ATV

Category: Lajme

  • Abdixhiku uron 28 nëntorin: Sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur

    Abdixhiku uron 28 nëntorin: Sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për nder të ditës së Flamurit dhe 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka uruar 28 Nëntorin.

    Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur, siç u shpreh, të mbështetur mbi vlera e ideale që na bashkojnë.

    Abdixhiku, ka shtuar se mesazhi i Ditës së Flamurit mbetet i qartë, “ta kujtojmë me krenari të shkuarën, t’i nderojmë të rënët dhe të punojmë me përkushtim për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë”.

    “Gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën historike, që u fitua me shumë sakrificë nga patriotët, burrat e gratë, që kishin ideal të përbashkët, aspiratën e kahershme për liri e pavarësi.

    Sot kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë e të pavarur, të mbështetur mbi vlera e ideale që na bashkojnë. Shqipëria u bë realitet falë vendosmërisë dhe guximit të një brezi vizionar, që sfidoi çdo pengesë për të shpallur pavarësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri mbi liri, dinjitet e demokraci. Kjo datë lidhet me figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali dhe patriotët që shpallën pavarësinë; Presidenti historik Ibrahim Rugova, ideatori i shtetit të Kosovës; komandanti legjendar Adem Jashari, shembulli i sakrificës dhe mbrojtjes së atdheut. Sot nderojmë me respekt të thellë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa veprën e tyre, sot nuk do të gëzonim lirinë që kemi. Shqipëria, pas më shumë se një shekulli pavarësi, është bërë faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Mesazhi i Ditës së Flamurit mbetet i qartë: ta kujtojmë me krenari të shkuarën, t’i nderojmë të rënët dhe të punojmë me përkushtim për të ardhmen e shqiptarëve kudo që janë”, ka thënë Abdixhiku.

  • Jashari uron 28 Nëntorin: Do të ndërmarr nismën që të shpallet festë zyrtare në Kosovë

    Jashari uron 28 Nëntorin: Do të ndërmarr nismën që të shpallet festë zyrtare në Kosovë

    Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Sala Jashari ka uruar festën e 28 Nëntorit, duke thënë se është është datë që mban peshën e historisë së rezistencës dhe çlirimit të Kosovës.

    Mirëpo, ajo është shprehur se kjo festë nuk e ka zënë vendin e merituar si festë zyrtare në Kosovë. “Sot 28 Nëntori është një festë kombëtare për të gjithë shqiptarët. Gjithashtu, është datë që mban peshën e historisë së rezistencës dhe çlirimit të Kosovës.

    Më 28 Nëntor lindi heroi ynë kombëtar Adem Jashari, dhe po në të njëjtën datë shënohet dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997”.

    “Kjo datë nuk është vetëm një shenjë kalendarike.

    Ajo është kujtesë e përbashkët, është rrënjë, është trashëgimi që na bashkon dhe na orienton si komb. Megjithatë, në Republikën e Kosovës kjo datë ende nuk e ka zënë vendin e saj të merituar si ditë zyrtare shtetërore, një mungesë që duhet adresuar”, ka shkruar ajo.

    Përmes një postimi në Facebook, Jashari u zotua se do të ndërmarrë nismën që 28 Nëntori të shpallet festë zyrtare në Kosovë.

    “Andaj, zotohem që, nëse edhe në legjislaturën tjetër do të arrij të jem pjesë e Parlamentit të Kosovës, në pozitën e deputetes, do të ndërmarr nismën që 28 Nëntori të shpallet festë shtetërore në Republikën e Kosovës.

    Pavarësisht vështirësive, është e rëndësishme që këto data të bashkohen në një të vetme, si ngjarjet që kanë formësuar identitetin dhe vetëdijen tonë kombëtare”. “Ky propozim nuk synon thjesht ceremonialin.

    Ai është njohje e rrugëtimit tonë, është nder për familjet e dëshmorëve, për veteranët dhe për çdo njeri që ka kontribuar për lirinë e Kosovës. Është kujtesë se sakrifica nuk ka qenë e lehtë dhe se identiteti ynë është i gdhendur në përballjet, qëndresën dhe vendosmërinë e popullit tonë.

    Kjo është një prej mënyrave se si e lartësojmë kontributin për atdheun, duke e trashëguar këtë ndjenjë përgjegjësie e krenarie te gjeneratat që vijnë”, ka shkruar Jashari.

  • Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio uron Shqipërinë për 113-vjetorin e Pavarësisë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio uron Shqipërinë për 113-vjetorin e Pavarësisë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët shqiptarë me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke vlerësuar partneritetin e fortë mes Tiranës dhe Uashingtonit.

    Në reagimin e tij zyrtar, Rubio shprehet:

    “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.”

    Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbështeten në angazhimin e përbashkët për siguri dhe prosperitet, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si aleate në NATO dhe kontributet e saj në mbrojtjen kolektive.

    Rubio gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve kibernetike. Në mesazhin e tij të plotë, ai shtoi:

    “Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi një angazhim të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to.

    Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe e përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj të rëndësishëm në sigurinë kibernetike. Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.”

    Ky urim vjen në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve shënojnë një partneritet të fortë strategjik, duke pasur Shqipërinë si një nga aleatet kryesore të SHBA-së në rajon dhe kontribues kyç në misionet e NATO-s.

  • Zhduken dy vajza, prindërit i raportojnë në Polici

    Zhduken dy vajza, prindërit i raportojnë në Polici

    Dy vajza janë raportuar të zhdukura në 24 orët e fundit.

    Në Malishevë, një nënë ka raportuar se vajza e saj e mitur ka dalë nga banesa dhe se nuk dihet për vendndodhjen e saj.

    “PERSON I ZHDUKUR· Rr. Hamdi Berisha, Malishevë 25.11.2025 – 19:00. Ankuesja femër kosovare, ka njoftuar se vajza e saj e mitur, ka dalë nga banesa dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport.

    Rasti tjetër është raportuar në Rahovec.

    “Fsh. Bellacërkë, Rahovec 26.11.2025 – 04:20. Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti në hetime”, thuhet në raport.

  • Shtabi Suprem i Fuqive Aleate për Europë uron në gjuhën shqipe për 28 Nëntor: Sot festojmë së bashku

    Shtabi Suprem i Fuqive Aleate për Europë uron në gjuhën shqipe për 28 Nëntor: Sot festojmë së bashku

    Shtabi Suprem i Fuqive Aleate për Europë (SHAPE), selia e Aleancës së NATO-s, ka uruar sot Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë përmes një postimi në Facebook. Një pjesë të tekstit të urimit, e ka shkruar ne gjyhën shqipe.

    “Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë! 🇦🇱🎉 Sot festojmë së bashku me aleatët tanë shqiptarë! Me vigjilencën dhe kontributet e tyre të vazhdueshme, NATO qëndron e fortë dhe e gatshme të mbrojë ndaj çdo kërcënimi. Ju përshëndesim, Shqipëri!” – shkruhet në postimin e SHAPE në Facebook.

  • Policia në kërkim të të dyshuarit për vrasje të rëndë në tentativë në Vushtrri, e plagosur një e mitur

    Policia në kërkim të të dyshuarit për vrasje të rëndë në tentativë në Vushtrri, e plagosur një e mitur

    Një vrasje e rëndë në tentativë ka ndodhur dje në Vushtrri.

    Sipas policisë, një person ka njoftuar policinë se dikush ka shtënë dy herë në drejtim të tij dhe familjes së tij, dhe e plagosur në krah ka mbetur vajza e vëllait të ankuesit (e mitur).

    Viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.
    I dyshuari pasi e ka kryer veprën është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është në kërkim të policisë.

    Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë (pushkë 10-she) dhe 14 fishekë

    Raporti i plotë i policisë:

    VRASJE E RËNDË NË TENTATIVË

    Rr. Ferat Novolani, Vushtrri 27.11.2025 – 20:15. Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar policinë se në drejtim të tij dhe familjes së tij ka shtënë dy herë me armë i dyshuari mashkull kosovar, ku ka mbetur e plagosur në krah vajza e vëllait të ankuesit (e mitur). Viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetë. I dyshuari pasi e ka kryer veprën është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është në kërkim të policisë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë (pushkë 10-she) dhe 14 fishekë. Rasti në hetime.

  • Ukraina e vendosur: Nuk heqim dorë nga territori, kushtetuta e ndalon

    Ukraina e vendosur: Nuk heqim dorë nga territori, kushtetuta e ndalon

    Shefi i zyrës presidenciale të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka folur në lidhje me negociatat e vazhdueshme të paqes.

    Andrii Yermak udhëhoqi delegacionin ukrainas gjatë bisedimeve në Gjenevë dhe është një këshilltar i rëndësishëm i presidentit.

    “Për sa kohë që Zelensky është president, askush nuk duhet të mbështetet te ne që do të heqim dorë nga territori. Ai nuk do të nënshkruajë marrëveshje për heqjen dorë nga territori. Kushtetuta e ndalon këtë. Askush nuk mund ta bëjë këtë nëse nuk dëshiron të shkojë kundër kushtetutës së Ukrainës dhe popullit ukrainas.”

    Yermak thotë gjithashtu se e tëra që mund të diskutohet tani është “vija e kontaktit” – vija e frontit.

    Çështja e territorit, dhe nëse Ukraina do t’ia lëshojë ndonjë territor Rusisë, ka qenë një pikë ngërçi e negociatave të paqes.

    Ndryshe, muajt e fundit kanë parë një skandal masiv korrupsioni prej 100 milionë dollarësh që ka përfshirë Kievin.

    Yermak nuk është akuzuar për ndonjë shkelje, por është përballur me presion, diçka që ai e pranoi.

    Lidhur me këtë temë, ai thotë: “Çështja është mjaft e zhurmshme dhe duhet të ketë një hetim objektiv dhe të pavarur pa ndikim politik.”

  • KFOR uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë: Aleatët tanë shqiptarë, gëzuar Ditën Kombëtare

    KFOR uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë: Aleatët tanë shqiptarë, gëzuar Ditën Kombëtare

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka uruar sot Shqipërinë me rastin e Ditës së Pavarësisë, përmes një mesazhi zyrtar në rrjetet sociale.

    Në urimin e tij, KFOR thekson rolin e Shqipërisë si një aleate e rëndësishme brenda NATO-s dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në misionin paqeruajtës në Kosovë.

    “Gëzuar Ditën Kombëtare aleatëve tanë shqiptarë. Shqipëria është një nga 33 shtetet kontribuuese në misionin e KFOR-it,” shkruhet në mesazhin e publikuar, i shoqëruar me sloganet #StrongerTogether dhe #Albania.

    Ky urim nënvizon bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe NATO-s, si dhe rëndësinë e rolit të Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

  • Spiropali: Procesi në Hagë po rrezikon ta kthejë luftën e Kosovës në padrejtësi historike

    Spiropali: Procesi në Hagë po rrezikon ta kthejë luftën e Kosovës në padrejtësi historike

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, deklaroi se procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së po rrezikon të kthehet në padrejtësi historike dhe të shtrembërojë të vërtetat e luftës së Kosovës.

    Ajo theksoi se “viktima nuk mund të shndërrohet padrejtësisht në agresor dhe agresori në viktimë”.

    Ministrja i bëri këto komente gjatë vizitës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Shkodër, në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit.

    “Shqipëria në këtë 28 nëntor qëndron qartë në krahët tuaj dhe sot gjyqi në Hagë jo vetëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së por një gjyq që duket po nxjerr në tribunë edhe vetë luftën e Kosovës, nuk mund të kthehet në një padrejtësi historike, dhe viktima nuk mund të shndërrohet padrejtësisht në agresor dhe agresori në viktimë”, tha ajo.

    Gjatë fjalimit të saj, Spiropali nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke përfolur në detaje marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite.

    Sipas saj, dy qeveritë kanë arritur të transformojnë kufirin nga një ndarje historike në një urë të qëndrueshme bashkëpunimi.

    “Të dy vendet tona, të dyja qeveritë tona duke bazuar politikëbërjen mbi realitet e një toke, popullin e një ëndrre dhe dëshirat e përbashkëta kanë transformuar kufirin tonë nga një hendek ndarës në një urë bashkëpunimi. Që nga takimi i përbashkët i të dy qeverive tona në Prizren në vitin 2014, 180 marrëveshje kanë institucionalizuar bashkëpunimin tonë në çdo fushë, por nuk mjaftojnë, më shumë duhet të bëjmë që të afrohemi në të gjitha pikëpamjet dhe t’i realizojmë dhe materializojmë këto marrëdhënie”, tha Spiropali.

    Ajo theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin së bashku drejt integrimit evropian, duke e parë këtë 28 Nëntor si zotim të përbashkët.

    “Prandaj zotimi ynë në këtë 28 nëntor është që ta shndërrojmë flamurin tonë në flamurin 28 që valvitet krenar në Bruksel, për ne, për Kosovën që duhet sa më shpejt të nis bisedimet për anëtarësim ku dy flamujt tanë, të dy shteteve por në fakt të një kombi, të jenë aty në atë tryezë në atë familje që ne i përkasim”, tha ajo.

  • Festa e 28 Nëntorit, Rama uron shqiptarët: Gëzuar Ditën e Pavarësisë

    Festa e 28 Nëntorit, Rama uron shqiptarët: Gëzuar Ditën e Pavarësisë

    Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Pavarësisë, në kuadër të përvjetorit të 113-të.

    “MIRËMËNGJES dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook ndërsa e shoqëron postimin me një foto nga Monumeti i Pavarësisë në Vlorë.

    Sot, më 28 Nëntor, mbarë shqiptarët festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

    Dita e Pavarësisë (e njohur edhe si Dita e Flamurit) është një festë publike në Shqipëri që festohet më 28 Nëntor. Ajo përkujton Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u ratifikua nga Kongresi Mbarëshqiptar më 28 Nëntor 1912, duke krijuar shtetin e Shqipërisë.

    Në qytete të ndryshme të vendit do zhvillohen koncerte festive, aktivitete kulturore, parakalime fëmijësh me flamuj kombëtarë dhe ekspozita historike.

    28 Nëntori mbetet një nga datat më të rëndësishme të kombit shqiptar, një ditë reflektimi për sakrificat e së kaluarës dhe angazhimin për të ardhmen.