ATV

Category: Lajme

  • Dyfishohet çmimi i argjendit në Kosovë, ari është “i paprekshëm”

    Dyfishohet çmimi i argjendit në Kosovë, ari është “i paprekshëm”

    Çmimi i arit ka shënuar një rritje të konsiderueshme që nga muajt korrik–gusht deri më sot. Kjo rritje ka ndikuar edhe te ne në Kosovë, me një rritje prej rreth 40–50%

    Kryetari i Shoqatës së Artarëve të Kosovës, Enver Pakashtica, në një intervistë për Indeksonlinen, tha se kjo rritje e çmimeve ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në tregtinë lokale, duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe duke ndikuar negativisht në vëllimin e shitjeve në argjendari.

    “Çmimi i arit ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë këtij viti. Sipas tregtarëve dhe përfaqësuesve të sektorit, sot një gram ari shitet rreth 100 euro, krahasuar me 75 euro që ishte gjatë verës një rritje që afrohet rreth 33% në periudhën korrik dhe deri sot”, tha Pakashtica.

    Ai gjithashtu theksoi se kërkesa për produkte prej arit dhe argjendi ka rënë, ndërsa konsumatorët shpesh hezitojnë të blejnë për shkak të pritjeve për ulje të mëtejshme të çmimeve.

    Po ashtu edhe argjendi sipas tij ka shënuar një rritje nga viti i kaluar deri më sot. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimi për një kilogram argjendi ishte rreth 900 euro, ndërsa tani shkon rreth 1,600 euro që korrespondon me një rritje afërsisht 90%.

    Ai shtoi se këto lëvizje janë të ndërlidhura me trendet globale të tregut të metaleve të çmuara, të cilat ndikohen nga faktorë si normat e interesit dhe pasiguria ekonomike botërore.

  • Kamioni godet për vdekje një këmbësore në Prizren

    Kamioni godet për vdekje një këmbësore në Prizren

    Një këmbësore është goditur për vdekje në Prizren. Policia ka njoftuar se e ndjera është shkelur nga një kamion derisa po ecte. Si pasojë e plagëve të marra e njëjta ka ndërruar jetë.

    Rastin e ka konfirmuar Drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Faton Alija.

    “Rreth orës 13:00 një aksident ka ndodhur në afërsi të KEDS-it në Prizren. Në aksident janë përfshirë një kamion dhe një këmbësore – për pasojë kombësorja femër ka vdekur nga lëndimet e marra”, tha Alija.

    Shoferi i kamionit është ndalur nga Policia teksa hetimet dhe veprimet tjera për këtë aksident janë duke vazhduar.

  • Vuçiq: Është veç çështje kohe kur do të vijnë sanksionet sekondare nga SHBA

    Vuçiq: Është veç çështje kohe kur do të vijnë sanksionet sekondare nga SHBA

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar mbrëmë pas takimit me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se kanë biseduar edhe për shqetësimet energjetike me të cilat përballet Serbia dhe se është vetëm çështje kohe kur do të vijë paralajmërimi për sanksione sekondare nga SHBA.

    “Sinqerisht, jam i kënaqur me rrjedhën, mënyrën dhe tonin e bisedës, sidomos për situatën energjetike në të cilën për ne as sot nuk është e lehtë, e vetëm do të bëhet më e vështirë çdo ditë. Kanë kaluar tashmë 61 ose 62 ditë që kur asnjë pikë nafte nuk ka mbërritur në rafinerinë tonë dhe çështja është vetëm kur do të vijë paralajmërimi për sanksione sekondare për bankën qendrore dhe bankat, e pastaj lindin problemet e vërteta”, ka deklaruar Vuçiqi në konferencën për shtyp të mbajtur mbrëmë.

    Ai ka shtuar se kanë biseduar se ku dhe si mund të importohen derivatet nga vendet fqinje dhe si mund të ndërtohen naftësjellës të rinj.

    “Nuk kam ende frikë të madhe për gazin, sa kam për naftën. Natyrisht që kam frikë si njeri përgjegjës, por kemi kërkuar zgjidhje dhe kemi punuar për to dhe shpresoj që do të kemi mbështetjen e BE-së për këto çështje të rëndësishme”, ka thënë Vuçiqi.

  • Sekretari i NATO’s paralajmëron: Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë

    Sekretari i NATO’s paralajmëron: Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë

    Në rreshtat e parë të fjalimit të tij në Berlin, Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Mark Rutte, dha një paralajmërim shumë të ashpër.

    “Jam këtu sot për t’ju treguar se ku qëndron NATO dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndaluar një luftë të fillojë. Dhe për ta bërë këtë, duhet të jemi kristal të qartë për kërcënimin: ne jemi objektivi i radhës i Rusisë dhe jemi tashmë në rrezik”.

    Ai thotë se ndërsa vendimi për të përshpejtuar shpenzimet e mbrojtjes në samitin e NATO-s në Hagë më herët këtë vit ishte i mirëpritur, “kjo nuk është koha për vetëkënaqësi”.

    “Kam frikë se shumë janë të vetëkënaqur në heshtje. Shumë nuk e ndiejnë urgjencën. Dhe shumë besojnë se koha është në anën tonë. Nuk është. Koha për veprim është tani. Shpenzimet dhe prodhimi i mbrojtjes së aleatëve duhet të rriten me shpejtësi. Forcat tona të armatosura duhet të kenë atë që u nevojitet për të na mbajtur të sigurt”.

    Rutte thotë se Rusia “është bërë edhe më e paturpshme, e pamatur dhe e pamëshirshme ndaj NATO-s dhe ndaj Ukrainës”.

    “Gjatë luftës së ftohtë, Presidenti Reagan paralajmëroi për impulset agresive të një perandorie të ligë. Sot, Presidenti Putin përsëri ka hyrë në biznesin e ndërtimit të perandorisë”.

    Ai paralajmëron se “në pikëpamjen e tij të shtrembëruar të historisë në botë, Putin beson se liria jonë kërcënon kontrollin e tij mbi pushtetin dhe se ne duam ta shkatërrojmë Rusinë”.

    Ai thotë se Kina është “litari i shpëtimit” i Rusisë që i lejon asaj të ndjekë linjën e saj agresive dhe mbështetet nga Koreja e Veriut dhe Irani.

    Rutte me qëllim vlerëson Trumpin për përpjekjet e tij, duke thënë “ai është i vetmi që mund ta ulë Putinin në tryezën e negociatave”.

    “Pra, le ta vëmë Putinin në provë. Le të shohim nëse ai vërtet dëshiron paqe apo nëse preferon që masakra të vazhdojë”, thotë ai.

  • Gjykimi për të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc nis me 24 dhjetor

    Gjykimi për të akuzuarit për sulmin në Ibër-Lepenc nis me 24 dhjetor

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 24 dhjetorin si datë për nisjen e gjykimit ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj Gjykate.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 dhjetor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

    Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

  • Trupi iu gjet në një livadh rreth 1 kilometër larg shtëpisë, Policia jep detaje për 18-vjeçarin që u raportua i zhdukur

    Trupi iu gjet në një livadh rreth 1 kilometër larg shtëpisë, Policia jep detaje për 18-vjeçarin që u raportua i zhdukur

    Një 18-vjeçar që ishte raportuar i zhdukur para dy ditësh në Brod të Shtërpcës, është gjetur sot i vdekur.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar se trupi është gjetur rreth 1 kilometër larg shtëpisë së tij në një livadh.

    “Sot më 11.12.2025 rreh orës 13:20 është gjetur, rreth 1 kilometër larg shtëpisë së tij, në një livadh, pa shenja jete. Vdekja e të cilit është konstatuar nga mjekët e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Shtërpcë. Ekipe të policisë janë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit po e hetojnë rastin”, ka deklaruar Veseli.

    18-vjeçari ishte raportuar i zhdukur nga familjarët e tij më 10 dhjetor. Sipas tyre, ai kishte dalë nga shtëpia rreth orës 00:30 dhe nuk ishte kthyer më në shtëpi.

    Trupi është gjetur pas angazhimit të Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim.

  • Polonia do të nis ndërtimin e centralit të saj të parë bërthamor

    Polonia do të nis ndërtimin e centralit të saj të parë bërthamor

    Ndërtimi i centralit të parë bërthamor të Polonisë do të fillojë tani, pasi Komisioni Evropian miratoi kërkesën e Varshavës për të ndarë 14.2 miliardë euro ndihmë shtetërore për projektin.

    Vendimi u mirëprit nga kryeministri Donald Tusk, i cili tha në një mbledhje të kabinetit se kjo do të thotë që “ndërtimi do të jetë në gjendje të fillojë menjëherë”, që këtë muaj.

    Centrali bërthamor, i cili do të ketë një kapacitet deri në 3.75 gigavat (GW), do të ndërtohet në bregdetin verior të Detit Baltik të Polonisë.

    Pritet të fillojë funksionimin në gjysmën e dytë të viteve 2030.

    Komisioni vuri në dukje se projekti bërthamor “luan një rol qendror në strategjinë e Polonisë për dekarbonizimin e prodhimit të energjisë elektrike”.

    Aktualisht, mbi gjysma e energjisë elektrike të Polonisë gjenerohet nga qymyri, përqindja më e lartë në BE, por Varshava po kërkon të kalojë drejt energjisë bërthamore dhe burimeve të rinovueshme.

    14.2 milionë euro që do të shpenzohen për projektin midis viteve 2025 dhe 2030, do të mbulojnë rreth 30% të kostove totale të vlerësuara, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nëpërmjet huamarrjes nga institucione financiare, kryesisht të huaja.

    Ndër subjektet që kanë premtuar tashmë financim janë Korporata e Financimit për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara (DFC) dhe Banka e Eksport-Importit e Shteteve të Bashkuara.

    Kompania shtetërore polake Polskie Elektrownie Jądrowe (PEJ) është ngarkuar me ndërtimin e uzinës, duke punuar së bashku me një konsorcium të përbërë nga kompanitë amerikane Westinghouse, e cila po ofron teknologjinë, dhe Bechtel, i cili është kontraktori i ndërtimit.

  • Një qytetari i përkeqësohet gjendja, një politikan kosovar i jep ndihmën e parë

    Një qytetari i përkeqësohet gjendja, një politikan kosovar i jep ndihmën e parë

    Në një kafiteri në Prishtinë, sot një qytetar u përball me një gjendje të rëndë shëndetësore, e cila kërkonte ndërhyrje të menjëhershme.

    Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të ish drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi i cili është asambleist e dhe kandidat për deputet, qytetari mori ndihmën e parë në çastet vendimtare, deri në mbërritjen e ekipit mjekësor.

  • Gjendet i vdekur 18-vjeçari që u shpall i zhdukur

    Gjendet i vdekur 18-vjeçari që u shpall i zhdukur

    I riu 18-vjeçar, Yll Hiseni, është gjetur pa shenja jete nga ekipi i Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, pasi ishte raportuar i zhdukur që nga mesnata e së martës.

    Lajmin e ka konfirmuar nënkryetari i shoqatës, Mentor Maloku.

    “Fatkeqësisht, e kemi gjetur trupin. Ai është gjetur i vdekur në fshatin Brod”, ka deklaruar Maloku.

  • Vuçiq shihet duke i thënë Von der Leyen: Sapo mora një mesazh nga Moska

    Vuçiq shihet duke i thënë Von der Leyen: Sapo mora një mesazh nga Moska

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është gjendur në qendër të vëmendjes, pasi kamerat kanë filmuar bisedën e tij të shkurtër me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel mbrëmë.

    Me të mbërritur në takim, Vuçiq i tha asaj se “sapo kishte marrë një mesazh nga Moska”, të cilit ajo iu përgjigj: “Në rregull, le të presim dhe të shohim”.

    Regjistrimi u publikua nga gazetarja e Euronesa, Maria Tadeo.

    Shkëmbimi i shkurtër, por domethënës, tërhoqi shpejt vëmendjen e gazetarëve evropianë, veçanërisht duke pasur parasysh momentin e ndjeshëm në marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

    Brukseli e ka kritikuar vazhdimisht Serbinë për mospërputhje me politikën e jashtme të BE-së, veçanërisht ndaj Moskës.

    Ende nuk dihet se për çfarë referohej konkretisht mesazhi i Vuçiqit, dhe asnjëra palë nuk ka komentuar zyrtarisht ende për incidentin.