ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një person në Gjakovë, dyshohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm

    Arrestohet një person në Gjakovë, dyshohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm

    Një person është arrestuar në Gjakovë në lidhje me një rast që po hetohet për veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 15 korrik 2026, rreth orës 16:24, në rrugën “Ymer Pula”. Një ankues, mashkull kosovar, ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është kanosur nga një i dyshuar, po ashtu mashkull kosovar.

    Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili është intervistuar në prani të organeve kompetente.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.

  • Zelensky e shkarkon ministrin e Mbrojtjes

    Zelensky e shkarkon ministrin e Mbrojtjes

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e shkarkoi Mykhailo Fedorovin nga posti i ministrit të Mbrojtjes, pas një takimi me udhëheqjen ushtarake.

    Shkarkimi i udhëheqësit të sektorit të mbrojtjes është në kuadër të një riorganizimi të kabinetit qeveritar, në të cilin edhe Yulia Svyrydenko u largua nga posti i kryeministres të Ukrainës.

    Fedorovi, një burokrat i ri dhe i njohur për aftësitë e tij në teknologji, i cili ka udhëhequr përpjekjet për transformimin digjital në administratën shtetërore dhe ka promovuar inovacionin në përdorimin e dronëve si një armë të rëndësishme në luftë, konfirmoi më 15 korrik se ishte liruar nga detyra.

    Në gjashtë muajt sa ishte ministër, Ukraina shënoi përmirësime në pozicionin e saj në fushëbetejë, duke goditur vazhdimisht rafineritë ruse të naftës, duke shkaktuar mungesa të karburanteve në Rusi dhe duke e turpëruar presidentin rus, Vladimir Putin.

    “Ishte një nder i madh t’i shërbeja popullit ukrainas si ministër i Mbrojtjes”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

    Zelensky nuk ka komentuar publikisht për këtë vendim.

    Fedorovi përmendi disa nga arritjet gjatë kohës sa e drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes, përfshirë bllokimin e qasjes së trupave ruse në satelitët e Starlink-ut, gjë që sipas tij, “ua reduktoi ndjeshëm aftësinë për të zhvilluar një luftë efektive me dronë”.

    Ai shtoi se do të vazhdojë të punojë për “ta mposhtur armikun përmes veprimit asimetrik, shpejtësisë së inovacionit dhe forcës organizative”. Federov nuk dha detaje të tjera.

    Mediat ukrainase kishin spekuluar se Fedorovi mund të shkarkohej, pasi thuhej se ishte në një “konflikt sistematik” me anëtarë të tjerë të kabinetit, të përfshirë në vendimmarrjen për shpenzimet në fushën e mbrojtjes.

    Dan Rice, president i Universitetit Amerikan të Kievit dhe ish-këshilltar i posaçëm i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, i tha Radios Evropa e Lirë se Fedorovi mund të emërohet në një post tjetër të lartë, përfshirë potencialisht atë të kryeministrit ose të ambasadorit të Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, megjithëse theksoi se “askush nuk e di” se çfarë synimi ka Zelensky.

    “Mendoj se ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme në një periudhë shumë të shkurtër”, tha Rice lidhur me Federovin.

    “Besoj se ai ka mundësi të ndihmojë jashtëzakonisht shumë në marrëdhëniet mes Ukrainës dhe SHBA-së. Por, koha do të tregojë se çfarë dëshiron presidenti Zelensky”.

    Zelensky njoftoi më 12 korrik se po fillonte riorganizimin e Qeverisë, duke thënë se ndryshimet janë të nevojshme për zbatimin e një strategjie të përditësuar politike.

    Ai tha se riorganizimi synon po ashtu ripërtëritjen e Kabinetit të Ministrave dhe se përgjegjësia për fushat kyç të politikës së jashtme do t’u besohet zyrtarëve me përvojë.

    Më 15 korrik, Zelensky mbështeti emërimin e Serhiy Koretskiyt, drejtorit ekzekutiv të Naftogaz – kompanisë më të madhe shtetërore të naftës dhe gazit në Ukrainë – si kryeministrin e ardhshëm të vendit.

    Naftogaz është një nga burimet kryesore të të ardhurave të Qeverisë dhe një korporatë që ka ndikim të madh politik.

    Një nga ministrat më të rinj në Qeverinë e Zelenskyt, Fedorov, 34 vjeç, u emërua në vitin 2019 si ministri i parë i Transformimit Digjital të Ukrainës, një post që u krijua për të modernizuar shërbimet burokratike shtetërore, shumë prej të cilave datonin që nga epoka sovjetike.

    Po aq e rëndësishme ishte edhe rritja e transparencës në proceset burokratike, duke ndihmuar në çrrënjosjen e praktikave korruptive.

    Reformat – të përshkruara me frazën “shteti në një telefon të mençur” – u mirëpritën nga qytetarët ukrainas, ndërsa popullariteti dhe suksesi i Fedorovit çuan në promovimin e tij në kabinetin qeverisës, në postin e zëvendëskryeministrit, me një portofol më të zgjeruar.

    Në janar, ai u emërua ministër i Mbrojtjes.

    Megjithëse mungesa e përvojës ushtarake e Fedorovit shkaktoi pakënaqësi te disa pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, emërimi i tij u shoqërua me një rritje të ndjeshme të përdorimit dhe prodhimit të dronëve – një fushë e inovacionit ushtarak në të cilën Ukraina ka spikatur gjatë luftës.

    Javët e fundit, Ukraina ka përdorur dronë për të goditur një sërë caqesh thellë brenda territorit rus.

    Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Kremlinit, përfshirë terminalet e naftës dhe cisternat në det, janë pjesë e një fushate që Kievi e ka quajtur “sanksione me rreze të gjatë veprimi” kundër Rusisë.

    Sulmet me dronë ndaj objekteve energjetike ruse kanë shkaktuar mungesa të mëdha të karburanteve në mbarë vendin. Edhe Moska – e cila shpesh ka qenë e paprekur nga krizat në pjesë të tjera të Rusisë – ka filluar t’i ndiejë pasojat, pasi ka radhë të gjata në pikat e furnizimit me karburant që kanë nxitur zemërim te shoferët. /REL

  • Policia shqipton mbi 2 mijë e 600 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia shqipton mbi 2 mijë e 600 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2610 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

    Në 24 orët e fundit janë raportuar 45 aksidente trafiku me dëme materiale, 17 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar.

    Policia e Kosovës ka arrestuar 14 persona, ndërsa 9 janë dërguar në mbajtje.

    2610.jpg

  • Imazhi satelitor tregon një depo të dëmtuar në Kuvajt pasi Irani pretendoi se kreu një sulm me dron

    Imazhi satelitor tregon një depo të dëmtuar në Kuvajt pasi Irani pretendoi se kreu një sulm me dron

    Një imazh satelitor nga Agjencia Europiane e Hapësirës tregon një depo të dëmtuar nga një sulm iranian me dron të mërkurën.

    Në ndërtesë mund të shihen dëmtime të dukshme dhe gjurmë të djegies.

    Të mërkurën, CNN raportoi për një video që dukej se tregonte një dron iranian duke goditur një depo që tashmë ishte përfshirë nga zjarri në një zonë industriale pranë Mina Abdullahut në Kuvajt.

    Garda Revolucionare e Iranit pretendoi se kishte goditur një qendër logjistike dhe mbështetëse të Ushtrisë Amerikane të vendosur në Mina Abdullah. Nuk është e qartë nëse depoja që shihet në imazhe dhe video ka ndonjë lidhje me Shtetet e Bashkuara. CNN kërkoi koment nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) lidhur me pretendimin iranian.

  • Ndalohet një person në Jarinjë, dyshohet për kalim ilegal të kufirit

    Ndalohet një person në Jarinjë, dyshohet për kalim ilegal të kufirit

    Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor një person në Jarinjë të Leposaviqit, nën dyshimin për kalim ilegal të kufirit dhe posedim të substancave narkotike.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, i dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se kishte hyrë në mënyrë të paligjshme nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës.

    Gjatë kontrollit policor, tek ai është gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

    “Fsh. Jarinje, Leposaviq 15.07.2026, NN. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës. Gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti procedohet në procedurë të rregullt”.

  • Rritet sërish çmimi i naftës, MINT publikon tarifat e reja

    Rritet sërish çmimi i naftës, MINT publikon tarifat e reja

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat vlejnë për datën 16 korrik 2026.

    Sipas vendimit të ri, nafta (dizeli) është shtrenjtuar për 2 cent krahasuar me një ditë më parë, duke arritur në 1.56 euro për litër.

    Çmimet maksimale janë:

    • Nafta (dizeli): 1.56 euro/litër (+2 cent);
    • Benzina: 1.40 euro/litër;
    • Gazi: 0.60 euro/litër.

    Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Tre të arrestuar në Mitrovicën e Veriut, dyshohen se tentuan të shisnin parcela me dokumente të falsifikuara

    Tre të arrestuar në Mitrovicën e Veriut, dyshohen se tentuan të shisnin parcela me dokumente të falsifikuara

    Tre persona janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimet për veprat penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Vjedhje e identitetit apo kredencialeve”, pasi dyshohet se kanë tentuar të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga shitblerja e pronave.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 15 korrik 2026, rreth orës 11:15, në rrugën “Çlirimi”.

    Tre të dyshuarit, meshkuj kosovarë, dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të siguruar te një noter autorizimin për shitblerjen e disa parcelave, pa dijen dhe pëlqimin e pronarit legjitim.

    Në konsultim me prokurorin, policia ka kryer bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar dokumente që konsiderohen relevante për hetimin. Po ashtu, nga një i dyshuar tjetër janë sekuestruar një veturë dhe një telefon mobil.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

  • Arrestohet për dhunë në familje një burrë në Gjakovë, bashkëshortja përfundon në trajtim mjekësor

    Arrestohet për dhunë në familje një burrë në Gjakovë, bashkëshortja përfundon në trajtim mjekësor

    Një person është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për dhunë në familje.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 15 korrik 2026, rreth orës 16:00, pas një mosmarrëveshjeje mes bashkëshortëve.

    I dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se i ka shkaktuar lëndime bashkëshortes së tij.

    Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në polici.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

  • Komandanti i KFOR-it pret Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, në fokus situata e sigurisë në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it pret Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, në fokus situata e sigurisë në Kosovë

    Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun H. Sinirlioğlu, në selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë.

    Gjatë takimit, palët diskutuan për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet organizatave ndërkombëtare në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutash prezantoi vlerësimin e tij për zhvillimet e fundit në rajon dhe ritheksoi përkushtimin e misionit për të garantuar një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Po ashtu, në takim u diskutuan prioritetet kryesore të KFOR-it dhe rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë për përmbushjen e objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë.

    KFOR theksoi se vazhdon ta kryejë misionin e tij në përputhje me mandatin e dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

    Në njoftim u rikujtua gjithashtu se KFOR vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e EULEX-it, në përputhje me përgjegjësitë e tyre si reagues të sigurisë.

  • Plagosja e mbrëmshme në Fushë Kosovë: Policia kërkon të dyshuarin, zbardhen detajet e para

    Plagosja e mbrëmshme në Fushë Kosovë: Policia kërkon të dyshuarin, zbardhen detajet e para

    Një person është plagosur mbrëmë në fshatin Miradi e Epërme të Fushë Kosovës, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës Enis Pllana.

    “Rreth orës 21:00, Policia ka pranuar informatën për plagosje në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku sipas informacioneve fillestare një person ka mbetur i lënduar, që dyshohet të jetë plagosur me armë zjarri”.

    Pllana ka thënë se personi i plagosur, është dërguar për trajtim mjekësor.

    “Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit”.

    Sipas informacioneve i plagosuri është dërguar për tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë.

    Po ashtu mësohet se personat e përfshirë në këtë ngjarje të rënda janë familjarë mes vete.

    Me urdhër të prokurorit kompetent janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.

    Lidhur me rastin është iniciuar hetim për veprën penale “Vrasje në tentativë”, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga organet e rendit.