ATV

Category: Lajme

  • Gucati: Veteranët po kalojnë kufirin pa pengesa

    Gucati: Veteranët po kalojnë kufirin pa pengesa

    Në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, të shtunën, po bëhen përgatitjet e fundit për protestën në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, njoftoi se qytetarët nga Kosova, përfshirë veteranët e luftës, po kalojnë kufirin drejt Maqedonisë së Veriut pa asnjë problem.

    “Deri tash kufiri është i lirë dhe nuk ka ndonjë problem, qytetarët dhe veteranët po vijnë pa pengesa deri në këto momente”, deklaroi Gucati para fillimit të protestës.

  • Aksidentohen tri vetura në të njëjtin vend ku dje vdiqën dy gra

    Aksidentohen tri vetura në të njëjtin vend ku dje vdiqën dy gra

    Një aksident trafiku raportohet se ka ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Aksidenti ka ndodhur në afërsi të vendit ku një ditë më parë u shënua një aksident tragjik, ku humbën jetën dy gra, shtetase të Shqipërisë.

    Raportohet se në aksidentin e sotëm dyshohet se janë përfshirë tri automjete.

    Kjo pjesë e autostradës konsiderohet e rrezikshme për shkak të rrëshqitjes së dheut që ka ndodhur disa muaj më parë, e cila ende nuk është pastruar.

     

  • Kurti njofton se anija me ndihmën humanitare të Qeverisë së Kosovës për Gazën është nisur nga porti i Mersinit në Turqi

    Kurti njofton se anija me ndihmën humanitare të Qeverisë së Kosovës për Gazën është nisur nga porti i Mersinit në Turqi

    Pakot ushqimore, batanijet dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë atje si ndihmë humanitare që Qeveria e Kosovës dha për popullin e Gazës tashmë është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.

    Se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Kosovës e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    “Sapo morëm njoftimin se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi. Dërgesa jonë humanitare, me vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë atje.  Edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim që në janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza. Na gëzon fakti që jemi qeveria e parë e Republikës së Kosovës që arrijmë të ofrojmë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës. Shpresojmë që ajo të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet për të gjithë.  Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke, për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën në realizimin e këtij operacioni humanitar”, ka shkruar Kurti.

  • Kim Jong Un lartëson trupat koreanoveriore pas kthimit nga misioni në Rusi

    Kim Jong Un lartëson trupat koreanoveriore pas kthimit nga misioni në Rusi

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mori pjesë në mirëpritjen e një njësiti të ushtrisë koreanoveriore, pas kthimit të tij në atdhe pasi kishte kryer detyra në Rusi, raportoi të shtunën agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.

    Në një fjalim të transmetuar nga KCNA, Kim vlerësoi oficerët dhe ushtarët e Regjimentit të 528-të të Inxhinierëve të Ushtrisë Popullore Koreane (KPA) për sjellje “heroike” dhe “heroizëm të madh” në përmbushjen e urdhrave të dhëna nga Partia e Punëtorëve të Koresë në pushtet gjatë një dislokimi 120-ditor jashtë vendit.

    Në videon e publikuar nga Koreja e Veriut shihen ushtarë me uniformë duke zbritur nga një avion, Kimi duke e përqafuar një ushtar të ulur në karrocë invalidi, si dhe ushtarë dhe zyrtarë të mbledhur për të mirëpritur trupat.

    KCNA tha se njësiti ishte dërguar në fillim të gushtit dhe kishte kryer detyra luftarake dhe inxhinierike në rajonin e Kurskut në Rusi gjatë luftës së Moskës në Ukrainë.

    Muajin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se trupat e Koresë së Veriut, të cilët ndihmuan Rusinë ta zmbrapste një inkursion të madh ukrainas në rajonin perëndimor të Kurskut, tani po luajnë rol të rëndësishëm në pastrimin e zonës nga minat.

    Sipas një pakti të ndërsjellë për mbrojtje mes dy vendeve, Koreja e Veriut vitin e kaluar dërgoi rreth 14.000 ushtarë për të luftuar përkrah Rusisë në Kursk, dhe më shumë se 6.000 prej tyre u vranë, sipas burimeve nga Koreja e Jugut, Ukraina dhe Perëndimi.

    Kim tha se nëntë ushtarë u vranë gjatë misionit, duke e përshkruar vdekjen e tyre si “humbje që ta copëton zemrën”, dhe njoftoi se regjimenti do të nderohej me Urdhrin e Lirisë dhe Pavarësisë.

    Ceremonia e pritjes u mbajt të premten në Phenian dhe u ndoq nga zyrtarë të lartë ushtarakë, udhëheqës të partisë në pushtet, familjarë të ushtarëve dhe turma të mëdha njerëzish, sipas KCNA, raporton rel.

    Në fjalimin e tij, Kim tha se regjimenti kishte pastruar zona të rrezikshme në kushte luftarake dhe kishte demonstruar “besnikëri absolute” ndaj partisë dhe shtetit. Ai gjithashtu lavdëroi indoktrinimin politik, disiplinën dhe unitetin mes trupave, duke e quajtur paraqitjen e tyre shembull për forcat e armatosura.

    Koreja e Veriut i ka nderuar haptazi trupat e saj që luftuan për Rusinë në luftën në Ukrainë.

    Në gusht, Kim i lavdëroi ata në një takim me oficerë të përfshirë në operacione jashtë vendit, ndërsa më herët mediat shtetërore e shfaqën atë duke mbuluar arkivole me flamurin kombëtar në atë që dukej të ishte riatdhesimi i ushtarëve të vrarë përkrah forcave ruse.

  • Gjendet i vdekur një burrë në Prizren

    Gjendet i vdekur një burrë në Prizren

    Një burrë është gjetur i vdekur në banesën e tij dje në Prizren.

    Në vend të ngjarjes shkuan edhe zjarrfikësit, të cilëve iu desh ta hapnin derën me forcë në prani të familjarëve të të ndjerit.

    ”Është raportuar se viktima mashkull kosovar, në banesën e tij është gjetur pa shenja jete, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante policore kanë dalë edhe zjarrfikësit të cilët në prezencë të familjarëve me forcë e kanë hapur derën e banesës ku është gjetur viktima. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, rasti është duke u hetuar”, tha policia

  • Shqiptari i zhdukur prej dy javësh në Austri, gjendet i vdekur në një pellg në Gjermani

    Shqiptari i zhdukur prej dy javësh në Austri, gjendet i vdekur në një pellg në Gjermani

    Është gjetur pa shenja jete trupi i Agim N. me banim në Wels të Austrisë, i cili ishte raportuar i zhdukur që nga 29 nëntori.

    Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur për albinfo.at, familjarët e tij. 56 vjeçari shqiptar nga fshati Rainc nga komuna e Preshevës por me banim prej shumë vitesh në Austri, u gjet i vdekur sot(12 dhjetor 2025) rreth orës 12:40 nga një këmbësor në një pellg të vogël në Hundsdorf, në rrethinën e Passaut të Gjermanisë.

    Kalimtari i rastit me të parë trupin e pajetë menjëherë thirri shërbimet e emergjencës. Zjarrfikësit arritën të nxirrnin trupin e pajetë. Sipas raportit të policisë gjermane, nuk ka shenja të ndonjë akti të paligjshëm apo dhune, megjithatë policia është duke u marr me rastin.

    Si ndodhi zhdukja e Agim N.?

    Sipas deklarimit të vajzës së Agim N. në policinë austriake, babai i saj, 56 vjeç, është larguar nga banesa e tij që nga mesdita e së shtunë të datës 29 nëntor. Nga banesa është larguar me veturën e tij, Opel Mokka të zezë kurse pa telefonon celuar.

    Policia gjermane njoftoi ditë më parë se vetura është gjetur në një fushë në komunën e Hauzenberg, në rrethinën e Passaut. U raportua se vetura është gjetur e mbyllur, megjithatë nuk kishte asnjë shenjë të shoferit.

    Familjarët e Agimit, kanë deklaruar për albinfo.at se, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërkohë nuk dihet se kur do të bëhet varrimi i të ndjerit./Albinfo/

  • Zjarr në një objekt ndihmës në Pasjan të Parteshit, dëmi rreth 10 mijë euro

    Zjarr në një objekt ndihmës në Pasjan të Parteshit, dëmi rreth 10 mijë euro

    Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e 12 dhjetorit 2025 një objekt ndihmës në fshatin Pasjan, në komunën e Parteshit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

    Sipas informatave, rreth orës 19:00, është raportuar se në pronën e G.M., rreth 77-vjeçar ka shpërthyer zjarr në një objekt ndihmës. Dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e mbinxehjes së pajisjeve elektrike, konkretisht baterive litium, pasi pronari, sipas deklarimit të tij, merret si hobi me riparimin e pajisjeve elektrike.

    Në vendin e ngjarjes ka intervenuar njësia e zjarrfikësve nga Gjilani, e cila ka arritur ta vë zjarrin nën kontroll rreth orës 21:00. Po ashtu, në lokacion kanë dalë edhe njësitë policore, të cilat kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, kanë fotografuar zonën dhe kanë marrë deklaratë nga pronari.

    Sipas deklarimit të Maksimoviqit, zjarri ka shpërthyer nga pajisjet elektrike (bateri litiumi), ndërsa vlera e dëmit të shkaktuar vlerësohet rreth 10.000 euro.

    Ai ka deklaruar se nuk dyshon në asnjë person.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të trajtohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, të hartohet shënim zyrtar dhe lënda t’i procedohet Njësisë Hetimore të Stacionit Policor në Partesh.

    Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

  • Arrestohet burri që u prezantua rrejshëm si ushtar i FSK-së, pasi policia i gjetën armë e fishek

    Arrestohet burri që u prezantua rrejshëm si ushtar i FSK-së, pasi policia i gjetën armë e fishek

    Një person është arrestuar të premten mbrëma në fshatin Mazgit të Obiliqit, pasi është kapur me armë pa leje dhe është prezantuar rrejshëm si person zyrtar.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 18:20, i dyshuari mashkull kosovar është ndaluar nga njësi policore derisa po drejtonte një veturë me targa vendore.

    Gjatë kontrollit, policia i ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tetë fishekë.

    Ndërkaq, me urdhër të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

  • Edi Rama ndan pamje mahnitëse nga Maja e Gramës në Dibër, uron fundjavë të mbarë

    Edi Rama ndan pamje mahnitëse nga Maja e Gramës në Dibër, uron fundjavë të mbarë

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shpërndarë një mesazh për qytetarët, duke i uruar atyre një fundjavë të mbarë dhe duke ndarë një pamje nga Maja e Gramës, e njohur si një nga pamjet më të bukura të Alpeve Shqiptare.

    “MIRËMËNGJES dhe me këtë mrekulli nga Maja e Gramës në Dibër, një nga kurorat më mahnitëse të Alpeve Shqiptare, ju uroj një fundjavë të mbarë”, ka shkruar Rama.

  • OKB: Mijëra persona në Gazë zhvendosen për shkak të përmbytjeve

    OKB: Mijëra persona në Gazë zhvendosen për shkak të përmbytjeve

    Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë të ditur se rreth 850 mijë persona të zhvendosur në Gazë, pothuajse gjysma e popullsisë së zhvendosur, janë në rrezik të lartë përmbytjesh për shkak të stuhive të rënda dimërore.

    OKB-ja shpjegon se këta njerëz jetojnë në më shumë se 760 vende të rrezikuara nga përmbytjet pas ditëve me shi të rrëmbyeshëm.

    Kushtet ekstreme kanë shkaktuar viktima. Të paktën tre fëmijë, duke përfshirë një bebe, kanë vdekur nga hipotermia në ditët e fundit, sipas raportimeve spitalore.

    Veçmas, të paktën 14 persona kanë humbur jetën nga rrëzimi i mureve dhe ndërtesave të dëmtuara nga lufta, të cilat kanë rënë mbi çadrat ngjitur gjatë stuhive.

    Autoritetet lokale raportojnë rrëzimin e të paktën 13 ndërtesave për shkak të motit të keq. Shkalla e dëmeve në kushtet e brishta të jetesës është e madhe.

    Kryetari i bashkisë së Khan Younis në jug të Gazës, Alaa al-Batta, ka deklaruar se mbi 300,000 çadra janë përmbytur plotësisht, pjesërisht nga stuhitë.

    Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, ka thënë se ekipet kanë reaguar ndaj më shumë se 160 alarmeve për përmbytje vetëm të enjten, duke vlerësuar kushtet për mbi 16,000 familje.

    Kriza e përmbytjeve përkeqëson ndjeshëm mungesën e ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve në Gazë, duke krijuar një emergjencë që agjencitë humanitare po përpiqen ta trajtojnë me akses dhe burime të kufizuara.