ATV

Category: Lajme

  • I dërguari rus niset drejt ShBA-së për bisedime për luftën në Ukrainë

    I dërguari rus niset drejt ShBA-së për bisedime për luftën në Ukrainë

    I dërguari rus, Kirill Dmitriev, tha më 20 dhjetor se po niset drejt Majamit të Shteteve të Bashkuara ku do të mbahet një rund i ri i bisedimeve për dhënien fund të luftës në Ukrainë.

    Ekipet ukrainase dhe evropiane ishin gjithashtu në qytetin amerikan për negociatat e ndërmjetësuara nga i dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.

    “Rrugës për në Miami”, shkroi Dmitriev në një postim në X, duke shtuar një emoji pëllumbi dhe duke bashkëngjitur një video të shkurtër të diellit të mëngjesit që depërtonte përmes reve mbi një plazh me palma.

    “Teksa nxitësit e luftës vazhdojnë të punojnë pa pushim për të minuar planin amerikan të paqes për Ukrainën, më erdhi ndër mend kjo video nga vizita ime e mëparshme, drita që depërton përmes reve të stuhisë”, shtoi ai.

    Përfshirja ruse dhe evropiane në bisedime shënon një hap përpara krahasuar me fazën e mëparshme, kur amerikanët zhvillonin negociata të ndara me secilën palë në vende të ndryshme, njofton rel.

    Megjithatë, ka pak gjasa që Dmitriev të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me negociatorët ukrainas dhe evropianë, pasi marrëdhëniet mes dy palëve mbeten të tensionuara.

    Moska, që nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, argumenton se përfshirja e Evropës në bisedime vetëm do ta pengojë procesin dhe tenton t’i paraqesë udhëheqësit e kontinentit si pro luftës.

    Bisedimet e fundjavës vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, u zotua të vazhdojë ofensivën ushtarake në Ukrainë, duke lavdëruar përparimet e Moskës në fushëbetejë, gati katër vjet pas nisjes së luftës, gjatë një konference vjetore për shtyp të zhvilluar një ditë më parë.

    Të dërguarit e Trumpit kanë shtyrë përpara një plan, sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara do t’i ofronin Ukrainës garanci sigurie, por nga Kievi ka të ngjarë të pritet të heqë dorë nga një pjesë e territorit, një ide që kundërshtohet nga shumë ukrainas.

  • Shefi i inteligjencës ukrainase paralajmëron: Rusia mund të sulmojë Evropën në vitin 2027

    Shefi i inteligjencës ukrainase paralajmëron: Rusia mund të sulmojë Evropën në vitin 2027

    Rusia fillimisht kishte planifikuar të fillonte agresionin e drejtpërdrejtë ndaj vendeve anëtare të NATO-s deri në vitin 2030, por sipas informacionit të fundit, Kremlini ka rishikuar planet e tij dhe ka vendosur të shkurtojë këtë afat, duke e parashikuar fillimin e një operacioni të mundshëm ushtarak që në vitin 2027.

    Këtë e bëri të ditur kreu i inteligjencës ukrainase, Kyrylo Budanov, i cili theksoi se kjo ndryshon ndjeshëm parashikimet strategjike të vendeve perëndimore për sigurinë në kontinentin evropian.

    Budanov shtoi se ky zhvillim tregon synimet agresive të Moskës dhe përshpejtimin e agjendës së saj ushtarake, raportojnë mediat ukrainase.

    Ai u shpreh gjithashtu se Rusia ka plane konkrete për të pushtuar shtetet baltike, duke përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, një veprim që do të përbënte një kërcënim të madh për stabilitetin në Evropën Veriore dhe për sigurinë e aleatëve të NATO-s në rajon.

    Nga ana tjetër, Budanov theksoi se Polonia, sipas perceptimit rus, nuk është objekt i pushtimit të drejtpërdrejtë, por shihet si një objektiv për sulme të kufizuara, për një fushatë ushtarake që synon goditje të shpejta dhe strategjike, pa një qëllim për të marrë kontrollin e territorit.

    “Kjo tregon një ndryshim të qartë në taktikat dhe strategjitë që Rusia mund të përdorë kundër vendeve perëndimore, duke e bërë situatën e sigurisë në Evropë më të ndjeshme dhe të paparashikueshme,” tha Budanov.

  • Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë, i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

    Ekstradohet nga Gjermania për në Kosovë, i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur senë koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë dhe institucionet e drejtësisë, me datë 19.12.2025 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar B.A., viti i lindjes 1994, nga Gjermania për në Kosovë.

    I dyshuarit ishte arrestuar nga autoritete Gjermane pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe se i njëjti u ishte shmangur organeve të drejtësisë.

    I dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë në Mitrovicë për vazhdim të procedurave tjera ligjore.

  • Ambasada e Kosovës në Washington: SHBA-ja riafirmoi mbështetjen e fuqishme për Kosovën

    Ambasada e Kosovës në Washington: SHBA-ja riafirmoi mbështetjen e fuqishme për Kosovën

    Presidenti amerikan, Donald Trump, të premten nënshkroi Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, ligj ky i cili autorizon mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes e në të cilin është përfshirë edhe Kosova.

    Ambadasa e Kosovës në Washington vlerëson se kjo ka riafirmuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të fuqishme për Republikën e Kosovës përmes miratimit të National Defense Authorization Act (NDAA). Ligji nënvizon përkushtimin e SHBA-ve ndaj sovranitetit, sigurisë dhe rrugës euro-atlantike të Kosovës, mbështet dialogun Kosovë-Serbi të bazuar në njohje reciproke, dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale apo ndryshim kufijsh. Mirënjohës Kongresit, Shtëpisë së Bardhë dhe gjithë atyre që u angazhuan në përfshirjen dhe miratimin e dispozitave me peshë për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

  • Mungesat në listën esenciale të barnave janë rritur 200 %, pavarësisht rritjes së buxhetit, thotë kryetari i Odës së Farmacistëve

    Mungesat në listën esenciale të barnave janë rritur 200 %, pavarësisht rritjes së buxhetit, thotë kryetari i Odës së Farmacistëve

    Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ka deklaruar se gjendja me listën esenciale të barnave në sistemin publik shëndetësor është e pakënaqshme, duke theksuar se pavarësisht rritjes së buxhetit të qeverisë, mungesat e barnave në SHSKUK dhe spitalet rajonale janë rritur ndjeshëm.

    Bytyqi tha se mungesat e barnave kanë shënuar rritje mbi 200 për qind krahasuar me vitet paraprake, duke e cilësuar këtë situatë si alarmante dhe problem serioz që kërkon adresim institucional.

    “Gjendja në sistemin publik shëndetësor me listën esenciale apo me furnizim nuk është e kënaqshme. Arsyet duhet t’i pyesni ata, por përkundër se buxheti i qeverisë ka qenë 100 për qind më shumë në raport me para tri viteve, mungesat në SHSKUK edhe në spitalet rajonale kanë qenë mbi 200 për qind. Është një matematikë jo fort e kënaqshme në këtë aspekt, sepse të kesh shumë më shumë buxhet edhe të kesh shumë më shumë mungesa, diku është një problem i madh të cilin duhet dikush ta adresojë dhe ta zgjidhë këtë problem”, tha ai.

    Bytyqi ka ngritur shqetësime edhe për procesin e përpilimit të Listës Esenciale të Barnave, duke thënë se ka pasur paqartësi dhe konfuzion, për çka sipas tij do të duhej të kishte hetime administrative dhe institucionale.

    “Deri tani për të kaluarën e përpilimit të listës esenciale, duke filluar nga njësitë kërkuese, ka qenë dashur një hetim, së paku administrativ, të bëhet, të përpiluesit e listës esenciale edhe deri te pjesa kryesore e administratës publike që në këtë rast i bie të jetë sekretari i përgjithshëm i cilësdo ministri, por në këtë rast po flasim me ministrin e linjës, të hetohej se çka ka ngjarë me këtë çështje, çka ka ngjarë me listën esenciale. Rrjedhimisht dua ta them se a ka pasur paqartësi, a ka pasur konfuzion – po, sepse këtu shihet se buxheti është shumë më i madh e mungesat janë shumë më të mëdha se vitet paraprake”, tha ai.

    Sa i përket Ligjit për unifikimin e çmimeve të barnave, Bytyqi vlerësoi se ideja ka qenë e menduar mirë, por zbatimi sipas tij nuk ka prodhuar rezultatet e pritura, pasi çmimet në përgjithësi nuk janë ulur.

    “Mendoj se me aplikimin e ligjit për unifikimin e çmimeve është menduar dhe mirë që është menduar, por nga e thëna në të bërë qëndron një mal i tërë. Ka pasur tendenca ndoshta, por jo mirë të menduara, sepse çmimet, ne jemi në komunikim të përditshëm me kolegë, nuk janë zvogëluar. Ka një gamë të caktuar të barnave që janë zvogëluar, por në përgjithësi çmimet janë aty-aty, ose mos me thënë edhe diku edhe janë rritur goxha shumë”, tha ai.

    Ai shtoi se si pasojë e këtij ligji ka pasur ankesa të shumta për ndryshime të shpeshta të çmimeve, çka sipas tij ka krijuar barrë shtesë për farmacistët, të cilët përballen drejtpërdrejt me pakënaqësitë e qytetarëve.

    “Po, si shkak i ligjit për unifikimin e çmimeve, që si qëllim kryesor ka pasur zvogëlimin e çmimeve e që si rezultat final nuk ka dalë i tillë. Po kemi pasur ankesa të shumta, por ankesat kanë qenë në drejtim të ndryshimit të çmimit kohë pas kohe, sepse ka pasur disa periudha rideklarim të çmimit. Ka pasur farmaci që e ka marrë çmimin, bie fjala, me 2 euro, pas dy muajve e ka marrë me një çmim 3.50, apo që ka qenë një ndryshim jashtëzakonisht i madh i çmimit dhe të cilët i kanë ankesat, sepse ata ballafaqohen drejtpërdrejt me qytetarët. Dhe qytetari e ka atë ankesën se pse ky çmim, nuk është faji i tyre aspak, por barra e shpjegimit po u bie kolegëve tanë, të cilët me mund dhe sakrificë punojnë dhe veprojnë në farmacitë e tyre në dobi të qytetarëve dhe shëndetit të tyre”, tha ai.

  • KQZ: Sot mbyllet afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve e mediave

    KQZ: Sot mbyllet afati për aplikim për akreditim të vëzhguesve e mediave

    Sot do të mbyllet afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se periudha e aplikimit, e cila ka filluar më 5 dhjetor, do të përfundojë më 20 dhjetor 2025.

    “Deri në këtë datë, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.

    Sipas tij, akreditimi u mundëson vëzhguesve të përcjellin nga afër aktivitetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve.

    “Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund tëi vëzhgojnë procesin përgatitor, mbajtjen e zgjedhjeve dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)”, tha Elezi.

    Deri më tani, KQZ ka akredituar 586 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë: organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

    Si bëhet aplikimi?

    Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org

    Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

    Informacione shtesë:

    ·  Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontatoni në Zyrë përmes e-mailit [email protected] apo përmes telefonit +383 38 200 81 010.

  • Dëmtohen pesë vetura në “Muharrem Fejza”, një person i panjohur ndezi zjarr

    Dëmtohen pesë vetura në “Muharrem Fejza”, një person i panjohur ndezi zjarr

    Një person i panjohur është vërejtur duke ndezur zjarre në rrugën “Muharrem Fejza” në kryeqytet.

    Policia tha se si pasojë janë dëmtuar pesë vetura, ndërsa tha se po e hetojnë rastin.

    “Rr. Muharrem Fejza, Prishtinë  19.12.2025 – NN. Është raportuar se një person i panjohur i cili është vërejtur se kishte ndezur zjarre dhe si pasojë e zjarrit janë dëmtuar pesë vetura. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Një grua dërgohet pa shenja jete në emergjencën e Gjakovës

    Një grua dërgohet pa shenja jete në emergjencën e Gjakovës

    Një grua në Gjakovë është dërguar pa shenja jete në emergjencën e spitalit, vdekjen e të cilës e ka konfirmuar mjeku.

    Sipas mjekut, ajo nuk kishte shenja dhune.

    Policia tha se po e heton vdekjen dhe se trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

    “HETIM I VDEKJES – Rr. Mbretëresha Teutë, Gjakovë 19.12.2025, 23:00. Është raportuar se në Emergjencë është sjellë pa shenja jete viktima femër kosovare, vdekjen e të cilës e ka konfirmuar mjeku kujdestar. Sipas mjekut viktima nuk ka pasur shenja të dhunës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”.

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj babait, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Ushtroi dhunë fizike ndaj babait, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

    Një rast i dhunës në familje është raportuar të premten në Prishtinë.

    Sipas raportit policor, është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, pasi që pas një mosmarrëveshjeje dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e tij.

    Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili është intervistuar nga organet kompetente.

    Me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje.

  • Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

    Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq janë gjetur tri armë, 240 fishekë dhë një palë dylbi.

    Policia rastin e ka cilësuar si “armëmbajtje pa leje”.

    “Leposaviq 19.12.2025, 22:07. Njësit policore gjatë kontrollit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë të ndryshme, 240 fishekë dhe një palë dylbi. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimi policor.