ATV

Category: Lajme

  • Ali Ahmeti nga BDI bën thirrje për pjesëmarrje në protestën në Shkup

    Ali Ahmeti nga BDI bën thirrje për pjesëmarrje në protestën në Shkup

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar mbështetjen e tij për protestën e thirrur nga OVL-UÇK në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin që do të mbahet nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

    Ai ka theksuar se protesta synon kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia, duke shtuar se pjesëmarrja është një akt përgjegjësie për nderimin e sakrificës dhe mbrojtjen e së vërtetës historike.

    “Nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë.Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë.

  • Fillojnë punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos

    Fillojnë punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos

    Trajneri i xhudos, Driton Kuka ka njoftuar se sot (e premte), 12 dhjetor, kanë filluar punimet për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos.

    Pritjes si duket po i vjen fundi. Peja pritet të bëhet me ndërtimin e Qendrën Nacionale të xhudos, projekt i shumëpritur.

    Është vet trajneri i madh i xhudos, Driton Kuka, i cili ka njoftuar se investimi i përbashkët i MKRS-së dhe federatës së xhudos po jetësohet.

    Në postimin e tij në rrjetin social, Facebook, Kuka uroi që kjo qendër të gëzohet me shumë medalje e suksese të reja.

    Njoftimi i Driton Kukës

    Sot me mëngjes në pjesën më të bukur të qytetit tim bagerët filluan punën për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos!

    Investim i MKRS në marrëveshje me federatën tonë!

    Aty ku u ndërtuan 5 medaljet Olimpike prej tyre 3 të arta do bahet një qendër moderne për sportin e xhudos!

    E gëzofshim me shumë medalje e suksese të reja!

  • Qyteti ku mund të paguash pothuajse gjithçka me Bitcoin

    Qyteti ku mund të paguash pothuajse gjithçka me Bitcoin

    Në qytetin piktoresk të Luganos, në jug të Zvicrës, përdorimi i Bitcoin po kthehet në një praktikë të përditshme. Në një McDonald’s buzë liqenit, një klient pyet nëse mund të paguajë me Bitcoin dhe shitësi i afron një terminal të posaçëm për pagesa me kriptomonedhë. Pajisje të tilla janë shpërndarë falas nga bashkia për qindra biznese, duke e bërë kriptovalutën një alternativë reale ndaj frangut zviceran.

    Aktualisht rreth 350 dyqane, bare dhe restorante në Lugano pranojnë Bitcoin. Madje edhe shërbimet komunale, përfshirë pagesat për kujdesin parashkollor, mund të paguhen përmes kriptomonedhës. Disa përdorues thonë se pagesa me Bitcoin u jep ndjesinë e “lirimit nga sistemi financiar tradicional”, ndërsa të tjerë e shohin atë si thjesht një alternativë më të lirë, pasi komisionet për transaksionet zakonisht janë më të ulëta se ato të kartave bankare.

    Iniciativa “Plan B”, e nisur nga bashkia dhe kompania Tether në vitin 2022, synon ta shndërrojë Luganon në qendrën kryesore evropiane të Bitcoin. Drejtoresha e projektit, Mir Liponi, tregon se për 11 ditë ka jetuar vetëm me Bitcoin, duke vërtetuar se në qytet mund të mbulosh shumicën e nevojave bazë pa përdorur para tradicionale, edhe pse pagesat për transportin publik, karburantin dhe faturat e energjisë mbeten ende të pamundura.

    Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur. Disa banorë shprehin skepticizëm ndaj kriptovalutave, duke i lidhur ato me spekulime dhe rreziqe financiare. Ekspertët paralajmërojnë se luhatja e vlerës së Bitcoin mund të jetë i dëmshëm për tregtarët, të cilëve u rekomandohet konvertimi i menjëhershëm në monedha tradicionale.

    Pavarësisht debatit, kryebashkiaku Michele Foletti e vlerëson Bitcoin si një mundësi për inovacion dhe zhvillim ekonomik. Sipas tij, rreth 110 kompani të sektorit të kripto-teknologjisë janë vendosur tashmë në Lugano, duke e kthyer qytetin në një pikë të rëndësishme për industrinë e kriptomonedhave në Europë.

  • Aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” merr dy jetë – Vdes edhe një person nga plagët e marra

    Aksidenti në autostradën “Ibrahim Rugova” merr dy jetë – Vdes edhe një person nga plagët e marra

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistralen Prizren – Suharekë, duke rezultuar me fatalitet.

    Gruaja e lënduar rëndë nga aksidenti me fatalitet sot në Autostradën “Ibrahim Rugova” nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka humbur jetën rrugës për në QKUK.

    Fillimisht, viktima ishte dërguar në spitalin e Prizrenit, por për shkak të gjendjes së rëndë, është vendosur të transferohet në Prishtinë. Fatkeqësisht në Klinikën Emergjente, e njëjta është dërguar pa shenja jete.

    Këtë e ka konfirmuar Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

    “Është sjellë nga spitali i Prizrenit në Qendren Emergjente pa shenja jete”, është shprehur ai.

  • Sot zhvillohet ushtrimi në shkallë të gjerë me Policinë e Kosovës, Ambasada Amerikane del me paralajmërim

    Sot zhvillohet ushtrimi në shkallë të gjerë me Policinë e Kosovës, Ambasada Amerikane del me paralajmërim

    Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka rikujtuar për ushtrimin e sotëm që do të ndodh sot bashkë me Policinë e Kosovës.

    Ky ushtrim do të zhvillohet në shkallë të gjerë dhe ndërlidhet me përgjigje ndaj krizave të mundshme.

    Gjatë ditës së sotit do të mund të vërehet prani e shtuar e forcave policore në lokacione të ndryshme dhe atyre të sigurisë tek ambasada amerikane.

  • Rrëmbimi dhe mbajtja peng e kosovarit në Vlorë, policia shqiptare publikon pamjet e arrestimit të tre të dyshuarve

    Rrëmbimi dhe mbajtja peng e kosovarit në Vlorë, policia shqiptare publikon pamjet e arrestimit të tre të dyshuarve

    Një 39 vjeçar me inicialet F.X. nga Mitrovica ishte rrëmbyer e mbajtur peng në një banesë në Vlorë nga 28 nëntori nga disa të dyshuar, të cilët në këmbim të lirimit të tij ia kërkuan 70 mijë euro. Policia e Shtetit doli me njoftim sot për rastin dhe publikoi pamjet gjatë arrestimit të tre të dyshuarve.

    “Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hostage”, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve: • J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë”, tha policia shqiptare.

    “Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F. X., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij”.

    Gjatë operacionit policor u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i kosovarit të mbajtur peng, i cili ka marrë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor, tha policia.

    Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim,“Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

  • Nesër protesta në Shkup: OVL-UÇK pret 20 mijë pjesëmarrës

    Nesër protesta në Shkup: OVL-UÇK pret 20 mijë pjesëmarrës

    Një ditë para protestës së paralajmëruar për 13 dhjetor në Shkup, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka rritur mobilizimin brenda dhe jashtë Kosovës, duke paralajmëruar një pjesëmarrje të gjerë qytetare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

    Kjo protestë vjen pas disa tubimeve të zhvilluara më herët në Prishtinë, Tiranë dhe qytete të tjera, të cilat kanë synuar të ngrenë zërin kundër, sipas veteranëve, një procesi të padrejtë dhe politikisht të motivuar.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se interesimi për protestën e Shkupit është shumë i madh, sidomos nga qytetarët e Kosovës, por edhe nga ata të Maqedonisë së Veriut. Ai thotë se pritet një pjesëmarrje prej rreth 20 mijë protestuesve nga të dy vendet.

    ‘’Interesimi është shumë madh nga qytetarët e Kosovës e sidomos nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ne presim numër të madh të protestuesve , presim të jenë 20.000 protestues nga të dy shtetet Kosova e Maqedonia e Veriut mirëpo interesim më i madh vjen nga Kosova’’, tha Gucati për FrontOnline.

    Sipas Gucatit, OVL-UÇK ka marrë mbështetje nga të gjitha partitë politike në të dy shtetet, ndërsa në protestë pritet të jenë të pranishëm edhe kryetarë komunash, veçanërisht nga Kosova.

    Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike që ta mbështesin këtë tubim dhe të kontribuojnë në mobilizimin qytetar për, siç thotë ai, mbrojtjen e vlerave çlirimtare.

    ‘’ Kemi marrë mbështetja nga të gjitha partitë politike edhe në Kosovë edhe ne Maqedoni dhe do të ketë pjesëmarrje edhe nga kryetarë komunash të dy shteteve e sidomos nga Kosova .I bëj thirrje partive politike që të mbështesin protestën dhe të bëjnë thirrje për këtë protestë për çlirimtaret’’, përfundoi kreu i OVL-UCK.

    Pas deklaratës të Gucatit, është deklaruar edhe një përfaqësues politik në Maqedoninë e Veriut. Ai koalicioni VLEN, i cili ka dhënë qëndrimin e tij lidhur me protestën e 13 dhjetorit dhe përdorimin e çështjes së UÇK-së në diskursin politik.

    Ibrahimi nga koalicioni VLEN: E mbështesim çdo tubim për UÇK-në dhe bëjmë thirrje që UÇK-ja të mos keqpërdoret nga politikanët

    Zeqirija Ibrahimi nga koalicioni VLEN në një prononcim për FrontOnline është deklaruar rreth protestës së 13 dhjetorit në Shkup, duke thënë se UÇK-ja është një vlerë e popullit shqiptar dhe se të gjithë shqiptarët ndihen krenarë për të. Ai vlerëson se asnjë subjekt politik nuk ka të drejtë ta përdorë këtë vlerë për interesa elektorale.

    ‘’ UÇK-ja është vlerë e popullit shqiptar dhe ne të gjithë mburremi me të. Rrjedhimisht, nuk lejohet që asnjë subjekt politik të abuzojë me të për qëllime të ulëta elektorale’’, tha Ibrahimi për FrontOnline.

    Sipas Ibrahimit , Ali Ahmeti po e përdor UÇK-në si mjetin e fundit për të rikuperuar reputacionin e humbur politik.

    ‘’Ali Ahmeti sot po e përdor UÇK-në si armën e fundit për reputacionin e humbur politik’’, tha Ibrahimi.

    Ibrahimi thotë se UÇK-ja nuk mund të shërbejë si mburojë për politikanë që gjatë gjithë këtyre viteve janë thirrur në sakrificën e dëshmorëve, por nuk kanë bërë asgjë konkrete për familjet e tyre, për veteranët apo invalidët e luftës.

    ‘’ Por, UÇK-ja nuk është anije që i bart politikanët e dështuar, të cilët kanë qëndruar në pushtet për 20 e më shumë vjet duke u thirrur në gjakun e dëshmorëve të UÇK-së, ndërsa pushtetin e kanë shfrytëzuar jo për kauzën e dëshmorëve’’, tha Ibrahimi nga koalicioni VLEN.

    Ibrahimi përmend gjithashtu se partia që po tenton ta paraqesë protestën si veprim patriotik ka mbështetur më herët Ligjin për branitellët maqedonas dhe nuk është kujtuar kurrë për mbrojtjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

    Sipas tij, kjo parti nuk ka ndërmarrë asnjë hap të tillë sa ka qenë në pushtet, ndërsa tani , kur nuk ka më kauzë politike po përpiqet t’i përdorë ata për përfitime.

    ‘’ Partia që abuzon me protestën në Shkup nuk ka bërë asnjë gjë të vetme për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, ndërkohë që e ka votuar Ligjin për branitellët maqedonas. Përveç kësaj, sa ka qenë në pushtet (deri më 2024) nuk është kujtuar kurrë për mbrojtjen e të burgosurve në Hagë, ndërsa nuk janë burgosur dje, dhe vetëm tash, kur nuk ka më kauzë tjetër politike, dëshiron t’i përdorë ata për qëllime politike’’, deklaroi Ibrahimi.

    Në fund Ibrahimi thotë se VLEN mbështet çdo tubim që synon mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, por kundërshton fuqishëm çdo tentativë për keqpërdorim të saj për qëllime politike. Ai rikujton se UÇK-ja është pronë e popullit shqiptar dhe partitë nuk duhet ta përdorin atë si mjet elektoral.

    ‘’Andaj, ne e mbështesim çdo tubim për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, por jemi kundër atyre që e keqpërdorin UÇK-në për qëllime politike. UÇK-ja është pronë e popullit dhe partitë nuk guxojnë të abuzojnë me të ’’, përfundoi Ibrahimi.

  • Ferat Shala: Kur KEK-u nuk po prodhon, mafia energjetike fiton

    Ferat Shala: Kur KEK-u nuk po prodhon, mafia energjetike fiton

    Ferat Shala nga PDK ka thënë se Kosova po humbet me të madhe, sa herë që KEK nuk prodhon.

    Këtë e ka bazuar edhe në statistika të cilat i ka bërë publike.

    “Kur KEK-u nuk po prodhon, mafia energjetike fiton
    Investimi në Bllokun B2 të TC Kosova B u promovua si “modernizimi më i madh në 40 vite”: 35 Më shtesë dhe 20 vite jetëgjatësi.
    Por faktet e vetë KEK-ut e rrëzojnë këtë propaganda qeveritare.
    Në planin ditor të datës 30 nëntor 2025, B2 është në prodhim me vetëm 255 Më mesatarisht, ndonëse fuqia e instaluar është 339 Më. Kjo do të thotë se blloku ka rreth 84 Më mungesë kapaciteti. Vetëm nga kjo diferencë, Kosova humb 60 Më në orë, e përkthyer në 1,440 Më energji të humbur brenda 24 orëve.
    Një humbje e madhe, që i shkon për shtati vetëm mafies energjetike, e cila fiton sa herë KEK nuk prodhon.
    Pra, jo vetëm që nuk shihet rritja e premtuar prej 35 Më, por B2 as nuk po e arrin kapacitetin bazë pas investimit prej 50 milionë eurosh.
    Çfarë modernizimi është ky, kur rezultati është më pak prodhim dhe humbje të qëllimshme që hapin treg për import?
    Ironia vazhdon: kompanisë që kreu punimet i janë dhënë edhe 1.5 milionë euro shtesë për “punë plotësuese”. Në vend të transparencës dhe raportimit teknik, qytetarëve u jepet marketing, ndërsa faturat e energjisë ngritën nga mungesa e prodhimit.
    Ndërkohë, të dhënat vjetore të KEK-ut tregojnë se prodhimi në vitin 2025 ka qenë më i ulët se vitin paraprak, pavarësisht se B2 ishte jashtë funksionit për muaj të tërë për “modernizim”. Rezultati: më pak energji, më shumë shpenzime, dhe menaxhim më të dobët – një terren perfekt për interesa të errëta.
    Energjia është sektor strategjik, jo burim fitimi për grupe të lidhura me pushtetin. Qytetarët kanë të drejtë të dinë ku po shkojnë paratë e tyre: për prodhim real apo për xhepat e mafisë energjetike?
    Më poshtë e keni prodhimin e datës 30.11.2025.

  • I rrëzohet kërkesa Haxhi Shalës për modifikim të dënimit

    I rrëzohet kërkesa Haxhi Shalës për modifikim të dënimit

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi më 11 dhjetor 2025 se dënimi i Haxhi Shalës nuk do të ulet apo të modifikohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij.

    Kështu u tha në një njoftim të Dhomave të Specializuara, ku u specifikua se për të marrë këtë vendim, Kryetarja u konsultua me gjykatësit e paneleve që kanë shqiptuar dënimin, siç parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”) dhe mori parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.

    “Kryetarja vuri në dukje konkretisht se z. Shala nuk kishte shprehur keqardhje dhe deklaroi se do ta shqyrtonte modifikimin e mundshëm të dënimit të z. Shala pas dy muajsh”, u tha në njoftimin e DhSK.

    Procedurat lidhur me uljen, modifikimin apo ndryshimin e dënimeve, siç parashihet me Ligj, janë procedura individuale.

    Kur një person i dënuar i ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai i plotëson kriteret për shqyrtimin e uljes, modifikimit apo ndryshimit të dënimit, por nuk ka të drejtë që dënimi t’i ulet, modifikohet apo ndryshohet.

  • Von der Leyen kundërpërgjigjet pas deklaratave të Trumpit: Mos ndërhyni në politikën e Evropës

    Von der Leyen kundërpërgjigjet pas deklaratave të Trumpit: Mos ndërhyni në politikën e Evropës

    Donald Trump nuk duhet të ndërhyjë në demokracinë evropiane, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke iu përgjigjur kritikave të ashpra të presidentit amerikan ndaj Evropës ditët e fundit. Deklarata e saj erdhi pas publikimit të një Strategjie të re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së që shkaktoi trazira në Bruksel, shkruan Politico.

    Von der Leyen theksoi se vendimi për udhëheqjen e një vendi u përket vetëm qytetarëve të tij. “Nuk varet nga ne, kur bëhet fjalë për zgjedhje, të vendosim se kush do të jetë udhëheqësi i vendit, por nga populli i atij vendi… Ky është sovraniteti i votuesve dhe duhet të mbrohet”, tha ajo.

    “Askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë, nuk ka dyshim për këtë”, shtoi ajo, duke komentuar drejtpërdrejt strategjinë kontraverse të SHBA-së të shpallur javën e kaluar.

    Von der Leyen: Java e ardhshme do të jetë vendimtare për Ukrainën
    Çfarë thotë dokumenti i kontestuar?

    Strategjia e re e SHBA-së përmban teza që kanë gjetur mbështetje nga e djathta ekstreme në Evropë, siç është kryeministri hungarez Viktor Orbán, por edhe nga Rusia. Dokumenti pohon se Evropa përballet me “zhdukje qytetëruese” në 20 vitet e ardhshme. Ai gjithashtu kritikon përpjekjet evropiane për të shtypur partitë e ekstremit të djathtë, duke i quajtur ato censurë politike, dhe flet hapur për “inkurajimin e rezistencës ndaj trajektores aktuale evropiane brenda kombeve evropiane”.

    Von der Leyen theksoi se pikërisht për shkak të kërcënimeve të tilla, BE-ja propozoi një paketë masash të njohur si Mburoja e Demokracisë, e cila synon të forcojë luftën kundër ndërhyrjeve të huaja në internet, veçanërisht gjatë zgjedhjeve.

    “Marrëdhënia jonë me SHBA-në ka ndryshuar”
    Edhe pse ajo tha se gjithmonë kishte pasur një “marrëdhënie shumë të mirë pune” me presidentët amerikanë, përfshirë atë aktualin, Presidentja e Komisionit tha se Evropa duhej të kthehej nga brenda. “Unë jam një transatlantike e bindur në zemër. Por çfarë është kaq e rëndësishme? Është e rëndësishme që ne… të jemi krenarë që jemi Bashkimi Evropian, që të shohim pikat tona të forta dhe që të përballemi me sfidat që kemi”, tha ajo.

    “Sigurisht, marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara ka ndryshuar. Pse? Sepse ne po ndryshojmë. Dhe është shumë e rëndësishme të mbajmë mend: cili është pozicioni ynë? Cila është forca jonë? Le të punojmë për këtë. Le të jemi krenarë për këtë. Le të mbrojmë një Evropë të bashkuar. Kjo është detyra jonë… të shohim veten dhe të jemi krenarë për veten tonë”, përfundoi von der Leyen.

    Trump: Evropa po shembet

    Reagimi nga Brukseli vjen pasi presidenti amerikan e përshkroi Evropën në një intervistë me Politico si një grup kombesh “të dështuara” të udhëhequra nga njerëz “të dobët”. “Mendoj se janë të dobët”, tha Trump për presidentët dhe kryeministrat evropianë, duke shtuar: “Nuk mendoj se ata dinë çfarë të bëjnë. Evropa nuk di çfarë të bëjë”. /Reporteri.net/