ATV

Category: Lajme

  • I dyshuar për kanosje të dy personave, avokati i Elbert Krasniqit e mohon: Ka qenë me gruan e fëmijët, rasti është politik

    I dyshuar për kanosje të dy personave, avokati i Elbert Krasniqit e mohon: Ka qenë me gruan e fëmijët, rasti është politik

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po hetohet nën dyshimin për kanosje ndaj dy personave.

    Sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, rasti dyshohet se ka ndodhur në Pejë, më 23 nëntor.

    “Me urdhër të prokurorit është iniciuar rast për veprën penale “Kanosje”. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, konfirmoi Nikçi.

    Ai shtoi se sipas viktimave, Krasniqi dyshohet se ka vendosur dorën në armë gjatë incidentit.

    Avokati i Krasniqit, Artan Kastrati tha se klienti i tij e ka mohuar kanosjen.

    “Lidhur me rastin, organet e drejtësisë janë duke kryer punën e tyre dhe ne qëndrojmë pranë deklaratës të cilën kemi dhënë mbrëmë duke mohuar në tërësi kanosjen nga ana e klientit tim. Sapo të ketë zhvillime të reja, do të prononcohemi”, tha Kastrati.

    Ai shtoi se në momentin e ngjarjes, Krasniqi ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët.

    “E rëndësishme është se klienti im ka treguar gatishmëri dhe bashkëpunim që nga fillimi në zbardhjen së vërtetës. Në momentin e ngjarjes, ministri ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët, gjë që e bën rastin edhe më të ndjeshëm”, tha Kastrati.

    Sipas avokatit, denoncuesit e rastit janë të njohur për organet e drejtësisë dhe se dyshohet që rasti është politik ngase jemi në prag të zgjedhjeve.

    “Duhet theksuar gjithashtu se denoncuesit janë persona me precedent dhe të njohur për organet e drejtësisë gjë që perforcon dyshimin se rasti është tendencioz dhe politik sidomos për faktin kur dihet se jemi në prag të zgjedhjeve”, tha Kastrati./BetimipërDrejtësi/

    Thaçi i reagon Gjykatës që caktoi seancë për 28 nëntor: Mos lejoni të ndodhin gjëra që s’lejohen në shtetet tuaja
    Read more

  • Hashim Thaçi: Kemi historinë tonë, kjo seancë me 28 nëntor do të duhej të evitohet, është befasi jo e mirë

    Hashim Thaçi: Kemi historinë tonë, kjo seancë me 28 nëntor do të duhej të evitohet, është befasi jo e mirë

    Në konferencën përgatitore ish-presidenti Hashim Thaçi si rrallëherë ka kërkuar fjalën për çka ka thënë se caktimi i kësaj seance në ditën e 28 nëntorit është një befasi jo e mirë e cila do të duhej të evitohej.

    “E mirëpres mbajtjen e kësaj seance për këtë arsye jam në këtë arsye jam sot në këtë seancë sepse jam i përcaktuar për respektimin e shëtit ligjor por i nderuar zoti gjyqtar është me interes që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk lejohen të ndodhin në shtet të huaja përkatëse. Sic do popull dhe ne shqiptarët kemi historinë, traditat dhe vlerat kombëtare dhe shtetërore. Mendoj se caktimi i kësaj seance pikërisht sot me 28 nëntor do të duhej të evituar. Mbajtja e kësaj seance pikërisht sot me 28 nëntor për mua dhe çdo shqiptarë është befasi jo e mirë”, tha Thaçi.

  • Fluks i lartë nga Kosova drejt Shqipërisë për festat kombëtare

    Fluks i lartë nga Kosova drejt Shqipërisë për festat kombëtare

    Qindra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar festat kombëtare, duke krijuar një fluks të konsiderueshëm në Pikën Kufitare të Morinës. Përveç mjeteve private, shumë të tjerë kanë udhëtuar me grupe të organizuara, ndërsa Vlora mbetet destinacioni më i preferuar. Udhëtarët shprehen se do të vizitojnë edhe qytetet e tjera bregdetare dhe historike.

    Vetëm në 24 orët e fundit, nga Morina janë futur 64 autobusë, ndërsa në total kanë hyrë 17,789 shtetas dhe 4,651 automjete. Autoritetet kufitare pohojnë se fluksi ishte i pritshëm për shkak të festave dhe se procesi po menaxhohet pa vonesa.

    Për të përballuar rritjen e hyrjeve dhe daljeve, në pikën kufitare janë vënë në funksion 10 sportele në të dyja drejtimet, duke zbatuar plotësisht marrëveshjen e lëvizjes së lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

  • NATO uron me foton e një ushtari shqiptar: Bashkohuni me ne për të festuar Ditën Kombëtare të aleatit tonë, Shqipërisë

    NATO uron me foton e një ushtari shqiptar: Bashkohuni me ne për të festuar Ditën Kombëtare të aleatit tonë, Shqipërisë

    NATO ka bërë një postim në Facebook në faqen zyrtare të një ushtari të Shqipërisë në ditën e pavarësisë së kësaj të fundit.

    ‘’Prek 💙 për t’u bashkuar me ne për të festuar Aleatin tonë 🇦🇱 Shqipërinë në Ditën e tyre Kombëtare!’’, ka shkruar NATO.

  • Festa e 28 Nëntorit në Luginë, në objektin e komunës vendoset flamuri kuq e zi

    Festa e 28 Nëntorit në Luginë, në objektin e komunës vendoset flamuri kuq e zi

    Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vendosur flamurin shqiptar në objektin e komunës për festën e 28 Nëntorit.

    Në urimin e saj për Ditën e Pavarësisë, Sinani tha se shqiptarët në Luginën e Preshevës rezistojnë përkundër mohimit të përdorimit zyrtar të flamurit nga Serbia për shqiptarët atje.

    “Edhe përballë diskriminimit të Serbisë dhe mohimit të përdorimit zyrtar të flamurit për shqiptarët e Luginës, ne mbetemi të palëkundur: me rezistencë, me dinjitet dhe me besim të plotë në barazi, demokraci dhe liri”, shkroi Sinani.

    “Një flamur, një zemër! Për Preshevën, Luginën, për shqiptarinë, për Flamurin që na bashkon”, shtoi ajo.

  • Përmbytje të mëdha në Azinë Juglindore, të paktën 161 të vdekur

    Përmbytje të mëdha në Azinë Juglindore, të paktën 161 të vdekur

    Numri i të vdekurve nga përmbytjet në të gjithë Azinë Juglindore u rrit në të paktën 161, ndërsa autoritetet në rajon u përpjekën të shpëtonin njerëzit e bllokuar, të rivendosnin energjinë elektrike dhe telekomunikacionin dhe të koordinonin përpjekjet e shpëtimit.

    Pjesë të mëdha të Indonezisë, Malajzisë dhe Tajlandës janë goditur nga një javë me shira të rrëmbyeshëm dhe një stuhi të rrallë tropikale që është formuar në Ngushticën Malaje.

    46 persona të tjerë kanë vdekur si pasojë e ciklonit në Sri Lanka, thanë autoritetet.

    Në ishullin indonezian të Sumatrës, i cili është goditur rëndë, 52 persona janë konfirmuar të vdekur deri më tani këtë mëngjes, sipas Abdul Muhari, zëdhënës i agjencisë së fatkeqësive të Indonezisë.

    Në rajonin Padang Pariaman të Sumatrës, ku vdiqën gjithsej 22 persona, banorët u përballën me nivele uji prej të paktën një metër.

    “Po na mbarojnë furnizimet dhe ushqimet”, tha banori 40-vjeçar Muhammad Rais, i cili u detyrua të zhvendosej në katin e dytë të shtëpisë së tij për t’i shpëtuar nivelit të ujit që po rritej me shpejtësi.

    Sistemi i telekomunikacionit ishte jashtë funksionit në disa pjesë të ishullit dhe autoritetet po punonin për të rivendosur furnizimin me energji elektrike dhe për të pastruar rrugët e bllokuara nga rrëshqitjet e dheut.

    Qeveria tajlandeze tha në një deklaratë se 87 persona kishin vdekur në përmbytjet në tetë provinca jugore.

    Ajo tha se më shumë se 3.5 milionë njerëz u prekën në total.

    Në Malajzi, ku u konfirmuan të vdekur dy persona, stuhia tropikale Senyar mbërriti në tokë rreth mesnatës dhe që atëherë është dobësuar.

    Autoritetet meteorologjike kanë parashikuar shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta dhe kanë paralajmëruar se deti i trazuar mund të paraqesë rrezik për anijet më të vogla.

  • Putin i prerë “vijat e reja të kuqe” për Ukrainën

    Putin i prerë “vijat e reja të kuqe” për Ukrainën

    Presidenti rus Vladimir Putin ka ripërsëritur kushtet e tij të pandryshueshme për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke deklaruar se operacionet ushtarake ruse do të ndalen vetëm nëse Kievi tërheq forcat e veta nga Donbasi dhe njeh kontrollin rus mbi territoret e pushtuara, përfshirë Krimenë dhe zonat lindore të Ukrainës. Komentet u bënë gjatë një vizite në Kirgistan, teksa Uashingtoni dhe Kievi po punojnë mbi një version të ri të një plani të mundshëm paqeje.

    Putin theksoi se kërkesat e Moskës mbeten të pandryshueshme: tërheqja e plotë e ushtrisë ukrainase nga rajonet Luhansk dhe Donetsk, të cilat ai i konsideron si pjesë të Donbasit. “Nëse ata nuk tërhiqen, ne do ta arrijmë këtë me forcën e armëve”, deklaroi ai, duke pretenduar se Rusia “ka iniciativën” në terren.

    Ai përsëriti gjithashtu se një marrëveshje paqeje është e pamundur pa njohjen ligjore të kontrollit rus mbi territoret e aneksuara apo të pushtuara që nga viti 2014, përfshirë Krimenë. Ukraina i ka hedhur poshtë kategorikisht këto kërkesa, duke i cilësuar si “shpërblim për agresionin”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia “përçmon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës”.

    Presidenti rus konfirmoi se Rusia ka marrë një plan të ri paqeje nga SHBA, të cilin e përshkroi si “bazë të mundshme” për negociata, megjithëse theksoi se disa pika kërkojnë “formulim diplomatik më të qartë”. Plani, hartuar fillimisht në tetor nga zyrtarë amerikanë dhe rusë, është rishikuar së fundmi në Gjenevë gjatë bisedimeve midis SHBA-së dhe Ukrainës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve evropianë. Putin njoftoi se një delegacion amerikan i udhëhequr nga i dërguari special Steve Witkoff pritet të mbërrijë në Moskë në fillim të javës së ardhshme. Ai konfirmoi gjithashtu se delegacioni mund të shoqërohet nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Trump ka deklaruar se midis palëve “kanë mbetur pak pika mosmarrëveshjeje” dhe ka lënë të kuptohet se një takim i mundshëm me Zelensky-n varet nga përparimi drejt një marrëveshjeje paqeje.

    Sakaq, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se delegacionet e Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojnë bisedimet për të përkthyer marrëveshjet e arritura në Gjenevë në një format që garanton “paqe të qëndrueshme dhe siguri afatgjatë”. Sipas tij, takimet e fundit kanë krijuar bazë për hapa konkretë në procesin e negociatave. Shefi i zyrës presidenciale, Andriy Yermak, njoftoi se Sekretari i Ushtrisë Amerikane, Dan Driscoll, do të vizitojë Kievin brenda kësaj jave. Vizita shihet si një sinjal mbështetjeje për Ukrainën në një moment kur diskutimet e reja për paqen po marrin formë dhe kur Uashingtoni është duke luajtur rol kritik në draftimin e një plani të ri.

    Nga ana ruse, presidenti Vladimir Putin intensifikoi retorikën politike duke deklaruar se udhëheqja aktuale e Ukrainës është “e paligjshme”, duke iu referuar pezullimit të zgjedhjeve që nga viti 2022 për shkak të gjendjes ushtarake. Ai tha se “nuk ka kuptim” të nënshkruhet ndonjë dokument me autoritetet aktuale në Kiev. Ukraina është nën ligjin e luftës që prej nisjes së pushtimit rus, dhe parlamenti i vendit ka konfirmuar unanimisht legjitimitetin e Zelenskyt, pavarësisht përfundimit formal të mandatit të tij në pranverë.

    Përplasjet me BE-në: Reagimet e von der Leyen
    Putin hodhi poshtë paralajmërimet e udhëheqësve evropianë se Rusia mund të përbëjë rrezik për shtetet e tjera të kontinentit në të ardhmen, duke i quajtur pretendime të tilla “qesharake”. Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, akuzoi Moskën se po e trajton Evropën si një “zonë ndikimi” që mund të “shpërbëhet” sipas interesave të saj. Ajo paralajmëroi se sjellja ruse mbetet një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe stabilitetin evropian.

  • ZPS: Paraqitja e provave në rastin kundër administrimit të drejtësisë s’do të zgjasë më shumë se 2 javë

    ZPS: Paraqitja e provave në rastin kundër administrimit të drejtësisë s’do të zgjasë më shumë se 2 javë

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka parashtruar se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, paraqitja e provave të tyre kryesore nuk mendon se do të zgjasë më shumë se dy javë.

    Gjatë prezantimit të parashtrimeve, gjyqtari i vetëm Chrisoph Gosnell tha se Prokuroria ka propozuar që të gjithë dëshmitarët e saj të dëgjohen në mënyrë të njëpasnjëshme në fillim të shkurtit 2026. Veç kësaj, në sallë u tha se Prokuroria do të mbështetet në tre dëshmitarë.

    “Prokuroria ka paraqitur çështjen e tyre pra, provat kryesore, mendojnë se nuk do të zgjasin më shumë se dy javë për të paraqitur gjithë provat e tyre dhe propozon që të gjithë dëshmitarët të dëgjohen në mënyrë të njëpasnjëshme në fillim të shkurtit”, tha gjyqtari.

    Gjyqtari tha se sa i takon dëshmitarit 7 kanë paraqitur sipas rregullores dokumentet që janë nxjerrë më herët dhe dëshminë e tij kryesore.

    Prokurori Joshua Hafetz u pyet se a ka mundësi që dëshmia kryesore e dëshmitarit mund të ndikohet meteje nga rezultatet e hetimeve që janë vazhdim e sipër.

    Prokurori tha se mund të ketë ndikim në atë duke shuar se është e vështirë të thuhet derisa t’i marrin rezultatet e hetimeve. Po ashtu, edhe ekipet e mbrojtjes njoftuan se do të kenë pyetje për këtë dëshmitar.

    Ndërkohë që palët po diskutonin për mocionet dhe afatet për dorëzimin e provave gojore, Thaçi kërkoi që të flas. Ndërsa, avokatja e tij, Sophie Menegon tha se komenti i klientit të saj nuk lidhet shumë me mocionet e paraqitjes së provave.

    Ndërsa, gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell tha se atij do i jepet mundësia që të bëjë ndërhyrje por njëherë do të vazhdohet me agjendën.

    Në sallën e gjyqit të pranishëm fizikisht janë vetëm Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ndërsa Thaçi, Smakaj, dhe Kuçi janë të pranishëm përmes video-lidhjes. Përmes videolidhjes janë të pranishëm edhe disa nga avokatet.

    Ish-presidenti Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

    Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU. Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu./BetimipërDrejtësi

  • Çitaku: Nga Prekazi fillon gjithçka, qoftë ky nëntori i fundit pa ish-krerët e UÇK-së

    Çitaku: Nga Prekazi fillon gjithçka, qoftë ky nëntori i fundit pa ish-krerët e UÇK-së

    Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, foli për rëndësinë historike të këtij vendi për kombin shqiptar.

    “Ngado që të nisemi si komb, nga këtu fillojmë. Nga Prekazi legjendar, Prekazi i sakrificës, i heroizmit, një kujtim dhe mësim i përhershëm se atdheu dhe liria duhet të duhen pa kushte. Atdheut dhe liria janë parakusht për krijimin e çdo vlerë tjetër”, tha Çitaku para mediave.

    Ajo gjithashtu u shpreh për mungesën e ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar që të jetë nëntori i fundit pa prezencën e tyre.

    “Sot na mungojnë shumë liderët tanë të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Qoftë ky nëntori i fundit që e shënojmë pa të”, deklaroi Çitaku.

  • MPB: Disa shërbime digjitale mund të mos jenë të qasshme në fundjavë për shkak të disa punimeve në infrastrukturën shtetërore

    MPB: Disa shërbime digjitale mund të mos jenë të qasshme në fundjavë për shkak të disa punimeve në infrastrukturën shtetërore

    Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit gjatë ditëve të fundjavës do të realizojë punime në infrastrukturën shtetërore që menaxhohet dhe administrohet prej saj.

    Për rrjedhojë, MPB tha se shkaku i këtyre punimeve mund të ketë periudha kohore kur disa nga shërbimet digjitale që ofrohen prej ASHI mund të jenë jo të qasshme për qytetarë.

    “Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për avancim të infrastrukturës shtetërore të TIK dhe më qëllim të përmirësimit të performances dhe sigurisë së shërbimeve, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit gjatë ditëve të fundjavës do të realizojë punime në infrastrukturën shtetërore që menaxhohet dhe administrohet prej saj. Për shkak të këtyre punimeve mund të ketë periudha kohore kur disa nga shërbimet digjitale që ofrohen prej ASHI mund të jenë jo të qasshme për qytetarë. Ju lutemi për mirëkuptim!”, tha Ministria.