njoftoi më parë këtë vit se do të fillonte ta hiqte gradualisht nga projektet publike për arsye sigurie.

    Policia tha se deri në pasdite, ishin marrë raportime të shumta për njerëz të bllokuar në ndërtesën ku filloi zjarri, përfshirë një burrë dhe një grua të gjetur pa ndjenja dhe që vuanin nga djegie të rënda.

    Zjarri, fillimisht i klasifikuar si Niveli 1, u rrit në Nivelin 4 në orën 15:34 dhe më në fund në nivelin më të lartë, Nivelin 5, në orën 18:22 sipas kohës lokale, sipas shkallës së ashpërsisë së Hong Kongut.

    Zyrtarët e distriktit Tai Po kanë hapur strehimore të përkohshme për ata që kanë mbetur të pastrehë nga flakët. Tai Po është një zonë periferike në Territoret e Reja, në pjesën veriore të Hong Kongut dhe pranë kufirit me qytetin kinez Shenzhen.