ATV

Category: Lajme

  • Zbulohet një udhëtar në aeroport me mbi 10 mijë euro të fshehura në trup

    Zbulohet një udhëtar në aeroport me mbi 10 mijë euro të fshehura në trup

    Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në arritje, zyrtarët doganorë kanë kryer kontrollin e një udhëtari dhe bagazhit të tij. Gjatë skanimit fillestar dhe kontrollit fizik të udhëtarit, në trupin e tij, të fshehura në çorape, është gjetur një shumë e konsiderueshme parash të padeklaruara prej 8,000 funta britanike, përveç një shume tjetër që udhëtari mbante me vete.

    ” Në total, shuma e gjetur ishte 9,300 funta britanike, e cila sipas kursit zyrtar të këmbimit përkthehet në 10,611.59 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

    Në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhëtarit i është shqiptuar masa administrative prej 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve monetare është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore. Rasti është referuar gjithashtu sektorit të Hetimeve për procedim të mëtejshëm.

    “Forcimi i kontrolleve në pikat kufitare mbetet prioritet, me qëllim parandalimin e shkeljeve ligjore, kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe interesave financiare të shtetit”, thuhet në njoftim.

  • KQZ akrediton edhe 276 vëzhgues tjerë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    KQZ akrediton edhe 276 vëzhgues tjerë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të premten mori vendim për akreditimin e grupit të tretë me 276 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    ORGANIZATË NDËRKOMBËTARE:

    1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – Shqipëri – 5 vëzhgues;
    2. EU Election Expert Mission- 7 vëzhgues;

    ORGANIZATA JO-QEVERITARE:

    1. Syri i Vizionit – 165 vëzhgues;

    MEDIA VENDORE:

    1. GračanicaOnline.Info – 4 vëzhgues;
    2. Tëvë1 – 34 vvëzhgues;
    3. Gazeta Ekskluzive – 2 vëzhgues;
    4. TELEVIZIONI T7 – 28 vëzhgues;
    5. Syri .net Kosova/Syri Televizion – 2 vëzhgues;
    6. Ekonomia Online – 6 vëzhgues;
    7. RTV Fontana – 10 vëzhgues.

    MEDIA NDËRKOMBËTARE:

    1. NEWSMAX BALKANS – 3 vëzhgues;
    2. Agjencia Bullgare Telegrafike (BTA) – 1 vëzhgues;
    3. Mondo Inc doo/Kurir televizija – 2 vëzhgues;
    4. A2 CNN – 4 vëzhgues;
    5. Agence France-Presse – 3 vëzhgues.                                                                    Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar deri më tani, është: 862 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë: organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

    Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për caktimin e menaxherëve të Qendrave të Votimit jashtë Kosovës dhe autorizimin e stafit për tërheqjen e dërgesave nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe stafit për asistim në procesin zgjedhor.

    Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për angazhim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

    Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

    Po ashtu, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit për angazhim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

  • Orban: E ndaluam BE-në që t’i shpallë luftë Rusisë, por ka edhe një lajm të keq

    Orban: E ndaluam BE-në që t’i shpallë luftë Rusisë, por ka edhe një lajm të keq

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha në samitin e Bashkimit Evropian se Hungaria arriti ta parandalojë “angazhimin direkt të Evropës në luftë me Rusinë” dhe refuzoi të marrë pjesë në financimin e Ukrainës përmes kredi të reja evropiane.

    Në një mesazh në rrjetin social X, Orban shkruante se negociatat në Bruksel zgjatën gjithë natën dhe se Hungaria së bashku me aleatët e saj bllokuan pjesën e propozimit për përdorimin e pasurive të ngrira ruse, duke shmangur, sipas tij, rrezikun e një “luftë të hapur”.

    Ai tha se plani i diskutuar do të kishte vendosur Hungarinë përballë një barrë të madhe financiare dhe se ky sukses i mbron familjet hungareze.

    Megjithatë, Orban konfirmoi se vendet e tjera të BE‑s kanë vendosur t’i japin Ukrainës ndihmë financiare për dy vitet e ardhshme përmes një kredie, duke theksuar se nëse Ukraina nuk e shlyen atë, shtetet evropiane do të jenë të detyruara të paguajnë vetë.

    Ai përmendi gjithashtu bashkëpunimin me Çekinë dhe Sllovakinë dhe tha se këto vende nuk e mbështetën modelin e financimit, duke ruajtur kështu bashkëpunimin brenda Grupit të Visegradit.

    Në fund, Orban deklaroi se edhe pse sipas tij është parandaluar rreziku i drejtpërdrejt i luftës, “përgatitjet për luftë në Bruksel duket se vazhdojnë”, dhe përsëriti se Hungaria dëshiron paqe dhe nuk do të lejojë që paratë e taksapaguesve hungarezë të përdoren për financimin e luftës.

    Ndryshe, Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk arritën të bien dakord për një kredi të paprecedentë riparimi për Ukrainën, prandaj vendosën të emetojnë borxh të përbashkët për të financuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për vendin.

  • Vlerë prej 30 milionë eurosh, a është Fisnik Asllani futbollisti më i vlefshëm shqiptar sipas shifrave

    Vlerë prej 30 milionë eurosh, a është Fisnik Asllani futbollisti më i vlefshëm shqiptar sipas shifrave

    Superlojtari nga Kosova, që mori zemrat e futboll-dashësve që nga kualifikimet për Botërorin 2026 dhe jo vetëm, Fisnik Asllani, është duke ecur në një rrugë të sigurt për një karrierë të madhe edhe jashtë kufinjve.

    Sulmuesi kosovar i TSG Hoffenheim po kalon një formë të shkëlqyer në Bundesligën gjermane, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së tij të tregut.

    Sipas të dhënave më të fundit, vlera e tij ka arritur 30 milionë euro, duke e bërë atë futbollistin më të vlefshëm shqiptar aktualisht.

    Me këtë shifër, Asllani tejkalon shumë emra të njohur të futbollit shqiptar dhe konfirmon potencialin e madh që ka në karrierën e tij.

  • Gjatë këtij viti u braktisën 22 fëmijë, vetëm në nëntor u regjistruan katër raste

    Gjatë këtij viti u braktisën 22 fëmijë, vetëm në nëntor u regjistruan katër raste

    Braktisja e fëmijëve mbetet një problem shqetësues.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga muaji janar deri në tetor janë braktisur gjithsej 22 fëmijë.

    Kjo shifër u rrit edhe më tej gjatë muajit nëntor, kur u regjistruan katër raste të reja të braktisjes së fëmijëve.

    Dy nga këto raste kanë ndodhur në Prishtinë, një në Rahovec dhe një tjetër në Fushë Kosovë. Këto statistika tregojnë se fenomeni vazhdon të jetë i pranishëm në disa qytete të vendit dhe kërkon vëmendje të shtuar nga institucionet dhe shoqëria në përgjithësi.

  • Ukraina godet për herë të parë një tanker rus në ujrat e Detit Mesdhe

    Ukraina godet për herë të parë një tanker rus në ujrat e Detit Mesdhe

    Ukraina ka goditur për herë të parë një tanker rus në Detin Mesdhe, njoftoi një burim i shërbimit të inteligjencës ukrainase për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Ky sulm shënon një moment të ri në përfshirjen e Ukrainës jashtë kufijve të saj dhe tregon aftësinë e saj për të goditur objektiva strategjikë larg territorit të saj.

    Tankeri, i quajtur Qendil, është pjesë e ashtuquajturës “flotë e hijes” të Rusisë – një grup anijesh të vjetruara që ndihmojnë Moskën të vazhdojë eksportin e naftës bruto, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare dhe kufizimeve të vendosura nga vendet perëndimore. Këto tankere zakonisht përdoren për të shmangur kontrollet dhe për të ruajtur rrjedhën e të ardhurave nga nafta.

  • Simboli i Ujkut dhe Forca e Sigurisë së Kosovës pasqyrojnë një nivel të lartë të përgatitjes profesionale

    Simboli i Ujkut dhe Forca e Sigurisë së Kosovës pasqyrojnë një nivel të lartë të përgatitjes profesionale

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar me sukses trajnimin elitë “Simboli i Ujkut”, i cili ka zgjatur tri javë dhe kishte për qëllim testimin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale.

     

     

    Ushtrimi final zgjati 72 orë pa ndërprerje, gjatë të cilit kursantët realizuan patrullime mbi 70 kilometra me pajisje të plota ushtarake.

    Në fazën përfundimtare, pjesëtarët e FSK-së ekzekutuan me sukses misionin e caktuar, sulmin duke treguar profesionalizëm të lartë, vendosmëri, si dhe bashkëpunim të shkëlqyer ekipor.

    Përfundimi me sukses i këtij trajnimi konfirmon nivelin e lartë të përgatitjes dhe gatishmërisë së pjesëtarëve, si dhe angazhimin e vazhdueshëm për ngritjen e kapaciteteve operative dhe profesionale.

  • Gjykata rrëzon aktakuzën ndaj Faton Klinakut për kanosjen e Kurtit

    Gjykata rrëzon aktakuzën ndaj Faton Klinakut për kanosjen e Kurtit

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës ndaj Faton Klinakut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tij për veprën penale “Kanosja” ndaj kryeministrit Albin Kurti, ndërsa procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj të akuzuarit tjetër, Nuredin Selmani.

    Në seancën fillestare, më 3 shtator 2025, Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani ishin deklaruar të pafajshëm.

    Klinaku kishte shkruar në Facebook më 29 gusht 2023 se: “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

    Aktvendimi i siguruar nga “Betimi për Drejtësi” është nxjerrë më 20 nëntor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rahman Beqiri, pas shqyrtimit të kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtësi i Klinakut, avokati Ramë Dreshaj.

    Ndaj këtij aktvendimi nuk lejohet ankesë në Gjykatën e Apelit.

    Sipas aktvendimit, Gjykata ka vendosur që aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e datës 1 gusht 2025, të hudhet pjesërisht dhe procedura penale të pushohet vetëm në raport me të akuzuarin Faton Klinaku, i cili akuzohej për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Gjykata ka konstatuar se nuk ka pasur kërkesë pasurore-juridike, ndërsa shpenzimet e procedurës penale që lidhen me këtë pjesë të aktakuzës do të mbulohen nga mjetet buxhetore të Gjykatës.

    Në aktvendim theksohet se, pas plotfuqishmërisë së tij, procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj Nuredin Selmanit, i cili vazhdon të përballet me akuzën për veprën penale “Kanosja” sipas të njëjtit nen të Kodit Penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Selmani ngarkohet se kishte postuar një fotografi në të cilën ishte montuar fotoja e të dëmtuarit Kurti, krahas asaj të Klinakut, duke e shoqëruar me një shkrim kërcënues të adresuar ndaj të dëmtuarit.

    “E mbështes Faton Klinakun”, “Veç ni telefon ma ban Faton, aty mki për çka të ka nevojë, mezi s’po pres me ja nisë”, citohet në aktakuzë postimi i Selmanit./BetimipërDrejtësi

  • Haradinaj: Ligji amerikan rikonfirmon mbështetjen për Kosovën dhe kundërshton ndryshimin e kufijve

    Haradinaj: Ligji amerikan rikonfirmon mbështetjen për Kosovën dhe kundërshton ndryshimin e kufijve

    Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se hyrja në fuqi e Ligjit amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare përbën “lajmin më të mirë të ditës” për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

    Sipas Haradinajt, ligji rikonfirmon qartë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj rajonit, duke refuzuar çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.

    Ai ka theksuar se dokumenti amerikan mbështet perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe integrimin euroatlantik të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

    Ky është postimi i tij i plotë:

    Amerika krah Kosovës

    Lajmi më i mirë i mundshëm i kësaj dite është rikonfirmimi i politikës amerikane ndaj Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi.

    Ligji, tashmë në fuqi, për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike.

    E mbështetë perspektiven e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe të krejt Ballkanit Perëndimor, që përputhet në plotni më përcaktimin tonë të kahmotshëm se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është themeli i sigurisë dhe zhvillimit tonë si Shtet e shoqëri.

    Ky Ligj përcakton qartë politikën amerikane, për zbatimin e Marrëveshjes për Normalizimin e marëdhënieve Kosovë-Serbi, me qëllim final NJOHJEN RECIPROKE.

    Kjo është rikonfirmim i mbështetjes amerikane për demokracitë në Ballkanin Perëndimor, dhe cilido zyrtar i lartë, që punon kundër integritetit territorial të cilitdo shtet, cenon rendin demokratik, shkelë të drejtat e njeriut apo është i perfshirë në afera korruptive, do të sanksionohet sipas këtij Ligji.

    Prandaj miqësia e partneriteti ynë me SHBA, ka qenë jetik në të gjitha fazat, përfshirë edhe synimin tonë final, anëtarësimin në NATO dhe BE, që është edhe thelbi i Programit të Aleancës!

    Mirënjohje përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

  • Ngrihet aktakuzë ndaj 4 personave për kontrabandim me migrantë nga Bangladeshi, Pakistani, Siria

    Ngrihet aktakuzë ndaj 4 personave për kontrabandim me migrantë nga Bangladeshi, Pakistani, Siria

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër katër personave për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Kontrabandimi me migrantë”.

    Katër persona në bashkëkryerje me disa të tjerë të paidenfikuar, akzuohen se nga muaji janar i vitit 2023 deri në shtator të po atij viti kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, duke kontrabanduar shtetas të huaj në territorin e Republikën së Kosovës.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë marrë pjesë aktive në veprimtarit të kundërligjshme të kontrabandimit të migrantëve, të cilët vinin përmes Shqipërisë nga shtetet të ndryshme si Bangladeshi, Pakistani, Siria dhe vende të tjera, me destinacion shtetet e tjera të Evropës.

    Këto veprime, katër të pandehurit i kanë kryer në këmbim të shumave monetare prej 100 (njëqind) deri në 300 euro për person.