ATV

Category: Lajme

  • OKB-ja përfundon hetimin ndaj prokurorit Karim Khan, dyshohej për ngacmim seksual

    OKB-ja përfundon hetimin ndaj prokurorit Karim Khan, dyshohej për ngacmim seksual

    Kombet e Bashkuara kanë përfunduar hetimin ndaj kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, lidhur me akuzat për ngacmim seksual.

    Lajmi u bë i ditur të premten nga gjykata.

    Sipas njoftimit zyrtar, rezultatet e hetimit do të mbeten konfidenciale derisa të shqyrtohen nga një trup i ri gjyqsor. Ky proces pritet të zgjasë deri në 30 ditë.

    Gjatë kohës së zhvillimit të hetimit, Khan ishte tërhequr përkohësisht nga detyra.

    Karim Khan është akuzuar se, për më shumë se një vit, ka ushtruar presion ndaj një ndihmëseje femër për të pasur marrëdhënie seksuale me të, si dhe se e ka prekur atë në mënyrë të papërshtatshme, pa pëlqimin e saj. Ai i ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke deklaruar se pretendimet janë të pavërteta.

    Nga ana tjetër, disa zyrtarë të gjykatës kanë sugjeruar se akuzat mund të jenë pjesë e një fushate denigruese, duke përmendur mundësinë e përfshirjes së shërbimeve izraelite të zbulimit.

    Karim Khan, avokat britanik, është emëruar kryeprokuror i Gjykatës Penale Ndërkombëtare në vitin 2021. Ai njihet gjithashtu për rolin e tij si mbrojtës i ish-ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në Kosovë, Fatmir Limaj, i cili ishte akuzuar për krim të organizuar dhe u shpall i pafajshëm në vitin 2017.

  • Ahmeti: Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët, ata kontribuan edhe në stabilitetin e Maqedonisë

    Ahmeti: Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët, ata kontribuan edhe në stabilitetin e Maqedonisë

    Mijëra protestues janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Shkup në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Protestës i është bashkuar edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

    Gjatë fjalës së tij, Ahmeti tha se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e SHBA-së, Europës dhe NATO-s.

    Ai ka deklaruar se procesi kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë duhet të përfundojë me epilog të pafajësisë.

    Para mijëra protestuesve në Shkup, ai ka thënë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi nuk kanë kryer asnjë krim.

    “Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, sepse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe ushtarët që ndodhen prapa atyre grilave akuzohen për vepra të pabëra,” ka thënë ai.

    Ahmeti ka shtuar se gjatë këtij procesi janë dëgjuar akuza ndaj UÇK-së që dikur dëgjoheshin vetëm nga Beogradi dhe Moska.

    “Ne kërkojmë drejtësi për çlirimtarët, sepse Libri i Verdhë është me na shkel e me na mohu historinë më të re e më kredibile të shqiptarëve, historinë e UÇK-së, historinë e shtetit të pavarur të Kosovës,” ka përfunduar ai.

  • Erdogan pas takimit me Putinin: Paqja nuk është larg

    Erdogan pas takimit me Putinin: Paqja nuk është larg

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pas takimit me homologun rus, Vladimir Putin, në Turkmenistan, shprehet optimist për përfundimin e luftës midis Ukrainës dhe Rusisë.

    Ai tha se dëshiron të diskutojë planin për paqe edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    “Paqja nuk është larg, ne e shohim atë,” tha lideri turk në një deklaratë gjatë kthimit nga udhëtimi, raporton Reuters.

    Gjatë bisedimeve, Erdogan theksoi rëndësinë e një armëpushimi të kufizuar, veçanërisht për të mbrojtur infrastrukturën e energjisë dhe portet.

    Ai shtoi se Deti i Zi nuk duhet të shihet si një fushë beteje, pasi një gjë e tillë do të dëmtonte si Rusinë ashtu edhe Ukrainën.

    Udhëheqësi turk gjithashtu theksoi nevojën që rrugët detare të jenë të sigurta për lëvizje.

    Ndryshe, Rusia raportohet se ka sulmuar dy porte ukrainase, duke dëmtuar tre anije të pronarëve turq, përfshirë një anije që transportonte ushqime – një zhvillim që nxit përpjekjet diplomatike për të ruajtur sigurinë detare dhe për të ulur tensionet.

  • Konfiskohen mbi 4.6 kg kokainë dhe arrestohen katër të dyshuar

    Konfiskohen mbi 4.6 kg kokainë dhe arrestohen katër të dyshuar

    Hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN)-Ferizaj, në koordinim me prokurorinë dhe bashkëpunim me zyrtarë nga AKI, pas një hetimi disa mujorë, dje më 12.12.2025, kanë zbatuar një plan taktik të emërtuar ‘Kulla’ me qëllim arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në trafikim me lëndë narkotike.

    Gjatë realizimit të operacionit policor, hetuesve të DHTN-Ferizaj i kanë ofruar mbështetje njësit tjera policore nga DHTN Prishtinë, NjSI e njësi tjera mbështetëse.

    Policia ka arrestuar katër të dyshuar: A.L., (mashkull shtetas i Shqipërisë, viti i lindjes 1973), M.B., (mashkull shtetas i Shqipërisë, viti i lindjes 1971), A.B., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1997) dhe A.B., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1993). Po ashtu dy të dyshuar nuk janë hasur nga policia dhe ndodhen në arrati.

    Policia, si prova materiale gjatë realizimit të operacionit, ka gjetur dhe konfiskuar:

    • substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë me peshë totale 4620.4 gr., e mbështjellë në katër paketime, me vlerë tregu rreth 140 mijë euro,

    • një pistoletë me 14 fishekë,

    • dy telefona celular,

    • para (euro, lekë dhe dollar kanadez),

    • dy vetura dhe një motor katër-rrotësh.

    Të dyshuarit, pas intervistimit me aktvendim nga prokuroria janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

  • Vrasje në tentativë në Gjilan, i mituri sulmoi me thikë dy bashkëmoshatar

    Vrasje në tentativë në Gjilan, i mituri sulmoi me thikë dy bashkëmoshatar

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të vrasjes në tentativë në Gjilan, ku një i mitur ka sulmuar me thikë dy bashkëmoshatar.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Sadik Sadiku” në Gjilan, të premten në ora 18:26.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar-i mitur, i cili për shkak të një mosmarrëveshje i kishte sulmuar me thikë dy viktima meshkuj kosovarë, të mitur. Si pasojë e sulmit viktimat kanë pranuar tretman mjekësor dhe më pas janë liruar”, thuhet në raport.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore.

    I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Haklaj: Tri shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK

    Haklaj: Tri shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK

    Veterani i UÇK-së Hasan Haklaj, ka qenë folësi i dytë në protestën kundër Speciales që po mbahet në Shkup.

    Para mijëra protestuesve, ai ka thënë e tri shkronjat e arta të alfabetit shqip janë UÇK.

    “Të dashur bashkëkombës, të dashura motra dhe vëllezër, bij dhe bija të një historie, të një gjuhe, të një gjaku, të një qëndrese. Një rilindas i madh thoshte se me shkronja bëhet alfabeti dhe me alfabet shkruhet kombi. Po të mos ishte alfabeti shqip, ne do të shuheshim. Ky është i paprekshëm dhe tri shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK”, ka thënë Haklaj.

  • Ish-luftëtari: T’i kujtojmë botës se historia nuk guxon të shtrembërohet – Duam drejtësi jo hakmarrje

    Ish-luftëtari: T’i kujtojmë botës se historia nuk guxon të shtrembërohet – Duam drejtësi jo hakmarrje

    Ka nisur protesta e thirrur në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

    “Drejtësi për çlirimtarët” është slogani kryesor i protestës. Qindra mijëra mbështetës janë bërë bashkë në Shkup, ndërsa brohorasin “UÇK”.

    Berat Hajdari, ish-luftëtar i UÇK-së, në fjalën e tij në këtë protestë ka bërë thirrje për mbështetje masive të ish-luftëtarëve.

    “Sot jemi bërë bashkë këtu, për një kauzë që na dhemb, prek zemrën, historinë dhe identitetin. Por mbi të gjitha na bashkon për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët. Nuk jemi për të kundërshtuar ligjin, por t’i kujtojmë botës se historia nuk guxon të shtrembërohet. Gjykimi duhet të jetë i drejtë dhe jo me standarde të dyfishta. Duam drejtësi, jo hakmarrje,” ka thënë ai.

  • Protesta në Shkup, Gucati: UÇK-ja s’ka qenë ushtri kriminale, por ushtri çlirimtare

    Protesta në Shkup, Gucati: UÇK-ja s’ka qenë ushtri kriminale, por ushtri çlirimtare

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

    Para protestuesve në Shkup, ai ka thënë se sot këtu janë për t`i treguar Evropës së UÇK-ja bëri luftë të drejt.

    “Sot jemi mbledhur këtu për t’i treguar partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut se UÇK nuk ka kryer krime. UÇK ka qenë një ushtri çlirimtare që mbrojti kombin e vet dhe qytetarët e saj. Ne jemi këtu për të ngritur zërin, siç e bëjmë në çdo protestë, duke bashkuar shqiptarët siç bëri edhe Skënderbeu në kohët më të vështira. Kjo gjykatë është formuar nga një individ i çmendur, i cili në vitin 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin dhe Këshillin e Europës, duke pretenduar se UÇK ka kryer krime. Por ne jemi këtu për të treguar se e vërteta është ndryshe”,  tha Gucati.

  • Shkupi gati, fillojnë të mblidhen protestuesit në sheshin “Skënderbeu” në Shkup

    Shkupi gati, fillojnë të mblidhen protestuesit në sheshin “Skënderbeu” në Shkup

    Shqiptarë nga të gjitha trevat kanë nisur të mblidhen në Shkup, ku sot nga ora 13:00 do të mbahet protesta e radhës kundër Gjykatës Speciale.

    Qytetarë të shumtë, duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë dhe flamuj të UÇK-së, kanë filluar të mblidhen në vendin ku do të mbahet protesta.

    Në hapësirën ku do të mbahen fjalimet është vendosur një fotografi e madhe me mbishkrimin “Çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen”.

    Ky mbishkrim është vendosur poshtë fotografive të katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët po gjykohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale në Hagë tash e më shumë se pesë vjet.

    Kjo protestë është e katërta që po organizohet me kërkesën për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Fillimisht protesta u mbajt në Prishtinë, më pas në Tiranë, pastaj në Strasburg të Francës, ndërsa tani po mbahet në Shkup.

  • Vendimi për astet e ngrira ruse, Costa: Liderët kanë përmbushur angazhimin e tyre

    Vendimi për astet e ngrira ruse, Costa: Liderët kanë përmbushur angazhimin e tyre

    Më 12 dhjetor 2025, Bashkimi Evropian ka miratuar një vendim për të ndaluar përkohësisht (por në praktikë pa afat të caktuar) çdo transferim të aseteve të ngrira të Bankës Qendrore Ruse drejt Rusisë.

    Kjo do të thotë se rreth 210 miliardë euro asete ruse do të mbeten të bllokuara derisa Rusia të ndërpresë luftën agresore kundër Ukrainës dhe të kompensojë dëmet e shkaktuara.

    Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e ka konfirmuar përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), duke thënë se “në tetor, liderët e BE-së u angazhuan të mbajnë asetet ruse të immobilizuara derisa Rusia të ndërpresë luftën e saj agresore kundër Ukrainës dhe të kompensojë dëmet e shkaktuara. Sot ne e mbajtëm këtë premtim”.

    Ai shtoi se hapi tjetër është sigurimi i nevojave financiare të Ukrainës për vitet 2026–2027 (përmes një kredie reparacioni të mbështetur nga këto asete).