ATV

Category: Lajme

  • 27-vjetori i rënies së Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij

    27-vjetori i rënies së Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij

    Sot mbushen 27 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

    27 vjet më parë, gjatë mëngjesit të acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 luftëtarët e UÇK-së, derisa po sillnin armë në Kosovë, kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia e armikut, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.

    Gjatë luftimeve të pabarabarta të zhvilluara në borën e dhjetorit, veç dëshmorëve të rënë, u plagosën edhe dhjetëra luftëtarë, ndërsa disa luftëtarë u zunë rob lufte, por pas një aksioni të zhvilluar nga luftëtarët e UÇK-së 8 ushtarë të ushtrisë serbe ishin kapur nga luftëtarët e UÇK-së dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së u bë këmbimi i ushtarëve të të dyja palëve.

  • KQZ fillon shpërndarjen e pakove zgjedhore për votuesit e diasporës që votojnë me postë

    KQZ fillon shpërndarjen e pakove zgjedhore për votuesit e diasporës që votojnë me postë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e dërgimit të pakove zgjedhore që përmbajnë fletëvotimet për qytetarët e Kosovës të regjistruar jashtë vendit, të cilët kanë zgjedhur të ushtrojnë të drejtën e votës përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, pakot me fletëvotime do t’u dërgohen rreth 58 mijë votuesve që janë regjistruar për votim me postë. Ndërkohë, 19,257 votues të tjerë, të cilët janë regjistruar për votim fizik jashtë Kosovës, do të votojnë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike ku janë të regjistruar.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se fletëvotimet janë prodhuar në Slloveni dhe kanë mbërritur në Kosovë më 12 dhjetor. Pas pranimit të tyre, shërbimi votues i KQZ-së ka përfunduar përgatitjen e pakove individuale, të cilat tashmë janë të gatshme për t’u dërguar në adresat e votuesve jashtë vendit.

    “Fillimisht, pakot do të dërgohen në aeroport dhe gjatë ditës së nesërme do të fillojë shpërndarja e tyre në shtete të ndryshme, përmes shërbimeve postare, në adresat e votuesve. KQZ njofton se gjatë javës në vijim do të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, tha Elezi.

    Sipas njoftimit të KQZ-së, afati për votimin përmes postës është deri më 27 dhjetor, ndërsa votuesit këshillohen që dërgesën me fletëvotim ta postojnë sa më herët, në mënyrë që ajo të mbërrijë brenda afatit të paraparë.

    “Është e rëndësishme të theksohet se votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. Kjo periudhë votimi vlen vetëm për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës. KQZ u bën thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. Votuesit inkurajohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit”, tha Elezi.

    KQZ njofton se, për të mundësuar një proces më të lehtë të votimit për qytetarët e regjistruar për votim me postë, ka vënë në funksion kuti postare në gjithsej 23 shtete. Këto shtete janë: Australia, Austria, Belgjika, Çekia, Danimarka, Franca, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kanadaja, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, SHBA-ja, Shqipëria, Sllovenia, Suedia, Turqia dhe Zvicra.

  • Mbi 1000 gjoba trafiku e dhjetë të arrestuar brenda 24-të orëve

    Mbi 1000 gjoba trafiku e dhjetë të arrestuar brenda 24-të orëve

    Policia e Kosovës brenda intervalit kohor prej 24-të orësh ka shqiptuar 1701 gjoba trafiku për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    Po ashtu gjatë kësaj kohe janë shkaktuar 51 aksidente rrugore ku prej tyre 22 me të lënduar dhe 29 me dëme materiale.

    10 persona janë arrestuar dhe 5 janë dërguar në mbatje.

  • Për 24 orë mbi 50 aksidente trafiku në Kosovë

    Për 24 orë mbi 50 aksidente trafiku në Kosovë

    Plot 51 aksidente trafiku janë regjistruar brenda 24-orëve në vend.

    Kështu u bë e ditur në raportin e Policisë, ku thuhet se 22 prej tyre kanë qenë me të lënduar e 29 aksidente të tjera me dëme materiale.

    Njëherësh janë shqiptuar 1701 gjoba trafiku, e dhjetë persona kanë përfunduar në pranga gjatë një dite.

  • Sot, shtatë vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

    Sot, shtatë vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

    Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, më 14 dhjetor 2018 miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

    Ligjet që u miratuan ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një, shkruan KO, transmeton Klan Kosova.

    Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.

    Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.

  • Bjellorusia liron 123 të burgosur politikë, pasi ShBA-ja i hoqi sanksione

    Bjellorusia liron 123 të burgosur politikë, pasi ShBA-ja i hoqi sanksione

    Lideri autoritar bjellorus, Alexander Lukashenko, i ka liruar të shtunën 123 të burgosur, përfshirë fituesin e Çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski, dhe figurën kryesore të opozitës, Maria Kalesnikava, pas bisedimeve dyditore me një të dërguar të presidentit amerikan, Donald Trump, njoftoi Uashingtoni.

    Në këmbim, Shtetet e Bashkuara u pajtuan t’i heqin sanksionet ndaj potasit bjellorus. Potasi është një përbërës kyç në plehra dhe ish-shteti sovjetik është një nga prodhuesit kryesorë të tij në botë.

    Ky është numri më i madh i të burgosurve të liruar deri tani nga Lukashenko qëkurse administrata e Trump nisi bisedime këtë vit me udhëheqësin veteran autoritar, i cili është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

    Bialiatski, bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqe më 2022, është aktivist për të drejtat e njeriut që për vite me radhë luftoi në mbrojtje të të burgosurve politikë, para se të bëhej vetë një i tillë. Ai u mbajt në burg nga korriku i vitit 2021, shkruan REL.

    Gjithashtu u liruan Kalesnikava, një udhëheqëse e protestave masive kundër Lukashenkos në vitin 2020, dhe Viktar Babaryka, i cili u arrestua atë vit derisa po përgatitej të garonte kundër presidentit në zgjedhje.

    Zyrtarë amerikanë i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters se angazhimi me Lukashenkon është pjesë e një përpjekjeje për ta shkëputur atë, të paktën deri diku, nga ndikimi i Putinit.

    I dërguari i Trump, John Coale, u kishte thënë më herët gazetarëve në Minsk: “Sipas udhëzimeve të presidentit Trump, ne, Shtetet e Bashkuara, do të heqim sanksionet ndaj potasit”.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione të mëdha ndaj Bjellorusisë pasi Minsku nisi një shtypje të dhunshme ndaj protestuesve pas zgjedhjeve të kontestuar në vitin 2020, duke burgosur pothuajse të gjithë kundërshtarët e Lukashenkos që nuk u larguan jashtë vendit.

    Sanksionet u ashpërsuan pasi Lukashenko lejoi Bjellorusinë të shërbente si terren për nisjen e pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

  • Nuk respektohet armëpushimi / Luftimet Tajlandë – Kamboxhia vazhdojnë

    Nuk respektohet armëpushimi / Luftimet Tajlandë – Kamboxhia vazhdojnë

    Luftimet mes Tajlandës dhe Kamboxhias kanë vazhduar edhe të shtunën, pavarësisht deklaratave për një armëpushim, duke shkaktuar viktima, evakuime masive dhe duke vënë në pikëpyetje përpjekjet diplomatike për ndaljen e konfliktit kufitar.

    Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se të dyja palët ishin pajtuar për një armëpushim, pas bisedave me liderët e vendeve përkatëse. Megjithatë, as Tajlanda dhe as Kamboxhia nuk kanë konfirmuar publikisht ndaljen e menjëhershme të luftimeve.

    Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, ka deklaruar se një armëpushim është i mundur vetëm pasi Kamboxhia të tërheqë forcat e saj nga kufiri dhe të largojë minat tokësore. Ai ka theksuar se Tajlanda do të vazhdojë veprimet ushtarake derisa të mos ketë më kërcënime ndaj territorit dhe qytetarëve të saj.

    Të dyja palët kanë raportuar për bombardime dhe shkëmbime artilerie përgjatë vijës kufitare. Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias ka njoftuar se avionë luftarakë tajlandezë kanë goditur disa objektiva, ndërsa autoritetet tajlandeze kanë raportuar për civilë të plagosur si pasojë e sulmeve me raketa nga ana e Kamboxhias.

    Sipas të dhënave të fundit, të paktën 21 persona kanë humbur jetën nga përleshjet e fundit, ndërsa rreth 700 mijë persona janë evakuuar në të dyja anët e kufirit.

    Kryeministri tajlandez ka theksuar se vendi i tij nuk është agresor në këtë konflikt, ndërsa udhëheqja kamboxhiane ka deklaruar se luftimet do të vazhdojnë për të mbrojtur sovranitetin kombëtar.

    Konflikti kufitar mes dy vendeve u përshkallëzua më 24 korrik, pas sulmeve me raketa nga ana e Kamboxhias ndaj Tajlandës dhe kundërpërgjigjes me sulme ajrore nga forcat tajlandeze. Të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve.

    Tajlanda dhe Kamboxhia kanë një mosmarrëveshje kufitare që zgjat më shumë se një shekull, përgjatë një kufiri tokësor prej rreth 800 kilometrash, i cili është përcaktuar fillimisht në vitin 1907 gjatë sundimit kolonial francez në Kamboxhia.

  • Ahmeti pas protestës: Shqiptarët folën njëzëri, është koha që djemtë tanë të kthehen në shtëpi

    Ahmeti pas protestës: Shqiptarët folën njëzëri, është koha që djemtë tanë të kthehen në shtëpi

    Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar pas protestës së sotme që u mbajt në Shkup.

    Ai ka bërë me dije se, pas Tiranës dhe Prishtinës, edhe Shkupi e ka dhënë provimin kombëtar, duke u rreshtuar pas kërkesës për liri dhe drejtësi për çlirimtarët.

    Në profilin e tij në Facebook, Ahmeti ka shkruar se djemtë e UÇK-së janë të pafajshëm, sepse lufta ka qenë e pastër.

    “Edhe Shkupi, pas Tiranës dhe Prishtinës, e dha provimin kombëtar duke u rreshtuar pas kërkesës për liri dhe drejtësi për çlirimtarët tanë. Shqiptarët folën njëzëri: është koha që djemtë tanë të kthehen në shtëpi! Në emër të popullit: Djemtë tanë janë të pafajshëm, lufta jonë është e pastër!

    Lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe prandaj, ne të gjithë, i madh e i vogël, burra e gra, jemi UÇK! Lavdi dëshmorëve të kombit ndër dekada e shekuj, e përjetshme shqiptaria,” ka shkruar Ahmeti.

  • “Çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen” – mesazhi i protestës në Shkup

    “Çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen” – mesazhi i protestës në Shkup

    Për rreth një orë rresht, mijëra qytetarë të cilët morën pjesë në tubim kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale për të ashtuquajtura krime kundër njerëzimit.

    Gjatë tubimit u hap një pankartë e madhe me fotografitë e krerëve të UÇK-së ku shkruhej: “Çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen”.

    Protesta u zhvillua nën mbikëqyrje të rreptë policore dhe pa ndonjë incident të raportuar.

    Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ishte shprehja e pakënaqësive ndaj gjyqit ndaj ish-eprorëve të saj në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe pritet të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm.

    Të gjithë ata mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.

    Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tha se sot “jemi mbledhur këtu për ta ngritur zërin” dhe për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë” për ish-krerët e UÇK-së.

    “Ne sot, me këtë numër kaq të madh njerëzish… i tregojmë Trendafilovës se Ushtria Çlirimtare e Kosovës buron, lind dhe vepron nga populli,” tha Gucati duke iu referuar Ekaterina Trendafilovës, kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ai shtoi se UÇK-ja “u rrit dhe u mbrojt nga populli dhe sot populli i qëndron mbrapa asaj. Ne sot kërkojmë drejtësi. Kjo gjykatë i ngjan gjykatave të Serbisë dhe merret me fakte të falsifikuara dhe fabrikuara, të cilat nuk qëndrojnë”.

    Në protestë morën pjesë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe politikanë nga Kosova, si Fatmir Limaj dhe Daut Haradinaj.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ditë më parë ka deklaruar se nuk e mbështet këtë protestë, por ka siguruar se institucionet do të kujdesen që gjithçka të zhvillohet sa më mirë dhe pa incidente.

    Para kësaj proteste, OVL-UÇK ka mbajtur protesta edhe në Hagë, Tiranë, Strasbourg dhe Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime që pretendohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë.

  • Abdixhiku e Rama në Podujevë, shijojnë “çajin e llapit”

    Abdixhiku e Rama në Podujevë, shijojnë “çajin e llapit”

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe kryetari i Degës së partisë në Podujevë, kanë qëndruar bashkë në këtë qytet.

    Abdixhiku tha se me këtë rast ka pirë “çaj Llapi”, e edhe ka bërë një ecje nëpër shesh me njerëz që, sipas tij, mbajnë LDK-në gjallë çdo ditë.

    “Një e shtunë në Podujevë. Një çaj llapi, ecje sheshi dhe një takim me njerëz që mbajnë LDK-në gjallë çdo ditë; në kohë të mira e në kohë të vështira, pa kushte e pa llogari”, tha kreu i LDK-së.

    Ai tha se dyert e partisë do të mbeten gjithmonë të hapura për secilin që beson, që jep dhe që kontribuon me zemër “për këtë shtëpi të përbashkët”.

    “Faleminderit Podujevës dhe qytetarëve për ngrohtësinë, respektin dhe pritjen”, shkroi Lumir Abdixhiku.