ATV

Category: Lajme

  • E rëndë në Durrës: 76-vjeçari tenton të vrasë gruan duke e goditur me sende të forta në kokë, arrestohet

    E rëndë në Durrës: 76-vjeçari tenton të vrasë gruan duke e goditur me sende të forta në kokë, arrestohet

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen nr. 17 të qytetit të Durrësit, ku një 76-vjeçar ka tentuar të vriste bashkëshorten e tij duke e goditur me një send të fortë.

    Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit për rastin e dhunës në familje, shkuan menjëherë në vendngjarje, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës me pasoja fatale për jetën.

    Në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 76 vjeç, i dyshuar si autor i ngjarjes.

    Sipas veprimeve të para hetimore, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 76-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases F. D., 70 vjeçe, duke e goditur me një shkop druri në kokë. Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi përshkallëzimin e dhunës me pasoja të rënda për jetën.

    Si pasojë e goditjeve, 70-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda fizike dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës Tiranë për ndihmë mjekësore.

    Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Nëntogerja e FSK-së shpallet më e mira në trajnimin në Abu Dabi

    Nëntogerja e FSK-së shpallet më e mira në trajnimin në Abu Dabi

    Nëntogerja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Lirijona Bajraktari ka zënë vendin e parë në trajnimin ndërkombëtar ushtarak të mbajtur në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

    Ceremonia e trajnimit ushtarak organizuar nga Shkolla Ushtarake për Femra “Khawla Military School”, e që zgjati dy muaj u mbajt të premten.

    Lidhur me këtë arritje të Kosovës ka shkruar edhe ambasadori i vendit tonë në Abu Dabi, Xhabir Hamiti.

    “Fotoja e Nëntogerës sonë, Lirijona Bajraktari, teksa pranon çmimin e vendit të parë në kursin dymujor ushtarak në Abu Dhabi, është shpërndarë gjerësisht në mediat shtetërore dhe rrjetet sociale të Emirateve të Bashkuara Arabe. Krenarë me ty, Lirijona!”, shkroi ai.

    Kosova në këtë aktivitet ndërkombëtar u përfaqësua nga tre oficere të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa Shkolla Ushtarake “Khaëla Military School” vepron nën patronazhin e Sheikha Fatima bint Mubarak.

  • E mitura nga Malisheva denoncon dhunimin: I dyshuari i mitur incizoi aktin dhe e shpërndau në rrjete sociale

    E mitura nga Malisheva denoncon dhunimin: I dyshuari i mitur incizoi aktin dhe e shpërndau në rrjete sociale

    Një rast dhunimi ndaj një të miture dyshohet se ka ndodhur në Malishevë.

    Policia e Kosovës tha se viktima e mitur në prezencë të punëtorit për punë sociale, ka raportuar se para disa muajsh ka qenë në lidhje me një person dhe kanë pasur marrëdhënie seksuale.

    “DHUNIM – Malishevë 05.12.2025 – NN. Viktima femër kosovare- e mitur në prezencë të punëtorit për punë sociale, ka raportuar se para disa muajsh ka qenë në lidhje me një person dhe kanë pasur marrëdhënie seksuale. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, tha policia.

  • Zhduken tre të mitur, dy në Vushtrri dhe një në Prizren

    Zhduken tre të mitur, dy në Vushtrri dhe një në Prizren

    Tre persona të mitur janë raportuar të zhdukur në Policinë e Kosovës nga prindërit e tyre.

    Policia i raportoi rastet në 24-orëshin e fundit edhe pse rastet kanë data të ndryshme se kur të miturit dolën nga shtëpia.

    Dy raste janë në komunën e Vushtrrisë ku për një djalë të mitur dhe një vajzë të mitur s’dihet vendndodhja.

    Ndërkaq, një rast ndodhi në Prizren ku një djalë i mitur doli nga shtëpia që nga 21 nëntori dhe për të cilin s’dihet vendndodhja.

    PERSON I ZHDUKUR

    Rr. Dëshmorët e Kombit, Vushtrri 04.12.2025 – 20:00. Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se djali i saj i mitur, ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime.

    Fsh. Kollë, Vushtrri 05.12.2025 – 10:00. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe ende nuk dihet vendndodhja e saj. Rasti është duke u hetuar.

    PERSON I ZHDUKUR /Rr. Xhavit Bajraktari, Prizren 21.11.2025 – NN. Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se djali i saj i mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime.

  • Hoti: Kostoja e jetës është shtrenjtuar me rreth 60%, më 28 dhjetor mundësia për të ndaluar dështimet

    Hoti: Kostoja e jetës është shtrenjtuar me rreth 60%, më 28 dhjetor mundësia për të ndaluar dështimet

    Ish-deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë në detyrë Kurti, duke thënë se 5 vitet e fundit kanë qenë vite të ngecjes, të cilat nuk duhet të lejohen të vazhdojnë më.

    Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kostoja e jetës është shtrenjtuar me rreth 60%.

    “Pesë vitet e fundit kanë qenë vite të ngecjes e përplasjeve, të cilat nuk duhet të lejohen të vazhdojnë më tutje. Shumë projekte të nisura në qeveritë paraprake nuk janë përfunduar ende. Qindra miliona euro janë shpenzuar në tenderë njëburimorë. Kostoja e jetës është shtrenjtuar me rreth 60%. Në mungesë të sigurimeve shëndetësore, mijëra familjeve përballen me vështirësi të jashtëzakonshme për të mbuluar kostot shëndetësore nëpër spitale brenda dhe jashtë vendit. Prodhimi vendor ka ngecur, e importi i mallrave është dyfishuar. Mijëra të rinj e të reja profesionistë kanë emigruar. Qeveria ka zhvilluar një luftë shtypëse ndaj mediave, sindikatave dhe bizneseve. Llogaridhënia e qeverisë karshi publikut ka munguar. Mediumi publik vuan nga buxheti, pasi nuk i është bërë zgjidhja e premtuar për financim të pavarur. Premtimet e shumta, si rruga për Tetovë, hekurudha për Durrës, mbyllja e AKP-së, Banka Zhvillimore, Fondi Sovran dhe premtime të tjera, janë vërtetuar se kanë qenë mashtrime. Shumë vendime të qeverisë e kanë cenuar seriozisht partneritetin tonë me aleatët, në veçanti miqësinë e përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Hoti.

    Ai ka thënë se më 28 dhjetor është mundësia jonë për të ndalur dështimet.

    “Data 28 dhjetor është mundësia jonë për të ndalur dështimet, për të rikthyer besimin dhe për t’i dhënë vendit drejtim të qartë demokratik dhe zhvillimor, normalitet në qeverisje dhe perspektivë euroatlantike”, ka shkruar ai.

  • Një burrë vdes në QKUK, policia thotë se po e heton rastin

    Një burrë vdes në QKUK, policia thotë se po e heton rastin

    Një burrë ka vdekur dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, njoftoi sot policia pa dhënë shumë detaje, por tha se po e heton vdekjen.

    Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

    “Raportohet se në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar”.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, tha policia në raportin 24-orësh.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit: Rreth 64 mijë aplikime nga diaspora, sot dita e fundit për regjistrim

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit: Rreth 64 mijë aplikime nga diaspora, sot dita e fundit për regjistrim

    Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora, proces ky që prej javësh është shoqëruar me interesim të shtuar të qytetarëve jashtë vendit.

    Ky regjistrim është një hap i rëndësishëm për pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ku vota e tyre shpesh konsiderohet vendimtare.

    KQZ njoftoi dje se rreth 64 mijë votues nga diaspora kanë aplikuar deri tani për t’u regjistruar.

    “Deri tani kanë aplikuar për regjistrim 63,997 votues nga diaspora. Mos e humb mundësinë tënde që zëri yt të dëgjohet! Afati i fundit për regjistrim: 6 dhjetor 2025”, thuhet në njoftimin e KQZ-së në Facebook.

    KQZ ka apeluar që të gjithë të interesuarit të përfundojnë aplikimin brenda afatit, duke kujtuar se pas datës së sotme sistemi i regjistrimit do të mbyllet.

  • Gjykata Supreme e ShBA-së shqyrton urdhrin ekzekutiv të Trump mbi shtetësinë e lindjes

    Gjykata Supreme e ShBA-së shqyrton urdhrin ekzekutiv të Trump mbi shtetësinë e lindjes

    Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka vendosur të marrë në shqyrtim një çështje të rëndësishme kushtetuese: nëse fëmijët e lindur në territorin amerikan nga prindër që ndodhen ilegalisht ose me viza të përkohshme kanë të drejtën kushtetuese për shtetësi amerikane.

    Çështja lidhet me urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti Donald Trump, i cili synon t’i japë fund të drejtës së shtetësisë së lindjes për këto kategori fëmijësh. Urdhri u bllokua nga gjykatat federale, të cilat vlerësuan se bie ndesh me Amendamentin e 14-të të Kushtetutës.

    Gjykata e Lartë ende nuk ka caktuar një datë për seancat, ndërsa vendimi pritet pas disa muajsh.

    Prej afro 160 vitesh, Amendamenti i 14-të garanton se çdo person i lindur në SHBA është shtetas amerikan, me përjashtim të fëmijëve të diplomatëve dhe personelit të forcave të huaja.

    Administrata Trump argumenton se fraza “i nënshtrohen juridiksionit amerikan” përjashton fëmijët e imigrantëve të përkohshëm ose të paligjshëm. Ndërkohë, përfaqësuesit e paditësve thonë se asnjë president nuk mund të ndryshojë këtë garanci kushtetuese të shtetësisë së lindjes.

    Sipas Pew Research Center, në vitin 2016 rreth 250,000 foshnja lindën në SHBA nga prindër pa shtetësi amerikane. Ndërsa në vitin 2022, numri i shtetasve amerikanë të lindur nga prindër pa dokumente arriti në 1.2 milionë.

    Një studim i Migration Policy Institute paralajmëron se shfuqizimi i së drejtës së shtetësisë së lindjes mund të rrisë popullsinë e paautorizuar në SHBA me 2.7 milionë deri në vitin 2045 dhe 5.4 milionë deri në 2075.

  • OKB-ja thotë se mburoja mbrojtëse e centralit bërthamor të Çernobilit është dëmtuar

    OKB-ja thotë se mburoja mbrojtëse e centralit bërthamor të Çernobilit është dëmtuar

    Agjencia e Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore ka njoftuar se mburoja mbrojtëse e termocentralit bërthamor në Çernobil është jofunksionale për shkak të dëmeve të shkaktuara nga dronët. Ukraina e fajëson Rusinë për këtë situatë.

    Bëhet fjalë për mburojën e njohur si “Konvoji i Sigurisë” ose Arka, e ndërtuar pas katastrofës bërthamore në Çernobil më 1986, me qëllim të ndalimit të përhapjes së rrezatimit. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), një agjenci e OKB-së, njoftoi javën e kaluar se sulmi me dron në shkurt të këtij viti kishte dëmtuar strukturën e mburojës, raporton Reuters.

    Drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi, deklaroi se mburoja ka humbur funksionin kryesor të sigurisë, por nuk ka pasur dëmtime të përhershme të strukturës mbajtëse apo të sistemit të monitorimit. Ai shtoi se janë kryer disa riparime, por se është e nevojshme një ndërhyrje gjithëpërfshirëse për të parandaluar degradimin e mëtejshëm dhe për të siguruar sigurinë bërthamore afatgjatë.

    Më 14 shkurt të këtij viti, OKB-ja njoftoi autoritetet ukrainase se centrali ishte goditur nga një dron me kokë luftarake shumë-eksplozive, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtim të mburojës në zonën rreth reaktorit numër katër, i cili ishte shkatërruar në katastrofën e vitit 1986. Rusia ka mohuar pretendimin e Ukrainës se ishte përgjegjëse për këtë sulm me dron.

    Në shkurt, OKB-ja bëri të ditur se niveli i rrezatimit kishte mbetur normal dhe stabil, pa raportime për rritje të tij.

    Katastrofa e vitit 1986 shkaktoi përhapjen e rrezatimit në Evropë, duke detyruar autoritetet sovjetike të përballeshin me pasojat për një numër të madh njerëzish dhe pajisjesh. Reaktori i fundit funksional i centralit u mbyll 25 vjet më parë.

    Rusia pushtoi këtë objekt dhe zonën përreth një muaj pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

  • Foda komenton përballjet e mundshme nëse Kosova shkon në Kupën e Botës

    Foda komenton përballjet e mundshme nëse Kosova shkon në Kupën e Botës

    Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka reaguar pas hedhjes së shortit të fazës së grupeve për Kupën e Botës 2026, ku “Dardanët” mund të përballen me ShBA-të, Australinë dhe Paraguain nëse arrijnë të sigurojnë kualifikimin.

    Tekniku gjerman e cilësoi grupin e mundshëm si “shumë interesant”, por theksoi se fokusi i tij tani është te ndeshjet e play-off-it. Kosova do të luajë në mars kundër Sllovakisë dhe, në rast fitoreje, mund të përballet me Turqinë ose Rumaninë për të siguruar një vend në Botëror.

    “Për ne, gjëja më e rëndësishme tani është të kualifikohemi. Na mbeten dy ndeshje, njëra shumë e rëndësishme kundër Sllovakisë, dhe duhet ta fitojmë atë. Nëse arrijmë të fitojmë, do të luajmë kundër Turqisë ose Rumanisë, dhe këto janë tani ndeshjet më të rëndësishme për ne,” deklaroi Foda.

    Ai shtoi se, edhe pse grupi i mundshëm në Kupën e Botës është shumë interesant, prioriteti mbetet kualifikimi.

    “Kjo është një ngjarje fantastike dhe atmosfera ishte e mrekullueshme. Nëse kualifikohemi për Botëror, do të kemi një grup të balancuar dhe gjithçka do të jetë e mundur. Por siç e përmenda, gjëja më e rëndësishme tani është të kualifikohemi, dhe nëse e arrijmë, do të jemi shumë të gëzuar për këto ndeshje,” përfundoi selektori i Kosovës.