ATV

Category: Lajme

  • Një tren është përplasur me një kombi në vijën hekurudhore pranë Prishtinës

    Një tren është përplasur me një kombi në vijën hekurudhore pranë Prishtinës

    Një aksident trafiku ka ndodhur pasditën e sotme në zonën industriale përgjatë rrugës Prishtinë–Fushë Kosovë, ku një tren ka goditur një kombi.

    Në pamjet e siguruara shihet se përplasja ka ndodhur në një kalim hekurudhor, në momentin kur kombi ka hyrë në shina, ndërsa treni ishte duke lëvizur.

    Përveç dëmeve materiale nuk dihet nëse ka të lënduar, si pasojë e aksidentit në fjalë.

  • Nënshkruhet kontrata milionëshe në Malishevë, që do të zgjidhë problemin me energji elektrike

    Nënshkruhet kontrata milionëshe në Malishevë, që do të zgjidhë problemin me energji elektrike

    Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka nënshkruar sot kontratë në vlerë prej 6,763,766.04 euro, e cila pritet ta zgjidh problemin me energji elektrike në Komunën e  Malishevës.

    Kontrata e nënshkruar parasheh zbatimin e projektit kapital: Nënstacioni i ri 220/35/10(20) kV Malishevë, me transformator 40 MVA dhe linjë kyçjeje 220 kV. Projekti financohet nga KOSTT-i me vlerë 6,763,766.04 euro.

    Ky investim e lidh për herë të parë Malishevën me rrjetin 220 kV, duke i dhënë komunës kapacitete dukshëm më të larta dhe furnizim më të qëndrueshëm, krahas rrjetit ekzistues 35 kV. Për qytetarët dhe bizneset kjo nënkupton cilësi më të mirë të furnizimit, siguri më të lartë dhe bazë të fortë për zhvillim ekonomik.

    Në nivel sistemi, projekti rrit besueshmërinë e furnizimit, ul varësinë nga linjat e tensionit të mesëm, redukton humbjet dhe forcon sigurinë operacionale, duke kontribuar edhe në përmbushjen e kriterit N-1. Po ashtu, krijon kushte më të mira për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në përputhje me objektivat afatgjata të sektorit energjetik.

    Afati i planifikuar i realizimit nga nisja e punimeve është rreth 13 muaj.

  • Osmani udhëton për në Selinë e Shenjtë, pritet nga Papa Leo XIV

    Osmani udhëton për në Selinë e Shenjtë, pritet nga Papa Leo XIV

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë, ku do të zhvillojë një sërë takimesh.

    Osmani së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, do të priten në audiencë nga Papa Leo XIV në Pallatin Apostolik.

    Po ashtu, presidentja do të zhvillojë takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

    Gjatë vizitës në Vatikan, Osmani do të vizitojë edhe Bazilikën e Shën Pjetrit.

    “Në selinë e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë, ndërkaq, Presidentja Osmani do të organizojë një pritje të fundvitit me përfaqësues të Selisë së Shenjtë, përfaqësues diplomatik dhe personalitete të tjera. Gjatë kësaj vizite ajo do të realizojë edhe një sërë aktivitetesh të tjera me qëllim të thellimit të raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Selisë së Shenjtë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

  • Shqiptarët nga mbarë bota mblidhen në Romë, synohet fuqizimi i bizneseve shqiptare

    Shqiptarët nga mbarë bota mblidhen në Romë, synohet fuqizimi i bizneseve shqiptare

    Qindra biznese shqiptare në Evropë janë mbledhur në kryeqytetin e Italisë në Romë.

    Organizuar nga “Albanian Global Diaspora Busines Network”, shqipet nga Australia, Turqia, Austria, Finlanda, Belgjika, dhe Italia janë bërë bashkë me qëllimin e vetëm të bashkohen për krijimin e partneriteteve të reja dhe mbështetjen e njëra-tjetres.

    “Sot, të gjitha rrugët çojnë në Romë! Sot, Roma bëhet pika e takimit për 200+ biznese shqiptare nga mbarë bota, të bashkuara në një ditë të dedikuar takimeve B2B, networking-ut dhe krijimit të partneriteteve të reja”.

  • Dronët ukrainas bombarduan rafinerinë ruse të naftës në Yaroslavl

    Dronët ukrainas bombarduan rafinerinë ruse të naftës në Yaroslavl

    Gjatë natës së 12 dhjetorit, qyteti i Yaroslavlit u trondit nga disa shpërthime të fuqishme, pasi objektivi kryesor i sulmit u bë rafineria Yaroslavnefteorgsintez – objekti më i madh për përpunimin e naftës në veriun e Rusisë.

    Ky kompleks industrial ka rëndësi të madhe strategjike, pasi furnizon me derivate një rajon të gjerë rus.

    Pas shpërthimeve, flakë të mëdha shpërthyen brenda territorit të rafinerisë, ndërsa kolonat e tymit u ngritën lart mbi qytet.

    Ekipet e zjarrfikësve u mobilizuan menjëherë për të vënë nën kontroll situatën, por sipas raportimeve të para, zjarri ishte i përhapur dhe i vështirë për t’u shuar.

    Banorët lokalë raportuan se dëgjuan disa zhurma të ngjashme me shpërthime të njëpasnjëshme, të cilat shkaktuan panik dhe shqetësim.

    Trafiku në zonë u devijua, ndërsa autoritetet paralajmëruan popullsinë të shmangte afërsinë me rafinerinë për shkak të rrezikut të mundshëm të shpërthimeve të tjera.

    Nuk ka ende informacione të konfirmuara për numrin e të lënduarve ose përmasat e plota të dëmeve materiale, por sulmi konsiderohet një prej incidenteve më serioze që kanë goditur infrastrukturën energjetike në atë rajon.

  • Venezuela thotë se Trump dëshiron naftën e saj, por a është ky qëllimi i vërtetë i SHBA-së?

    Venezuela thotë se Trump dëshiron naftën e saj, por a është ky qëllimi i vërtetë i SHBA-së?

    Udhëheqësi venezuelian Nicolás Maduro thotë se presioni në rritje nga SHBA-të reduktohet në një gjë: Uashingtoni dëshiron të rrëmbejë rezervat e mëdha të naftës të kombit të Amerikës së Jugut.

    Këtë javë ushtria amerikane sekuestroi një cisternë nafte, e cila dyshohet se transportonte naftë venezueliane që po transportohej në shkelje të sanksioneve të SHBA-së, dhe kërcënoi me veprime kundër anijeve të tjera.

    Ky veprim pasoi një seri sulmesh ushtarake ndaj anijeve venezueliane, të cilat SHBA-të i pretendojnë se janë anije trafikimi droge. Presidenti Donald Trump i ka bërë thirrje Maduros të largohet nga detyra, duke e akuzuar atë për dërgimin e narkotikëve dhe vrasësve në SHBA, transmeton BBC.

    Pra, a është nafta e Venezuelës ajo që Trump dëshiron vërtet? Dhe a ia vlen vërtet?

    Sa naftë ka Venezuela?

    Është e vërtetë që me rreth 303 miliardë fuçi, Venezuela është shtëpia e rezervave më të mëdha të provuara të naftës në botë.

    Por sasia e naftës që vendi prodhon në të vërtetë sot është shumë e vogël në krahasim.

    Prodhimi ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i viteve 2000, pasi ish-Presidenti Hugo Chavez dhe më pas administrata Maduro shtrënguan kontrollin mbi kompaninë shtetërore të naftës, PDVSA, duke çuar në një eksod të stafit më me përvojë.

    Edhe pse disa firma perëndimore të naftës, përfshirë kompaninë amerikane Chevron, janë ende aktive në vend, operacionet e tyre janë zvogëluar ndjeshëm pasi SHBA-të kanë zgjeruar sanksionet dhe kanë synuar eksportet e naftës, duke synuar të frenojnë aksesin e Maduros në një linjë kyçe ekonomike.

    Sanksionet – të cilat SHBA-të i vendosën për herë të parë në vitin 2015 gjatë administratës së Presidentit Barack Obama për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut – e kanë lënë gjithashtu vendin kryesisht të shkëputur nga investimet dhe pjesët që i nevojiten.

    “Sfida e vërtetë që ata kanë është infrastruktura e tyre”, thotë Callum McPherson, kreu i mallrave në Investec.

    Në nëntor, Venezuela prodhoi rreth 860,000 fuçi në ditë, sipas raportit të fundit të tregut të naftës nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

    Kjo është mezi një e treta e asaj që ishte 10 vjet më parë dhe përbën më pak se 1% të konsumit botëror të naftës.

    A e dëshiron Trump naftën e Venezuelës?

    Disa në SHBA kanë argumentuar për ndërhyrje në Venezuelë duke treguar mundësitë që bizneset amerikane të ringjallin industrinë e naftës.

    “Venezuela, për kompanitë amerikane të naftës, do të jetë një ditë e shkëlqyer,” tha kongresmenja republikane e Floridës, María Elvira Salazar, në një intervistë të kohëve të fundit në Fox Business.

    “Kompanitë amerikane mund të hyjnë dhe të rregullojnë të gjitha tubat e naftës, të gjitha platformat e naftës dhe gjithçka që ka të bëjë me… naftën dhe derivatet e saj.”

    Trump mund të duket i hapur ndaj argumenteve të tilla.

    Ai bëri fushatë me sloganin “shponi, shponi, shponi” dhe në përgjithësi ka bërë thirrje për zgjerimin e prodhimit të naftës, të cilin e ka lidhur me çmime më të ulëta për amerikanët.

    Por kur bëhet fjalë për Venezuelën, Shtëpia e Bardhë ka thënë se është e shqetësuar për trafikun e drogës dhe atë që e sheh si paligjshmëri të Maduros.

  • Ndalohen gjashtë persona për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia

    Ndalohen gjashtë persona për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia

    Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor gjashtë persona kosovarë, pasi dyshohet se kanë kaluar ilegalisht kufirin shtetëror nga Serbia me automjete në fshatin Rujishte të Zubin Potokut.

    Sipas policisë, rasti ka ndodhur dje gjatë kontrollit të automjeteve, zyrtarët policorë kanë gjetur mallra të ndryshme, për të cilat ekziston dyshimi se janë kontrabanduar.

    “Fsh. Rujishte, Zubin Potok / 11.12.2025 – 18:30. Janë shoqëruar në stacion policor gjashtë të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që me automjet kishin kaluar kufirin ilegalisht. Në automjete janë gjetur gjësende (mallra) të ndryshme që dyshohet se janë kontrabanduar”, thuhet në njoftimin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar Doganës së Kosovës për trajtim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore.

  • Faton Peci betohet si kryetar i Mitrovicës së Jugut

    Faton Peci betohet si kryetar i Mitrovicës së Jugut

    Faton Peci zyrtarisht është betuar si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut.

    Mbledhja inauguruese ka nisur në ora 12:00.

    Peci siguroi mandatin duke mposhtur kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahirin, në dy raundet e zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor dhe në balotazh më 9 nëntor.

  • Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, e planifikuar të mbahej sot, më 12 dhjetor 2025, në ora 09:30, është anuluar.

    Gjykata ka njoftuar se arsyeja e shtyrjes është pamundësia e pjesëmarrjes së gjyqtarit Alban Ajvazi, njëri nga anëtarët e trupit gjykues.

    Të tre të akuzuarit po gjykohen për vrasje të rëndë, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Gjykata ka caktuar datën e re të seancës: 22 dhjetor 2025, në ora 09:30.

    Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt. Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj, i cili pasi pranoi fajësinë, u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

    Në aktakuzë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava, me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

    Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës. Më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. Vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

  • Ruzhdi Shehu merr zyrtarisht mandatin e dytë si kryetar

    Ruzhdi Shehu merr zyrtarisht mandatin e dytë si kryetar

    Ruzhdi Shehu ka dhënë betimin për mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Junikut.

    Të premten, Shehu ka dhënë zyrtarisht betimin për të filluar mandatin e tij të dytë në krye të komunës

    Ceremonia u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal, në praninë e një numri të madh të ftuarish, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të Junikut.

    Gjatë ceremonisë, krahas kryetarit, betimin e dhanë edhe anëtarët e rinj të Asamblesë Komunale, të cilët zyrtarizuan mandatin e tyre si përfaqësues të Kuvendit Komunal të Junikut.

    Në fjalimin e tij, kryetari Shehu theksoi përkushtimin ndaj qytetarëve dhe zhvillimit të komunës, ai u zotua se mandatin e dytë do ta udhëheq me nder, transparencë dhe llogaridhënie, gjithmonë në shërbim të interesit të qytetarëve.

    “Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për Junikun, duke ruajtur vlerat tona dhe duke sjellë zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët”, tha ndër të tjera kryetari Shehu.