ATV

Category: Lajme

  • Skandal në Trepçë: Mbi 24.7 milionë euro pasuri pa dokumentacion, qindra parcela jashtë regjistrit

    Skandal në Trepçë: Mbi 24.7 milionë euro pasuri pa dokumentacion, qindra parcela jashtë regjistrit

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin e pasurive të Ndërmarrjes Publike “Trepça” Sh.A., duke ngritur shqetësime për administrimin dhe regjistrimin e aseteve të kompanisë.

    Sipas raportit të auditimit, ndërmarrja nuk ka dokumentacion mbështetës për 59 pasuri me vlerë mbi 24.7 milionë euro, ndërsa kjo situatë ka ndikuar që pasuritë të mos paraqiten në mënyrë të plotë dhe të saktë në pasqyrat financiare.

    Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se qindra parcela nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës të pasurive, pavarësisht se figurojnë në evidencat e komisioneve të inventarizimit ose në dokumentacionin kadastral.

    Raporti vë në pah edhe mungesën e një databaze të plotë për banesat e dhëna në shfrytëzim punonjësve, si dhe paqartësi pronësore për dhjetëra parcela që në regjistrat e Trepçës paraqiten si pronë e ndërmarrjes, ndërsa në evidencat kadastrale figurojnë si bashkëpronësi ose pronë shoqërore.

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që ndërmarrja të ndërmarrë masa për kompletimin e dokumentacionit, regjistrimin e saktë të pasurive dhe harmonizimin e evidencave me të dhënat zyrtare, në mënyrë që të sigurohet raportim financiar i besueshëm dhe administrim më efikas i aseteve publike.

  • LDK mban takim të brendshëm, verifikohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm

    LDK mban takim të brendshëm, verifikohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka zhvilluar një takim të brendshëm në selinë e partisë, në mes të zhvillimeve të fundit që lidhen me nismën për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.

    Në mbledhje janë parë duke hyrë disa prej zyrtarëve të lartë të partisë, përfshirë Xhafer Tahirin dhe Sokol Halitin, ndërsa para mediave është deklaruar edhe Shkëmb Manaj.

    Ai ka bërë të ditur se aktualisht po zhvillohet një takim i brendshëm i strukturave të LDK-së dhe se vendimi për thirrjen e Kuvendit do të merret vetëm pasi të përfundojë procesi i verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve.

    Sipas Manajt, procedura do të trajtohet me prioritet, duke pasur parasysh situatën politike në vend dhe procesin e formimit të institucioneve të reja.

    Nisma për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm vjen në një periudhë të ndjeshme për LDK-në, ndërsa pritet që pas përfundimit të verifikimeve partia të dalë me një vendim zyrtar për hapat e mëtejshëm.

  • Netanyahu anulon vizitën në ShBA

    Netanyahu anulon vizitën në ShBA

    Zyra e Kryeministrit izraelit deklaroi se Netanyahu anuloi vizitën e tij në SHBA sepse funerali i senatorit amerikan Lindsey Graham ishte shtyrë për në fund të muajit.

    Netanyahu pritej të largohej nga Izraeli të shtunën në mbrëmje për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, raporton Anadolu.

    Gazeta Israel Hayom raportoi se pala izraelite ishte e angazhuar në një aktivitet të dendur diplomatik për të organizuar një takim midis Netanyahut dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump gjatë vizitës.

  • Kryeziu: Shtyrja e seancës konstituive është qesharake dhe e papërgjegjshme

    Kryeziu: Shtyrja e seancës konstituive është qesharake dhe e papërgjegjshme

    Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se mosthirrja e seancës konstituive të Kuvendit dhe arsyetimi i presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, se partive politike duhet t’u lihet edhe më shumë kohë për negociata është sa qesharak, aq edhe i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve.

    “Për më tepër, partitë kanë pasur kohë sa të duash për të negociuar dhe mund të vazhdojnë të negociojnë edhe pas konstituimit të Kuvendit. Nuk mund të mbahet peng përmbushja e një detyrimi kushtetues me arsyetimin se duhen edhe më shumë bisedime. Ndërkohë, vendi vazhdon, prej afro dy vitesh, të funksionojë me institucione në detyrë dhe me zgjidhje të improvizuara. Nëse gati dy vjet, së bashku me tri palë zgjedhje të mbajtura, nuk po mjaftojnë për të arritur qoftë edhe një marrëveshje minimale, sa kohë tjetër u duhet? Dhe me çfarë arsyetimi?”, ka shkruar ai në “Facebook”.

    Kryeziu ka thënë se po aq e papërgjegjshme është edhe qasja e partive opozitare. “Deri më tani, ato nuk kanë bërë asnjë kërkesë publike dhe asnjë veprim konkret për konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit. Kjo situatë, së bashku me paaftësinë për të tejkaluar interesat partiake dhe individuale, po e normalizon një perceptim, se kjo klasë politike, këta akterë aktual, nuk kanë as kapacitetin dhe as përgjegjësinë për të ndërtuar, funksionalizuar dhe mirëmbajtur institucionet e një shteti demokratik. Shkalla e zhvillimit demokratik nuk matet vetëm me organizimin e zgjedhjeve, por edhe me aftësinë për ta shndërruar vullnetin e qytetarëve në institucione funksionale, efektive dhe llogaridhënëse”, ka thënë Kryeziu.

  • Manaj: Po verifikohen nënshkrimet, ka urgjencë për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së

    Manaj: Po verifikohen nënshkrimet, ka urgjencë për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së

    Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka deklaruar se takimi që po mbahet në selinë e partisë është një takim i brendshëm, ndërsa procesi i verifikimit të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm ende është në zhvillim, raporton Ekonomia Online.

    “Është takim i brendshëm. Është çështje e vendimit tash deri sa të verifikohen (nënshkrimet)”, tha Manaj.

    I pyetur nëse ekziston urgjencë për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, për shkak të situatës politike në vend dhe zhvillimeve brenda partisë, Manaj u përgjigj shkurt: “Po”, tha ai.

  • ShBA vendos tarifa të reja ndaj Brazilit, masat hyjnë në fuqi javën e ardhshme

    ShBA vendos tarifa të reja ndaj Brazilit, masat hyjnë në fuqi javën e ardhshme

    Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e një tarife prej 25% për shumicën e importeve nga Brazili, masë që pritet të hyjë në fuqi më 22 korrik.

    Ky është veprimi i parë i madh i strategjisë së re tarifore të Trumpit, pas vendimit të Gjykatës së Lartë amerikane që rrëzoi tarifat e mëparshme të administratës së tij.

    Kjo gjithashtu vjen në mes të tensioneve midis administratës së Trumpit dhe presidentit të Brazilit, Luiz Inácio ‘Lula’ da Silva, jo vetëm për shkak të lidhjeve të Trumpit me ish-presidentin e ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, dhe familjen e tij.

    Brazili pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në tetor, duke e bërë këtë masë edhe më të ndjeshme në skenën politike të vendit, shkruan DW.

  • Zelanda e Re goditet nga një tërmet i fuqishëm, autoritetet paralajmërojnë për cunami

    Zelanda e Re goditet nga një tërmet i fuqishëm, autoritetet paralajmërojnë për cunami

    Një tërmet me magnitudë 6.3 goditi pranë qytetit Te Anau në Ishullin Jugor të Zelandës së Re, duke bërë që autoritetet të lëshonin një paralajmërim për cunami.

    Sipas Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave të Zelandës së Re, epiqendra e tërmetit ishte rreth 40 km (24,85 milje) në veri të Te Anau-t, i cili shërben si portë hyrëse për zonën turistike të njohur të Fiordland-it, shkruan Reuters.

    Si Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), ashtu edhe Qendra Gjermane Kërkimore për Gjeoshkencat (GFZ), e vlerësuan tërmetin me magnitudë 5.9 dhe në një thellësi prej mbi 50 km.

  • Starmer i thotë Ukrainës se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar do të “vazhdojë” edhe pas largimit të tij

    Starmer i thotë Ukrainës se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar do të “vazhdojë” edhe pas largimit të tij

    Kryeministri në largim do ta përdorë vizitën e tij të fundit në Kiev për t’i thënë Volodymyr Zelenskyt se rezistenca e Ukrainës ka ndihmuar në ruajtjen e sigurisë së Evropës dhe se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë edhe pasi ai të largohet.

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer udhëtoi për në Ukrainë të enjten për një vizitë lamtumire, duke përdorur udhëtimin e tij të fundit jashtë vendit në detyrë për të riafirmuar mbështetjen afatgjatë të kombit të tij përpara se t’ia dorëzojë pushtetin pasardhësit të tij javën e ardhshme.

    Starmer do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku pritet të theksojë se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën do të vazhdojë pasi Andy Burnham të marrë detyrën si kryeministër të hënën.

    “Mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën do të vazhdojë gjithmonë”, tha Starmer në një deklaratë të lëshuar përpara vizitës.

    “Gjatë gjithë këtij konflikti, kam parë guximin e jashtëzakonshëm të popullit ukrainas dhe vullnetin e hekurt të një kombi që refuzon të frikësohet. Qëndrimi i tyre jo vetëm që ka mbrojtur lirinë e vet, por ka ruajtur sigurinë e Evropës”.

    Udhëtimi vjen vetëm disa ditë pasi Britania iu bashkua Kredisë Mbështetëse të Ukrainës prej 90 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian.

    Ky thuhet se është një veprim që u jep kompanive britanike të mbrojtjes qasje në kontratat e financuara nga programi i BE-së, dhe nga ana tjetër, Londra do të duhet të mbulojë një pjesë prej 3 miliardë eurosh në norma interesi vjetore, varësisht nga sa përfitojnë firmat e saj.

    Marrëveshja është përshëndetur në Bruksel si një hap i rëndësishëm në forcimin e mbështetjes kolektive të Evropës për Kievin.

    Burnham do të bëhet zyrtarisht udhëheqës i Partisë Laburiste në pushtet të premten përpara se të emërohet kryeministër nga Mbreti Charles III të hënën.

    Ai do të bëhet kryeministri i pestë i Mbretërisë së Bashkuar që kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt 2022. /Telegrafi/

  • Ministria e Sportit dhe Rinisë ndan afro 400 mijë euro për bileta aeroplani

    Ministria e Sportit dhe Rinisë ndan afro 400 mijë euro për bileta aeroplani

    Ministria e Sportit dhe Rinisë ka dhënë kontratën për ofrimin e shërbimeve të transportit ajror, përkatësisht furnizimin me avio-bileta për nevojat e udhëtimeve zyrtare të stafit të saj, në vlerë prej 399,741.26 euro.

    Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, operatori ekonomik fitues është “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”, ndërsa kontrata është paraparë të nënshkruhet të enjtën.

    Kontrata është realizuar përmes një procedure të hapur, me kriter për përzgjedhje çmimin më të ulët, ndërsa në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë.

    Bëhet fjalë për një marrëveshje kornizë 36-mujore, e cila synon të sigurojë furnizimin me bileta avioni për udhëtimet zyrtare të Ministrisë. Në dokument thuhet se relacionet e udhëtimeve nuk mund të përcaktohen paraprakisht, pasi ato varen nga nevojat institucionale.

    Vlera e kontratës prej 399,741.26 euro është e afërt me vlerën e parashikuar të prokurimit, e cila ishte 400 mijë euro.

  • Deklarata e ministres serbe, Balla nga Kuvendi: Reagimi i qeverisë shqiptare ishte në kohë

    Deklarata e ministres serbe, Balla nga Kuvendi: Reagimi i qeverisë shqiptare ishte në kohë

    Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, sërish e ka dënuar deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, duke e cilësuar atë si të turpshme dhe të papranueshme.

    Paunoviq, në një intervistë, ishte shprehur se nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit, do ta kishte “pastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998.

    Balla që për këtë deklaratë kishte reaguar ditë më parë, kurse të enjten ka folur edhe në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë.

    Ai ka thënë se qeveria shqiptare ka reaguar në kohë dhe se Shqipëria nuk tallet me çështjet kombëtare.

    “Një deklaratë jo vetëm e papërgjegjshme, por indinjuese, e rëndë. Reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë. Ne nuk tallemi me çështjet kombëtare dhe me qëndrimin e mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm dhe në nivel politik.”, ka thënë Balla.
    Ai ka thënë se deklarata e ministres serbe është dënuar edhe nga autoritetet politike dhe përfaqësuesit me të cilët komunikojnë në Komisionin Evropian në të gjitha nivelet.

    “Shqipëria, kur reagon, reagon bashkë me aleatët e vet.”, ka thënë Balla.
    Ai ka thënë se Edi Rama mbetet i vetëm kryeministër që çështjen e Kosovës e ka ngritur edhe në mes të Beogradit.

    “Sa i përket Edi Ramës, është i vetmi kryeministër i këtij vendi i cili çështjen e Kosovës e ka ngritur në mes të Beogradit, duke deklaruar se Kosova është shtet i pavarur dhe se Shqipëria mbështet fuqimisht pavarësinë dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE”, është shprehur Balla.