ATV

Category: Lajme

  • Ushtarët turq të KFOR-it bashkë me instruktorë hungarezë zhvillojnë stërvitje intensive për kontrollin e turmave

    Ushtarët turq të KFOR-it bashkë me instruktorë hungarezë zhvillojnë stërvitje intensive për kontrollin e turmave

    Ushtarët turq nga Batalioni i Forcës së Rezervës Operacionale, pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, vazhdojnë stërvitjet e tyre të përditshme në gjithë Kosovën.

    Në bashkëpunim me instruktorët hungarezë nga Batalioni i Rezervës Taktike të KFOR-it (KTRBN), ata kanë përfunduar ushtrime intensive në kontrollin e turmave dhe menaxhimin e trazirave (CRC), duke forcuar gatishmërinë, qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të marrë vendime efektive nën presion.

    KFOR thekson se stërvitjet e tilla janë thelbësore për të siguruar reagime të qeta dhe të koordinuara në situata sfiduese, duke kontribuar në efektivitetin e misionit dhe në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.

  • Kuvendi i Prishtinës voton për bartjen e mjeteve vetanake, asnjë votë kundër

    Kuvendi i Prishtinës voton për bartjen e mjeteve vetanake, asnjë votë kundër

    Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të kryeqytetit, në vlerë 35 milionë euro.

    Vendimi është miratuar pa asnjë votë kundër, e veç një abstenim.

    “Me 38 për, asnjë kundër, asnjë abstenim kalon pika e parë”, tha Kryesuesi.

    Tani hapet rruga për pagesën e faturave, si dhe borxhit edhe ndaj Trafikut Urban si dhe operatorëve privatë.

    “Do t’i ndihmoj kauzës sonë për me i zhblloku gjërat në kryeqytet”, tha Kryetari Rama.

    Pika për buxhetin u tërhoq nga rendi i ditës, që të votohet nga asamblistët e rinj./Reporteri

  • KQZ: Kontrolloni adresën zyrtare të vendbanimit në E-Kosova

    KQZ: Kontrolloni adresën zyrtare të vendbanimit në E-Kosova

    Duke pasur parasysh në disa raste ankesat dhe vërejtjet e paraqitura publikisht nga qytetarët gjatë Zgjedhjeve Lokale lidhur me Qendrat e Votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të kontrollojnë adresën e tyre zyrtare të vendbanimit në platformën E-Kosova (Adresa > Deklarimi i adresës zyrtare të vendbanimit).

    Qytetarët njoftohen se adresa zyrtare që u figuron në E-Kosova, tregon njëkohësisht komunën në të cilën janë caktuar të votojnë në zgjedhje.

    KQZ u bën thirrje votuesve të cilët kanë pasur ankesa ose pakënaqësi në zgjedhjet e kaluara lidhur me Qendrën e Votimit se: nëse dëshironi të votoni në komunën ku realisht jetoni dhe në Qendrën e Votimit më të përshtatshme, duhet patjetër ta përditësoni adresën tuaj zyrtare të vendbanimit.

    Ndryshimet të cilat do të bëhen nga 26 nëntor deri më 6 dhjetor, do të reflektohen në platformën elektronike të KQZ-së https://qv.kqz-ks.org pas kësaj periudhe.

  • Dhëndri i Liburn Aliut i drejtohet VV’së: Keni bë pazare me prona, thojshi hajde te lajna Prishtinën bërllog me e mposht Ramën

    Dhëndri i Liburn Aliut i drejtohet VV’së: Keni bë pazare me prona, thojshi hajde te lajna Prishtinën bërllog me e mposht Ramën

    Berat Lahu, dhëndri i Liburn Aliut i cili tashmë është asamblist i pavarur, ka hedhur akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Lahu ka akuzuar Gëzim Sveçlën për pazare me prona.

    “Ke bo takime e pazare tinza edhe grupit tënd parlamentar, edhe partisë tënde. 4 vjet kryetarit Rama nuk janë të mira, ka plot ngecje, plot çështje që kisha bo ndryshe. Prishtina është keq. Shkoj boj della me Rrahman Haradinajn 50 milionë euro me ia kalu pronat, kjo më bën me vjell, vjen shitesh në moralin politik që e ka pasur VV-ja dikur, ose e ka ende, po më nuk e ka ma. 4 vjet ia keni bo argatin PDK-së me pru Uran Ismailin në balotazh. VV-ja asnjëherë në Prishtinë nuk ka qenë në vendin e tretë. Mrena grupit tonë u thanë hajde te lajna Prishtinën bërllog, e te mujna Ramën”, tha Lahu.

  • Seanca në kuvendin e Prishtinës, edhe PDK do të votojë për bartjen e mjeteve

    Seanca në kuvendin e Prishtinës, edhe PDK do të votojë për bartjen e mjeteve

    Asamblisti i PDK’së, Leutrim Retkoceri, ka thënë se asamblistët e kësaj partie do të votojnë për bartjen e mjeteve të vitit të kaluar në vitin 2025.

    “Grupi i asamblistëve të PDK’së për mandatin 2021-2025 mbetet i vendosur të kontribuojë me seriozitet për tejkalimin e kësaj gjednje në këtë mbledhje të jashtëzakonshme. Bartja buxhetore e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025 mund të paraqesë zgjidhje të përkohshme, por është e domosdoshme të dihet nëse kjo bartje shërben si mundësi për ti rikthyer shërbimet esenciale në kryeqytet, siç është transporti publik, shujtat e fëmijëve në shkolla, të paguajë borxhin për mbeturinat dhe të sigurojë pagat për punëtorët e ndërmarrjeve publike. Për këto dhe për kode tjera që janë në dobi të qytetarëve, PDK do të votojë në këtë seancë”, tha ai.

  • Kuvendi i Prishtinës shqyrton në një seancë të jashtëzakonshme çështjen e bllokimit të buxhetit

    Kuvendi i Prishtinës shqyrton në një seancë të jashtëzakonshme çështjen e bllokimit të buxhetit

    Kuvendi Komunal i Prishtinës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme ku kryetari Përparim Rama ka kërkuar që të bëhet bartja e mjeteve në vlerë 28 milionë euro dhe votimin e buxhetit 2026.

    Por asamblistët e VV-së kanë thënë se gjithë bllokimi i Prishtinës ka ndodhur për shkak të kryetarit.

    “Urime të gjithë asamblistëve që janë zgjedhur dhe falënderim për ata që e kanë përfunduar, katër vite kanë qenë të rëndësishme dhe vendimtare te kryeqytetit. Edhe sot jemi në këtë seancë në shërbim të interesit publik. Para nesh kemi bartjen e mjeteve në vlerë 28 milionë euro dhe votimin e buxhetit për vitin 2026-të prioritet absolut janë qytetarët e kryeqyteti. Fondet do të shfrytëzohen menjëherë për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet e kryeqytetit. Kërkojë edhe 35 milionë euro te cilat u takojnë qytetarëve me ligj duhet vullnet për miratim nga ministri i financave. Ju falënderoj për përgjegjësinë dhe zotohem para jush se do të jem i pranishëm në çdo veprim, nuk e mbrojmë interesin partiak po të qytetarëve”, tha ai.

    Asamblisti i VV-së, Gëzim Sveçla tha se e gjithë kjo krizë ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit nga kryetari Rama.

    “Jemi këtu sepse kryeqyteti është futur në krizën më të rëndë të menaxhimit jemi këtu sepse qyteti është bllokuar qytetarët kanë mbetur pa paga dhe autobusët janë ndalur dhe kryetari ka dërguar situatën në zero. Vetëm kur punëtorët e trafikut dolën në rrugë atëherë e kuptoj se bartja e mjeteve nuk bëhet në studio televizive por në kuvendin komunal. Kriza i duhet Përparim Ramës dhe LDK e përdori këtë strategji për fushatën lokale tash dëshiron ta përdor edhe për zgjedhjet lokale. Kur buxheti është miratuar ligji thotë komuna funksion me 1/12 te buxhetit paraprakë. Është e qartë se fajtori pse u vonua buxheti i Prishtinës është Përparim Rama, ai shpik miq imagjinar, shpik bllokada, u tha qytetarëve që Qeveria ua ka bllokuar mjete është gënjeshtër vetëm në nëntor dy alokime, për çfarë bllokade po flet, çerdhe i ke lënë pa rryme. Përparimi nuk është vetëm menaxher i keq është edhe borxhli i keq borxh operatorëve ekonomik, për rryme e për gjithçka derisa ka qenë Londër pasojat i ka bartur vetë. Kur zihen punët del merresh me emra të veçantë të VV-së të njëjtin njerëz për të cilët votove ne nuk kemi ndryshuar ti ke ndryshuar, nuk ka pasur parime kurrë. E din shumë mirë cka na ke thënë për LDK, për Lumir Abdixhikun”, tha ai.

  • Shoqata “Bereqeti” në Prizren ndihmon 45 familje me pajisje shtëpiake në prag të 28 Nëntorit

    Shoqata “Bereqeti” në Prizren ndihmon 45 familje me pajisje shtëpiake në prag të 28 Nëntorit

    Shoqata humanitare “Bereqeti” në Prizren ka zhvilluar sot një aktivitet solidarizues me rastin e festave të 28 Nëntorit, duke shpërndarë pajisje të ndryshme shtëpiake për 45 familje në nevojë.

    Qëllimi i këtij aksioni, siç u tha nga drejtuesit e shoqatës, është mbështetja e familjeve që përballen me vështirësi ekonomike dhe plotësimi i nevojave bazike për funksionimin e jetës së përditshme.

    Drejtori i shoqatës “Bereqeti” në nivel vendi, Xheladin Fazliu, theksoi se aktivitetet e tilla synojnë të sjellin lehtësime për familjet më të prekura nga varfëria. “Ky aksion ka për qëllim të ndihmojë familjet që përballen me vështirësi ekonomike, duke u mundësuar pajisje bazike që i nevojiten çdo shtëpie”, u shpreh Fazliu.

    Ndërkaq, kryetari i degës së shoqatës “Bereqeti” në Prizren, Kurtish Hoxhaj, tha se përzgjedhja e përfituesve është bërë me kujdes, bazuar në gjendjen dhe nevojat e secilës familje.

    Shoqata “Bereqeti” njoftoi se aktivitetet humanitare do të vijojnë edhe në të ardhmen, me synimin që sa më shumë familje të ndihen të mbështetura dhe të përfshira në atmosferën festive të 28 Nëntorit.

  • Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës

    Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës

    Ka filluar seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Në seancën e jashtëzakonshme temë diskutimi janë mjetet vetanake dhe buxheti i vitit 2026.

    Ky zhvillim vjen pas disa ditësh bllokimi të transportit publik, për shkak të grevës së Trafikut Urban dhe operatorëve privatë të transportit, si dhe problemeve financiare të komunës. Situata ka shkaktuar kolona të gjata dhe vështirësi për qytetarët në qarkullimin urban.

  • Shërbimet kadastrale kalojnë në sistemin dixhital në Kosovë, hyjnë në fuqi me 28 nëntor

    Shërbimet kadastrale kalojnë në sistemin dixhital në Kosovë, hyjnë në fuqi me 28 nëntor

    Është bërë dixhitalizimi i të gjitha shërbimeve kadastrale në Kosovë, kështu është bërë e ditur në një ceremoni e ku u tha se sistemi do të hyjë në fuqi që nga 28 nëntori e që do të lehtësojë procedurat për qytetarët.

    Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në fjalën e tij theksoi se ky transformim është arritur falë bashkëpunimit.

    “Është kënaqësi e veçantë përmbyllja e dixhitalizimit të plotë. Në emër të ministrisë falënderoj të gjithë për bashkëpunimin dhe përkushtimin në këtë sukses të përbashkët. Që nga nesër qytetarët dhe institucionet do të kenë qasje të plotë dhe të sigurt në shërbimet dixhitale kadastrale, pa vonesa. Ky transformim tregon një punë të mirë dhe më afër qytetarëve. Kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Qeverisë. Ne kemi përkrahur këtë agjenci në çdo hap. Ligji për Kadastrin ka mundësuar projekte madhore zhvillimore; në 120 zona kanë përfituar mijëra qytetarë. Jemi të kënaqur që Agjencia ka bërë proces transformimi duke ndjekur praktikat e tregut evropian. Suksesi i sotëm është rezultat i punës dhe mbështetjes së ministrisë. Sot vendosim themelet e administrimit të tokës, më të përshtatura për nevojat e shoqërisë moderne”, tha Durmishi.

    Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se dixhitalizimi është arritje e madhe për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e tij.

    “Kjo ngjarje për mua dhe kolegët e mi mund të them bindshëm se është një nga më të rëndësishmet. Kjo arritje padyshim e rendit Agjencinë Kadastrale të Kosovës në nivel rajonal e evropian. Ashtu siç jemi zotuar, nga nesër me datë historike po e kurorëzojmë këtë kremtim. Drejtpërdrejt, nga tash e tutje, përveç ATK-së, bankave dhe institucioneve të tjera financiare, qasje do të kenë edhe përmbaruesit dhe gjeodetët. Kjo ndikon në zhvillimin ekonomik, në sigurinë e pronës dhe në ngritjen e efikasitetit. Niveli i transformimit nuk do të ishte i mundur pa reformën ligjore dhe pa avancimin e teknologjisë, sepse është siguruar shërbim i sigurt dhe transparent. Dixhitalizimi është prioritet dhe AKK është shtylla kryesore e zhvillimit të Kosovës; për këtë arsye arrihen rezultate në këtë fushë. Për shumë vite, sfidat dhe dokumentacioni fizik kanë krijuar vështirësi për qytetarët dhe institucionet, ndërsa me dixhitalizimin kemi kursyer kohë dhe rritur transparencën. AKK ka publikuar edhe aplikimin për licencimin e gjeodetëve të Kosovës në eKosova. Për herë të parë, niveli i adresës është i unifikuar në gjithë Kosovën. Zhvillimi i projektit nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e institucioneve. Falënderoj Durmishin, ish-ministrin Liburn Aliu dhe të gjithë të tjerët”, tha Ahmeti.

  • Dorëzohet Lista Serbe: Ftesat për konstituimin e Kuvendit në Mitrovicën e Veriut me emrin Republika e Kosovës

    Dorëzohet Lista Serbe: Ftesat për konstituimin e Kuvendit në Mitrovicën e Veriut me emrin Republika e Kosovës

    Lista Serbe është tërhequr pas ftesës për seancën konstituive të Mitrovicës së Veriut, pasi dokumenti fillestar nuk përmbante shënimin zyrtar “Republika e Kosovës”.

    Ftesa e re për seancën konstituive të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut tash mban emrin zyrtar “Republika e Kosovës”, dhe është e shënuar edhe në gjuhën shqipe, raporton Dukagjini.

    Megjithatë, më herët kryetari i sapozgjedhur, Milan Radojeviq, dhe partia e tij, Lista Serbe, njoftuan se nuk do ta respektojnë rendin kushtetues të vendit.

    Sipas ligjit, çdo dokument zyrtar i institucionit komunal duhet të përmbajë shënimin “Republika e Kosovës” dhe të jetë në të dyja gjuhët zyrtare, shqipe dhe serbe.

    Megjithatë, ftesa e parë e dërguar nga kryetari i sapozgjedhur Milan Radojeviq i është drejtuar këshilltarëve vetëm në gjuhën serbe dhe nuk përmend emrin zyrtar të shtetit, duke shkelur kështu Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe standardet kushtetuese për dokumentacionin shtetëror.

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ka rol mbikëqyrës mbi komunat, kishte refuzuar mbajtjen e seancës më 5 dhjetor, duke argumentuar se mungesa e emrit “Republika e Kosovës” në dokumentacion e bën të pavlefshme thirrjen e seancës.