ATV

Category: Lajme

  • Shpërthen gypi i ujit në Fushë Kosovë, një pjesë e zonës mbetet pa ujë

    Shpërthen gypi i ujit në Fushë Kosovë, një pjesë e zonës mbetet pa ujë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se në orët e para të mëngjesit ka pasur një shpërthim të gypit të ujit fi 200mm Ac në rrugën “Nëna Tereza”, në drejtim të stacionit hekurudhor në Fushë Kosovë.

    Si pasojë e këtij shpërthimi, një pjesë e zonës ka mbetur pa furnizim me ujë.

    Ekipet teknike janë në terren dhe po bëjnë përpjekje maksimale për ta sanuar rrjedhjen sa më shpejt të jetë e mundur.

    “Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë konsumatorëve të prekur nga kjo ndërprerje e përkohshme. Faleminderit për mirëkuptim!”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

  • Zjarri në Prizren, policia: Nuk ka të lënduar

    Zjarri në Prizren, policia: Nuk ka të lënduar

    Disa lokale në Prizren, afër stacionit të autobusëve janë përfshirë nga zjarri.

    Në vendin e ngjarjes janë hasur edhe zjarrfikësit, të cilët po punojnë në shuarjen e zjarrit.

    Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Ai konfirmoi se fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

    “Sonte me datën 19.12.2025, pas orës 23:00 është raportuar se ka shpërthyer një zjarr në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Prizren. Zjarrfikësit dhe policia janë në vendngjarje.

    Zjarri ka përfshirë disa lokale të qendra tregtare e njohur si “Te shtrumfat”.

    Deri më tani, përveç dëmeve materiale nuk ka të raportuar persona të lënduar” tha Bytyqi.

  • Dosja Epstein, Clinton dhe Michael Jackson në fokusin e dokumenteve të publikuara

    Dosja Epstein, Clinton dhe Michael Jackson në fokusin e dokumenteve të publikuara

    Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar mijëra dokumente nga çështja Jeffrey Epstein, por jo të gjitha siç ishte njoftuar.

    Publikimi vjen pas muajsh vonesash dhe zvarritjesh nga administrata Trump.

    Arkivi i gjerë i dokumenteve mund të hedhë dritë të re mbi krimet e Epstein dhe lidhjet e tij me figura të shquara publike, përfshirë vetë Donald Trump.

    Dokumentet janë të ndara në katër seksione.

    Dokumentet që janë hapur deri më tani përmbajnë foto të brendshme të një ose më shumë pronave, por ende nuk është e qartë nëse të gjitha fotot janë bërë në të njëjtin vend.

    Këto janë skena mjaft të zakonshme, siç është një kuzhinë, palestër, korridor, banjo dhe dhomë gjumi bosh. Ende nuk dihet se në çfarë konteksti janë bërë këto foto, kur janë bërë apo ku.

    Shumë nga fotot janë redaktuar rëndë, në përputhje me detyrimin e Aktit të Transparencës së Dosjeve Epstein për të hequr informacionin që mund të identifikojë viktimat e mundshme të Epstein ose që përmban materiale abuzimi seksual me fëmijë.

    Sipas këtij ligji, Departamentit të Drejtësisë i lejohej gjithashtu të mbante të fshehta materialet që lidheshin me hetimet aktive.

    Fotot e publikuara tregojnë Epstein në shoqërinë e ish-presidentit Bill Clinton dhe këngëtarit dhe kompozitorit amerikan Michael Jackson.

  • Katër shtete e njohën Kosovën këtë vit

    Katër shtete e njohën Kosovën këtë vit

    Bahamas është bërë shteti i 121-të që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

    Lajmi është konfirmuar të premten nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka cilësuar këtë njohje si një zhvillim të rëndësishëm për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

    Sipas Osmanit, njohja nga Bahamas është rezultat i angazhimit diplomatik të institucioneve të Kosovës dhe përpjekjeve të vazhdueshme për zgjerimin e rrjetit të shteteve mike në arenën ndërkombëtare.

    Kjo njohje është e katërta për Kosovën gjatë këtij viti.

    Më herët, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, si dhe Siria nga Lindja e Mesme.

    Në vitet e fundit, procesi i njohjeve kishte shënuar rënie të ndjeshme, ndërsa shteti i fundit që e kishte njohur Kosovën para këtij viti ishte Izraeli, në vitin 2021. Pas asaj kohe, përpjekjet diplomatike ishin përqendruar kryesisht në ruajtjen e njohjeve ekzistuese dhe kundërshtimin e fushatave për çnjohje.

    Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë angazhimin për të siguruar njohje të reja dhe për të avancuar rrugën e integrimit ndërkombëtar të vendit.

    Bahamas (zyrtarisht Komonuelthi i Bahamas) është një shtet ishullor në Karaibe / Oqeanin Atlantik Perëndimor, i përbërë nga mbi 700 ishuj dhe rreth 2.400 shkëmbinj koralorë (cays), prej të cilëve vetëm rreth 30 janë të banuar.

  • Zjarr afër stacionit të autobusëve në Prizren, disa lokale kaplohen nga flakët

    Zjarr afër stacionit të autobusëve në Prizren, disa lokale kaplohen nga flakët

    Disa lokale në Prizren, afër stacionit të autobusëve janë përfshirë nga zjarri.

    Në vendngjarje shihen edhe zjarrfikësit duke u munduar që ta shuajnë zjarrin.

    Përveç dëmeve materiale, ende s’dihet se a ka lënduar.

  • Donald Trump ndalon tifozët e dy shteteve të tjera të marrin pjesë në Kupën e Botës 2026

    Donald Trump ndalon tifozët e dy shteteve të tjera të marrin pjesë në Kupën e Botës 2026

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndaluar tifozët e dy shteteve të tjera që të udhëtojnë drejt SHBA-së për Kupën e Botës 2026, një vendim që rrezikon të shkaktojë pakënaqësi të madhe mes adhuruesve të futbollit.

    Shtetet e Bashkuara po përgatiten të organizojnë Kupën e Botës 2026, një ngjarje që do të rikthehet në tokën amerikane pas 32 vitesh, që nga edicioni i vitit 1994, i fituar nga Brazili. Megjithatë, një shpallje e re e nënshkruar nga Trump mund të ndikojë drejtpërdrejt në praninë e tifozëve nga dy vende pjesëmarrëse.

    Sipas këtij urdhri të ri, hyrja në SHBA pezullohet për shtetasit e dy vendeve afrikane, Senegalin dhe Bregun e Fildishtë, duke përfshirë vizitat afatshkurtra për turizëm dhe punë. Si pasojë, tifozët nga këto dy shtete mund të mos lejohen të hyjnë në SHBA për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës që do të zhvillohen në territorin amerikan.

    Senegali është pjesë e Grupit I, së bashku me Francën, Norvegjinë dhe fituesin e një play-offi mes Bolivisë, Irakut ose Surinamit. Ndeshjet ndaj Francës dhe Norvegjisë do të luhen në “MetLife Stadium” në New Jersey, pra në SHBA, ndërsa ndeshja e tretë e grupit do të zhvillohet në Toronto të Kanadasë, ku tifozët do të kenë mundësi të jenë të pranishëm.

    Një situatë e ngjashme vlen edhe për Bregun e Fildishtë, që ndodhet në Grupin E me Gjermaninë, Ekuadorin dhe Curaçaon. Përballjet ndaj Ekuadorit dhe Curaçaos do të luhen në SHBA, ndërsa ndeshja kundër Gjermanisë do të zhvillohet në Kanada.

    Urdhrat e mëparshëm ekzekutivë të administratës Trump kanë parashikuar përjashtime për lojtarët, stafet teknike dhe familjarët e ngushtë, që do të thotë se futbollistët nuk do të kenë probleme për të hyrë në SHBA. Megjithatë, kufizimet përbëjnë një pengesë serioze për tifozët.

    Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet: “Shpallja përfshin përjashtime për banorët e përhershëm të ligjshëm, mbajtësit e vizave ekzistuese, kategori të caktuara vizash si atletët dhe diplomatët, si dhe individët, hyrja e të cilëve i shërben interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

    Ky vendim pritet të shtojë shqetësimet mes tifozëve që planifikojnë të udhëtojnë për të ndjekur Kupën e Botës 2026, në një kohë kur tashmë ka kritika të forta për rritjen e çmimeve të biletave dhe mungesën e kuotave të përballueshme për publikun.

  • Osmani lajmërohet nga Bahamas pas njohjes: Ishte punë e gjatë dhe angazhim intensiv diplomatik

    Osmani lajmërohet nga Bahamas pas njohjes: Ishte punë e gjatë dhe angazhim intensiv diplomatik

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar moment historik për vendin njohjen nga Bahamet. Ajo ka theksuar se kjo njohje ka ardhur pas një pune të gjatë dhe angazhimi të madh të Presidencës.

    “Ky është një moment historik i jashtëzakonshëm për të arriturat e vendit tonë. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që, pas një pune të gjatë dhe angazhimi të madh e intensiv të presidencës, sot kemi nënshkruar marrëveshjen për njohje së bashku me kryeministrin Davis dhe gjithashtu marrëveshjen për vendosje të marrëdhënieve diplomatike”, ka deklaruar presidentja Osmani.

    Më tej, ajo ka shtuar se gjatë takimeve janë diskutuar mënyrat për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme:

    “Kemi pasur po ashtu një takim të jashtëzakonishëm, ku kemi diskutuar si mund t’i thellojmë raportet tona në fusha të ndryshme të interesit dypalësh. Ka vërtet potencial të madh që shtetet tona të afrohen edhe më shumë e ta përkrahin njëra-tjetrën edhe më shumë. Jemi shumë mirënjohës për angazhimin e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Bahamas, të cilët i kemi takuar edhe në New York. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe komunikimit të përditshëm kemi arritur të organizojmë këtë vizitë, e cila rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme dhe do të sjellë shumë të mira të tjera në raportet tona”, ka thënë Osmani.

    Presidentja tutje e ka falënderuar popullin e Bahamas, teksa ka theksuar se shumë shpejt do të mirëpres kryeministrin Davis në Kosovë.

    “E falënderoj edhe njëherë shtetin dhe popullin e Bahamas, një popull të mrekullueshëm. Shumë shpejt do të mirëpresim kryeministrin Davis në Republikën tonë. Lajmet e mira për vendin tonë nuk do të ndalen”, ka deklaruar Osmani.

  • Bahamas njohu Kosovën, MPJ e Serbisë e dënon ashpër: Ta rishqyrtojnë vendimin

    Bahamas njohu Kosovën, MPJ e Serbisë e dënon ashpër: Ta rishqyrtojnë vendimin

    Presidentja e vendin Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se Komonuellthi i Bahamas ka vendosur të njohë pavarësinë e Kosovës, duke u bërë shteti i 121-të që njeh shtetin tonë.

    Në lidhje me këtë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ku ka dënuar vendimin e Bahamas për të njohur pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.

    “Veprime të tilla përfaqësojnë një precedent të rrezikshëm dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në gërryerjen e mëtejshme të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare publike, kryesisht parimit të respektimit të integritetit territorial të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

    Tutje në njoftim thuhet se Serbia do të vazhdojë të luftojë për të mbrojtur interesat e saj shtetëore.

    “Republika e Serbisë nuk do të pranojë përpjekje për të imponuar fakte të kryera ose për të legjitimuar akte të njëanshme që janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Serbia do të vazhdojë të luftojë, me vendosmëri dhe në parim, me të gjitha mjetet diplomatike dhe politike në dispozicion për të mbrojtur interesat e saj shtetërore dhe kombëtare”, njofton Ministria.

    Në fund, kjo ministri u ka bërë thirrje autoriteteve të Komonuelthit të Bahamas “që ta rishqyrtojnë vendimin dhe t’i kthehen respektimit të parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare, të cilat”, sipas saj, “janë themeli i stabilitetit dhe paqes në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

  • AKB-ja pranohet zyrtarisht në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

    AKB-ja pranohet zyrtarisht në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka njoftuar opinionin publik se është pranuar zyrtarisht si Enlargement Candidate Member (ECM) në kuadër të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), një nga institucionet kryesore këshillëdhënëse të Bashkimit Evropian për dialogun social dhe zhvillimin ekonomik.

    Ky vendim përfaqëson një njohje të rëndësishme institucionale për rolin e AKB-së si përfaqësuese e komunitetit të biznesit në Kosovë dhe si aktor i rëndësishëm në ndërtimin e dialogut social ndërmjet bizneseve, punëtorëve dhe institucioneve publike, në sektorin privat dhe publik.

    Statusi ECM i mundëson AKB-së pjesëmarrje aktive në proceset konsultative të EESC-së, duke kontribuar në politikat evropiane që lidhen me ekonominë, tregun e punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

    AKB-ja e konsideron këtë përzgjedhje si përgjegjësi shtesë për të fuqizuar dialogun social dhe për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet dhe profesionalizëm në institucionet e Bashkimit Evropian.

  • Gjermania riafirmon mbështetjen për KFOR-in: Ushtarët tanë luajnë rol jetik për një mjedis të sigurt në Kosovë

    Gjermania riafirmon mbështetjen për KFOR-in: Ushtarët tanë luajnë rol jetik për një mjedis të sigurt në Kosovë

    Sot, në Konferencën e Shteteve Kontribuese të Forcave KFOR, Ngarkuari me Punë i Ambasadës Gjermane në Kosovë, Christian Böttcher, riafirmoi mbështetjen gjermane për KFOR dhe NALT (“NATO Advisory and Liaison Team” – Ekipi Këshillues dhe i Ndërlidhjes i NATO-s).

    Ai ka thënë se ushtarët gjermanë luajnë rol jetik në sigurimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

    “Ushtarët tanë luajnë një rol jetik në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Angazhimi i tyre është një simbol i fuqishëm i paqes dhe bashkëpunimit në Evropë. Ne shprehim falënderimet tona më të sinqerta për të gjithë ata që shërbejnë në këto misione për përkushtimin dhe shërbimin e tyre|, thuhet në njoftim të Ambasadës Gjermanë në Kosovë.