ATV

Category: Lajme

  • Policia e Kosovës parandalon rastin e kontrabandës me kafe, ndalon 3600 kg mall

    Policia e Kosovës parandalon rastin e kontrabandës me kafe, ndalon 3600 kg mall

    Policia e Kosovës ka njoftuar së fundmi se Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë – Veri ka parandaluar një rast kontrabande me mallra.

    Sot, rreth orës 10:40, në fshatin Joshanicë, komuna e Leposaviqit, afër vijës kufitare me Serbinë, është ndaluar një furgon me targa të Serbisë.

    Në automjet janë gjetur 62 thasë të mbushura me kafe, duke arritur një sasi totale prej rreth 3600 kilogramësh. Dyshohet se kjo kafe është kontrabanduar nga territori i Serbisë për në Kosovë.

    Për këtë rast, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar një person i dyshuar, i cili pas marrjes në pyetje është liruar. Ndërkohë, automjeti dhe ngarkesa janë dërguar në terminalin doganor për trajtim të mëtutjeshëm nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

  • BQK zhvillon vizitë zyrtare në Estoni, synohet thellimi i bashkëpunimit financiar

    BQK zhvillon vizitë zyrtare në Estoni, synohet thellimi i bashkëpunimit financiar

    Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i udhëhequr nga guvernatori Ahmet Ismaili, ka realizuar një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Estonisë (Eesti Pank) dhe në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë (Finantsinspektsioon), me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në fushat kyçe të mandateve të tyre.

    Delegacioni u mirëprit në Eesti Pank nga guvernatori Madis Müller dhe zëvendësguvernatori Ülo Kaasik. Takimi i nivelit të lartë mes Ismailit dhe Müller-it shënoi hapjen e vizitës. Gjatë prezantimit të tij, guvernatori Müller paraqiti rolin dhe prioritetet strategjike të bankës qendrore të Estonisë.

    “Ne kemi ndërtuar një kornizë operacionale që mbështet stabilitetin dhe zhvillimin financiar, duke u fokusuar në transparencë dhe inovacion,” tha Müller gjatë takimit.

    Ndërsa guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe në rajon, duke nënvizuar progresin e sektorit financiar dhe afrimin me praktikat evropiane.

    “Republika e Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të kornizës sonë rregullatore dhe mbikëqyrëse. Përafrimi me standardet e BE-së mbetet prioritet yni strategjik,” theksoi ai.

    Pas takimit të nivelit të lartë, ekipet teknike të të dy institucioneve zhvilluan sesione të detajuara mbi analizat makroekonomike, mbikëqyrjen makroprudenciale, monitorimin e rrezikut, raportimin e të dhënave dhe qasjen në të dhëna të cilësisë së lartë. Diskutimet u fokusuan gjithashtu edhe në praktikat e komunikimit institucional në kontekstin e mandatit të bankave qendrore.

    Në kuadër të vizitës, delegacioni i BQK-së u takua edhe me Andres Kurgpõld, anëtar i Bordit Menaxhues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Estonisë. Ky takim shërbeu për të shkëmbyer pikëpamje mbi tregun financiar dhe sfidat mbikëqyrëse.

    “Eesti Finantsinspektsioon vazhdon të investojë në mbikëqyrjen moderne dhe të qëndrueshme, veçanërisht në fushat e sigurisë kibernetike dhe sjelljes së tregut,” tha Kurgpõld.

    Guvernatori Ismaili informoi për gjendjen e sektorit financiar në Kosovë, duke theksuar stabilitetin dhe avancimin e rregulloreve.

    “Sektori ynë financiar është në trend pozitiv zhvillimi dhe ne jemi duke punuar për forcimin e mëtejshëm të sistemeve mbrojtëse dhe praktikat e mbikëqyrjes,” u shpreh ai.

    Në nivel teknik, ekspertët e BQK-së dhe ata të Finantsinspektsioon diskutuan mbi sektorin financiar, qasjet e mbrojtjes së konsumatorit, sjelljen në treg dhe strukturën e mbikëqyrjes mikroprudenciale, duke përfshirë mbikëqyrjen dhe proceset e përmbylljes bankare.

    BQK shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe organizimin e takimeve.

    “Falënderojmë Bankën Qendrore të Estonisë dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për bashkëpunimin e vyer. BQK mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit tonë dhe avancimin drejt standardeve evropiane,” thuhet në njoftimin e BQK-së.

    Institucioni thekson se bashkëpunimi dypalësh do të vazhdojë me synimin për të promovuar stabilitet financiar dhe rritjen e cilësisë së mbikëqyrjes në përputhje me standardet ndërkombëtare.

  • Kosova në qendër të diskutimeve në BE, zv.ministri Raka kërkon përshpejtimin e integrimit të transportit

    Kosova në qendër të diskutimeve në BE, zv.ministri Raka kërkon përshpejtimin e integrimit të transportit

    Në Bruksel është mbajtur sot takimi i 9-të i Këshillit Ministror të Transportit, ku u mblodhën ministra dhe përfaqësues të lartë nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor. Qëllimi i takimit ishte avancimi i integrimit të transportit si një ndër shtyllat kryesore për zhvillim ekonomik, rritje të lëvizshmërisë dhe afrimin e vendeve të rajonit me BE-në.

    Kosovën në këtë takim e përfaqësoi zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, i cili mori pjesë në diskutimet për përshpejtimin e përafrimit me standardet evropiane të transportit, zgjerimin e Rrjetit Transevropian të Transportit (TEN-T) në rajon, si dhe forcimin e Korridoreve të Gjelbra – mekanizëm kyç për lehtësimin e qarkullimit të mallrave.

    Gjatë takimit u theksua angazhimi i përbashkët për krijimin e një rrjeti modern, të integruar dhe të qëndrueshëm të transportit, që do të ndihmojë proceset e integrimit evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Pjesëmarrësit falënderuan Komisionerin Apostolos Tzitzikostas, Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek, përfaqësuesen e presidencës shqiptare si dhe të gjitha delegacionet për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre.

  • Macron del në mbrojtje të partneritetit SHBA–BE mes raportimeve për tensione me Trumpin

    Macron del në mbrojtje të partneritetit SHBA–BE mes raportimeve për tensione me Trumpin

    Presidenti francez mbron marrëdhëniet SHBA-BE pas raportimeve për pretendime tradhtie nga presidenti amerikan, Donald Trump.

    Emmanuel Macron insiston se nuk ka “mosbesim” në marrëdhëniet e Evropës me SHBA-të, dhe se uniteti është “thelbësor” për mbështetjen e Ukrainës.

    Ky reagim vjen pasi mediat gjermane raportuan se lideri francez dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz shprehën skepticizëm mbi përpjekjet e SHBA-ve për të negociuar paqen në Ukrainë gjatë një bisede telefonike, raporton skynews.

    Gjatë fjalimit në Universitetin Sichuan në Kinë, Macron tha se “ne duhet të punojmë së bashku… Ne mirëpresim dhe mbështesim përpjekjet për paqe që po bëhen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja ka nevojë që evropianët të udhëheqin këto përpjekje për paqe”.

    Udhëheqësi francez po përpiqet të përfshijë Pekinin në presion ndaj Rusisë për t’u pajtuar me një armëpushim, ndërkohë që po vazhdojnë negociatat e SHBA-ve me delegacionet e Moskës dhe Kievit.

    Macron tha dje se dialogu mes Kinës dhe Francës është “edhe më i rëndësishëm se kurrë” dhe shpresonte që Pekini “do t’i bashkohet thirrjes tonë” për paqe.

  • Imri Ahmeti betohet për mandatin e katërt si kryetar i Lipjanit: Faleminderit nga zemra

    Imri Ahmeti betohet për mandatin e katërt si kryetar i Lipjanit: Faleminderit nga zemra

    Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, është betuar sot për mandatin e tij të katërt, pas fitores në zgjedhjet lokale. Në një deklaratë publike, Ahmeti ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj qytetarëve për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm.

    “Sot po fillojmë mandatin e ri me besimin tuaj. Me përulësi dhe mirënjohje të thellë, ju falënderoj të gjithëve,” ka thënë ai, duke e quajtur rizgjedhjen “nder të madh” dhe “përgjegjësi të rëndësishme”.

    Ahmeti u shpreh se mbështetja e qytetarëve e bën edhe më të vendosur për të punuar me ndershmëri dhe transparencë në shërbim të secilës familje, lagjeje dhe fshati të komunës. “Ky rezultat më bën krenar dhe i përkushtuar që ta çojmë Lipjanin edhe më lart,” theksoi ai.

    Në përfundim të fjalës së tij, kryetari i rizgjedhur u adresua drejtpërdrejt qytetarëve: “Faleminderit nga zemra, Lipjan!”

     

  • ​Ndëshkohen dy shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik në Ferizaj

    ​Ndëshkohen dy shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik në Ferizaj

    Policia e Stacionit Ferizaj dhe Njësia e Komunikacionit Rrugor kanë ndërmarrë veprime ndaj dy shoferëve për kundërvajtje të rënda në trafik.

    Rreth orës 02:22, në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, policia ndaloi shoferin E.H. (23), i cili po qarkullonte me veturën VW Golf me targa vendore, në kohën kur kishte të shqiptuar masën mbrojtëse, heqjen e patentë shoferit nga data 14 tetor 2025 deri më 13 janar 2026.

    Për këtë kundërvajtje të rëndë, ndaj tij u shqiptua gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për 6 muaj, ndërsa automjeti iu konfiskua.

    Gjatë verifikimit u konstatua se shoferi kishte arritur numrin maksimal prej 13 pikësh negative nga kundërvajtjet e mëhershme, ndaj iu shqiptua edhe një masë shtesë, heqje e patentë shoferit për 12 muaj të tjerë.

    Në një rast tjetër, policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor ditë më parë ndaluan shoferin Xh.H. (42) në Gjyrkovc të Shtimes, i cili po qarkullonte me veturën Audi Q5 me targa vendore, gjithashtu nën masën mbrojtëse të heqjes së patentë shoferit nga data 15 tetor 2025 deri më 14 janar 2026.

    Për kundërvajtjen e rëndë, ndaj tij u shqiptua gjobë prej 500 euro, masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për 6 muaj, ndërsa automjeti iu konfiskua. Shoferi posedonte patentë shofer të huaj.

    Policia e Ferizajt paralajmëron se do të vazhdojë kontrollet në të gjitha rrugët e rajonit me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore.

  • Durmishi: Në vitin 2000 patëm 400 mijë udhëtar ndërsa në vitin 2025 presim mbi 4.5 milionë udhëtarë

    Durmishi: Në vitin 2000 patëm 400 mijë udhëtar ndërsa në vitin 2025 presim mbi 4.5 milionë udhëtarë

    Në Ditën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil. U.D i ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi e cilësoi të sigurt Aviacionin civil.

    Durmishi në fjalën e tij përmendi se në vitin 2000 kanë qenë 400 mijë udhëtarë ndërsa në këtë vit 4.5 milionë udhëtarë.

    “Jam i lumtur që sot jam në mesin e komunitetit të aviacionit civil të Republikës se Kosovës dhe ju uroj. Shënimi i kësaj dite është i qëlluar sepse shteti ynë mund të mburret me arritjet e sektorit të aviacionit civil. Duke pasur parasysh se pas luftës na është dashur të fillojmë nga zero. Të dhënat historike të trafikut ajror në këtë çerek shekull janë mbresëlënëse në vitin 2000 patëm 400 mijë udhëtar ndërsa në vitin 2025 presim mbi 4.5 milionë udhëtarë. Mburremi me konsilidimin e autoriteteve profesionale të cilat kanë ngritur kapacitete teknike për mbikëqyrjen e sigurisë dhe sigurimit të aviacionit civil. Ju inkurajoj të jeni vigjilent në detyrat e juaja implementuese që niveli i sigurisë të mbetet me standarde ndërkombëtare.  Inspektorët e aviacionit civil janë aset i çmuar i shtetit duke garantuar transport të sigurt për publikun që udhëton për dhe nga Kosova por duhet të mburremi me infrastrukturën që e kemi bërë në dispozicionin për aterimet ajrore”, tha Durmishi.

  • Superheronjtë zbresin në Klinikën e Pediatrisë

    Superheronjtë zbresin në Klinikën e Pediatrisë

    Superheronjët e filmave të animuar kanë gëzuar fëmijët në Klinikën e Pediatrisë. Alpinistët të veshur me rrobat e më të dashurve për fëmijët janë lëshuar nga ndërtesa e Pediatrisë për të vazhduar me shpërndarjen e dhuratave.

    Ky është viti i gjashtë që Klubi “Alpin Prishtina”, organizon këtë aktivitet, duke u bërë kështu tradicional.

    Pjesëtari i klubit “Alpin Prishtina”, Kristian Gashi tha se qëllimi kryesor është për t’i gëzuar fëmijët sa ma shumë.

    “Është viti i gjashtë që e organizojmë ‘Super Heronjtë në Pediatri’. Këtë vit e kemi bërë hala më madhështore falë edhe përkrahësve, t’u e përfshi ministrin, drejtoreshën, Bankën Ekonomike. Këtë vit kemi edhe befasi prej shkollës së “Mitrush Kutelit” në Matiqan. Është viti i gjashtë dhe është bërë aktivitet tradicional. Qëllimi kryesor është me i gëzuar fëmijët sa më shumë. Përpos kësaj kemi mbledh edhe fonde këtë vit kogja shumë; jemi mundu përmes Valës, përmes rrjetit të tyre të dërgimit të sms. Kemi shumë përkrahës, shumë sponsor, gjithashtu edhe i kem krejt vullnetarët. Më së shumti kisha dashtë me falënderuar stafin mjekësor”, tha Gashti.
    Këtij aktiviteti i ka bashkuar edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitija tha se janë këtu për t’u uruar fëmijëve shëndet dhe një fundvit të mbarë.

    “Faleminderit të gjithë partnerëve që tash e kanë bërë si një aktivitet të përvjetshëm, një moment gëzimi për fëmijët në Klinikën e Pediatrisë. Natyrisht edhe ne jemi sot këtu për ta ndarë gëzimin që fëmijët e përjetojnë me superheronjtë, dhe për t’u dëshiruar shëndet dhe një fundvit të mbarë”, tha Vitija.

    Nermine Mahmuti nga Comunity Development Fund tha se heronjtë më të mëdhenj janë fëmijët që përballen me probleme dhe luftojnë.

    “Për mua heronjtë më të mëdhenj janë këta fëmijët që përballen me probleme dhe luftojnë, gjithashtu e falënderoj stafin mjekësor që iu rrinë gati edhe janë fantastik, ne si fond për zhvillim komunitar e përkrahim këtë aktivitet kemi me e bë edhe me vite të tjera edhe më tutje në kuadër të projektit të të drejtave të njeriut apo përkrahjes për të evituar probleme me shëndetin mendor.”, tha ai.

    Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e Bankës Ekonomike, Hamide Pacolli-Gashi i urojë fëmijëve shërim sa më të shpejtë.

    “Për Bankën Ekonomike është donacioni më fisnik që kemi mundur të bëjmë, sepse sot do të mundohemi t’u sjellim një buzëqeshje fëmijëve të cilët janë në shërim këtu në Spitalin e Pediatrisë, duke ju uruar atyre shërim dhe të kthehen sa më shpejt pranë familjeve të tyre”, tha Pacolli.

    Mjekja e Klinikës së Pediatrisë, Arbana Baloku-Zenjullahu shtoi se fëmijët në spital nuk vijnë vetëm për t’u shëruar, por për të përjetuar gjëra të mira dhe për të marrë kurajo.

    “Këta që gjashtë vite me radhë vijnë i gëzojnë fëmijët, për të treguar fëmijëve që fëmijët në spital nuk vijnë vetëm të shpohen, të marrin injeksione, por këtu ndodhin edhe gjëra të mira edhe ju japin kurajo fëmijëve. I falënderoj të gjithë vullnetarët, të gjithë ata kontribues që ju kanë bashkëngjit këtij misioni, që çdo vit e më shumë po pasurohet, por më së shumti i falënderojmë fëmijët e vegjël të cilët çdo ditë na tregojnë edhe na vërtetojnë se si luftohet me guxim”, tha Baloku Zenjullahu.

    Përveç në Pediatri, supërheronjët janë pritur edhe nga fëmijët tjerë që kishin ardhur para objektit të Pediatrisë, për të cilët janë shpërndarë dhurata.

  • Gjenerali i lartë amerikan i NATO-s: Evropa do të mbijetojë edhe me më pak ushtarë amerikanë

    Gjenerali i lartë amerikan i NATO-s: Evropa do të mbijetojë edhe me më pak ushtarë amerikanë

    Komandanti i lartë i NATO-s nga SHBA-ja, Alexus Grynkewich, ka deklaruar se Evropa “nuk ka nevojë për kaq shumë trupa amerikane” dhe se kontinentit do t’i shkojë “për mrekulli” edhe nëse SHBA-ja redukton praninë e saj ushtarake.

    Këto komente vijnë në një moment kur shqetësimet për strategjinë e re të mbrojtjes së presidentit amerikan, Donald Trump, janë në rritje. Strategjia e tij parashikon të tërheqë forcat amerikane nga Evropa dhe t’i zhvendosë ato në Indo-Paqësor. Hapat e parë janë tashmë realizuar: një muaj më parë, SHBA-ja tërhoqi 800 trupa nga Rumania, raporton Politico.

    Dyshimet mbi besueshmërinë e Uashingtonit po shtohen, pasi Trump ka shprehur dyshime për Nenin 5 të NATO-s, ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si aleanca duhet të reagojë ndaj një sulmi rus ndaj Polonisë dhe vazhdon të ushtrojë presion ndaj aleatëve për shpenzimet e mbrojtjes.

    Një sinjal tjetër shqetësues vjen nga mungesa e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, një rast pothuajse i paprecedentë.

    Ndërkohë, inteligjenca evropiane paralajmëron se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s para përfundimit të këtij dekade, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin një herë tjetër ka deklaruar se është “i gatshëm” për luftë me Evropën.

  • Francë: 5 dronë fluturojnë mbi bazën e nëndetëseve me raketa bërthamore, kundërpërgjigjet mbrojtja

    Francë: 5 dronë fluturojnë mbi bazën e nëndetëseve me raketa bërthamore, kundërpërgjigjet mbrojtja

    Disa dronë fluturuan mbi bazën franceze të nëndetëseve Île Longue në Finistère të enjten në mbrëmje, më 4 dhjetor, raportoi xhandarmëria. Baza strehon nëndetëset franceze me raketa balistike me energji bërthamore (SSBN) të mbrojtjes bërthamore të Francës.

    Pesë dronë u zbuluan teknikisht rreth orës 19:30 mbi bazën, e cila kufizohet me portin e Brestit. Një operacion kërkimi dhe kundër-dron u zhvillua, ndërsa Batalioni i këmbësorisë detare, përgjegjës për mbrojtjen e bazës, qëlloi disa raketa anti-dron, sipas të njëjtit burim.

    Të kontaktuar nga Agence France-Presse (AFP), Prefektura Detare e Atlantikut dhe zyra e prokurorit publik nuk u përgjigjën menjëherë.

    Fluturimet me dronë në këtë zonë të kufizuar nuk janë të rralla. Gjatë natës së 17-18 nëntorit, një dron u raportua mbi gadishullin Crozon, që përfshin Île Longue, por nuk ishte një fluturim ushtarak.

    Baza Île Longue, një strehë e mbrojtjes bërthamore të Francës, mbrohet nga 120 xhandarë detarë që punojnë në koordinim me këmbësorinë detare. Ajo mirëmban katër SSBN franceze, të paktën njëra prej të cilave është gjithmonë në det për të garantuar mbrojtjen bërthamore.

    Raportet për fluturime dronësh mbi sipërfaqe janë rritur muajt e fundit në aeroporte dhe zona të tjera të ndjeshme, duke përfshirë edhe baza ushtarake në Evropën Veriore, ndërsa udhëheqësit e vendeve të përfshira shohin dorën e Moskës pas këtyre veprimeve.