ATV

Category: Lajme

  • Shtyhet seanca, Veliaj: Standard i dyfishtë, Metës iu dha dosja mua jo

    Shtyhet seanca, Veliaj: Standard i dyfishtë, Metës iu dha dosja mua jo

    Seanca që pritej këtë të premte në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, u shty për 5 janar.

    Gjatë seancës, Veliaj foli vetë para gjyqtares Etleva Deda, duke ngritur pretendime për standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve gjyqësore, raporton euronews.al

    Sipas tij, ish-presidenti Ilir Meta ka marrë materialet e dosjes, ndërsa atij nuk i janë dhënë, gjë që, sipas kryebashkiakut, cenon të drejtën për një mbrojtje të barabartë.

  • E trishtë: Nipi vdes pas operacionit në lukth në Turqi, ndërron jetë edhe gjyshja në të njëjtën ditë

    E trishtë: Nipi vdes pas operacionit në lukth në Turqi, ndërron jetë edhe gjyshja në të njëjtën ditë

    Një vdekje mjafton për të sjellë një gjendje të rënduar emocionale në çdo familje, por gjithçka bëhet edhe më e vështirë kur, në të njëjtën ditë, një familje humb dy persona të dashur.

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në fshatin Duraj të Kaçanikut, ku brenda të njëjtës ditë kanë ndërruar jetë gjyshja dhe nipi i saj.

    Shpend Nexhmedin Zenuni, i riu nga Duraj, ka humbur jetën pas komplikimeve shëndetësore, të cilat, sipas burimeve familjare, dyshohet se lidhen me një ndërhyrje kirurgjikale në lukth, të kryer rreth dy javë më parë në Turqi për trajtimin e mbipeshës. Pas operacionit, atij dyshohet t’i jetë shfaqur një infeksion në zonën e ndërhyrjes, gjë që besohet të ketë çuar në përkeqësimin e gjendjes së tij deri në vdekje.

    Tragjedia është thelluar edhe më shumë pasi, në të njëjtën ditë, ka ndërruar jetë edhe gjyshja e Shpendit, Mirije Prushi-Zenuni, nëna e babait të tij, duke sjellë dy humbje të mëdha për familjen Zenuni.

    Varrimi i tyre do të bëhet sot në orën 14:00, në fshatin Duraj të Kaçanikut.

  • Moment krenarie: Ishte prej të parave zyrtare policore në Kosovë, diplomohet në Akademinë e FBI-së

    Moment krenarie: Ishte prej të parave zyrtare policore në Kosovë, diplomohet në Akademinë e FBI-së

    Luljeta Mehmeti-Quigley, një prej zyrtarëve të parë të Policisë së Kosovës dhe e para grua që u graduar në gradën Rreshter që në vitin 2001, ka arritur një tjetër kulm në karrierën e saj. Ajo është diplomuar së fundmi në Akademinë Kombëtare të FBI-së, një arritje e madhe për të dhe për institucionin e Policisë së Kosovës.

    Mehmeti-Quigley iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000, menjëherë pas themelimit të saj. Gjatë karrierës së saj, ajo ka kaluar nëpër një sërë pozita komanduese dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe forcimin e institucioneve të rendit dhe sigurisë në Kosovë. Pas një periudhe pune në Kosovë, ajo u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar, ku e vazhdoi karrierën në fushën e sigurisë.

    Në vitin 2013, Luljeta Mehmeti-Quigley u rikthye në Kosovë për të vazhduar shërbimin në Policinë e Kosovës, duke kontribuar sërish në zhvillimin e këtij institucioni. Suksesi i saj në Akademinë Kombëtare të FBI-së është një tjetër dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit të saj në forcimin e kapaciteteve profesionale të Policisë së Kosovës.

    Ky diplomim i sjell një mundësi të re për të kontribuar edhe më shumë në fushën e sigurisë dhe rendit, duke sjellë ekspertizën ndërkombëtare në Kosovë.

    “Ceremonia e Diplomimit të Sesionit 296 të Akademisë Kombëtare të FBI-së! Përvojë jetësore, krenare që jam e diplomuar në FBI”, shkroi vetë Mehmeti-Quigley.

    Këtë arritje, Shoqata Amerikane-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) e ka vlerësuar si një moment të jashtëzakonshëm dhe si një hap të rëndësishëm për gratë kosovare në sektorin e sigurisë.

    “Një moment krenarie për komunitetin tonë dhe për të gjitha gratë në zbatimin e ligjit, duke thyer barrierat dhe duke frymëzuar breza të tërë. Bravo Kosovë”, shkruhet në postimin e AALEA-s.

  • Operacion i suskseshëm i Doganës dhe Policisë së Kosovës – Konfiskohen mbi 250 kg duhan në Prishtinë

    Operacion i suskseshëm i Doganës dhe Policisë së Kosovës – Konfiskohen mbi 250 kg duhan në Prishtinë

    Ditën e djeshme, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë kryer një kontroll operativ në një objekt pa mbishkrim pranë tregut të gjelbërt në Prishtinë. Gjatë këtij kontrolli, është zbuluar një sasi e konsiderueshme malli pa dokumentacion origjine, dyshuar si kontrabandë.

    Në operacionin e zhvilluar janë konfiskuar: Duhan i grirë (refuz): 511 pako x 500 gr = 255.5 kg pa banderola, mjaltë: 100 pako x 12 copë = 1,200 kg pa mbishkrim, dhe filtera cigaresh: 21 pako x 10,000 copë = 210,000 copë.

    Mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë është njoftuar për gjetjet, duke kërkuar udhëzime për hapat e mëtejshëm proceduralë.

    Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës vazhdojnë angazhimin e tyre të palodhur në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e integritetit të tregut, duke ftuar qytetarët të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar për mallra të kontrabanduara.

  • Arritje tjetër arritje për Kosovën: Drini Gashi bëhet kosovari i parë në Gardën Kombëtare të Iowa-s

    Arritje tjetër arritje për Kosovën: Drini Gashi bëhet kosovari i parë në Gardën Kombëtare të Iowa-s

    Duke shënuar një moment historik në partneritetin e Gardës Kombëtare të Ajovas (Iowa) me Kosovën, aviatori Drini Gashi, shtetas i Kosovës, ngriti dorën e djathtë dhe iu bashkua kësaj garde në bazën 132d Air Wing, më 20 nëntor.

    Drini është personi i parë nga Kosova, që është partneri shtetëror i Gardës Kombëtare të Ajovas në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror (SPP), që i bashkohet GKA-së. Ai u betua nga gjeneralmajori në pension, Timothy Orr, ish-Adjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Ajovas, i cili kishte avokuar që Ajova të bëhej pjesë e programit. Garda Kombëtare e Ajovas dhe Kosova janë partnerë të SPP-së që nga viti 2011, raporton “dvidshub”.

    “Angazhimi i Drinit shënon edhe një tjetër pikë kthese në marrëdhënien që forcon lidhjen mes Ajovas dhe Kosovës”, tha Orr. “Ne shërbejmë së bashku, punojmë së bashku dhe luftojmë së bashku”.

    Motivimi i Drinit për të shërbyer lidhet me vitin 2012, kur ai u shpërngul nga Kosova në Washington, D.C. Babai i tij, gjeneral brigade në pension i FSK-së, Xhavit Gashi, shërbeu si atashe i FSK-së në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ajova. Gjatë asaj kohe, Xhavit Gashi u takua me Orrin dhe të dy ndërtuan një miqësi të përjetshme në vitet e hershme të partneritetit të Gardës Kombëtare të Ajovas me Kosovën.

    Familja Gashi u shpërngul në Ajova në vitin 2016, kur Xhaviti mori pozitën e konsullit të përgjithshëm në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Des Moines, Ajova. Gjatë asaj kohe, familja Gashi jetoi në Camp Dodge. Pikërisht aty Drini pati ndërveprimet e para me pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovas.

    “Më pëlqeu shumë jetesa atje”, tha Drini. “Më pëlqente t’i shihja nga afër pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovas”.

    Pas disa vitesh në Ajova, familja Gashi u kthye në Kosovë. Megjithatë Drini vazhdoi të ndiente një lidhje të fortë me Ajovën dhe vendosi të kthehej për të ndjekur kolegjin. Së shpejti, ai nisi rrugëtimin drejt shtetësisë amerikane duke u regjistruar në Gardën Kombëtare të Ajovas përmes Programit të Sponsorizimit dhe Shtetësisë së Përshpejtuar.

    “E dua këtë vend dhe e dua atë që ky vend përfaqëson”, tha Drini. “Ajo që është ky vend, është më e madhja në botë”.

    Drejtorët e kaluar dhe aktualë të Programit të Partneritetit Shtetëror ishin të pranishëm në ceremoninë e betimit, ku u shpreh një ndjenjë e përbashkët krenarie për angazhimin e Drinit.

    “Qëllimi i Programit të Partneritetit Shtetëror është të ndërtojë marrëdhënie mes Gardës Kombëtare të ShBA-së dhe ushtrive e qeverive të huaja, duke nxitur bashkëpunimin në siguri, përmirësimin e ndërveprimit dhe mbështetjen e interesave kombëtare të ShBA-së”, tha nënkoloneli Joel Jacobson, ish-drejtor i Programit të Partneritetit Shtetëror. “Ajova e ka arritur këtë përmes qindra shkëmbimeve ushtarake mes Ajovas dhe Kosovës, por tani Ajova ka një kosovar të regjistruar në radhët e saj. Kjo është një arritje e madhe dhe i shton talent Gardës Kombëtare të Ajovas”.

    Angazhimi i Drinit hap rrugën që edhe kosovarë të tjerë t’i bashkohen Gardës Kombëtare të Ajovas, si pjesë e forcimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve Ajova-Kosovë.

    “Shpresojmë që ky moment monumental të krijojë një precedent që kosovarët t’i bashkohen Gardës Kombëtare të Ajovas dhe të bëhen qytetarë të ShBA-së”, tha nënkolonelja në pension Kerri Lewers, drejtoreshë e Programit të Partneritetit Shtetëror. “Edhe pse Ajova nuk ka një komunitet të madh kosovar, miqësitë dhe marrëdhëniet unike të krijuara mes Gardës Kombëtare të Ajovas dhe FSK-së janë ndërtuar mbi besim dhe janë si familje”, transmeton Sinjali.

  • Kosova nis pranimin e migrantëve të deportuar nga ShBA-ja

    Kosova nis pranimin e migrantëve të deportuar nga ShBA-ja

    Kosova ka filluar të pranojë migrantë të caktuar për deportim nga Shtetet e Bashkuara sipas një marrëveshjeje të arritur me administratën e Presidentit Donald Trump, tha të enjten kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Në një intervistë për “Kanal10”, Kurti konfirmoi se një ose dy migrantë kanë mbërritur tashmë, duke vënë në dukje se Kosova po pranon njerëz “që Shtetet e Bashkuara nuk i duan në territorin e saj”.

    Marrëveshja, e finalizuar në qershor, i lejon Kosovës të pranojë deri në 50 migrantë për një periudhë njëvjeçare, sipas qeverisë.

    Duke nënshkruar marrëveshjen, Kosova donte të shprehte “mirënjohjen e përjetshme” për mbështetjen e ShBA-së që kur u nda nga Serbia në vitin 2008, tha qeveria në qershor, shkruan “TrtWorld”.

  • Zelensky thotë se Donbasi vazhdon të jetë pengesë mes trysnisë për një marrëveshje për paqe

    Zelensky thotë se Donbasi vazhdon të jetë pengesë mes trysnisë për një marrëveshje për paqe

    Kërkesat që Kievi t’i tërheqë trupat nga pjesa e Donbasit të cilën ende e ka nën kontroll, vazhdon të jetë pengesë drejt përparimit në bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe me Rusinë, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    Bisedimet për paqe po zhvillohen me shpejtësi dhe Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë trysni të madhe për një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.

    Statusi i centralit bërthamor të Zaporizhjas, i cili kontrollohet nga Rusia, është një çështje tjetër që duhet të zgjidhet, tha Zelensky për gazetarë mbrëmjen e së enjtes, pas bisedimeve të Ukrainës me mbështetësit evropianë dhe zyrtarët amerikanë.

    Ai shtoi gjithashtu se një armëpushim do të ishte i nevojshëm, nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti.

    Pasi Shtetet e Bashkuara e paraqitën një plan për paqe me 28 pika, i cili favorizonte dukshëm Rusinë sipas kritikëve, Ukraina dhe vendet evropiane po kërkojnë ndryshime që do ta bënin marrëveshjen më të baraspeshuar dhe, mbi të gjitha, do ta siguronin mbrojtjen e Ukrainës ndaj ndonjë sulmi rus në të ardhmen.

    Kievi ia dorëzoi SHBA-së një plan me 20 pika më herët gjatë kësaj jave.

    “Ne ia dërguam ekipit amerikan një version të rishikuar të dokumentit kornizë me të cilin punuam. Ai përfshin 20 pika kyç. Ky mund të jetë themeli për gjithçka. Po pres përgjigje nga Amerika”, tha Zelensky para më shumë se 30 udhëheqësve të vendeve të “koalicionit të vullnetit”.

    Derisa Rusia ka dhënë pak shenja se është e gatshme të heqë dorë nga kërkesat e kamotshme, zyrtarët amerikanë dhe ata ukrainas po i shtjellojnë hollësitë.

    Zelensky tha se kishte zhvilluar një diskutim “të thellë” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, shefin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe të dërguarin e posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.

    Sipas Zelenskyt, SHBA-ja propozon tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesa e fortifikuar e rajonit të Donjeckut të cilën e kontrollon ende, dhe “kompromisi është, teorikisht, që trupat ruse nuk do të hyjnë” në këtë zonë, ku Uashingtoni kërkon të vendosë një “zonë të lirë ekonomike”.

    “Ata nuk e dinë se kush do ta qeverisë këtë territor”, tha Zelensky, duke shtuar se Rusia e quan atë “zonë të demilitarizuar”.

    Ai shtoi gjithashtu se ukrainasit duhet ta thonë fjalën e tyre për çdo lëshim territorial të propozuar, “qoftë përmes zgjedhjeve ose një referendumi”.

    Pas raportimeve se presidenti amerikan, Donald Trump, kishte vendosur datën 25 dhjetor si afatin që Ukraina të pranonte propozimin e paqes, Zelensky tha se Kievit nuk i ishte dhënë ndonjë afat i prerë, por se “mendoj se ata me të vërtetë dëshironin, ose ndoshta ende duan, ta kuptojnë plotësisht deri në Krishtlindje se ku qëndrojmë me këtë marrëveshje”.

    Trump ka synuar ta ndërmjetësojë përfundimin e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia qëkurse e mori detyrën në janar të këtij viti, por është përballur me pengesa të mëdha, duke përfshirë mospërfillje nga presidenti rus, Vladimir Putin, për armëpushim.

    Trump tha se Shtetet e Bashkuara mund të marrin ose jo pjesë në një takim të planifikuar mes zyrtarëve të lartë ukrainas, francezë, gjermanë dhe britanikë në Evropë, më 13 dhjetor.

    “Do të shohim nëse do të marrim pjesë në takim”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale.

    “Do të marrim pjesë në takim të shtunën në Evropë, nëse mendojmë se ka shans të mirë. Dhe, nuk duam të humbasim shumë kohë, nëse mendojmë se është negativ”, shtoi ai.

    “Presidenti është jashtëzakonisht i zemëruar me të dyja palët e kësaj lufte, dhe ai është i lodhur nga takimet vetëm sa për sy e faqe”, u tha gazetarëve sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, shkuran REL.

    Lidhur me zgjedhjet, që SHBA-ja po e shtyn Ukrainën t’i mbajë pavarësisht faktit se ato janë të ndaluara me ligjin ushtarak, Zelensky tha më 11 dhjetor se nevojitet armëpushim për këtë.

    Trump i tha Politicos në një intervistë të botuar më 9 dhjetor se “është koha” të mbahen zgjedhjet, dhe Zelensky tha po atë ditë – për herë të parë – se do të kërkonte nga Parlamenti të hartonte legjislacion që lejon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë ligjit ushtarak.

    Ai tha se zgjedhjet mund të mbahen brenda 60 deri në 90 ditëve, me kusht që të ketë garanci të sigurisë për të siguruar që votimi të jetë i sigurt për ukrainasit.

  • Aksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes një grua që po drejtonte veturën me targa të huaja

    Aksident me fatalitet në autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes një grua që po drejtonte veturën me targa të huaja

    Një grua ka humbur jetën në një aksident trafiku të ndodhur në mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova”, pasi vetura që ajo drejtonte u përplas me një kamion.

    Sipas zëdhënësit të Policisë, Baki Kelani, aksidenti është regjistruar rreth orës 07:40, kur drejtuesja e veturës me targa të huaja është përplasur me mjetin e rëndë transportues me targa vendore. Si pasojë, ajo ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe shoferi i kamionit.

    Në vendin e aksidentit kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, ku këta të fundit kanë konstatuar vdekjen e viktimës në vendngjarje. Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aksidenti fatal.

  • “Nuk kanë përfituar rritje pagash”, punëtorët e KEK-ut protestojnë para zyrave të korporatës

    “Nuk kanë përfituar rritje pagash”, punëtorët e KEK-ut protestojnë para zyrave të korporatës

    Sot, punëtorët e KEK-ut pritet të protesojnë sot nga ora 11:00 para zyrave të korporatës së tyre.

    Sipas njoftimit, kërkohet rritje e pagave për punëtorët e KEK-ut, nivelizimin e pagave të sigurimit fizik si dhe zbatimin e pagës së 13-të, transmeton Sinjali.

    “Pse po protestojmë? Sepse punëtorët e KEK-ut përballen çdo ditë me kushte të vështira dhe rrezik profesional, përballen me rritje të kostos së jetesës nga inflacioni, nuk kanë përfituar rritje pagash si institucionet tjera publike dhe po e mbajnë mbi supe sistemin energjetik të vendit”, thuhet në njoftim.

  • Gjendet e vdekur një grua në Gostivar, pasi u raportua si e zhdukur – Dyshohet se u vra nga një 53-vjeçar

    Gjendet e vdekur një grua në Gostivar, pasi u raportua si e zhdukur – Dyshohet se u vra nga një 53-vjeçar

    Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në Gostivar. Një grua u gjet e varrosur dhe dyshohet se është vrarë, por motivet e krimit vazhdojnë të mbeten të panjohura. Dorasi dyshohet të jetë një burrë 53-vjeçar.

    I dyshuari për këtë krim është nga fshati Negotinë, Komuna Vrapçisht, dhe u zbulua se ai e kishte privuar nga jeta viktimën. Rasti u zbulua nga bashkëshortja e tij.

    Sipas Policisë, fillimisht djali i të ndjerës e ka raportuar zhdukjen e nënës së tij.

    “Më 09.12.2025, J.M. (34) nga Gostivari ka raportuar se nëna e tij, H.A. (53) nga fshati Raven, Gostivar, ishte larguar nga shtëpia. Më vonë, në kamerat e sigurisë, ai vuri re se më 07.12.2025 ajo ishte marrë me një automjet pasagjerësh ‘Fiat’, dhe pas kësaj ajo nuk kishte pasur qasje në telefonin e saj. Ai gjithashtu raportoi se në kamerat e sigurisë kishte vënë re se, natën ndërmjet 06.12. dhe 07.12.2025, personi S.M. kishte hyrë dhe kishte kërkuar në shtëpinë e tij, dhe se ishin marrë para nga dhoma e tij”, njoftoi Policia.

    Pas denoncimit, organet e rendit u aktivizuan dhe ndaluan të dyshuarin, por ai kishte dhënë një deklaratë të rreme.

    “Më 11.12.2025, në orën 02:15, S.M. është privuar nga liria me dyshimin se e kishte detyruar H.A. të largohej nga shtëpia me të. Pas masave të marra dhe kontrolleve të kryera në video-incizime, është konfirmuar se i dyshuari kishte dhënë dëshmi të rreme në stacionin policor. Gjithashtu, nga lista e thirrjeve të marra, është konstatuar se H.A. për herë të fundit kishte kontaktuar me të më 07.12.2025.”

    Megjithatë, ishte pikërisht gruaja e tij që bëri të mundur zbardhjen e këtij rasti të tmerrshëm.

    “Më vonë, me urdhër të gjykatës, është kryer bastisje në shtëpinë e S.M., pas së cilës është privuar nga liria edhe bashkëshortja e tij Gj.V. (48). Në një bisedë zyrtare në stacionin policor, Gj.V. ka pranuar se bashkëshorti i saj S.M. e kishte vrarë viktimën H.A. me pistoletë dhe kishte treguar vendin se ku e kishte varrosur. Pas kësaj, punonjësit e policisë nga Zyra e Jashtme për Punë Kriminalistike Gostivar në prani të prokurorit publik kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes në fshatin Negotinë, ku u gjet trupi i H.A. Me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar për autopsi”, thuhet në njoftimin e Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë.