ATV

Category: Lajme

  • Policët amerikanë falënderojnë shqiptarin për befasinë që u bëri

    Policët amerikanë falënderojnë shqiptarin për befasinë që u bëri

    Shqiptarët prej vitesh jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po ndërtojnë jetën dhe bizneset e tyre me sukses.

    Ndër ta është edhe Mergim Lala nga Ferizaj, i cili prej më shumë se katër dekadash jeton dhe vepron në Houston të Texasit.

    Ai drejton me sukses biznesin familjar të picerisë “Brother’s Pizza”, një emër i vlerësuar lart nga komuniteti amerikan, por edhe nga forcat policore të zonës.

    Shefi i policisë së qarkut Harris, Mark Herman ka falënderuar pronarin shqiptar të picerisë “Brothers Pizz” për befasinë që u ka bërë policëve të stacionit të katërt.

    “Sot, Mike nga Brothers Pizza vizitoi Stacionin e Patrullës Holzwarth të Konstablit Mark Herman, duke sjellë pica të shijshme për zëvendësit tanë. Gjatë vizitës, ai i falënderoi personalisht për punën e jashtëzakonshme që ata kryejnë çdo ditë në shërbim të komunitetit. Ky gjest mirënjohjeje dhe mbështetjeje vlerësohet thellësisht nga i gjithë stafi”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

    Ndryshe, piceria kohë pas kohe i shpërblen pjesëtarët e tjerë që shërbejnë në dobi të komunitetit, të tillë, si zjarrfikësit.

  • Mot i vranët e me diell

    Mot i vranët e me diell

    Sot moti në vend parashikohet të jetë kryesisht i vranët, por me intervale të shkurtra me diell gjatë ditës.

    Temperaturat minimale, sipas Institutit Hidrometerologjik, do të lëvizin ndërmjet 1 dhe 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 7 deri në 9 gradë Celsius.

    Njëherësh, era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit, duke krijuar kushte të qëndrueshme atmosferike.

  • Shtyhet afati për aplikim në skemën e granteve për energji të pastër

    Shtyhet afati për aplikim në skemën e granteve për energji të pastër

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka njoftuar zgjatjen e afatit të aplikimit në thirrjen publike për përkrahjen financiare të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në skemën e granteve për energji të pastër, të shpallur më 10 tetor 2025.

    Sipas njoftimit, afati i ri për aplikim është deri më 31 janar 2026, ndërsa procedura e aplikimit kryhet përmes platformës e-Kosova, të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).

    Aplikimet mund të bëhen për:

    Masën 1 në platformë: ekosova.rks-gov.net/699
    Masën 2 në platformë: ekosova.rks-gov.net/714
    Masën 3 në platformë: ekosova.rks-gov.net/702
    MINT dhe KIESA thonë se shtyrja e afatit synon t’u japë më shumë kohë ndërmarrjeve që të përgatisin dokumentacionin dhe të përfitojnë nga mbështetja për investime në energji të pastër.

  • Ambasada e SHBA-së: Kërkohen hapa konkret nga Kurti për uljen e tensioneve

    Ambasada e SHBA-së: Kërkohen hapa konkret nga Kurti për uljen e tensioneve

    SHBA-të nuk pritet të fillojnë dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën të cilin e kishin pezulluar në shtator të këtij viti për shkak të veprimeve të pakoordinuara të Qeverisë Kurti.

    Në një përgjigje të Ambasadës së SHBA-së për RTV21 thuhet se SHBA kërkon hapa konkretë nga Kryeministri kujdestar Kurti për të uljen e tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin e përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik.

    ‘’Siç ia kemi bërë të qartë qeverisë së përkohshme, dera është e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit. Megjithatë, kjo kërkon hapa konkret nga kryeministri kujdestar Kurti për të uljen e tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë së përkohshme. Nuk kemi asgjë tjetër për të njoftuar në këtë pikë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së.

  • Zgjidhet kreu i ri i SPAK, Klodjan Braho shpallet fitues me 7 vota

    Zgjidhet kreu i ri i SPAK, Klodjan Braho shpallet fitues me 7 vota

    Klodjan Braho është kreu i ri i SPAK.

    Ai u zgjodh me 7 vota, ndërkohë Adnan Xholi mori 3 vota, 1 votë mori Elvin Gokaj ndërsa Doloreza Musabelli nuk mori asnjë votë.

    Braho do të jetë pasuesi i Altin Dumanit.

  • Hajdutët e Luvrit shpëtuan për vetëm 30 sekonda, zbulon hetimi

    Hajdutët e Luvrit shpëtuan për vetëm 30 sekonda, zbulon hetimi

    Hajdutët që vodhën bizhuteritë me vlerë më shumë se 100 milionë dollarë nga Luvri në tetor ikën me vetëm 30 sekonda kohë, sipas një hetimi të Senatit Francez, ndërsa ligjvënësit detajuan një sërë dështimesh të sigurisë që i lejuan atyre të fshiheshin në mes të ditës.

    Hetimi parlamentar, i urdhëruar pas grabitjes së 19 tetorit, zbuloi se vetëm një nga dy kamerat që mbulonin pikën e hyrjes funksiononte dhe se stafit të sigurisë i mungonin ekranet e mjaftueshme për të monitoruar pamjet në kohë reale.

    Kur më në fund ra alarmi, policia fillimisht u dërgua në vendin e gabuar, sipas hetuesve.

    “Për 30 sekonda, rojet ose policia mund t’i kishin kapur”, tha Noël Corbin, kreu i hetimit.

    Raporti përmendi gjithashtu pajisje të vjetruara, dobësi të paadresuara të identifikuara në auditimet e mëparshme dhe koordinim të dobët midis Luvrit dhe autoriteteve të tij mbikëqyrëse.

    Thuhej se ballkoni i përdorur nga hajdutët ishte identifikuar vite më parë si një pikë e dobët, por nuk ishte përforcuar kurrë.

    Ndryshe, gjetjet rrisin presionin mbi drejtorin e Luvrit, Laurence des Cars, i cili do të merret në pyetje nga ligjvënësit javën e ardhshme.

    Bizhuteritë e zhdukura nuk janë gjetur ende.

  • Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

    Ekstradohet nga Gjermania në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante policore ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Gjermania për në Kosovë.

    Sipas policisë, i dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për vuajtjen e dënimit prej një (1) viti burgim dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.

    Policia ka bërë të ditur se ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të Kosovës dhe atyre gjermane.

    “I dyshuari pas ekstradimit, i është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë rajoni i Pejës për vazhdim me procedurat tjera ligjore. Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen/arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

  • Handikos Gjakovë pranon donacion të pajisjeve ndihmëse nga organizata zvicerane

    Handikos Gjakovë pranon donacion të pajisjeve ndihmëse nga organizata zvicerane

    Handikos Gjakovë ka shprehur mirënjohje të thellë për organizatën Mutter Teresa – HWV Schweiz dhe për Nue Zallin, për donacionin e pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara.

    Sipas njoftimit, pajisjet tashmë kanë mbërritur te përfituesit që kishin nevojë më të madhe dhe më urgjente.

    Po ashtu, Handikos ka falënderuar edhe për mbështetjen financiare të ofruar nga donatorët, duke e cilësuar atë si një kontribut të çmuar që do të përdoret me transparencë dhe përkushtim në shërbim të komunitetit.

    “Gjestet tuaja kanë sjellë lehtësim dhe shpresë për shumë familje në komunën tonë. Faleminderit për zemërgjerësinë dhe humanitetin që dëshmoni! Së bashku vazhdojmë të bëjmë ndryshim”, thuhet në njoftim.

  • Punëtorët e KRU “Hidrodrini” paralajmërojnë për grevë

    Punëtorët e KRU “Hidrodrini” paralajmërojnë për grevë

    Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “Hidrodrini” ka njoftuar se pas mbledhjes së Këshillit të Grevës, të mbajtur më 11 dhjetor 2025, është marrë vendim për organizimin e një greve paralajmëruese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Grevë paralajmëruese do të mbahet më 17 dhjetor 2025, nga ora 09:00 deri në 10:00.

    Sipas sindikatës, ky vendim është marrë për shkak të mungesës së përgjigjeve zyrtare ndaj kërkesave të punëtorëve, pavarësisht shkresave dhe negociatave të zhvilluara me menaxhmentin dhe institucionet përgjegjëse.

    Kërkesat kryesore të punëtorëve përfshijnë:

    rritje lineare të pagave prej 110 euro për të gjithë punonjësit;
    barazim të shujtës së mëngjesit me ndërmarrjet tjera të sektorit, në vlerë 5 euro;
    pagesën e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e KRU “Hidrodrini”.
    Sindikatat paralajmërojnë se, nëse pas grevës paralajmëruese nuk ndërmerren hapa konkretë për adresimin e kërkesave, veprimet sindikale do të përshkallëzohen deri në grevë të përgjithshme.

    Shoqata Sindikale thekson se mbetet e hapur për dialog, por e vendosur për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

  • I vazhdohet paraburgimi Thaçit

    I vazhdohet paraburgimi Thaçit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim për vazhdimin e masë së paraburgimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit, i cili së bashku me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Vendimi është marrë më 10 dhjetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Paraburgimi ndaj Thaçit është vazhduar edhe për dy muaj, pasi trupi gjykues ka konstatuar se ka rrezik që ai të pengojë procedurat dhe të kryejë krime të tjera në këtë fushë.

    Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit kanë mbyllur zyrtarisht paraqitjen e provave.

    Ndryshe, mbrojtja kishte filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

    Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

    Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

    Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Ëesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

    Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

    “Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

    Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.