ATV

Category: Lajme

  • Negociatorët amerikanë dhe ukrainas thonë se ‘progresi i vërtetë’ drejt paqes varet nga Rusia

    Negociatorët amerikanë dhe ukrainas thonë se ‘progresi i vërtetë’ drejt paqes varet nga Rusia

    Negociatorët kryesorë nga Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina thanë të premten se kanë zhvilluar bisedime konstruktive për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por rruga drejt paqes varet nga Rusia.

    “Përparimi i vërtetë drejt çdo marrëveshjeje varet nga gatishmëria e Rusisë për të treguar angazhim serioz për paqe afatgjatë, duke përfshirë hapat drejt de-përshkallëzimit dhe ndërprerjes së vrasjeve,” thanë në një deklaratë të përbashkët i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, së bashku me negociatorët ukrainas.

    Gjatë takimit, të dy palët “ranë dakord për kuadrin e marrëveshjeve të sigurisë” dhe diskutuan çështje të parandalimit, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Bisedimet në Moskë të martën nuk çuan në ndonjë kompromis për një marrëveshje paqeje në luftën gati katërvjeçare. Takimi dyditor mes Witkoff dhe Kushner me sekretarin ukrainas të sigurisë kombëtare, Rustem Umerov, dhe gjeneralbrigadier Andriy Hnatov ishte raundi i gjashtë i bisedimeve brenda dy javësh. Ata do të takohen sërish në Florida të shtunën.

    Në deklaratë, të katër theksuan se prioriteti i Ukrainës është “sigurimi i një marrëveshjeje që mbron pavarësinë dhe sovranitetin e saj, garanton sigurinë e qytetarëve dhe krijon themele të qëndrueshme për një të ardhme demokratike dhe të begatë”.

    Ata diskutuan gjithashtu takimin që SHBA-ja pati më herët gjatë javës me presidentin rus Vladimir Putin, si dhe të ardhmen e Ukrainës pas luftës, e cila përfshin rindërtimin e vendit të shkatërruar dhe nisma ekonomike me SHBA-në.

    Arritja e një armëpushimi dhe ulja e tensioneve janë të nevojshme për të “parandaluar agresionin e përtërirë dhe për të bërë të mundur planin gjithëpërfshirës të rindërtimit të Ukrainës, i hartuar që ta bëjë vendin më të fortë dhe më të begatë se para luftës,” u tha në deklaratë.

    Të paktën dy pika të mëdha mosmarrëveshjeje vazhdojnë të mbeten mes Moskës dhe Kievit – fati i territoreve ukrainase të pushtuara nga forcat ruse dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.

    Witkoff kaloi pothuajse pesë orë me Putinin në Moskë të martën, në negociata që Kremlini tha se nuk prodhuan “asnjë kompromis” për përfundimin e luftës. Kushner, biznesmen dhe investitor në pasuri të paluajtshme, i cili ka shërbyer si këshilltar i Trump gjatë mandatit të parë presidencial, ishte gjithashtu i pranishëm.

    Trump tha se ato bisedime ishin “mjaft të mira”, por ende ishte shumë herët për të thënë çfarë do të ndodhte.

    Të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se “bota e ndien qartë se ekziston një mundësi e vërtetë për t’i dhënë fund luftës”, por negociatat duhet të “shoqërohen me presion ndaj Rusisë”.

  • Britania e Madhe akuzon Rusinë: Ka deportuar me forcë mijëra fëmijë, po kërkon të zhdukë identitetin ukrainas

    Britania e Madhe akuzon Rusinë: Ka deportuar me forcë mijëra fëmijë, po kërkon të zhdukë identitetin ukrainas

    Në një deklaratë të fortë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Mbretëria e Bashkuar ka akuzuar Rusinë për një “përpjekje sistematike” për të zhdukur identitetin ukrainas dhe deportuar me forcë mijëra fëmijë dhe për t’i nënshtruar përmes indoktrinimit dhe militarizimit.

    Sipas të dhënave të qeverisë ukrainase, të mbështetura edhe nga mekanizma të pavarur ndërkombëtarë, mbi 19.500 fëmijë ukrainas janë zhvendosur me dhunë drejt Rusisë ose në territoret e pushtuara.

    Më shumë se 1.6 milionë fëmijë të tjerë jetojnë nën pushtimin rus, ku detyrohen të ndjekin programe shkollore ruse dhe ekspozohen ndaj propagandës dhe trajnimeve ushtarake.

    “Rusia po i përdor fëmijët si pengje lufte dhe po përpiqet të shkatërrojë të ardhmen e Ukrainës,” u shpreh përfaqësuesi britanik.

    Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar denoncoi bombardimet e vazhdueshme ruse, duke theksuar se mbi 3 mijë fëmijë janë në mesin e 53.000 viktimave civile të verifikuara që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë.

    358 shkolla dhe kopshte janë shkatërruar plotësisht, përfshirë një sulm të fundit ajror ndaj një kopshti në Kharkiv.

    Londra i ka bërë thirrje Rusisë që të ndalojë menjëherë transferimet e dhunshme të fëmijëve, të tërheqë të gjitha trupat nga territori i Ukrainës, të lejojë kthimin e menjëhershëm dhe të sigurt të të gjithë fëmijëve ukrainas, me mbikëqyrje të OKB-së.

    “Çdo sekondë që Rusia vazhdon këtë luftë të pajustifikueshme, një fëmijë tjetër ukrainas humb fëmijërinë e tij,” përfundon deklaratë Britania e Madhe.

  • Moti sot: I vranët, me reshje të herëpashershme shiu

    Moti sot: I vranët, me reshje të herëpashershme shiu

    Sot pritet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell, ku pritet herë pas here të ketë reshje të pakta lokale shiu.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i verilindjes, me shpejtësi prej 15-38 km/h, njofton MeteoKosova, transmeton Sinjali.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 5 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 6 deri në 11°C.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit, sot afati i fundit për të ndërruar qendrën e votimit

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit, sot afati i fundit për të ndërruar qendrën e votimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se sot është afati i fundit për të ndërruar qendrën e votimit brenda komunës, me rastin e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit

    “Deri më tani, 16.100 votues kanë aplikuar për të ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit”, deklaron KQZ-ja.

    Qendrën tuaj të votimit mund ta ndërroni online ose në zyrën e komisionit komunal të zgjedhjeve, në komunën ku banoni.

    Ky është njoftimi i plotë i KQZ-së:

    Verifiko Qendrë tënde të Votimit!

    Kanë mbetur vetëm edhe 1 ditë për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës – afati mbyllet më 6 dhjetor 2025

    Deri më tani, 16.100 votues kanë aplikuar për të ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit.

    Online: https://qv.kqz-ks.org/sq/

    Në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën tënde

    Për më shumë informata:

    WhatsApp / Viber: +383 46 13 00 13

    Telefono pa pagesë: 0800 55 555

  • Apeli i Speciales me vendim rreth zhdëmtimeve në rastin Mustafa

    Apeli i Speciales me vendim rreth zhdëmtimeve në rastin Mustafa

    Paneli i Gjykatës së Apelit sot miratoi, me shumicë, një aspekt të apelit të Mustafës kundër vendimit të Gjykatësit të Vetëm të 16 korrikut 2025 në lidhje me pagesën e normës së interesit në lidhje me Urdhrin për Zhdëmtim.

    Paneli konstatoi, me mendimin pjesërisht të ndarë të Gjykatës Pikar, se, duke urdhëruar normën e interesit për t’u paguar për shumën e papaguar të zhdëmtimit që nga shpallja e aktgjykimit, Gjykatësi i Vetëm veproi jashtë fushëveprimit të kompetencave të veta dhe, rrjedhimisht prapësoi vendimin sa i përket zbatimit të normës së interesit dhe detyrimeve për raportim lidhur me të.

    Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’). Gjykimi u zhvillua nga 15 shtatori 2021 deri më 15 shtator 2022.

    Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, Mustafa u shpall fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe u dënua me 26 vjet burgim. Më 5 prill 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

    Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit zvogëloi dënimin e tij në 22 vjet burgim. Pas vendimit të Gjykatës Supreme më 29 korrik 2024, çështja iu kthye përsëri Panelit të Apelit për të shqyrtuar uljen e dënimit.

    Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit shqiptoi një dënim të ri të njësuar prej 15 vitesh, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim. Në këtë çështje gjyqësore ishin 8 viktima pjesëmarrëse.

  • Osmani takon ambasadorin francez – U diskutua për zgjedhjet në vend dhe heqjen e masave të BE-së

    Osmani takon ambasadorin francez – U diskutua për zgjedhjet në vend dhe heqjen e masave të BE-së

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.

    Osmani e Guérot diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme nacionale që do të mbahen më 28 dhjetor.

    “Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull. Në takim u diskutua edhe për marrjen e detyrës së kryetarëve të zgjedhur të komunave të Kosovës, përfshirë komunave në veri të vendit, proces ky që u realizua sot.” – thuhet në njoftim.

    Osmani ka theksuar urgjencën e heqjes së masave të BE-së të cilat padrejtësisht e pa asnjë arsye janë ende në fuqi dhe po dëmtojnë interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

  • Lushtaku emëron Fadil Nurën nënkryetar komune

    Lushtaku emëron Fadil Nurën nënkryetar komune

    Kryetari i sapozgjedhur i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, pasi ka marrë detyrën e kryetarit, ka marrë vendimin e parë të tij.

    Ai ditën e sotme ka emëruar Fadil Nurën si nënkryetar të Skenderajt.

    Lushtaku e ka quajtur Nurën si një mik dhe bashkëpunëtor prej vitesh.

    “Me bashkëpunimin tonë shumëvjeçar, me përvojën dhe profesionalizmin që e ka dëshmuar në çdo detyrë, jam i bindur se do të punojmë krah për krah, për t’i çuar përpara projektet që i kemi nisur gjatë mandatit të Fadilit si kryetar komune, për t’u ofruar qytetarëve punë të ndershme e rezultate konkrete!”, shkroi ai në një postim shpërndarë së fundmi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Me vendimin tim të parë si kryetar i komunës së Skenderajt, kam emëruar Fadil Nurën nënkryetar komune, një mik e bashkëpuntor i imi për vite me radhë.

    Me bashkëpunimin tonë shumëvjeçar, me përvojën dhe profesionalizmin që e ka dëshmuar në çdo detyrë, jam i bindur se do të punojmë krah për krah, për t’i çuar përpara projektet që i kemi nisur gjatë mandatit të Fadilit si kryetar komune, për t’u ofruar qytetarëve punë të ndershme e rezultate konkrete!

  • Serwer: Serbia mbetet burimi kryesor i destabilizimit në Ballkan

    Serwer: Serbia mbetet burimi kryesor i destabilizimit në Ballkan

    Komiteti për Evropën i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA mbajti të martën një seancë dëgjimore me temën “Pika e nxehtë: rruga drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

    Në një analizë të publikuar në Peacefare.net, profesori amerikan Daniel Serwer vlerësoi se, ndonëse rajoni ende nuk është “pikë e nxehtë”, ai shumë lehtë mund të kthehet në të tillë.

    Sipas tij, problemi kryesor nuk është mungesa e stabilitetit, por mungesa e ndryshimit politik demokratik, pasi “stabiliteti aktual mbahet përmes korrupsionit, tensioneve etnike dhe autokracisë”.

    Gjatë seancës, dëshmitarët dhe anëtarët e Kongresit amerikan u pajtuan se Serbia mbetet një prej faktorëve më të mëdhenj destabilizues në Ballkan, për shkak të korrupsionit të përhapur, qeverisjes gjithnjë e më autokratike, lidhjeve të ngushta ushtarake e tregtare me Kinën si dhe marrëdhënieve të forta politike e ekonomike me Rusinë.

    Serwer shtoi se përpjekjet e viteve të fundit për ta orientuar Serbinë drejt Perëndimit kanë dështuar.

    Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka asnjë interes të frenojë korrupsionin, të distancohet nga Moska dhe Pekini, apo të garantojë më shumë liri mediatike dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë.

    Duke folur për situatën në Kosovë, Serwer theksoi se vendi ka nevojë për më shumë sovranitet, jo më pak.

    Ai paralajmëroi se statusi i paqartë i Kosovës krijon hapësirë për ndikim rus dhe kinez.

    “Mbështetja e pakushtëzuar për Kosovën duhet të jetë prioritet, sidomos përballë presionit serb”, deklaron ai.

  • Policia gjen prova, grupi i trajnuar në Serbi synonte destabilizimin e Moldavisë

    Policia gjen prova, grupi i trajnuar në Serbi synonte destabilizimin e Moldavisë

    Policia moldaviane tha se ka kryer rreth 50 bastisje në vende të shumta në vend, ku ka gjetur prova se një grup i organizuar – i trajnuar më parë në një kamp në Serbi – po planifikonte të shkaktonte trazira në Moldavi.

    “Grupi i organizuar dyshohet se veproi me qëllimin për të kryer aktivitete të paligjshme në shkallë të gjerë dhe në këmbim të përfitimit financiar”, tha policia moldaviane në një komunikatë.

    Në komunikatë thuhet se grupi ishte stërvitur më parë në një kamp në Banja Kovilaça, në Serbinë perëndimore, dhe se qëllimi ishte “të krijonte tension shoqëror, i ndjekur nga nisja e protestave të dhunshme me qëllim që të ndikonte në rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve moldavianë”.

    Më 26 shtator, policia në Serbi arrestoi dy persona të akuzuar për organizimin e trajnimit taktik-luftarak për qytetarët e Moldavisë dhe Rumanisë, i cili kishte për qëllim shkaktimin e trazirave në Moldavi.

    Arrestimet ndodhën pasi autoritetet në Kishinjev paralajmëruan publikisht për ekzistencën e kampeve të luftimit në Serbi, duke pretenduar se ato ishin organizuar nga shërbimi sekret rus me qëllim destabilizimin e Moldavisë gjatë zgjedhjeve të fundit në vend.

    Moska i ka hedhur poshtë këto akuza.

    Policia në Serbi njoftoi se trajnimi u zhvillua nga 16 korriku deri më 12 shtator në një objekt ushqimi pranë Loznicës në Serbinë perëndimore dhe se në të morën pjesë midis 150 dhe 170 qytetarë të Moldavisë dhe Rumanisë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në tetor se nuk mund të pretendonte se inteligjenca ruse ishte pas kampit, por se policia kishte ndaluar persona me kombësi serbe “që ishin të disponueshëm”, shkruan REL.

    Policia moldaviane shtoi se gjatë kontrollit, ndër të tjera, sekuestroi karta bankare, disa prej të cilave ishin lëshuar nga institucione financiare nga Rusia, mbi 20 pasaporta biometrike me vula për kalimin e kufirit me Serbinë, stacione radioje, dylbi, plumba të kalibrave të ndryshëm për armë vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse.

    Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Serbi nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Radios Evropa e Lirë për më shumë informacion në lidhje me këtë rast.

  • PZAP-ja rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikon Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    PZAP-ja rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikon Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar sot vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Në vendimin e PZAP-së thuhet se aprovohet rekomandimi I Zyrës për Çertfikim dhe Kontroll Financiar në KQZ dhe Lista Serbe çertifikohet për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “APROVOHET ankesa e subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, e paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr. protokolli 01/3562/2025, datë 02.12.2025, NDRYSHOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me nr. protokolli 01/3562/2025, datë 02.12.2025, ashtu që PRANOHET rekomandimi i Zyrës për Çertifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, i datës 02.12.2025, ÇERTIFIKOHEТ subjekti politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025”, thuhet në vendim.