ATV

Category: Lajme

  • Bedri Hamza uron 28 Nëntorin: E kuqja dhe e zeza janë Shqipëri!

    Bedri Hamza uron 28 Nëntorin: E kuqja dhe e zeza janë Shqipëri!

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka uruar qytetarët me rastin e 28 Nëntorit, Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari.

    Hamza përmes një postimi në Facebook, tha se kjo ditë përmbledh çdo hap të rëndësishëm të shqiptarëve drejt lirisë, nga flamuri i Skënderbeut në Krujë e deri te shpallja e Pavarësisë në Vlorë.

    “E kuqja dhe e zeza, sot nuk janë vetëm ngjyra. Janë Shqipëri. Janë betim për një të ardhme prosperuese për shqiptarët.

    Gëzuar dhe festofshim gjithmonë me dinjitet!”, shkroi ndër tjerash kreu i PDK-së.

  • Dita e Flamurit, uron Osmani: Dy shtete, një komb, një zemër

    Dita e Flamurit, uron Osmani: Dy shtete, një komb, një zemër

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar popullin shqiptar, në kuadër të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë historike të katër ngjarjeve të shënuara për kombin shqiptar.

    Ajo ka kujtuar Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, lindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si ngjarjet që përbëjnë “boshtin e krenarisë kombëtare”.

    Në mesazhin e saj në Facebook, Osmani e ka cilësuar lidhjen mes Kosovës dhe Shqipërisë si të thellë dhe të pandashme, duke i quajtur të dyja shtetet “dy flamuj, por një zemër.

    “Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër.

    Gëzuar Ditën e Flamurit!

    Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!

    Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!”, shkroi e para e vendit.

  • Statistikat tregojnë se emrat kombëtarë mbizotërojnë në familjet kosovare

    Statistikat tregojnë se emrat kombëtarë mbizotërojnë në familjet kosovare

    Kosova vazhdon të ruajë lidhjet kulturore dhe historike me Shqipërinë, dhe kjo duket edhe tek emrat që familjet kosovare zgjedhin për fëmijët e tyre.

    Emra si Flamur, Marigona, Vlora, Shqiponjë, Ismail dhe Gjergj janë ndër më të përhapurit në Kosovë, duke reflektuar simbolikën e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

    Nga Prishtina në Gjakovë, nga Peja në Gjilan, këto emra tregojnë se festa e 28 Nëntorit nuk është vetëm një kujtim historik, por një influencë e gjallë në jetën dhe kulturën e familjeve kosovare.

    73 meshkuj në Kosovë quhen Nëntor, një përkujtim i 28 Nëntorit

    Emri “Nëntor” i lidhur ngushtë me festën e 28 Nëntorit në Shqipëri, vazhdon të jetë një nga emrat më domethënës patriotikë në Kosovë.

    Sipas të dhënave të regjistruara në ASK, gjithsej 73 meshkuj në vend mbajnë këtë emër, i cili simbolizon Pavarësinë dhe Flamurin Kombëtar.

    Numri më i madh i qytetarëve me emrin Nëntor gjendet në Gjakovë me 18 persona, e ndjekur nga Prishtina me 16 dhe Prizreni me 8.

    Më tej renditen Gjilani dhe Peja me nga 5 banorë secila, Gllogoci dhe Rahoveci me nga 4, ndërsa Suhareka dhe Malisheva kanë nga 3 persona me këtë emër.

    Qytetet tjera ku ky emër është i pranishëm janë Mitrovica (2), Istogu, Skenderaj, Shtime, Ferizaj dhe Vushtrria, secila me nga një qytetar që mban emrin Nëntor.

    28 Nëntori/ 4 mijë e 361 kosovarë mbajnë emrin Flamur

    Në Kosovë, emri “Flamur” vazhdon të jetë një nga emrat më të përhapur patriotikë që lidhen me simbolikën kombëtare dhe festën e 28 Nëntorit.

    Në gjithë vendin këtë emër e mbajnë plot 4mijë e 361 qytetarë, duke e bërë një nga emrat më të njohur me kuptim kombëtar.

    Sipas shpërndarjes sipas komunave, Prishtina kryeson me 710 persona që mbajnë emrin Flamur, e ndjekur nga Prizreni me 364 dhe Gjakova me 353.

    Bazuar në statistikat e publikuara nga ASK-ja, Gjilani ka 334 qytetarë me këtë emër, Peja (305), Podujeva (273), Ferizaji (263) dhe Mitrovica (218).

    Emri është i pranishëm në çdo cep të Kosovës, përfshirë Vushtrrinë (160), Gllogocin (148), Rahovecin (131), Suharekën (127), Skenderajn (124), Malishevën (111) dhe Deçanin (102).

    Numra më të ulët paraqiten në komunat më të vogla si Junik (5), Kllokot (3), Leposaviq (1) dhe Zubin Potok (1)

    Prishtina kryeson me numrin më të madh të vajzave me emrin Marigona

    Një nga emrat më të dashur dhe tradicionalë për vajzat në Kosovë, është edhe emir “Marigona”.

    Aktualisht, këtë emër e mbajnë gjithsej 3,548 vajza, sipas statistikave të ASK-së.

    Në krye të listës qëndron Prishtina me 594 vajza që mbajnë emrin Marigona, e ndjekur nga Prizreni me 296 dhe Gjakova me 279. Pas tyre renditen Peja (252), Gjilani (232) dhe Podujeva (194).

    Emri është i përhapur edhe në komunat e tjera, përfshirë Gllogocin (188), Mitrovicën (183), Suharekën (168) dhe Ferizajn (159). Numër i konsiderueshëm shënohet edhe në Skenderaj (156), Vushtrri (135), Lipjan (92) dhe Rahovec (86).

    Në komunat më të vogla shifrat bien, por prania e emrit vazhdon: Junik (12), Hani i Elezit (4), Shtërpca (3), Novobërda (2), ndërsa më pak emra regjistrohen në Kllokot (1), shkruan “Front Online”.

    Mbi 5 mijë vajza në Kosovë mbajnë emrin Vlora, simbol i Pavarësisë së Shqipërisë

    Një emër tjetër i lidhur ngushtë me simbolikën e pavarësisë dhe 28 Nëntorit është emri (Vlora.

    Këtë emër në Kosovë e mbajnë gjithsej 5,619 vajza në të gjithë vendin.

    Sipas ASK-së, në krye të listës qëndron Prishtina me 878 vajza, e ndjekur nga Prizreni (481) dhe Gjakova (474).

    Më tej renditen Mitrovica (378) dhe Peja (378), si dhe Gjilani (321) dhe Podujeva (280).

    Numër i konsiderueshëm i vajzave me emrin Vlora gjendet edhe në Ferizaj (273), Suharekë (241), Vushtrri (235), Gllogoc (234) dhe Skenderaj (231). Në komunat më të vogla emri është gjithashtu i pranishëm, si Novobërdë (3), Zubin Potok (2), Zveçan (1), Mamushë (1) dhe Kllokot (1).

    246 vajza në Kosovë mbajnë emrin Shqiponjë

    Simboli i krenarisë kombëtare dhe i flamurit shqiptar emri (Shqiponjë) është një nga emrat më të veçantë për vajzat në Kosovë, ku këtë emër e mbajnë gjithsej 246 vajza në të gjithë vendin.

    Gllogoci rënditët i pari me 44 vajza, e ndjekur nga Prishtina (42) dhe Gjilani (35).

    Numër i konsiderueshëm gjendet edhe në Malishevë (21) dhe Podujevë (18), ndërsa komunat e tjera si Ferizaj (10), Gjakova (8), Istogu (7) dhe Klinë (6) shfaqin shpërndarje më të vogël.

    Sipas ASK-së, emri Shqiponjë është i pranishëm edhe në Pejë, Deçan, Mitrovicë, Shtime, Suharekë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Lipjan, Viti, Prizren, Vushtrri, Obiliq, Rahovec dhe Skenderaj.

    2 mijë e 401 djem në Kosovë quhen Ismail, frymëzuar nga Ismail Qemali

    Emri “Ismail”, i frymëzuar nga figura historike e Ismail Qemalit, themeluesit të Shtetit Shqiptar dhe firmëtar i Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, është ndër emrat më të njohur për djemtë në Kosovë.

    Bazuar në statistikat e ASK-së, këtë emër e mbajnë 2,401 djem në të gjithë vendin.

    Në komunat kryesore, Prishtina kryeson me 405 persona, e ndjekur nga Prizreni (295) dhe Gjilani (218).

    Numër i konsiderueshëm gjendet edhe në Podujevë (158), Ferizaj (141) dhe Kamenicë (119), ndërsa edhe komunat më të vogla shënojnë prani të këtij emri, si Kllokot (1) dhe Zubin Potok (2).

    Emri Gjergj, simbol i trimërisë dhe Skënderbeut, mbizotëron në 787 qytetarë në Kosovë

    Frymëzimi nga heroi kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, është ndër emrat më të respektuar për djemtë në Kosovë, si emri (Gjergj).

    Këtë emër e mbajnë 787 djem në të gjithë vendin, bazuar në statistikat e publikuara nga ASK-ja.

    Në komunat kryesore, Gjakova kryeson me 321 persona, e ndjekur nga Klinë (142) dhe Prizren (88).

    Numër i konsiderueshëm gjendet edhe në Pejë (69), Prishtinë (45) dhe Viti (45), ndërsa edhe komunat më të vogla shënojnë prani të këtij emri, si Kaçanik (1), Obiliq (1) dhe Malishevë (1).

    44 vajza quhen Flamure në Kosovë

    Emri “Flamure” i lidhur me simbolin e flamurit dhe identitetin kombëtar, është një emër i veçantë për vajzat në Kosovë.

    Sipas statistikave të ASK-së, këtë emër e mbajnë 44 vajza në të gjithë vendin.

    Në komunat kryesore, Gjilani kryeson me 11 vajza, e ndjekur nga Kamenica (10) dhe Prishtina (8).

    Gjakovë ka 7 persona, ndërsa komunat më të vogla si Deçan (2), Pejë (2), Kaçanik (1), Klinë (1), Fushë Kosovë (1) dhe Shtime (1) shënojnë prani më të vogël, shkruan “Front Online”.

  • Shqiptarët sot festojnë 28 Nëntorin

    Shqiptarët sot festojnë 28 Nëntorin

    Sot Shqipëria feston 113-vjetorin e Pavarësisë. Shqiptarët e të gjitha trevave e nderojnë këtë ditë si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit. Në të gjitha qytetet zhvillohen aktivitete festive, me në qendër në Vlorë, aty ku Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi më 28 nëntor të vitit 1912.

    28 nëntori përkon gjithashtu me Ditën e Flamurit dhe kujton figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili më 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane.

    469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i quajtur edhe “Nëntori i dytë”, erdhi shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali. Pavarësia u deklarua në Kuvendin e Vlorës ku morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Menjëherë pas saj, Asambleja formoi qeverinë e parë të pavarur, të kryesuar nga Ismail Qemali, si dhe Këshillin e të Urtëve të njohur ndryshe edhe si Pleqësia.

    Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

    Në këtë ditë të shënuar, do të mbahen një sërë aktivitetesh. Në Vlorë, aktivitetet përfshijnë ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit që pritet të nisë në orën 10:00, nderime te varri i Ismail Qemalit, parada, ekspozita, panaire, shfaqje folklorike, koncerte rinore e simfonike, si dhe Koncertin e Madh Festiv në mbrëmje.

    Po ashtu edhe Tirana do të jetë e mbushur me aktivitete. Festa nis në orën 10:00, me ceremoninë e Nderimit të Flamurit. Më pas, Pazari i Ri do të shndërrohet në një hapësirë të madhe festive me aktivitete tradicionale, ku të rritur e fëmijë do të shijojnë gatime shqiptare, performanca folklorike dhe muzikë live.

    Në bulevard, tek instalacioni “Trumpeta”, Ansambli Popullor i Tiranës do të sjellë një performancë të veçantë që premton emocione dhe atmosferë të ngrohtë. Një koncert i dedikuar fëmijëve do të zhvillohet në Kopshtin Zoologjik, ndërsa Parku Rinia do të presë një sërë aktivitetesh të hapura për të gjithë publikun.

  • 28 Nëntorin nuk e njeh, Specialja me seancë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    28 Nëntorin nuk e njeh, Specialja me seancë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nuk e shohin si festë ditën e 28 nëntorit.

    Pasi për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët parashihet sot të mbahet një konferencë përgatitore në Hagë për gjykim, duke nisur nga ora 09:00 me gjysmë orë vonesë tek ne për të vazhduar deri në 16:00.

    Por, vet Hashim Thaçi e Bashkim Smakaj kanë hequr dorë nga pjesëmarrja fizike.

    Kjo seancë pikërisht në këtë ditë që shënon po ashtu edhe 28-vjetorin e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk u prit mirë nga Organizata e Veteranëve të Luftës.

    Përmes një komunikate për media, OVL-UÇK ka shprehur indinjatë duke thënë se mbajtja e një seance gjyqësore në këtë datë përbën fyerje ndaj ndjenjave kombëtare, si dhe sipas tyre, shpërfillje të realitetit historik të popullit të Kosovës.

  • Kurti uron 28 Nëntorin: Nuk ka komb tjetër në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar

    Kurti uron 28 Nëntorin: Nuk ka komb tjetër në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar

    Kryeministri në detyrë i Kosovës ka uruar shqiptarët për 28 nëntor.

    Kurti ka shkruar se nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë.

    Kurti ka përmendur vitin 1443, kur u ngrit flamuri Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane, pastaj shumë shekuj më vonë shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912, kur flamuri shqiptar u ngrit në Vlorë.

    Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës, shkruan Kurti.

    Ai përmend se po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri.

    Postimi i plotë:

    Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.

    Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”

    Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.
    Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!
    Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:
    Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!

  • Ftohtë edhe sot, në mbrëmje parashihen reshje bore

    Ftohtë edhe sot, në mbrëmje parashihen reshje bore

    Reshjet e borës mund të vazhdojnë në pjesë të vendit gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit të ditës së premte.

    Lokalisht mund të vazhdojnë edhe gjatë ditës, herë herë të përziera me shi ultësirave. Duke shkuar nga mbrëmja reshjet e borës mund të jenë më intenzive, duke formuar shtresë dëbore, sidomos pjesëve nga rrafshi i Kosovës dhe Anamorava.

    Temperaturat mbesin të ulëta 0C e 2C. Frynë erë e ftohtë veriore e lehtë dhe mesatare 4-8m/s.
    Të shtunën orëve të para të ditës vazhdojnë reshjet e borës. Pasdite pritet të pushojnë gradualisht. Temperaturat ende të ulëta 0C deri 2C.

    Ditën e diel vransirat shpërndahen, ku në disa pjesë të vendit do të ketë edhe intervale me diell. Maksimalet shënojnë rritje deri në 5C. Nga dita e hënë parashihet mot më stabil, me më shumë intervale me diell. Mirëpo, ultësirave formohen shtresa mjegulle, që në disa pjesë mund të mbeten më gjatë edhe nga mesdita. Temperaturat shënojnë rritje deri në 7C e 10C, por në pjesët ku mjegulla mbetet më gjatë, mund të jenë më të ulëta edhe për 4C e 5C. Minimalet zbresin deri në 0C e -2C. Do të dominojnë qetësitë, ndërkohë që ditën frynë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-3m/s, njofton Mendimi për Motin.

  • 28 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

    28 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

    Sot mbushen 28 vjet nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt.

    Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.

    Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së, raporton KosovaPress.

    Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj.

  • Sot është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

    Sot është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

    Komandanti legjendar Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i mbushte 70 vjet.

    Ai u lind më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Kishte mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.

    Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Më 3 nëntor 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

    Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

    Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

    Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.

    Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

    Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda të artilerisë. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.

    Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme.

    Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

    Me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.

  • 113 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

    113 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

    113 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.

    Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit. Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurt, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshojë vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.

    Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 u pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike. Gjysma e popullsisë shqiptare mbeten nën sundimin serbo- malazez dhe grek.

    Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dal nga Kuvendi i Vlorës. U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.

    Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte “Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913, raporton KosovaPress.

    Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli.

    Qeveria e Vlorës:

    Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.

    Dom Nikoll Kacërri, Zv.kryeministër

    Mufid Bej Libohova, Ministër për Punë të Brendshme

    Abdi bej Toptani, Ministër për Financa

    Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen)

    Petro Poga, Ministër për Drejtësinë

    Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin

    Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore

    Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë

    Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.