ATV

Category: Lajme

  • Sveçla: Deklaratat e ministres serbe janë kërcënime, Shqipëria duhet të reagojë më fuqishëm

    Sveçla: Deklaratat e ministres serbe janë kërcënime, Shqipëria duhet të reagojë më fuqishëm

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendhsme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka komentuar deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, mbi spastrimin etnik të Kosovës.

    Në një bisedë për “Euronews Albania”, ai ka kërkuar një reagim më të madh nga Shqipëria.

    “Patjetër, duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe duke qenë se në vetë Kushtetutën e Shqipërisë është obligim mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, unë pres më shumë. Do të thotë që unë pres një reagim faktik, aktiv ndaj këtyre kërcënimeve. Për shkak se këto nuk janë deklarata, këto janë edhe kërcënime, të cilat bazohen në të kaluarën, siç e thashë, shumë të dhimbshme tonën, edhe në sjelljen e Serbisë”, tha Sveçla në këtë intervistë.

    Ai shtoi se reagimi i Shqipërisë duhet të jetë më konkret dhe më aktiv.

    “Kjo ka qenë deputete, ku ka qenë pjesë e grupit të miqësisë Serbi–Shqipëri, në të cilin, fatkeqësisht, kanë marrë pjesë shovinistë serbë. Duhet një demaskim i kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit, sepse nuk ka probleme me Kosovën, por probleme me shqiptarët”, tha ministri në detyrë i Brendshëm.

  • Vdes punëtori i KEK-ut që u lëndua para pak ditësh

    Vdes punëtori i KEK-ut që u lëndua para pak ditësh

    Ka vdekur punëtori i KEK-ut, Milazim Binaku, i cili ishte lënduar rëndë në vendin e punës, para pak ditësh.

    Për vdekjen e tij ka njoftuar sindikata e KEK-ut.

    “Njoftojmë të gjithë punëtorët e KEK-ut se një javë pas lëndimit që pësoi në vendin e punës, u nda nga jeta shoku, kolegu dhe bashkëpunëtori ynë i nderuar, Milazim Binaku. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Binaku, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe u prehtë në paqe.”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

    Ndryshe, 60-vjeçari ishte lënduar rëndë, pasi ishte goditur në kokë nga një mjet i fortë, teksa ishte duke punuar në Kosovamont, në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës.

    Pas lëndimit, ai ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe ishte duke u mjekuar në kujdesin intensiv, por që nuk ka arritur të mbijetojë pas lëndimeve të marra.

  • DASh-i për REL-in: Dialogu Strategjik paraqet një epokë të re në raportet ShBA-Serbi

    DASh-i për REL-in: Dialogu Strategjik paraqet një epokë të re në raportet ShBA-Serbi

    Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio. Uashington, 6 gusht 2025.

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se Dialogu Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë “paraqet një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

    Po ashtu, sipas DASH-it, “është një tregues i përkushtimit të të dy vendeve për zgjerimin dhe thellimin e partneritetit tonë”.

    “Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, thuhet në përgjigjen e DASH-it dërguar REL-it.

    Në përgjigje po ashtu thuhet se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte njoftuar më 6 gusht të vitit të kaluar se SHBA-ja do ta zhvillojë nisë këtë dialog me Serbinë.

    Çfarë tha Gjuriqi?

    Siç kishte paralajmëruar më herët ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, rundi i parë i Dialogu Strategjik pritet të mbahet më 17 korrik.

    “Ajo që do të ndodhë të premten është vërtet një moment historik diplomatik dhe, do të thosha, edhe politik në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Gjuriq për Radiotelevizionin e Serbisë më 14 korrik.

    Ai shtoi se ky vendim do ta “forcojë” situatën ekonomike dhe pozitën ndërkombëtare të Serbisë.

    Po ashtu, Gjuriq theksoi se kjo e vendos Serbinë “në rrethin e vendeve me të cilat SHBA-ja ka nivelin më të lartë të bashkëpunimit institucional”.

    RTS-ja raportoi se Gjuriq tha se kjo është e rëndësishme edhe për shkak të “çështjeve kyç shtetërore dhe kombëtare, para së gjithash Kosovës, Republikës Sërpska, si dhe ruajtjes së stabilitetit të brendshëm të Serbisë”.

    “Është e rëndësishme për ne edhe për Kosovën, ku mbështetemi në mbrojtjen e popullit tonë, si edhe për Republikën Sërpska, ku vitin e kaluar patëm mirëkuptim të konsiderueshëm nga administrata e presidentit [amerikan, Donald] Trump për zgjidhjen e problemeve në Bosnje e Hercegovinë”, tha ai.

    Çfarë i parapriu vendimit të SHBA-së?

    Dialogu Strategjik, të cilin SHBA-ja e zhvillon me dhjetëra shtete në mbarë botën për ta thelluar bashkëpunimin, përfshin një sërë fushash – nga ekonomia dhe siguria deri te politika e jashtme.

    Për mundësinë e nisjes së një dialogu strategjik me Serbinë ishte folur në gusht të vitit 2025, por atëherë ky dialog nuk nisi.

    Në atë kohë ishte thënë se dialogu do të duhej të sillte “një epokë të re” në marrëdhëniet mes dy vendeve – duke ringjallur lidhjet politike, duke zgjeruar bashkëpunimin në fushën e biznesit dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe teknologjive të komunikimit.

    Serbia ka nënshkruar me SHBA-në marrëveshjen e saj të parë strategjike në fushën e energjisë në shtator të vitit 2024.

    Më pas, në janar të këtij viti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se SHBA-ja i kishte paraqitur Serbisë dy “kërkesa formale” për nisjen e Dialogut Strategjik – njëra me karakter politik dhe tjetra e lidhur me sektorin e energjisë. Megjithatë, ai nuk dha detaje për kërkesat.

    Uashingtoni e sheh si një nga interesat e tij kryesore në Ballkanin Perëndimor frenimin e ndikimit kinez dhe rus.

    Ulja e varësisë energjetike të Ballkanit Perëndimor nga Rusia u përfshi ndër objektivat e Ligjit amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i miratuar në mesin e muajit dhjetor.

    Në të njëjtin ligj, si objektiv përmendet edhe zvogëlimi i ndikimit kinez në Ballkanin Perëndimor.

    Po ashtu, SHBA-ja e sheh si objektiv edhe përparimin e menjëhershëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Siç thuhet, SHBA-ja duhet të mbështesë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohje të ndërsjellë.

    Një tjetër çështje që ka shënuar marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë gjatë vitit të fundit janë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak se në kompani shumica e aksioneve janë në duart e rusëve.

    Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj NIS-it në fillim të vitit 2025, me qëllim që të pengojë Rusinë t’i përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.

    Prej më shumë se një viti, zbatimi i sanksioneve është shtyrë vazhdimisht, ndërsa që kur kompania hungareze MOL shfaqi interesim për blerje, licenca e Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) është rinovuar në mënyrë periodike.

    Herën e fundit, OFAC-i e zgjati licencën edhe për 30 ditë më 30 qershor.

    Negociatat për shitjen e aksioneve ruse në rafinerinë e vetme të naftës në Serbi vazhdojnë ende.

    Pronarët rusë zotërojnë 56.15 për qind të aksioneve të NIS-it, prej të cilave 44.85 për qind i takojnë kompanisë shtetërore Gazprom Neft.

    Më 16 qershor, kompania hungareze MOL dhe Qeveria e Serbisë nënshkruan marrëveshjen ndërmjet aksionarëve për menaxhimin e NIS-it në të ardhmen.

  • Komuna e Prishtinës nis aksionin ndaj parkingjeve ilegale, bllokohet hapësira afër Ministrisë së Bujqësisë

    Komuna e Prishtinës nis aksionin ndaj parkingjeve ilegale, bllokohet hapësira afër Ministrisë së Bujqësisë

    Inspektorati i Komunës së Prishtinës ka zhvilluar sot një aksion kundër parkingjeve ilegale në kryeqytet, duke bllokuar një parking që ndodhet pranë objektit të Ministrisë së Bujqësisë.

    Në aksion morën pjesë zyrtarë të Inspektoratit dhe të Drejtorisë së Pronës, të cilët vendosën pengesa fizike në hyrje të parkingut, duke pamundësuar shfrytëzimin e tij.

    Sipas informacioneve, ndërhyrja është bërë në kuadër të veprimeve të Komunës për largimin dhe bllokimin e parkingjeve që funksionojnë pa lejet e nevojshme.

    Nga pamjet e siguruara në vendngjarje shihet prania e zyrtarëve komunalë gjatë zhvillimit të aksionit, ndërsa hyrja në parking është bllokuar me pengesa

     

  • Operacion antidrogë në Prishtinë – arrestohen dy persona, konfiskohen rreth 150 gramë kokainë

    Operacion antidrogë në Prishtinë – arrestohen dy persona, konfiskohen rreth 150 gramë kokainë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të lidhura me narkotikë, ndërsa gjatë operacionit janë konfiskuar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës ,hetuesit e Njësisë së Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë kanë trajtuar një rast nën dyshimin se një person ishte duke u marrë me shitblerje të substancave narkotike.

    Pas punës operative dhe hetimore, më 15korrik 2026, në magjistralen Pejë-Prishtinë është lokalizuar i dyshuari me inicialet F. P., i lindur në vitin 1992, mashkull kosovar, i cili ndodhej në një automjet.

    “Në veturë dhe në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar 147.7gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë, si dhe dëshmitë tjera relevante lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia ka bërë të ditur se, në kuadër të këtij rasti, është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit tjetër me inicialet Q. K., i lindur në vitin 1993, por gjatë kontrollit nuk është gjetur ndonjë send i ndaluar.

    Rasti është trajtuar në koordinim me prokurorin kujdestar, ndërsa ndaj dy të dyshuarve është iniciuar procedurë për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Sipas Policisë, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Irani paralajmëron kundërpërgjigje të ashpër ndaj ShBA-së: “Rajoni do të përballet me pasoja të mëdha”

    Irani paralajmëron kundërpërgjigje të ashpër ndaj ShBA-së: “Rajoni do të përballet me pasoja të mëdha”

    Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar pas deklaratave të reja nga Teherani, i cili ka paralajmëruar një reagim të fuqishëm nëse Uashingtoni ndërmerr sulme ndaj infrastrukturës iraniane.

    Një zëdhënës i ushtrisë iraniane ka deklaruar se çdo goditje amerikane ndaj objekteve strategjike të Iranit do të pasohet nga një kundërpërgjigje më e gjerë, duke paralajmëruar se pasojat mund të prekin infrastrukturën në të gjithë rajonin.

    Deklarata erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA-ja mund të godasë ura dhe termocentrale në Iran, nëse Teherani nuk rikthehet në bisedimet diplomatike.

    Sipas zyrtarëve iranianë, përgjigjja e vendit nuk do të jetë vetëm një reagim i kufizuar, por një veprim që, sipas tyre, do të jetë më i fuqishëm dhe më i gjerë.

    Zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Ebrahim Zolfaghari, theksoi gjithashtu se Irani nuk do të lejojë ndërhyrje amerikane në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar këtë zonë si një vijë të kuqe për Teheranin.

    Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim rritjen e retorikës mes dy vendeve, ndërsa kërkohen përpjekje diplomatike për shmangien e një përshkallëzimi të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.

  • Shqiptarja që u bë komandante në Gardën Kombëtare të SHBA-së

    Shqiptarja që u bë komandante në Gardën Kombëtare të SHBA-së

    Oficerja shqiptaro-amerikane u rikthye në Shqipëri për të trajnuar Forcat e Armatosura, duke forcuar bashkëpunimin ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë, transmeton albinfo.ch.

    Hatixhe Çollaku është një nga historitë më frymëzuese të suksesit të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E larguar nga Shqipëria në moshën shtatëvjeçare së bashku me familjen, ajo ndërtoi me përkushtim dhe disiplinë një karrierë të suksesshme në ushtrinë amerikane.

    Sot, Hatixhe Çollaku mban detyrën e komandantes së Kompanisë së Inteligjencës në Gardën Kombëtare të New Jersey-t, duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë njësi – një arritje që dëshmon profesionalizmin dhe aftësitë e saj drejtuese.

    Pas shumë vitesh, ajo u rikthye në Shqipëri jo si emigrante, por si oficere e ushtrisë amerikane. Së bashku me ekipin e Gardës Kombëtare të New Jersey-t, ajo kontribuoi në trajnimin e Forcave të Armatosura Shqiptare për përdorimin e sistemeve ajrore pa pilot PUMA, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë

    Rrugëtimi i Hatixhe Çollakut është një shembull i fuqishëm se puna, përkushtimi dhe arsimi mund të çojnë drejt pozitave më të larta, ndërsa lidhja me vendlindjen mbetet e fortë pavarësisht viteve të jetës në diasporë.

    Historia e saj përfaqëson suksesin e diasporës shqiptare dhe kontributin që shqiptarët vazhdojnë të japin në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare, duke shërbyer njëkohësisht si urë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara./Albinfo

  • Dy ekstradime mes Kosovës dhe Gjermanisë, njëri palestinez e tjetri kosovar, policia jep detaje

    Dy ekstradime mes Kosovës dhe Gjermanisë, njëri palestinez e tjetri kosovar, policia jep detaje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar për dy raste të ekstradimit, ku një person është ekstraduar nga Kosova për në Gjermani, dhe një tjetër, nga Gjermania për në Kosovë.

    Nga Kosova drejt Gjermanisë, është ekstraduar një shtetas palestinez, i cili është kërkuar di i dyshuar për përfshirje në një grup kriminal duke kryer veprat penale të ‘Kontrabanda me emigrantë’.

    Ndërsa nga Gjermania për në Kosovë është ekstraduar shtetasi kosovar, i cili ishte i kërkuar nga autoritete e drejtësisë së Kosovës.

    Komunikata:

    Ekstradohen dy persona, njëri nga Kosova për në Gjermani, ndërsa tjetri nga Gjermania për në Kosovë

    Prishtinë, më 16 korrik 2026

    Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, me datën 15 dhe 16 korrik 2026 kanë realizuar ekstradimin e dy të dyshuarve, njërin nga Kosova për në Gjermani ndërsa tjetrin nga Gjermania për në Kosovë.

    Me datën 15.07.2026 është ekstraduar i dyshuari shtetas palestinez nga Kosova për në Gjermani, pasi që kërkohej nga autoritetet gjermane me letër-rreshtim ndërkombëtar i përfshirë në një grup kriminal duke kryer veprat penale të ‘Kontrabanda me emigrantë’.

    Ndërsa me datën 16.07.2026 nga Gjermania për në Kosovë është ekstraduar shtetasi kosovar, i cili ishte i kërkuar nga autoritete e drejtësisë së Kosovës. I dyshuari, pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë rajoni i Mitrovicës së Jugut për vazhdim me procedurat tjera ligjore.

    Të dy ekstradimet u realizuan falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre Gjermane.

  • Zjarret e 2023-ës paralizuan laboratorët e IML-së, mbi 700 raste në pritje

    Zjarret e 2023-ës paralizuan laboratorët e IML-së, mbi 700 raste në pritje

    Më shumë se 700 raste, gati gjysma prej tyre vdekje të dyshimta dhe vrasje, po presin analizat laboratorike në Institutin e Mjekësisë Ligjore, i cili prej më shumë se tri vitesh është jashtë funksionit. Shërbimet e laboratorit dhe të rëntgenit u paralizuan pasi Instituti, në vitin 2023, u përfshi dy herë radhazi nga zjarri.

    Volumi i rasteve në pritje për kompletimin e autopsive të vdekjeve të dyshimta apo vrasjeve ka arritur në më shumë se 700 në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Këto ekzaminime thelbësore mbeten në pritje, ngase prej më shumë se tri vitesh, kur dy zjarre përfshinë ndërtesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore, laboratori dhe rëntgeni kanë mbetur jashtë funksionit.

    Përderisa autopsitë po kryhen në një dhomë të improvizuar, analizat e toksikologjisë, histopatologjisë dhe radiografisë nuk po mund të realizohen, pasi renovimi i sallës së ekzaminimit po zgjat prej vitesh.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Agron Thaçi, i ka thënë Radio Kosovës se renovimi pritet të përfundojë më së largu javën e ardhshme.

    “Në pritje janë më shumë se 700 raste, nga të cilat rreth 300 janë raste për të cilat Prokuroria ka kërkuar ekzaminim të plotë”, ka thënë Thaçi.

    “Pas përfundimit të punimeve, do të realizohen procedurat e testimit dhe kalibrimit të pajisjeve laboratorike, të cilat janë parakusht për vënien në funksion të laboratorëve të toksikologjisë, histopatologjisë dhe radiografisë”, ka shtuar ai.

    Vetëm Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Prokuroria Speciale i kanë konfirmuar Radio Kosovës se janë në pritje të kompletimit të 200 autopsive për shkak të mungesës së laboratorit dhe rëntgenit.

    Thaçi ka shtuar se, sapo të rifillojë kryerja e analizave laboratorike, përparësi do t’u jepet mostrave që janë në pritje.

    Ministria e Drejtësisë nuk është përgjigjur në kërkesën për raportin hetimor lidhur me zjarret në Institutin e Mjekësisë Ligjore, të cilat ndodhën pak kohë pasi, në dhjetor të vitit 2022, u raportua se 12 mostra që lidheshin me vdekjen në burg të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ishin zhdukur nga laboratori i toksikologjisë, ndërsa më pas rezultoi se ato nuk kishin humbur.

    Për mostrat dhe për zjarret kishte nisur hetime Prokuroria Speciale, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat për këtë çështje./RTK/

  • Zelensky propozon Sergii Koretskyin për kryeministër të Ukrainës

    Zelensky propozon Sergii Koretskyin për kryeministër të Ukrainës

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i paraqiti Radës Verkhovna nominimin e Sergii Koretskyi, drejtorit ekzekutiv të kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz, për kryeministër, tha të mërkurën kryetari i parlamentit Ruslan Stefanchuk.

    “Rada Verkhovna e Ukrainës ka marrë një kërkesë nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy mbi emërimin e Sergii Koretskyi në postin e Kryeministrit të Ukrainës. Parlamenti do ta shqyrtojë atë në të ardhmen e afërt në përputhje me procedurën e përcaktuar”, shkroi Stefanchuk në Facebook.

    Nëse miratohet nga ligjvënësit, Koretskyi do të pasojë Yulia Svyrydenkon, shkarkimi i së cilës u mbështet nga parlamenti të martën me 258 vota, duke shkaktuar dorëheqjen e të gjithë kabinetit sipas ligjit ukrainas.

    Emërimi vjen pas njoftimit të Zelenskyy gjatë fundjavës se Ukraina kishte nevojë për një qeveri të rinovuar si pjesë e asaj që ai e përshkroi si një strategji politike të azhurnuar.

    Svyrydenko, e cila u bë kryeministre në korrik 2025, konfirmoi të dielën se do të jepte dorëheqjen menjëherë pasi Zelenskyy njoftoi planet për të zëvendësuar kabinetin.

    Pas takimit me Svyrydenkon, Zelenskyy tha se riorganizimi i qeverisë kishte për qëllim forcimin e gatishmërisë dhe qeverisjes së Ukrainës.