ATV

Category: Lajme

  • Bankat rrisin tarifat e disa shërbimeve për 100%, BQK pranon 17 ankesa

    Bankat rrisin tarifat e disa shërbimeve për 100%, BQK pranon 17 ankesa

    Një pjesë e bankave komerciale në Kosovë këtë vit kanë shtrenjtuar disa prej shërbimeve për klientët e tyre. Ngritje kanë pasur edhe tarifat për tërheqje të parave në degë, mirëmbajtje të kartelës e aplikacionit e-banking.

    Edhe pse fitimet i kishin rekorde vitin e kaluar, bankat komerciale sivjet ua kanë shtrenjtuar shërbimet klientëve të tyre. As Banka Qendrore si rregullator e as bankat nuk kanë dhënë arsye për shtrenjtim të tarifave.

    Qytetarët tashmë kanë nisur të paguajnë dyfish më shtrenjtë për një pjesë të shërbimeve bankare, teksa ngritje kanë pasur edhe tarifat për tërheqje të parave në degë, mirëmbajtje të kartelës e aplikacionit e-banking.

    Ngritja e tarifave po ndodh disa muaj pasi bankat realizuan fitime rekorde në Kosovë.

    Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se sektori bankar ka mbyllur vitin 2024 me një fitim neto prej 182.1 milionë euro, më i larti i regjistruar ndonjëherë në vend.

    Ndërkaq, nga janari deri në shtator të këtij viti fitimi neto i bankave komerciale ishte 137.2 milionë euro.

    Për tërheqjet kesh në degë deri në vlerën e 10 eurove qytetarët deri në këtë muaj kanë paguar 2 euro. Ky shërbim nga nëntori në një nga bankat në vend atyre iu është shtrenjtuar për 100%, në 4 euro.

    Mirëmbajtja mujore për ‘e-banking’ individë, vitin e kaluar ishte falas. Sivjet do të jetë 0.50 centë. Mirëmbajtja vjetore e kartelës ‘Visa’ dhe ‘Master’ nga 15 euro është ngritur në 18 nga kjo bankë.

    Ndërkaq një bankë tjetër nga 10 cent ka ngritur tarifën në 0.20 centë për njoftime SMS për blerje ‘online’ dhe merrni SMS me kod verifikimi.

    Në fillim të këtij viti kjo bankë ka rritur edhe normën e këmbimit për transaksionet me kartelë në valuta jo-euro nga 1% në 2%.

    Ndërkaq, Raiffaisen Bank Kosova ka njoftuar klientët e saj për tarifa të reja të cilat do Në lidhje me ndryshimet e çmimoreve të bankave, gjatë vitit të kaluar dhe 2025-tës, Banka Qendrore e Kosovës ka pranuar 17 ankesa.

    “Procesi i rishikimit të tarifave duhet të realizohet mbi bazën e disa metodologjive të brendshme, të cilat, janë subjekt i mbikëqyrjes në kuptim të metodologjisë si dhe publikimit të tyre. BQK-ja ka avancuar kornizën rregullative që forcon transparencën, konkurrencën, si dhe zgjeron qasjen në financa krahas bankave, edhe me institucione financiare jo-bankare, kryesisht të natyrës digjital”, është thënë nga Banka Qendrore.

    Sipas BQK-së, tarifat përcaktohen nga ana e bankave të cilat janë të obliguara që t’i shpalosin ato në mënyrë transparente dhe t’i njoftojnë klientët e tyre.

    Ndërsa, nga Shoqata e Bankave të Kosovës kanë thënë se nuk monitorojnë tarifat e bankave dhe nuk janë të informuar me saktësi në lidhje me ngritjen e tyre.

    Pas një analize krahasuese të bërë mes bankave komerciale në Kosovë e në rajon, del se një pjesë e shërbimeve bankare në vend kanë tarifa më të larta se ato në rajon.

    Ndryshimet në tarifa kanë ngritur shqetësime te bizneset.

    Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka thënë RTK-së se bizneset nuk kanë asnjë siguri sa i përket planifikimit të shpenzimeve.

    Bankat komerciale në vend kanë të drejtë të rrisin tarifat e shërbimeve nën kushtet kur ndryshojnë kostot e ofrimit të shërbimeve, kur ato bëjnë investime ose kur shërbimet nuk janë standarde.

    Megjithatë, këto tarifa duhet të jetë transparente.

  • Orari i ndërprerjeve të rrymës për sot

    Orari i ndërprerjeve të rrymës për sot

    Orari i ndërprerjeve të rrymës sipas planifikimeve të KEDS-it të hënën me 15 Dhjetor:

    Ferizaj

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga NS 110/35/10[kV] Lipjani do të ndërprehet:

    LP 10kV J21 Gadime (kodi: 41000013) nga ora 09:00 deri 13:00

    Vendet: Babushi i Muhaxherëve, Gadime e Ulët, Gadime e Naltë, Vrella dhe Plitkoviqi.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, lidhja e kabllove nëntokësore te rregulluara kohë me parë dhe heqja e përçuesve që janë vendosur përkohësisht.

    2.

    Nga TS 35/10 [kV] Shtime do të ndërprehet:

    Dalja 10 [kV] Petrova (kodi: 41046002) prej orës 09:00 deri në ora 12:30

    Vendet: rrugët: 2 Korriku (një pjesë), Ahmet Shtimja (dhe sheshi), Imer Devetaku (një pjesë), Kompleksi Memorial Raçak, Qesta e Reçakut, Sheshi UÇK (një pjesë), Skender Salihaj (një pjesë); fshatrat: Mollopolc, Petrovë, Reçak dhe Shtime (një pjesë).

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, ndërrimi i përçuesve të dëmtuar dhe izolatorëve të tensionit të mesëm.

    * * *

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga NS 35/10 [kV] Kaçaniku II do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Kaçaniku i Vjetër (kodi: 40045004) nga ora 09:00 deri 18:00

    Vendet: fshatrat: Bajnicë (një pjesë), Begracë, Doganaj, Duraj, Elezaj, Fusha e Pajtimit (një pjesë), Gabricë, Kaçanik i Vjetër, Koxhaj (një pjesë), Magjistralja Ferizaj-Kaçanik (një pjesë), Stagovë dhe Çardak-Kaçaniku i Vjetër.

    Arsyeja: Projekte investive, montimi i transformatorit të ri të Kotlinët TS i ri!

    Mitrovicë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga NS 110/10[kV] Mitrovicë do të ndërprehet:

    LP 10kV J24 Shipoli (kodi: 70000001) nga ora 09:00 deri 14:00

    Vendet: Fshatrat: Shipol. Vaganicë, Vërnicë dhe Pirq.

    Arsyeja: Ndërprerje për shkaqe sigurie, riparimi i kokave kabllovike dhe shkarkuesve katodikë.

    * * *

    Punime nga pala e tretë

    1.

    TS 110/10(20) [kV] Vushtrria 2

    Nga dalja 10 [kV] Tregu i Blertë do të ndërprehet:

    TS 10/0.4[kV] Kalaja (kodi: 73000002006) nga 09:00 deri 10:00

    Vendet: Dëshmoret e Kombit.

    Arsyeja: Punime sipas pëlqimit elektro-energjetik.

    Gjakovë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga NS 110/10 [kV] Gjakova 2 do të ndërprehet:

    Dalja10 [kV] J28 Ekektromotori Deva (kodi: 81000003) nga ora 09:00 deri 09:15

    Vendet: rrugët: Abdurrahim Buza, Aleksandër Moisiu, Anton Qeta (1 konsumatorë), Asim Vokshi (1 konsumator), Avni Rrustemi, Bashkim Idrizi (1 konsumator), Dëshmorët e Lirisë, Faik Konica, Gjergj Fishta, Ilir Soba, Isa Grezda, Kongresi i Manastirit, Korab Binxhiu (një pjesë), Lidhja e Prizrenit, Mic Sokoli, Migjeni, Orize, Londra, Uashingtoni, Yjet e Erenikut dhe Ymer Prizreni.

    Arsyeja: Përmirësimi i vërejtjeve në projektin: DA 10 [kV] Gjakova II – M.25.07.009.

    2.

    Nga TS 110/10(20)kV Gjakova 2 do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Acetileni (kodi: 81000001) nga ora 15:00 deri 15:15

    Vendet: rrugët: Abedin Tërbeshi, Ali Pashë Tepelena, Armand Pier Pailad, Bajram Daklani, Besim Bistrazhini (1 konsumatorë), Bujar Syla, Çamëria, Dëshmorët e Lirisë (një pjesë), Edit Durham, Elton Zherka (një pjesë), Haki Taha, Halit Asllani, Isa Boletini, Ismail Qemali, Jeronim Derada, Marie Shllaku, Musa Zajmi, Nënë Tereza, Qazim Bakalli, Tirana, Sadedin Shehu, Shaban Gola, Skënderbeu, Tefik Çanga, Xheladin Hana dhe Yll Morina.

    Arsyeja: Përmirësimi i vërejtjeve në projektin: DA 10 [kV] Gjakova II – M.25.07.009.

    * * *

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga TS 35/10[kV] Malisheva të ndërprehet:

    Dalja 10kV J06 Malisheva (kodi: 82082004) nga ora 08:00 deri 17:00

    Vendet: rrugët:535 Prof.Hamdi Berisha, 554 Uiliam Uoker, 601 Sheshi i Dëshmorëve, 602 Gjergj Kastrioti – Skendërbeu, 603 Adem Jashari, 604 Imer Krasniqi, 605 Rilindja Kombëtare, 606 Pavarësia, 608 Hamdi Berisha, 610 Hizri Mazreku, 611 Jahir Mazreku. 612 Uiliam Uoker; fshatrat: Burim, Carallukë (një pjesë), Dardania, Gërmiz, Lubizhdë (1 konsumatorë), Senik (1 konsumator).

    Arsyeja: Projekte kalimi i linjës prej 10 kV në 20 kV në kuadër të Lot 21-Malishevë.

    Gjilan

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 110/10[kV] Gjilani 5 do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Ferma (kodi: 63000011) prej orës 10:00 deri në ora 13:00

    Vendet: Cernicë, Livoqi i Epërm dhe i Poshtëm, Marefcët, Gumnishtë, Vrapqiq dhe Dea.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri- ndërrimi i shtyllës së tensionit të mesëm.

  • Mëngjesi i ftoftë e me mjegullë, parashikimi i motit për sot

    Mëngjesi i ftoftë e me mjegullë, parashikimi i motit për sot

    Sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shtresave të ulëta dhe mjegull. Mëngjesi do të jetë mjaft i ftohtë për shkak të prezences së vazhdueshme të mjegullës në zonat më të ulëta. Dita vende-vende me diell e në disa rajone mjegulla nuk do të vazhdojë të mbetet edhe orëve të ditës.

    Si zakonisht në këto raste më nxehtë pritet të jetë në viset kodrinore-malore se në viset më të ulëta.

    Temperatura nga -4 minimale deri në 7 gradë Celsius ajo maksimale.

    Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e hëna sjellë mot pa ndonjë ndryshim, me diell dhe vranësira të ulëta e mjegull varësisht nga rajoni në rajon.

    Gjatësia e natës dhe moti plotësisht stabil për shumë ditë kanë kontribuar për krijimin e mjegullnajave të cilat janë vështirë të largohet pa ndryshim të gjendjes sinoptike.

    Edhe ditëve të ardhshme sidomos të martën nuk pritet ndonjë ndryshim. Ka gjasa që të mërkurën të depërtojnë vranësira nga Mesdheu dhe erëra që eventualisht mund të fillojnë të largojnë mjegullën nga zonat më të ulëta, por kjo mbetet të shihet.

  • Presidentja Osmani nderohet me ‘Çmimin Boniafcio VIII’

    Presidentja Osmani nderohet me ‘Çmimin Boniafcio VIII’

    Presidentja Osmani është nderuar me Çmimin Boniafcio VIII nga Akademia Bonifaciana.

    Presidentja Osmani, përmes një video-inçizimi, ka bërë të ditur se mbrëmë në Anagni, qytetin e Papëve, u nderua me ‘Çmimin Boniafcio VIII’, nga Akademia Bonifaciana, si njohje për angazhimin institucional për paqen, si dhe bashkëpunimin ndërkulturor e ndërfetar.

    Me këtë rast, presidentja Osmani u shpreh se ky çmim forcon përkushtimin e saj ndaj drejtësisë, paqes e dinjitetit si vlera të përhershme.

    “Në frymën e vlerave që qëndrojnë në themelet e kësaj Akademie prestigjioze, e cila vendos primatin tek drejtësia, dinjiteti dhe paqja, ky vlerësim, i cili më herët ishte ndarë edhe Gjon Palit të II, forcon përkushtimin tim ndaj këtyre vlerave të përhershme”, ka deklaruar Osmani.

  • Talibanët i arrestojnë djemtë që vishen si personazhet e Peaky Blinders në Afganistan

    Talibanët i arrestojnë djemtë që vishen si personazhet e Peaky Blinders në Afganistan

    Policia e moralit e Qeverisë talibane në Afganistan, e njohur për qasje të rreptë, i ka arrestuar katër të rinj për shkak se ishin veshur si personazhet e serisë britanike, Peaky Blinders.

    Ata u ndaluan këtë javë në qytetin perëndimor afgan, Herat.Talibanët i akuzuan ata për “promovim të kulturës së huaj” pasi fotografitë e tyre, të veshur me rroba të ngjashme me ato të familjes Shelby në dramën e njohur historike kriminale, u përhapën gjithandej në internet.

    Asghar Husaini, Jalil Yaqoobi, Ashore Akbari dhe Daud Rasa janë anëtarë të një grupi që e quajnë veten “Thomas Shelby Group” dhe njihen nga banorët vendas si “Jabrael Shelbys”, sipas lagjes së Heratit ku ata jetojnë.

    Gjatë muajit të fundit, të rinjtë – të gjithë të moshës rreth të 20-ave – janë parë nëpër rrugët e Heratit me kapele të sheshta, kostume, dorashka dhe pallto të gjata.

    Veshjet përngjanin me stilin e epokës së paraqitur në dramën Peaky Blinders, që portretizon periudhën pas Luftës së Parë Botërore.Arrestimet janë pjesë e një fushate më të gjerë të talibanëve për t’i zhdukur ato që shihen si modernitet dhe ndikime perëndimore në Afganistan.

    Ligji i talibanëve Për Nxitjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, i miratuar zyrtarisht në vitin 2024, ua ndalon në mënyrë specifike burrave afganë të veshin rroba perëndimore në publik.

    “Ata donin të protestonin dhe të tregonin se janë kundër këtij sistemi detyrimi dhe mbizotërimi”, tha për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë (REL) regjisorja afgane Sahraa Karimi, duke komentuar motivin e të rinjve për të veshur ato rroba.

    “Veshje të tilla janë krejtësisht normale në mbarë botën, dhe këta të rinj jetojnë në këtë botë, kanë qasje në rrjetet sociale, shikojnë filma dhe seri televizive”, shtoi ajo.

    Përpjekja e talibanëve për të zhdukur modernitetin

    Qëkurse u kthyen në pushtet, talibanët kanë vendosur kufizime drastike lidhur me mënyrën se si burrat dhe gratë afgane mund të duken dhe të sillen në publik.

    Gratë janë të detyruara të mbajnë nikab, një mbulesë islamike nga koka deri te këmbët, dhe duhet të shoqërohen nga një kujdestar mashkull. Burrat nxiten të rrisin mjekra dhe të veshin rroba tradicionale afgane.

    Shumica e zyrtarëve talibanë mbajnë çallma dhe veshje të gjera.Zëdhënësi i Ministrisë së Talibanëve për Nxitjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve, Saiful Islam Khyber, tha se sjellja e grupit “Thomas Shelby” bie ndesh me “vlerat islame dhe kulturën afgane”.

    Ai publikoi gjithashtu një video të njërit prej të rinjve duke kërkuar falje për sjelljen e tyre.

    Para arrestimit të tyre, Husaini, udhëheqësi i grupit, tha se ishin motivuar nga “interesi i veçantë për stilin klasik të veshjes” së Peaky Blinders.

    Ai tha për Herat Mic, një kanal lokal në YouTube, se planifikonin të prezantonin më vonë stile tradicionale të veshjeve nga komunitete të ndryshme afgane.

    Rasa, një tjetër anëtar i grupit, tha se ishin përballur me kritika online.

    “Pati shumë zhurmë në hapësirën virtuale”, tha ai, duke shtuar se edhe disa të afërm i akuzuan për promovim të kulturës perëndimore.

    “Por, kjo nuk është vetëm kulturë perëndimore. Në vitet ‘50 dhe ’60, ne patëm një stil të ngjashëm edhe këtu në Afganistan”, tha ai.

    Në Afganistan, veshja perëndimore u bë simbol i modernitetit dhe liberalizmit pasi mbreti reformator afgan, Amanullah Khan, adoptoi kostume për burrat dhe funde për gratë si veshje formale në vitet 1920.

    Në dekadat pasuese, shumë afganë të arsimuar përqafuan veshjen perëndimore, ndërsa zyrat shtetërore dhe ngjarjet zyrtare kërkonin veshje formale perëndimore.

    Megjithatë, grupet islamiste afgane e kanë kundërshtuar veshjen dhe sjelljet perëndimore.Talibanët i kanë ndaluar zyrtarisht veshjet e tilla dhe i shënjestrojnë vazhdimisht afganët që i mbajnë ato.

    Ata kanë ndërmarrë gjithashtu një fushatë të gjerë kundër shkeljeve të kodit të veshjes, duke gjobitur dhe burgosur shkelësit.

    I krijuar nga skenaristi dhe regjisori britanik Steven Knight, drama Peaky Blinders paraqet aventurat e familjes Shelby, një trillim artistik, në Birmingëm pas Luftës së Parë Botërore.

    Seriali ka fituar një bazë të madhe adhuruesin në gjithë botë që nga debutimi i tij në vitin 2013, ka transmetuar gjashtë sezone dhe ka tërhequr qindra milionë shikues në mbarë botën.

  • Gjermania forcon krahun lindor të NATO-s, dërgon trupa në Poloni

    Gjermania forcon krahun lindor të NATO-s, dërgon trupa në Poloni

    Gjermania do të dërgojë ushtarë për të ndihmuar Poloninë të sigurojë kufirin e saj lindor me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit.

    Dislokimi i ushtarëve, detyra e të cilëve do të jetë puna inxhinierike si hapja e llogoreve dhe ngritja e pengesave antitank, është me natyrë thjesht mbrojtëse dhe është planifikuar të fillojë në prill 2026, raporton DW .

    Ministria gjermane e Mbrojtjes konfirmoi se disa dhjetëra ushtarë gjermanë do t’i bashkohen operacionit polak “Mburoja Lindore” dhe misioni duhet të zgjasë deri në fund të vitit 2027.

    Zëdhënësi i ministrisë shpjegoi se detyra kryesore e trupave gjermane në Poloninë veriore dhe lindore do të jetë ndërtimi i pozicioneve, gërmimi i llogoreve, instalimi i telave me gjemba dhe pengesave antitank.

    Operacioni u nis në maj 2024 me qëllim forcimin e mbrojtjes kundër një sulmi të mundshëm ndaj Polonisë.

    Kjo vendosje nuk kërkon miratim parlamentar sepse nuk konsiderohet mision i huaj i armatosur sipas ligjit gjerman.

    Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar se presidenti rus Vladimir Putin do të vazhdojë avancimin e tij nëse Ukraina mposhtet.

    Merz argumentoi se lufta po zhvillohet për ripërcaktimin e kufijve evropianë dhe rivendosjen e ish-sferës së ndikimit sovjetik.

    Ai tha se ky veprim përbënte një kërcënim serioz ushtarak për vendet që dikur ishin pjesë e perandorisë, përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, si dhe shtete të tjera të ish-Traktit të Varshavës.

    Ai gjithashtu e paralajmëroi Evropën të përgatitej për një ndryshim të përhershëm në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

    “Dekadat e Pax Americana kanë mbaruar kryesisht për ne në Evropë, si dhe për ne në Gjermani. Nuk ekziston më siç e njihnim. Dhe nostalgjia nuk do ta ndryshojë këtë”, tha ai.

    Merz e krahasoi vlerësimin e tij se Evropa “nuk ishte më në paqe” me Rusinë me situatën në vitin 1938, kur Britania dhe Franca toleruan agresionin gjerman me shpresën se Hitleri do të ndalej.

    Paralajmërimet e tij shkojnë më tej se ato të ish-kancelares Angela Merkel, e cila paralajmëroi në vitin 2017 se Amerika e Trumpit po largohej nga Evropa.

  • Abdixhiku publikon fotografi nga tubimi në Zvicër: Të fala nga Mërgata e Lidhjes

    Abdixhiku publikon fotografi nga tubimi në Zvicër: Të fala nga Mërgata e Lidhjes

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka publikuar fotografi nga tubimi që LDK-ja e mbajti në Grenchen të Zvicrës.

    Sipër fotografive, ai shkroi: “Të fala nga Mërgata e Lidhjes.✌️“.

    Ata që ishin të pranishëm atje, i falënderoi.

    “Zvicër, Grenchen, ju faleminderit!”, shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook.

  • Heroi i Sidneit, identifikohet burri që rrezikoi jetën për të çarmatosur sulmuesin

    Heroi i Sidneit, identifikohet burri që rrezikoi jetën për të çarmatosur sulmuesin

    Është zbuluar identiteti i burrit të guximshëm që çarmatosi një nga sulmuesit në Sidnei.

    Bëhet fjalë për një burrë 43-vjeçar me emrin Ahmed al Ahmed, i cili zotëron një dyqan frutash në Sutherland.

    Babai i dy fëmijëve u qëllua dy herë gjatë aktit, sipas të afërmit të tij që foli për 7News.

    “Ai është në spital dhe ne nuk e dimë saktësisht se çfarë po ndodh brenda”, tha një burrë me emrin Mustafa.

    Mediat australiane raportojnë se Ahmed al Ahmed u shtrua në spital për shkak të plagëve të marra nga arma e zjarrit.

    Mustafa tha se kushëriri i tij ndoshta shpëtoi jetë të panumërta kur u përball me sulmuesin.

    Ndryshe, të paktën 12 persona janë vrarë dhe 29 të tjerë janë plagosur në të shtënat masive në plazhin Bondi të Sidneit.

    Të shtënat thuhet se kishin për qëllim një ngjarje hebraike për Hanukkah, festivalin e dritave.

    Incidenti u karakterizua si sulm terrorist.

  • Pas një dekade ndërprerjeje, rinis funksionimi i naftësjellësit Selanik–Shkup

    Pas një dekade ndërprerjeje, rinis funksionimi i naftësjellësit Selanik–Shkup

    Pas më shumë se dhjetë vjetësh ndërprerjeje, naftësjellësi Selanik–Shkup po kthehet sërish në funksion, pasi në vitin 2013 kompania greke “Hellenic Petroleum”, sot HELLENiQ Energy, e nxori jashtë përdorimit duke e konsideruar jofitimprurës.

    Rinisja e transportit të derivateve të naftës drejt Maqedonisë së Veriut pritet të ndodhë deri në fund të vitit, tha kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.

    “Ne si shtet po i zbatojmë të gjitha hapat që ky naftësjellës, i cili për shumë vite ishte dëmtuar dhe konservuar, të vihet në funksion. Po vazhdojnë inspektimet, mendoj se tashmë kanë përfunduar, pritet të nisin provat e presionit. Në Qeveri ka kaluar edhe çmimorja, pres që këtë vit ky naftësjellës të vihet në funksion”, deklaroi Mickoski.

    Ndërtimi i naftësjellësit ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 1999 që qeveria e udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm dhe udhëheqësi i VMRO-DPMNE-s, Lubço Georgievski, e nënshkroi me kompaninë greke “Hellenic Petroleum” për blerjen e rafinerisë së vetme të naftës në shtet, OKTA.

    Tani ky sistem tubacionesh do të quhet produktsjellës, pasi nga Selaniku në Shkup do të transportojë vetëm derivate të përpunuara të naftës, ndërsa përmes naftësjellësit zakonisht transportohet naftë e papërpunuar nga portet ose fushat naftëmbajtëse drejtpërdrejt në rafineri, ku më pas përpunohet.

    Gypat e naftësjellësit Selanik-Shkup janë të gjatë rreth 213 kilometra, me kapacitet për të transportuar 2.5 milionë tonë karburant në vit, nga terminalet e “Hellenic Petroleum” deri te rafineria OKTA në Shkup, ku karburanti disel do të depozitohet.

    Sipas marrëveshjes mes Qeverisë maqedonase dhe kompanisë greke, transporti i karburatit do të kushtojë 20 euro për ton, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Komisioni Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore.

    Kush do të përfitojë?

    Nëse produktsjellësi punon me kapacitet të plotë prej 2.5 milionë tonësh në vit, vlera totale e shërbimit do të arrinte rreth 50 milionë euro në vit.

    Të ardhurat do të ndahen mes Qeverisë së Maqedonisë, e cila përmes ndërmarrjes shtetërore “Naftovod” ka 20 për qind të aksioneve në kompaninë e përbashkët “Vardaks”, ku hisedari më i madh është “Hellenic Petroleum” me 80 për qind të aksioneve.

    Me njoftimet e Qeverisë maqedonase se po i përfundon procedurat e fundit, përmes këtij tubacioni do të mund të qarkullojë karburanti sapo Ministria e Transportit të lëshojë “lejen për përdorim”.

    Me këtë do të hyjë në fuqi edhe licenca që Komisioni Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore tashmë ia ka lëshuar “Vardaks”-it në vitin 2023, me vlefshmëri prej 35 vjetësh, përkatësisht deri në vitin 2058.

    “Kur operatori ‘Vardaks’ ta marrë lejen e përdorimit nga shteti, kjo licencë do të hyjë në fuqi”, tha për REL-in kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë dhe Burime Ujore, Marko Bislimovski.

    REL-i i është drejtuar Qeverisë maqedonase me pyetjen se cilat janë përfitimet e pritshme për sistemin energjetik dhe ekonomik të vendit nga ky tubacion, por deri në publikimin e këtij teksti, ekzekutivi në Shkup nuk është përgjigjur.

    Polemikë politike rreth tubacionit të naftës

    VMRO–Partia Popullore, e themeluar nga ish-kryeministri Georgievski pasi u largua nga VMRO-DPMNE-ja, pretendon se riaktivizimi aktual i naftësjellësit Selanik-Shkup ka për qëllim t’i ndihmojë Serbisë në krizën aktuale me naftë.

    Nga kjo parti thonë se janë të habitur nga shpejtësia me të cilën po finalizohet procesi dhe pyesin pse ata, që prej vitesh kundërshtonin projektin, tani heshtin.

    Partia e Lubço Georgievskit shtoi se argumentet për përfitimet nga naftësjellësi kanë qenë të vlefshme që para 25 vjetësh dhe akuzoi se vendi është lënë me vetëdije pa përfitime ekonomike dhe gjeostrategjike.

    Kryeministri Hristijan Mickoski tha se roli i Qeverisë është të sigurojë infrastrukturën dhe rregulloren, por jo të hyjë në operacione biznesi.

    “Ne si Qeveri nuk jemi shoqëri aksionare për të furnizuar Serbinë ose vende të tjera. Këtë e bëjnë kompani private që merren me biznes”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes nëse shteti do të përpiqet të përfitojë nga kriza e naftës në Serbi përmes eksportit të derivateve në këtë linjë.

    Transport më i lirë dhe më i sigurt

    Teorikisht, transporti i drejtpërdrejtë i derivateve të naftës nga Selaniku në Shkup përmes tubacionit do të duhej të sillte më shumë siguri dhe shmangie të rreziqeve që i shoqërojnë transportin me kamionë dhe cisterna.

    Sipas profesorit Dejan Trajkovski nga Fakulteti Teknik i Bitolës në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit”, naftësjellësin riktheu në vëmendje edhe problemet me hekurudhën në vend dhe çmimin më të ulët të transportit përmes tubacioneve.

    “Në çdo rast, kjo është mënyra më e duhur e transportit, sidomos duke pasur parasysh se tashmë e kemi”, tha Trajkovski.

    Ndërtimi i naftësjellësit u përfundua në vitin 2002, por dhjetë vjet më vonë, në vitin 2013, në OKTA u ndal plotësisht përpunimi i naftës, me ç’rast rafineria përfundoi në falimentim dhe transporti i naftës nëpër tubacion u ndërpre.

    Arsyet, sipas “Hellenic Petroleum” në atë kohë, ishin se nuk ishte fitimprurëse dhe kishte pengesa përmes rregulloreve të shumta.

    Që nga shitja e OKTA-s në vitin 1999 nga Qeveria e atëhershme maqedonase, lindën mosmarrëveshje që përfunduan para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris.

    Me atë marrëveshje, të cilën një pjesë e opinionit të ekspertëve në Maqedoni të Veriut e vlerësuan si të dëmshëm për shtetin, OKTA iu shit kompanisë “Hellenic Petroleum” për 32 milionë euro, dhe marrëveshja ndër të tjera parashihte ndërtimin e naftësjellësit, si edhe detyrimin që për 20 vjet Maqedonia e Veriut të blinte të paktën 500.000 tonë naftë në vit nga Greqia.

    Procedurat e arbitrazhit

    Pasuan tre procese të ndara arbitrazhi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris, të lidhura me marrëveshjen për OKTA-n dhe naftësjellësin.

    I fundit ishte në dhjetor 2022, kur gjykata vendosi kundër Maqedonisë së Veriut dhe në favor të “Hellenic Petroleum”, ndërsa padia kishte të bënte me mosrespektimin e detyrimeve të marrëveshjes, duke detyruar shtetin të paguajë gjithsej 21.47 milionë euro dëmshpërblim, shumë që është përgjysmuar krahasuar me kërkesën fillestare së bashku me interesat, e cila arrinte në 42.6 milionë euro.

    Qeveria atëherë njoftoi se ekipi i angazhuar juridik nga Franca, zyra “Dechert”, kishte arritur të përgjysmonte shumën e kërkuar si dëmshpërblim.

    Më herët, në vitin 2019, Maqedonia e Veriut kërkonte mënyrë për të arritur marrëveshje me “Hellenic Petroleum” pas vendimit të atëhershëm të Gjykatës së Parisit prej 32 milionë dollarësh, që lidhej me moszbatimin e marrëveshjes për blerjen e mazutit.

    Vendimi i parë ishte në vitin 2007 dhe erdhi pasi Gjykata Kushtetuese e vendit në vitin 2002 anuloi disa pjesë të marrëveshjes me “Hellenic Petroleum”, me të cilin kompania greke fitoi 52 milionë euro dëmshpërblim.

    Me riaktualizimin e rinisjes së tubacionit, Esad Rahiq, i cili gjatë Qeverisë së kaluar në vitin 2020 u bë drejtor i ndërmarrjes shtetërore “Naftovod”, tha se pagesa e penaliteteve nga paditë është ndër arsyet kryesore që naftësjellësi duhej të kishte nisur punën shumë më herët.

    “Sa më shpejt të hapej dhe të fillonte të punonte, aq më shpejt do të shlyheshin penalitetet nga paditë”, tha ai.

    Rahiq shtoi se vendi ka për obligim ta hapë tubacionin, të cilin e quan investim strategjik prej rreth 100 milionë dollarësh, dhe tregoi se për këtë ka biseduar me dy ish–kryeministrat, Zoran Zaev dhe Dimitar Kovaçevski. Ai u kishte propozuar që sistemi të vihej në përdorim që atëherë, si edhe të vazhdohej ndërtimi për lidhje me Kosovën, por theksoi se propozime të tilla nuk janë realizuar.

  • Sali Berisha paralajmëron protesta masive: Më 22 dhjetor nisim betejën tonë

    Sali Berisha paralajmëron protesta masive: Më 22 dhjetor nisim betejën tonë

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar se PD do të nisë protestat masive në datën 22 dhjetor të këtij viti, për të kërkuar rrëzimin e qeverisë Rama.

    Komentet Berisha i bëri përmes një lidhjeje live në rrjetet sociale, ku tha se opozita do të kërkojë me çdo kusht qeveri teknike, pasi sipas tij, me Edi Ramën kryeministër, nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

    Po ashtu, Berisha hodhi akuza të rënda kundër kryeministrit Rama, për të cilin tha se përdori bandat në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

    Pjesë nga fjala e Berishës:

    Dje në mbledhjen e kryesisë së PD u vendos që ti drejtohemi qytetarëve për fillimin e protestave në datën 22 dhjetor, ku të bashkohen shqiptarë të të gjitha bindjeve, por që guxojnë të shprehin zërin e tyre kundër vjedhjes së parave dhe pasurive të taksëpaguesve shqiptarë dhe qytetarëve.

    Në Bullgari e përmbysën qeverinë. Nuk është e vërtetë që kryeministri kërkoi të bllokojë vendimin e gjykatës, por kryeministri duke marrë përgjegjësi për aktin korruptiv të ministrit të tij, dha dorëheqjen dhe e çoi vendin ne zgjedhje.

    Kurse Edi Rama i tmerruar sepse është direkt njeriu që ka ndarë paratë me Lubi Ballukun, i dha një goditje fatale luftës kundër korrupsionit.

    Qytetarë dhe qytetare, na përket ne të ngremë zërin tonë, na përket ne të mos pajtohemi kurrë me këtë situatë.

    Por unë këtu, para jush do të përsëris, do të shtrojë përsëri çështje.

    Ne faktuam me dokumente të pakundërshtueme, por dhe raporte ndërkombëtare më serioze se në Shqipëri u zhvilluar një farsë elektorale, se Edi Rama zgjedhje nuk zhvillon, se pushteti i tij qëndron mbi votën e grabitur, duke organizuar në periudhën e ndaluar me ligj, para votimeve 4533 përfshirë ditën e votimit me 7 mln euro, ‘Giro d’Italia’.

    Duke u dhënë dhuratë për votë 100 euro, 760 mijë pensionistëve.

    Duke arrestuar në vitin elektoral, dy liderët e partive kryesore opozitare dhe duke vendosur në proces penal pa asnjë fakt të ri, kryetarin e partisë së tretë.

    Duke mobilizuar të gjithë administratën e tij, si polici terrori vote. Duke punësuar përkohësisht dhe duke dhënë dhjetëra mijëra certifikata pronësie, leje legalizimi, ndërtimi.

    Edi Rama përdori të gjitha bandat të cilat futën në parlament, një për një 28 deputetë.

    Manipuloi në mënyrë monstruoze votën e diasporës.

    Pra dhunoi nen për nen parimet themelore të Kartës së Kopenhagënit të vitit 1990 për zgjedhjet. Kodin Zgjedhor, platformën e këshillit të Europës për zgjedhjet dhe kodin e Venecias.

    Të gjitha këto dëshmojnë përfundimisht se zgjedhjet me Edi Ramën janë iluzion. Nuk mund të ndodhin kurrë zgjedhje, përveç se farsë.

    Prandaj PD-ja ju bën thirrje ju demokrateve e demokratëve në radhë të parë, por dhe çdo qytetari që e konsideron votën e lirë, si zemrekun e demokracisë të nisim me 22 betejën tonë e cila do të ndërpritet vetëm me rrëzimin e këtij pushteti, krijimin e qeverisë teknike dhe votimin e lirë të shqiptarëve, në të cilat në mënyrë absolute, PD do të fitojë zgjedhjet.

    Si ka fituar kurrë zgjedhjet Edi Rama.

    Por kësaj here, njëlloj si në vitin 2001, ne arritëm tu vërtetojmë shqiptarëve dhe mbarë botës se ky i vodhi zgjedhjet, ky i dhunoi zgjedhjet.

    Ndaj na takon ne tani, beteja për votën tonë.

    Ndërkohë, shkurtimisht dua t’ju njoftoj se zgjodhi pa firmat e opozitës Avokatin e tij të Popullit, duke marrë edhe atë grimcë pushtet që kishte mbetur i ndarë.

    Unë e kam theksuar dhe theksoj se firmosja e kandidaturës së Endrit Shabanit ishte një gabim, akt i nxituar, i cili ndodhi në një periudhë kur u krijua një lloj koalicioni për kandidaturën e Bashkisë së Tiranës.

    Megjithatë, nuk është ajo firmë që bëri të mundur zgjedhjen e Endrit Shabanit, se ajo firmë u tërhoq po me firmë nga të gjithë ata që i kishin vendosur firmat. Pra, njëra anë është një nxitim dhe gabim për të cilin unë kam kërkuar dhe kërkoj prapë ndjesë, por ana tjetër është zgjedhja, nuk u bë nga firmat se firmat u tërhoqën.

    Ndaj dhe cilido që beson se ai u zgjodh nga firmat e Partisë Demokratike, mashtron veten. Ai u zgjodh nga Edi Rama pa firmat e Partisë Demokratike sepse ato firma u tërhoqën një për një po me firmë nga ata që kishin firmosur.

    Natyrisht me këtë Edi Rama tregoi se çdo lloj çdo lloj negociate, çdo lloj ideje për zgjedhje, reformë territoriale është iluzive dhe Partia Demokratike i përgjigjet atij në mënyrën më të merituar. Ne kemi vetëm një rrugë, protestën, protestën dhe vetëm protestën për largimin e tij nga pushteti.