ATV

Category: Lajme

  • Bashkimi Evropian mirëpret formimin e kuvendeve në 20 komuna të Kosovës

    Bashkimi Evropian mirëpret formimin e kuvendeve në 20 komuna të Kosovës

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përshëndetur sot marrjen e detyrës nga kryetarët dhe asamblistët komunalë në 20 komuna të vendit, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse.

    Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Facebook, BE vlerësoi procesin e dorëzimit të përgjegjësive komunale si të qetë dhe të rregullt, duke përfshirë edhe katër komunat veriore të Kosovës.

    “Ky është një hap i rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

    Bashkimi Evropian ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve lokale dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset zgjedhore si bazë për stabilitet dhe zhvillim në vend.

  • KRM “Pastrimi” largon mbeturinat inerte në lagjen Emshir

    KRM “Pastrimi” largon mbeturinat inerte në lagjen Emshir

    Ekipet operacionale të KRM “Pastrimi” kanë ndërhyrë sot në lagjen Emshir, përgjatë Rrugës “Nebih Gashi”, duke larguar mbeturinat inerte dhe ato vëllimore të hedhura jashtë hapësirave të parapara për deponim.

    Punëtorët e kompanisë, me kamionët dhe ngarkuesit funksionalë, kanë kryer pastrimin e plotë të zonës, si pjesë e mirëmbajtjes së rregullt në lagjet që mbulohen me shërbim.

    Me këtë intervenim është rikthyer pastërtia dhe rendi në hapësirën publike, e cila ishte e ngarkuar me mbetje të hedhura në mënyrë të pakontrolluar.

    Kompania ka falënderuar ekipet në terren për punën e tyre të përditshme dhe njëkohësisht ka apeluar te qytetarët që të mos hedhin mbeturina inerte nëpër lagje.

    Sipas KRM “Pastrimi”, këto mbetje duhet të dorëzohen vetëm në pikat dhe përmes procedurave të parapara nga kompania.

    “Pastërtia e qytetit është përgjegjësi e përbashkët”, theksohet në njoftim.

  • Kjo është gjendja e 19-vjeçarit që u ther me thikë nga një 13-vjeçar në Prizren

    Kjo është gjendja e 19-vjeçarit që u ther me thikë nga një 13-vjeçar në Prizren

    19-vjeçari që u ther me thikë nga një 13-vjeçar sot në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prizren, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

    Këtë e konfirmoi për Klankosova, Hekuran Veçgishti, shef i emergjencës në Prizren.

    Sipas tij, rreth orës 09:40, i lënduari u dërgua në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren. Janë kryer ekzaminime radiologjike dhe analiza laboratorike.

    “Pacienti ka marrë terapinë e nevojshme dhe, pas konsultimit me kirurgun kujdestar, është pranuar në Repartin e Kirurgjisë për trajtim të mëtejshëm”, është përgjigjur ai

    Njëherësh për rastin në fjalë kanë folur edhe nga Policia e Prizrenit.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar për Klankosova.tv se ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme dhe se i dyshuar për rastin është një 13-vjeçar.

    “Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe nga të dhënat e mbledhura është mësuar se pas një zënke ndërmjet dy të rinjve, njëri prej tyre, mashkull 13-vjeçar, e ka goditur me një mjet të mprehtë viktimën, mashkull 19-vjeçar”, tha ai.

  • PDK në Ferizaj del me listën e kandidatëve për deputetë

    PDK në Ferizaj del me listën e kandidatëve për deputetë

    Partia Demokratike e Kosovës, ka publikuar listën zyrtare të kandidatëve për deputetë nga qyteti i Ferizajt, që do të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Sipas njoftimit të lëshuar në faqen zyrtare të PDK-Dega Ferizajt, janë gjashtë kandidatë për deputetë nga ky qytet.

    Bëhet fjalë për Elmi Reçicën, Lulzim Aliun, Bekim Sopaj, Burim Bajramaj, Arbnora Salihu dhe Rashit Qalaj.

  • Kurti e nis fushatën, premton 12 milionë euro investime në Stadiumin e Prizrenit

    Kurti e nis fushatën, premton 12 milionë euro investime në Stadiumin e Prizrenit

    Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar me anë të faqes zyrtare se do të investohet plotë 12 milionë euro në transformimin e tërësishëm të Stadiumit të Prizrenit, ndërsa në gjithë vendin do të investohen mbi 200 milionë euro në stadiume të futbollit.

    Në njoftimin e bërë në profilin e tij në Facebook, Kurti ka njoftuar se tribunave në lindje dhe perëndim të stadiumit “Përparim Thaçit” do t’i shtohen edhe ato në veri e jug.

    Sipas tij, ky stadium do të jetë një nga arenat sportive më moderne në vend, dhe do të ketë nga gati 7800 ulëse.

    Përveç tij, Kurti ka njoftuar se do të investohet edhe mbi 200 milionë euro tjera në stadiume të futbollit gjithandej dhe Kosova do ta ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon.

  • Festime me brohoritje dhe flamuj serbë në Mitrovicën Veriore pas betimit të kryetarit të ri

    Festime me brohoritje dhe flamuj serbë në Mitrovicën Veriore pas betimit të kryetarit të ri

    Në Mitrovicën e Veriut është shënuar atmosferë festive pas betimit të kryetarit të ri të komunës, Millan Radojeviq, i cili u zyrtarizua sot në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal.

    Pas ceremonisë, kryetari i ri u prit nga një numër qytetarësh dhe përfaqësues të Listës Serbe, të cilët organizuan një ecje simbolike drejt selisë së partisë.

    Gjatë tubimit, mbështetësit valëvitën flamuj serbë dhe brohoritën “Fitore” dhe “Serbia”, ndërsa Radojeviq u adresoi qytetarëve mesazhe të përmbajtura optimizmi.

    Ai u bëri thirrje banorëve për durim dhe besim, duke theksuar se “ndryshimet pozitive kërkojnë kohë”.

    Me këtë mandat, Radojeviq merr drejtimin e komunës pas Erden Atiq, i cili udhëhoqi Mitrovicën e Veriut gjatë mandatit të kaluar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Betimi i tij shënon nisjen e një kapitulli të ri politik në komunën me ndarje të theksuar etnike dhe dinamika të ndjeshme politike.

    Ceremonia dhe festimet që pasuan nxorën në pah mobilizimin e elektoratit serb në veri, ndërsa pritet që ditët në vijim kryetari i ri të paraqesë prioritetet dhe planet e tij për qeverisjen lokale.

    VIDEO

  • “Hap strategjik”: Kosova bëhet gati të ndezë motorët e mbrojtjes

    “Hap strategjik”: Kosova bëhet gati të ndezë motorët e mbrojtjes

    Fabrika e parë e municioneve do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, me prodhimin e parë të planifikuar për fundin e vitit 2026.

    Ekspertët amerikanë e shohin këtë si një hap të duhur për forcimin e sigurisë. Por, paralelisht, ngrihen edhe pyetje mbi kapacitetet reale të Kosovës, sfidat teknike dhe implikimet rajonale që mund t’i sjellë kjo nismë.

    Koloneli në pension i Ushtrisë amerikane, Ray Wojck ka thënë se një nga gjërat pozitive për Kosovën falë pranisë shumëvjeçare të misionit të NATO-s, KFOR është marrëdhënia e ngushtë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me aleatët.

    “Kosova e ka diskutuar këtë nismë veçanërisht me ShBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, dy nga aleatët e saj më të afërt të cilët janë shumë mbështetës për të”, ka thënë ai.

    Ndërsa, Argyro Kartsonaki nga Instituti për kërkime të paqes dhe politikat e sigurisë pajtohet se është logjike që një shtet i vogël të përpiqet të forcoj sigurinë e vet, por paralajmëron se këto veprime mund të përceptohen si kërcënim nga fqinjët.

    “Kjo nuk do t’i ndryshoj dinamikat e sigurisë në Ballkan. Ajo që mund të bëj është që t’i ushqejë narrativat, t’i jap dhe një element propagandës dhe diskurseve populiste të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha ajo. /REL/

  • Zëdhënësi i AAK-së zyrtarizohet si kandidat për deputet

    Zëdhënësi i AAK-së zyrtarizohet si kandidat për deputet

    Kushtrim Xhemaili, zëdhënësi i Aleancës do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Lajmin e ka dhënë kreu i partisë, Ramush Haradinaj.

    “Kushtrim Xhemaili, zëdhënësi i Aleancës, është ndër kuadrot tona më vitalë. Edukata e tij e lartë në punë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera njerëzore e kolegiale që i mirëmban si me media ashtu edhe me publikun, janë inspirim për shumëkënd. Nuk kishte si të mos ishte edhe kësaj radhe në listën e kandidatëve tanë. Duke besuar se do të vazhdojë të përcjellë pozitivitetin dhe funksionalitetin në veprim, i uroj suksese në këtë garë” shkruan Haradinaj në njoftim.

  • Rektori i UP-së: Fakulteti i Bujqësisë rrezikon mbylljen, KEDS ka uzurpuar pronën e UP-së

    Rektori i UP-së: Fakulteti i Bujqësisë rrezikon mbylljen, KEDS ka uzurpuar pronën e UP-së

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në një konferencë për media ka njoftuar për rrezikun e mbylljes së Fakultetit të Bujqësisë, duke fajësuar uzurpimin e pronës së Universitetit të Prishtinës nga kompania KEDS dhe mungesën e funksionalizimit të objektit të ri që nga viti 2013.

    “Fakulteti i Bujqësisë në kampusin e UP-së, në drejtim të daljes së Prishtinës. Atje kemi një kampus ku është ndërtuar një objekt i Fakultetit të Bujqësisë, i cili që nga viti 2013 nuk është funksionalizuar. Janë investuar miliona të taksapaguesve të Kosovës. Jemi në këtë gjendje dhe do të na mbyllet as më pak se sot sepse nuk kemi asnjë mundësi t’i akreditojmë programet e fakultetit nëse nuk e kemi objektin. Na nevojitet një objekt, dhe miliona të taksapaguesve të Kosovës janë derdhur mbi një dekadë”, tha ai.

    Hajrullahu tha se institucionet shtetërore kanë ofruar mbështetje, por se situata është rënduar me veprimet e KEDS-it në pronën e UP-së.

    “Dua t’i falënderoj institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kryeministria, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Arsimit; na kanë dhënë mbështetjen për funksionim. Për momentin studentët janë të shpërndarë në fakultete të ndryshme. Kemi ardhur në një moment kyç: kompania KEDS e ka uzurpuar pronën, ka vendosur disa tenda dhe pronën e UP-së është duke e trajtuar si pronë të tyre. Ne nuk mund të funksionojmë me largpërçues të tensionit të lartë mbi objekt”, theksoi ai.

    Ai tha se UP-ja ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme për situatën, por është injoruar nga kompania energjetike.

    “Kërkesë zyrtare më 7 korrik 2025, ku KEDS-it i kemi kërkuar në mënyrë urgjente që të na mundësojë largimin e telave dhe largpërçuesve. Na ka mbështetur për muri, në shtëpinë tonë. Para dy ditësh kemi dalë me sqarim publik, në të cilin ndër të tjera apelojmë institucionet e Kosovës, si dhe gjithë shoqërinë, që të mos e mbyllin këtë fakultet. Të gjitha strategjitë ndërkombëtare tregojnë për zhvillim ekonomik. Ne na kanë shtyrë për muri dhe fakulteti do të mbyllet; e shihni sa serioze është gjendja. KEDS-i na ka injoruar dhe jemi detyruar t’ua bllokojmë hyrjen në depon e tyre ilegale. E kam konsideruar të nevojshme ta njoftoj publikun për cenimin e pronave publike dhe t’iu bëj apel për reflektim dhe zgjidhje të problemit”, tha Hajrullahu.

    Rektori paralajmëroi masa nese situata nuk zgjidhet.

    “Ne nuk jemi të interesuar ta tensionojmë situatën dhe javën tjetër do t’i ndërmarrim të gjitha hapat për t’i larguar të gjitha depot nga UP-ja, dhe hapat do të shkojnë deri aty sa të shkojmë te dera e KEDS-it me profesorë dhe studentë, në zyrën qendrore, dhe t’ua bllokojmë hyrjen”, theksoi ai.

    Rektori theksoi se problemet me pronat e UP-së nuk kufizohen vetëm nga KEDS-i.

    “Nuk është vetëm KEDS-i, pronat e UP-së kanë qenë në shënjestër dhe të cenuara. Ftoj të gjithë uzurpatorët të largohen nga pronat e Prishtinës. Do t’i dalim zot pronës sonë. Kemi biznese private në kampusin e Fakultetit të Bujqësisë. Ftoj publikisht Lesna dhe Jonamed që të mos vijnë në një situatë të njëjtë si me KEDS-in”, shtoi Hajrullahu.

  • Shtyhet seanca për Erion Veliajn

    Shtyhet seanca për Erion Veliajn

    Këtë të premte, u mbajt seanca paraprake e radhës për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, e cila u shty për në datën 12 dhjetor.

    Në seancën e ardhshme pritet që GJKKO të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do ti kthehet SPAK-ut për hetime të mëtejshme ndërsa nga të pandehurit, mbeten pa bërë mbrojtjen Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe disa biznesmenë, të cilët do të dëgjohen në seancën e radhës.

    Në ndryshim nga seanca e kaluar, kryebashkiaku nuk është paraqitur personalisht, por përfaqësohej nga avokati i tij.

    Kujtojmë që në seancën e datës 2 dhjetor, kryebashkiaku i Tiranës u paraqit fizikisht në gjykatë ndërsa kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, kërkesë e cila u pranua.

    Veliaj tha se nuk ka pasur asnjë mundësi të kuptojë akuzën ndaj tij dhe të përgatitet për mbrojtjen, duke shtuar se e drejta për mbrojtje efektive është shkelur brutalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme.