ATV

Category: Lajme

  • Rusia ka humbur mbi 1 milion trupa që nga fillimi i luftës

    Rusia ka humbur mbi 1 milion trupa që nga fillimi i luftës

    Rusia ka humbur rreth 1,188,490 trupa në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë më 24 shkurt 2022.

    Këtë e ka bërë të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

    Sipas raportit , Rusia ka humbur gjithashtu 11,410 tanke, 23,721 automjete të blinduara luftarake, 69,798 automjete dhe rezervuarë karburanti, 35,041 sisteme artilerie, 1,567 sisteme raketash me shumë lëshues, 1,259 sisteme mbrojtjeje ajrore, 432 aeroplanë, 347 helikopterë, 90,124 dronë, 28 anije dhe varka, dhe një nëndetëse.

    Ndryshe, së fundmi Ukraina ka hequr dorë nga ambicia e saj për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë si një kompromis për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, ka njoftuar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

    Ky veprim shënon një ndryshim të madh për Ukrainën, e cila ka luftuar për t’u bashkuar me NATO-n si një mbrojtje kundër sulmeve ruse dhe e ka një aspiratë të tillë të përfshirë në kushtetutën e saj.

    Ai gjithashtu përmbush një nga qëllimet e luftës së Rusisë, megjithëse Kievi deri më tani ka qëndruar i vendosur kundër lëshimit të territorit ndaj Moskës.

  • Hamza premton 50% rritje për pensionet e kategorive të luftës

    Hamza premton 50% rritje për pensionet e kategorive të luftës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur sot një takim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarët e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, ku ka ritheksuar mirënjohjen e përjetshme për sakrificën e tyre dhe zotimet konkrete të PDK-së për mbrojtjen e dinjitetit të luftës çlirimtare dhe përkrahjen e kategorive të dala nga lufta.

    Hamza prezantoi zotime konkrete për veteranët dhe familjet e dëshmorëve, duke premtuar rritje prej 50% të mbështetjes financiare për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, si dhe rritje të pagave dhe pensioneve.

    Hamza e cilësoi 28 dhjetorin si një betejë politike për dinjitet dhe bëri thirrje për mobilizim qytetar.

    “Më 28 dhjetor: ose e mbrojmë UÇK-në, ose ajo mbetet nën mëshirën e atyre që votuan kundër veteranëve”, tha Hamza thuhet në komunikatën e PDK-së.

    Ai tha veterantët janë Kosova, mburoja e këtij shteti dhe arsyeja pse sot jemi të lirë.

    “Pa sakrificën tuaj nuk do të kishte Republikë të Kosovës”, tha Hamza.

  • “Panda”, krimi i kryer 27 vjet më parë nga Serbia për t’ua vënë fajin shqiptarëve

    “Panda”, krimi i kryer 27 vjet më parë nga Serbia për t’ua vënë fajin shqiptarëve

    Janë mbushur 27 vjet nga një skenar i tmerrshëm i cili u kurdis nga Serbia, prej të cilit u vranë gjashtë të rinj serbë.

    Kjo ngjarje e tmerrshme ndodhi më 14 dhjetor 1998, në një lokal në Pejë.

    Krejt qëllimi i këtij krimi makabër i kryer nga aparati shtetëror i Sllobodan Millosheviqit, ishte që faji t’i mbetej shqiptarëve.

    Viktima nga ky skenar i çmendur e ç’njerëzor mbetën: Ivan Radeviq (25), Ivan Obradoviq (14), Vukota Gvozdenoviq (16), Dragan Trifoviq (17), ndërsa nga plagët e marra në spital vdiqën Svetislav Ristiq (18) dhe Zoran Stanojeviq (17).

    Dy persona të panjohur kishin hyrë të armatosur dhe kishin shtënë me armë për të cilin faji u hodh mbi pesë të rinj shqiptarë të Pejës.

    Këta të fundit u dënuan për veprën penale të veprimtarisë armiqësore.

    Ata u liruan një muaj pas fillimit të vuajtjes së dënimit, me ndërhyrje të Kryqit të Kuq, por ata nuk iu shpëtuan torturave në burgjet e Serbisë.

    Mediumi “M portal” nga Mali i Zi pati raportuar se autorët e vrasjes në rastin “Panda” , kryen edhe masakrën në burgun e Dubravës. Pjesëmarrës në të dyja aktet kriminale përmenden emrat e Sinisha Petriqit që është drejtues i klanit “Zenica” dhe lideri i klanit “Shkalar”, Radomir “Boban” Baçoviq.

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pati deklaruar vite më herët se ky krim nuk është kryer nga shqiptarët sikurse ishte pretenduar me vite të tëra. Serbia ende vazhdon të fshehë krimin e kryer edhe 27 vjet më vonë.

  • Dëmtohen varrezat në Obiliq, policia nis hetimet

    Dëmtohen varrezat në Obiliq, policia nis hetimet

    3 varre janë dëmtuar në Obiliq.

    Kjo është bërë e ditur përmës raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Bëhet e ditur se persona të panjohur kanë dëmtuar pllakën e një varri dhe vazot e dy varreve të tjera.

    Lidhur me këtë njësitet policore kanë dal në vendin e ngjarjes dhe është njoftuar prokurori ndërsa rasti është nën hetime.

  • Gjermania arreston 5 të dyshuar për planifikimin e një sulmi në tregun e Krishtlindjeve

    Gjermania arreston 5 të dyshuar për planifikimin e një sulmi në tregun e Krishtlindjeve

    Autoritetet gjermane kanë arrestuar pesë burra të dyshuar si islamistë militantë që planifikonin një sulm në një treg Krishtlindjesh në Bavarinë jugore, thanë policia dhe prokurorët në një deklaratë të përbashkët.

    Ka pasur një seri sulmesh me automjete në Gjermani që kur një islamist përplasi një kamion të rrëmbyer në një treg Krishtlindjesh në Berlinin qendror në vitin 2016.

    Dhjetorin e kaluar disa njerëz u vranë nga një sulm në Magdeburg, shkruan Reuters.

    Tre shtetas marokenë të moshës 22, 28 dhe 30 vjeç, një shtetas egjiptian 56 vjeç dhe një sirian 37-vjeçar u ndaluan të premten në pikën kufitare Suben midis Gjermanisë dhe Austrisë, sipas deklaratës së përbashkët vonë të shtunën.

    Hetuesit besonin se burrat kishin ndërmend të drejtonin një automjet në një treg të mbushur me njerëz në zonën Dingolfing-Landau me qëllim vrasjen ose plagosjen e sa më shumë njerëzve të ishte e mundur, thuhej në deklaratë, duke shtuar se autoritetet dyshonin për një motiv islamist.

  • Mbërrin në Gazë ndihma humanitare e Kosovës për popullin palestinez

    Mbërrin në Gazë ndihma humanitare e Kosovës për popullin palestinez

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka bërë të ditur se ndihma humanitare e Kosovës për popullin e Gazës ka mbërritur të dielën dhe ka nisur shpërndarja për familjet në nevojë, përmes partnerëve humanitarë në terren.

    Sipas Gërvallës dërgesa në vlerë prej 500 mijë euro përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë.

    “Dje pasdite morëm konfirmimin se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës ka mbërritur në Gaza dhe menjëherë ka nisur shpërndarja për familjet në nevojë, përmes partnerëve humanitarë në terren. Dërgesa jonë, në vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë”, ka shkruar ajo.

    Gërvalla ka theksuar se, megjithëse asgjë nuk mund të zëvendësojë humbjen dhe dhimbjen, kjo ndihmë modeste synon të japë lehtësim familjeve, veçanërisht fëmijëve dhe të moshuarve.

    Ajo gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për mbështetjen në këtë operacion humanitar.

    “E dimë që asgjë nuk e zëvendëson humbjen dhe dhimbjen atje. Por shpresojmë që kjo ndihmë modeste t’u japë sadopak mbështetje e lehtësim familjeve, sidomos fëmijëve dhe të moshuarve, në ditë kur edhe gjërat më bazike mungojnë. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen që e bënë të mundur këtë operacion humanitar”, ka përfunduar Gërvalla.

  • Dëshmitari i sulmit në Sydney: Kam dëgjuar 40-50 të shtëna me armë

    Dëshmitari i sulmit në Sydney: Kam dëgjuar 40-50 të shtëna me armë

    Dëshmitarët thanë se të shtënat gjatë një mbrëmjeje të nxehtë vere në plazhin Bondi në Sydney zgjatën rreth 10 minuta, duke bërë që rreth 1,000 plazhues të shpërndahen përgjatë rërës dhe në rrugët dhe parqet përreth.

    “Po përgatitesha për t’u kthyer në shtëpi, po mbaja çantën, po vishja shollat e plazhit, isha gati të kapja autobusin, dhe pastaj fillova të dëgjoja të shtënat,” tha Marcos Carvalho, 38 vjeç, banor i lagjes përreth, Bondi Junction.

    “Të gjithë u panikuam dhe filluam të ikim gjithashtu. Kështu që lamë gjithçka pas, si shollat e plazhit, gjithçka. Thjesht vrapuam për në kodër,” tha ai.

    “Duhet ta kem dëgjuar, nuk e di, ndoshta rreth 40, 50 të shtëna.”

    Kujtojmë se një nga plazhet më të famshme në botë, Bondi zakonisht është plot me vendas dhe turistë.

  • Shkon në 12 numri i të vrarëve nga të shtënat në Sidnei

    Shkon në 12 numri i të vrarëve nga të shtënat në Sidnei

    Numri i të vdekurve nga të shtënat në Bondi Beach të Sidneit ka shkuar në 12.

    Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns konfirmoi se të shtënat kishin në shënjestër komunitetin hebre të Sidney.

    Në anën tjetër, policia tha se 29 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, derisa ngjarja është shpallur si sulm terrorist.

  • Ish-hulumtuesja e Hagës: Specialja nuk duhej të ishte bërë realitet

    Ish-hulumtuesja e Hagës: Specialja nuk duhej të ishte bërë realitet

    Ish-hulumtuesja në Tribunalin e Hagës, Nevenka Tromp, ka thënë se Gjykata Speciale nuk do duhej të ishte bërë kurrë realitet.

    Tromp, theksoi se dëshmitë e dëshmitarëve mbrojtës pritet të kenë ndikim në shpalljen e aktgjykimit ndërsa ka komentuar edhe dy skenarët e mundshëm përfundimtar.

    Ajo punoi nga 2000-ta e deri në vitin 2012-të, në ish-Tribunalin e Hagës.

    Për 12 vjet, si hulumtuese brenda Zyrës së Prokurorit, pa nga afër rastet më të mëdha për krime lufte në ish-Jugosllavi.

    Por, themelimi i një gjykatë tjetër që merret me krime lufte në Kosovë, e habiti.

    Ajo deklaroi në një intervistë për Tëvë 1, se Specialja nuk ishte dashur kurrë të bëhej realitet.

    “Gjykata Speciale nuk do të duhej kurrë të ishte bërë realitet. Ajo u krijua nën presion të madh politik, jo për shkak të rëndësisë së pretenduar të krimeve, por si një koncesion ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar, kryesisht SHBA dhe BE, për ta mbajtur Serbinë të angazhuar në Dialogun e Brukselit. Kjo ishte pjesë e procesit më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe shtetit të ri të pavarur të Kosovës”, deklaroi Tromp.

    Sipas Tromp, pavarësisht që Kosova e bëri këtë hap, pala serbe u tërhoq nga dialogu.

    Ndërsa komentoi edhe dy skenarët e mundshëm në shpalljen e aktgjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së.

    “Nëse Thaçi dhe tre të akuzuarit e tjerë përfundimisht shpallen të pafajshëm, këto përpjekje mund të shihen si një humbje e madhe kohe dhe burimesh. Për të arritur te ajo që mund të ketë qenë e dukshme që në fillim: se këta individë nuk duhej të ishin akuzuar fare. Nëse, përkundrazi, do të ketë dënim në ndonjë prej rasteve, atëherë do të hapej një debat krejt tjetër: mbi ligjshmërinë, legjitimitetin dhe natyrën e luftës çlirimtare të Kosovës. Si do të shkruhet historia e shtetit të Kosovës? Si do të dokumentohet, memorializohet dhe interpretohet roli i UÇK-së? Çfarë ndikimi mund të ketë kjo për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës dhe rrugëtimin e saj nga një shtet de facto në një shtet plotësisht i njohur, anëtar i OKB-së?”, u shpreh ajo transmeton Klankosova.tv.

    Ajo dëshmitë e dëshmitarëve mbrojtës, i cilësoi si të nivelit të lartë.

    Sipas saj, dëshmitë e tyre gjykatësit do t’i marrin parasysh në shpalljen e aktgjykimit.

    “Dëshmitë e tyre ngrenë një pyetje kyçe: si mund të kishin ndërhyrë ushtarakisht Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s në mbrojtje të Kosovës, nëse UÇK do të ishte një organizatë terroriste? Dëshmitarët theksuan se UÇK ishte një lëvizje rezistence e vetë-organizuar, e ngjashme me formacionet e tjera çlirimtare si FARK-u, e cila reagoi ndaj agresionit të shtetit serb”.

    Tromp ka thënë se i gjithë procesi gjyqësor, është shoqëruar me motive politike, vonesa procedurale dhe kosto të larta, duke ngritur shqetësime serioze për efikasitetin dhe drejtësinë e saj.

    “Gjatë vizitës sime të fundit në Dhomat e Specializuara me studentë nga Amsterdami, na u informua se buxheti vjetor është rreth 100 milionë euro, kryesisht i paguar nga Komisioni Europian. Duke llogaritur nga themelimi i saj në 2015, kjo nënkupton se janë shpenzuar mbi 1 miliard euro për të hetuar dhe akuzuar vetëm gjashtë individë. Nëse nga këta gjashtë të akuzuar, të paktën tre përfundojnë të pafajshëm, ashtu siç është plotësisht e mundur, atëherë ky proces do të rezultojë një nga eksperimentet më të kushtueshme dhe më pak produktive gjyqësore në historinë moderne”.

    Në fund, Tromp ka thënë se përveç një rasti, të gjithë akuzuarit nga ish-Tribunali i Hagës, e që ishin pjesë e UÇK-së, u liruan.

    Ndërsa ky Tribunal sipas saj, UÇK-në nuk e kishte cilësuar kurrë si Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.

    Prandaj thotë se do të ishte shqetësuese nëse pas kaq vitesh, Dhomat e Specializuara konkludon diçka të kundërt.

  • Trump paralajmëron hakmarrje të ashpër pas vrasjes së tre amerikanëve nga ISIS në Siri

    Trump paralajmëron hakmarrje të ashpër pas vrasjes së tre amerikanëve nga ISIS në Siri

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se “do të ketë hakmarrje shumë serioze”, pasi dy ushtarë amerikanë dhe një civil u vranë në një sulm në Siri për të cilin Uashingtoni fajëson grupin e Shtetit Islamik.

    “Ky ishte një sulm i ISIS-it kundër SHBA-së dhe Sirisë, në një pjesë shumë të rrezikshme të Sirisë që ata nuk e kontrollojnë plotësisht”, tha ai.

    Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ishte “i shkatërruar nga ajo që ndodhi” dhe theksoi se Siria po luftonte përkrah trupave amerikane.

    Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se tre ushtarë u plagosën në një pritë nga një anëtar i vetëm i ISIS-it në Sirinë qendrore.

    Ushtria amerikane tha se personi i armatosur u vra.

    Sulmi ndaj trupave amerikane në Siri ishte i pari me viktima që nga rrëzimi i presidentit Bashar Assad një vit më parë.

    Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, tha se civili i vrarë ishte një përkthyes amerikan dhe se sulmi kishte në shënjestër ushtarët e përfshirë në operacionet e vazhdueshme kundër terrorizmit në rajon.