ATV

Category: Lajme

  • Thaçi kërkon fjalën në seancën e Hagës, gjyqtari ia jep mundësinë vetëm në fund të seancës

    Thaçi kërkon fjalën në seancën e Hagës, gjyqtari ia jep mundësinë vetëm në fund të seancës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar konferenca javore në çështje ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut,Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit kundër administrimit të drejtësisë.

    Ndërkohë që palët po diskutonin për mocionet dhe afatet për dorëzimin e provave gojore, Thaçi kërkoi që të flas. Ndërsa, avokatja e tij, Sophie Menegon tha se komenti i klientit të saj nuk lidhet shumë me mocionet e paraqitjes së provave.

    Ndërsa, gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell tha se atij do i jepet mundësia që të bëjë ndërhyrje por njëherë do të vazhdohet me agjendën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “ Ju sugjeroj që të vazhdojmë me agjendën dhe z. Thaçi do iu jepet mundësia që të bëjmë një ndërhyrje në fund të seancës së sotme”, tha gjyqtari.

    Ndryshe, në sallën e gjyqit janë të pranishëm fizikisht vetëm Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ndërsa Thaçi, Smakaj, dhe Kuçi janë të pranishëm përmes video-lidhjes. Përmes videolidhjes janë të pranishëm edhe disa nga avokatet.

    Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Lëvizja Vetëvendosje bën homazhe në Prekaz

    Lëvizja Vetëvendosje bën homazhe në Prekaz

    Lëvizja Vetëvendosje sot kanë shkuar për homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Prezent ishin ish-kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nën shoqërim të zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi dhe ish-eksponentë të tjerë të Vetëvendosjes.

    Në këtë ditë përpos ditëlindjes së komandatiti legjendar, Adem Jasharit, festohet edhe 113 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, Dita e Flamurit si dhe dalja e parë publike e UÇK-së në skenë.

  • Reshje bore në Kukës, trashësia e borës 10 cm

    Reshje bore në Kukës, trashësia e borës 10 cm

    Qarku i Kukësit është përfshirë gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit nga reshje bore dhe shiu me intensitet mesatar në zonat mbi 500 metra lartësi. Sipas raportimit zyrtar të orës 08:00 të datës 28 nëntor 2025, në Valbonë trashësia e borës ka arritur deri në 10 centimetra.

    Autoritetet njoftojnë se subjektet kontraktore kanë punuar gjatë gjithë natës për pastrimin e akseve dhe kriposjen e tyre, duke bërë të mundur që të gjitha rrugët nacionale të jenë të qarkullueshme.

    Bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë raportojnë se deri tani nuk ka pasur asnjë situatë emergjente apo problematikë të shkaktuar nga moti. I gjithë qarku furnizohet normalisht me energji elektrike, përveç 39 abonentëve në fshatin Llugaj, Njësia Administrative Llugaj, bashkia Tropojë, ku vijon puna për rikthimin e furnizimit.

    Furnizimi me ujë të pijshëm kryhet sipas orareve të përcaktuara nga D.R.U.K. Kukës.

  • Turqia uron Shqipërinë për Ditën e Flamurit: Gëzuar aleatit tonë

    Turqia uron Shqipërinë për Ditën e Flamurit: Gëzuar aleatit tonë

    Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë i ka shprehur urimet e saj Shqipërisë me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

    Mesazhi i urimit i Turqisë për Shqipërinë thekson miqësinë e qëndrueshme dhe lidhjet e forta midis dy vendeve.

    “Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë, aleatit dhe partnerit tonë strategjik, Shqipërisë”, shkroi ministria turke në X.

  • “Me kënaqësi bashkëpunoj me çdo drejtor” – Musmurati dërgon mesazh uniteti për arsimin

    “Me kënaqësi bashkëpunoj me çdo drejtor” – Musmurati dërgon mesazh uniteti për arsimin

    Përgatiti Leonita Avdiu

    Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës dhe asambleistja aktuale, Besianë Musmurati, ishte e ftuar në emisionin “LIBERO” dhe ka paraqitur një qasje të qartë mbi zhvillimet politike të fundit, angazhimet e saj inctitucionale dhe raportin me rezultatin zgjedhor të kandidatit të PDK-së për kryetar komune, Uran Ismailit.

    Gjatë diskutimit, Musmurati theksoi se periudha e saj në udhëheqjen e sektorit të arsimit ka lënë iniciativa të hapura, por rikthimin në këtë pozitë, për momentin, nuk e sheh si mundësi. Megjithatë, ajo shprehu gatishmëri të vazhdueshme për të kontribuar në zhvillimin e arsimit, pavarësisht se kush e udhëheq institucionin.

    “…Gjithmonë mbetet diçka pezull…Nuk e besoj që do të kthehem, por me kënaqësinë më të madhe do të bashkëpunoja me secilin drejtor që do të vinte, sepse çështja e arsimit i tejkalon partitë politike, i tejkalon inatet politike që mund të ekzistojnë…”, deklaroi ajo.

    Sa i përket angazhimeve të saj aktuale, Musmurati bëri të ditur se mbetet plotësisht e fokusuar në punën brenda kryeqytetit: “…Tash jam e fokusuar në Prishtinë. Përsëri jam zgjedhur asambleiste  në Kuvendin Komunal të Prishtinës…”

    Në lidhje me mosfitoren e Uran Ismailit, ajo theksoi se procesi zgjedhor duhet vlerësuar në tërësi dhe jo vetëm përmes rezultatit final për kryetarë. Sipas saj, rëndësi ka edhe struktura politike e krijuar në Asamble: “…Mundohem që të mësohem prej humbjeve, por realisht nuk mundem me e konstatu veç humbje. PDK ka dalë partia e dytë me më së shumti ulëse në asamblenë komunale, kështu që ka qenë një arritje në vete…”, tha ajo.

    Vlen ta potencojmë se Besianë Musmurati ka shërbyer si Shefe e Kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë (Uran Ismailit, gjatë kohës kur ishte ministër). Po ashtu, ajo ka përfaqësuar Kosovën si diplomate në Washington D.C. dhe në Bruksel.

    Për ta shikuar intervistën e plotë të Besianë Musmuratit, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ardita Sinani: Serbia mohon flamurin kuq e zi, por nuk i thyen shqiptarët

    Ardita Sinani: Serbia mohon flamurin kuq e zi, por nuk i thyen shqiptarët

    Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, duke dërguar një mesazh të fortë për identitetin kombëtar dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.

    Në urimin e saj, Sinani thekson se kjo ditë është më shumë se festë; është nderim për flamurin, pavarësinë dhe substancën kombëtare që formëson identitetin e shqiptarëve. Ajo nënvizon se, pavarësisht diskriminimit nga ana e Serbisë dhe mohimit të përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar për shqiptarët e Luginës, komuniteti mbetet i vendosur dhe i pathyeshëm.

    Sipas Sinanit, kërkesat e shqiptarëve të Luginës nuk janë politike, por të drejta universale: barazia, demokracia dhe liria. Ajo thekson se këto të drejta u takojnë të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë.

    “Edhe përballë diskriminimit të Serbisë dhe mohimit të përdorimit zyrtar të flamurit për shqiptarët e Luginës, ne mbetemi të palëkundur: me rezistencë, me dinjitet dhe me besim të plotë në barazi, demokraci dhe liri”, ka thënë Sinani, duke rikujtuar vendosmërinë e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

    Në fund të urimit, ajo ka dërguar një mesazh bashkimi për të gjithë shqiptarët në trojet etnike dhe diasporë:

    “Nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, deri te çdo zemër që mban kuq e zinë — Gëzuar Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë!”

  • OVL-UÇK homazhe në Prekaz: Këto festa janë të mangëta pa krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë

    OVL-UÇK homazhe në Prekaz: Këto festa janë të mangëta pa krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë

    Tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz kanë bërë homazhe Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kryetari i OVL-UÇK-së Hysni Gucati ka thënë se këto festa janë të mangët pa ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, por shprehu besimin që ata do të kthehen dhe festën tjetër të nëntorit do ta festojnë bashkë me ta në Kosovë.

    “Ju urojmë katër festat e nëntorit. Festa e vitit 1944 ngritja e flamurit në Krujë nga Skënderbeu, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë me 1912, datëlindja e komandanti legjendar më 1955 dhe dalja në skenë e UÇK-së/. Këto festa janë të mangëta sepse në i kemi krerët e UÇK-së në Hagë ku padrejtësisht po mbahen padrejtësisht në Hagë nga një gjykatë. Por ja që na ndodhi kjo dhe shpresojmë e besojmë që vitin e ardhshëm do t’i presim këto festa bashkërisht me ta”, ka deklaruar Gucati nga Prekazi.

  • Misioni i SHBA-së në NATO i uron Ditën e Pavarësisë Shqipërisë: Jemi krenarë që qëndrojmë krah jush

    Misioni i SHBA-së në NATO i uron Ditën e Pavarësisë Shqipërisë: Jemi krenarë që qëndrojmë krah jush

    Misioni i SHBA-së në NATO ka uruar Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë, duke thënë se janë krenarë që qëndrojnë krah saj si partnerë e miq në NATO.

    Misioni amerikan shkroi një pjesë të mesazhit edhe në gjuhën shqipe.

    “Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Ne festojmë pavarësinë, qëndrueshmërinë dhe kontributet e vazhdueshme të vendit tuaj ndaj Aleancës sonë. Jemi krenarë të qëndrojmë përkrah jush si partnerë të besueshëm dhe miq në NATO. Urime!”.

  • Në Vlorë mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit, e pranishme edhe Osmani

    Në Vlorë mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit, e pranishme edhe Osmani

    Në qytetin e Vlorës po mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit me rastin e 113 vjetorit të Pavarësisë.

    Në ceremoni po marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Qendra e festimeve mbetet qyteti i Vlorës, aty ku më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin kuqezi dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

    Ceremonitë shtetërore, homazhet, parakalimet festive dhe aktivitetet kulturore kanë mbledhur qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe figura të njohura të jetës publike.

  • FSK realizon homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz

    FSK realizon homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz

    Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festave të Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, përvjetorit të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjes së Komandantit legjendar Adem Jashari – gjeneralë dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes kanë zhvilluar homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

    Me këtë rast, ata nderuan sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    “Me këtë rast, u nderua sakrifica e familjes Jashari dhe e të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sakrifica e gjithë brezave që luftuan e u flijuan për atdhe”, thuhet në njoftimin e FSK-së.