ATV

Category: Lajme

  • Nga 20 minuta për Thaçin dhe të tjerët në fjalët përfundimtare – caktohen datat për deklaratat përmbyllëse

    Nga 20 minuta për Thaçin dhe të tjerët në fjalët përfundimtare – caktohen datat për deklaratat përmbyllëse

    Trupi Gjykues në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit njoftoi mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave.

    Trupi Gjykues ka urdhëruar që dosjet gjyqësore përfundimtare dhe deklarata duhet të dorëzohen deri më 19 janar 2026, është bërë e ditur në një njoftim nga ZPS.

    Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar për t’u paraqitur nga 9 deri 13 shkurt 2026, si dhe datat e rezervuara më 16 dhe 18 shkurt, nëse është e nevojshme.

    Para këtij vendimi, në njoftim bëhet e ditur se Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e ZPS-së për të paraqitur kundërprova, duke konstatuar se nuk ishin plotësuar kushtet për pranimin e provave të tilla. Trupi

    Gjykues gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes që t’i lejojë apelimin e vendimit të mëparshëm me të cilin ishte refuzuar kërkesa për procedurë të veçantë të përcaktimit të dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim i dënimit, në rast se është i zbatueshëm, do të shqyrtohet me Aktgjykimin.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të kenë mundësinë të ngrihen në këmbë edhe një herë në sallën e gjyqit në Gjykatën Speciale për të thënë fjalët e tyre përfundimtare.

    Trupi gjykues ka vendosur që ata të kenë kenë në dispozicion nga 20 minuta secili, nëse dëshirojnë.

    Trupi Gjykues rikujton se deklaratat politike ose vërejtjet fyese ndaj Palëve, pjesëmarrësve, dëshmitarëve apo viktimave nuk do të lejohen dhe nuk do të tolerohen”, ka shkruar paneli në vendim.

  • Miratohet në qeveri, nga 1 janari paga minimale në Shqipëri 518 euro

    Miratohet në qeveri, nga 1 janari paga minimale në Shqipëri 518 euro

    Këshilli i Ministrave në Shqipëri gjatë mbledhjes së kësaj të premte ka miratuar disa vendime.

    Mes vendimeve të miratuara është edhe ajo për pagën minimale.

    Sipas vendimit të Qeverisë së Shqipërisë, paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj do të jetë 50,000 lekë (518 euro).

    Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.

  • Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi: Vuçiq e ka njohur de Facto Kosovën

    Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi: Vuçiq e ka njohur de Facto Kosovën

    Boris Pejoviq, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, ka deklaruar se Kosova është njohur në thelb nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Pejoviq i bëri këto deklarata në një reagim të ashpër ndaj kryetares së parlamentit serb, Ana Brnabiq, pas akuzave të saj ndaj Malit të Zi për njohjen e Kosovës.

    “Në fund të fundit, Kosova është njohur në thelb nga presidenti juaj. Merruni me këtë — dhe na lini rehat”, ka shkruar Pejoviq në platformën X.

    Reagimi i tij erdhi pasi Brnabiq kishte pretenduar se Mali i Zi ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe respektin themelor ndaj Serbisë, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur.

    Ajo ka argumentuar gjithashtu se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Kosovën, duke lënë të kuptohet se, sipas saj, Mali i Zi ka vepruar kundër normave evropiane.

    Përplasja mes palëve u përshkallëzua edhe më tej pasi Brnabiq akuzoi Malin e Zi se strehon dy nga klanet kriminale më të rrezikshme në botë, “Skaljari” dhe “Kavac”, duke pretenduar se ato nuk mund të funksiononin pa mbështetjen e shtetit.

    Pejoviq i ka hedhur poshtë këto akuza, duke e akuzuar Brnabiqin për ndryshim të qëllimshëm të narrativave, me synim që presidenti Vuçiq të paraqitet si viktimë.

    Ai ka theksuar se klanet kriminale të përmendura janë shfaqur në vitin 2014 dhe se personat e dyshuar për lidhje me to nuk kanë asnjë ndikim në qeverinë aktuale të Malit të Zi.

    Po ashtu, Pejoviq i ka rikujtuar Brnabiqit se të gjithë individët e dyshuar për lehtësimin e hyrjes së grupit kriminal të Veljko Belivuk nga Serbia në Mal të Zi tashmë janë ndjekur penalisht.

  • Kërkohet paraburgim për 7 të arrestuarit, dyshohet se e dëmtuan buxhetin për milliona euro

    Kërkohet paraburgim për 7 të arrestuarit, dyshohet se e dëmtuan buxhetin për milliona euro

    Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave të dyshuar për korrupsion.

    Sipas kërkesës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit M.D., J.M., F.I., B.D., Sh.T., N.K. dhe G.L., duke vepruar në bashkëkryerje, nga 20.02.2023 e në vazhdimësi deri më 18.12.2025, kanë ndërmarrë veprime me qëllim përfitimi të kundërligjshëm personal.

    Sipas Prokurorisë, “M.D. dyshohet se, në emër të F.I., në kundërshtim me ligjin, ka parashtruar propozim ankesë për ndryshim të vendimit përfundimtar për shpronësimin e pronës, ndonëse ishte kaluar afati ligjor për më shumë se tetë vjet”.

    “Përkundër kësaj, i pandehuri J.M., si dhe kundërpropozuesi Qeveria e Kosovës, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore, nuk e kanë kundërshtuar këtë rrethanë, por janë kujdesur që ky rast, ashtu si disa raste të tjera, të përfundojë me marrëveshje gjyqësore”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

    Si pasojë, thuhet se vetëm në rastin e fundit i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 220 mijë euro, ndërsa në tërësi dëmi ende nuk ka mundur të përcaktohet, por dyshohet se arrin vlerë milonëshe.

    Në këtë mënyrë, të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Deklarimi i rremë”.

  • Negociatat dështojnë, Franca shkon drejt në 2026 pa një buxhet të miratuar

    Negociatat dështojnë, Franca shkon drejt në 2026 pa një buxhet të miratuar

    Franca përballet me një legjislacion të përkohshëm emergjent për të shmangur mbylljen e qeverisë, pasi ligjvënësit braktisën bisedimet për buxhetin e vitit 2026, duke mos arritur të bien dakord për një projektligj kompromisi.

    Anëtarët e një komiteti të përbashkët ligjvënësish nga të dyja dhomat hoqën dorë pas më pak se një ore bisedimesh për të rënë dakord për një projektligj buxhetor.

    Kryeministri Sebastien Lecornu tha se do të konsultohet me udhëheqësit kryesorë politikë të hënën mbi hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë, duke shtuar se nuk kishte më kohë të mjaftueshme për një votim parlamentar mbi një buxhet para fundit të vitit.

    Kolapsi e detyron Lecornun të kërkojë legjislacion emergjent për të lejuar shpenzimet, mbledhjen e taksave dhe huamarrjen në vitin e ri derisa të arrihet një marrëveshje për një buxhet të duhur.

    Guvernatori i bankës qendrore, Francois Villeroy de Galhau, paralajmëroi se kjo ofron vetëm një zgjidhje afatshkurtër.

    Franca përdori legjislacion të ngjashëm emergjence vitin e kaluar, për të cilin Ministrja e Buxhetit Amelie de Montchalin tha se kushtoi 12 miliardë euro përpara se një buxhet i plotë të miratohej në fillim të shkurtit.

    Investitorët dhe agjencitë e vlerësimit po shqyrtojnë me kujdes financat e Francës, ndërsa Lecornu po përpiqet të frenojë një deficit buxhetor që arrin në 5.4% të prodhimit këtë vit – më i larti në eurozonë.

    Ndryshe, negociatat e reja në janar mund të jenë po aq të vështira. Po rritet presioni mbi Lecornun për të përdorur kompetenca të veçanta kushtetuese për të anashkaluar parlamentin – diçka që ai është zotuar të mos e bëjë.

    Kreu i partisë republikane konservatore, Bruno Retailleau, i kërkoi atij të përdorte këto kompetenca, megjithëse një gjë e tillë ka të ngjarë të shkaktojë një votim të rrezikshëm mosbesimi që mund të rrëzojë qeverinë e tij.

  • Trumpi s’e përjashton luftën me Venezuelën

    Trumpi s’e përjashton luftën me Venezuelën

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se e lë në tavolinë mundësinë e një lufte me Venezuelën.

    “Nuk e përjashtoj, jo”, ka thënë ai në një intervistë të shkurtër me NBC News.

    Të martën, Trumpi urdhëroi një “bllokadë” të anijeve të naftës të sanksionuara që hynin e dilnin nga Venezuela, duke rritur presionin mbi presidentin e vendit, Nicolas Maduro. SHBA-ja së fundmi sekuestroi edhe një cisternë nafte pranë Venezuelës.

    Fushata e administratës Trump ka rezultuar në goditjen e 28 anijeve, duke vrarë mbi 100 persona.

    “Nuk e diskutoj”, ka thënë Trumpi kur u pyet nëse e largon mundësinë që veprime të tilla të çojnë në luftë.

    Por pas insistimesh të gazetarit, Trumpi konfirmoi se ka mundësi edhe se do të ketë sekuestrime të tjera.

    Pasi pati fituar zgjedhjet, Trumpi pati thënë se nuk do të fillonte një luftë, por se do të ndalonte luftëra.

    Administrata ka thënë se sulmet janë bërë ndaj anijeve që transportonin drogë dhe se Venezuela po përdorë naftën si arsyetim për financimin e “terrorizmit dhe drogës”.

  • Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, Themelorja do ta rivendosë çështjen

    Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, Themelorja do ta rivendosë çështjen

    Gjykata Supreme e ka kthyer për rivendosje çështjen e paraburgimit për të akuzuarin për krime lufte në Malishevë, Ramadan Morina, dhe ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe vendimin e Gjykatës së Apelit për paraburgim ndaj tij.

    Megjithatë, Supremja ka vendosur që Morina të qëndrojë në paraburgim derisa Gjykata Themelore të marrë vendim për këtë çështje në rivendosje.

    Më 6 nëntor, Gjykata Themelore ia kishte vazhduar paraburgimin Morinës për dy muaj, ndërkohë që Apeli e kishte vërtetuar këtë vendim më 2 dhjetor.

    Kundër këtyre aktvendimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur mbrojtësi i të pandehurit Ramadan Morina, avokati Arianit Koci. Ai ka pretenduar se ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale që kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor dhe ka propozuar që masa e paraburgimit të zëvendësohet me një masë më të butë.

    Sipas pretendimeve të Kocit, kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit nuk i ishte dorëzuar konform nenit 188 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).

    “Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet e mbrojtësit të pandehurit janë të bazuara. Siç del nga shkresat e lëndës, mbrojtësi i të pandehurit, edhe më herët ka parashtruar pretendimin se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit nuk i është dorëzuar konform nenit 188 paragrafi 2 të KPP-së”, thuhet në vendimin e Supremes.

    Prokuroria Speciale ka njoftuar të enjten se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ramadan Morina, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Morina, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

  • Bahamas njeh zyrtarisht Kosovën, nënshkruhet marrëveshja për marrëdhënie diplomatike

    Bahamas njeh zyrtarisht Kosovën, nënshkruhet marrëveshja për marrëdhënie diplomatike

    Republika e Kosovës ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Komonuelthi i Bahamas e ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë kështu shteti i 121-të që e njeh pavarësinë e saj.

    Lajmi është bërë i ditur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njoftoi se marrëveshja për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në kryeqytetin e Bahamas, në një takim me Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis.

    “Edhe një vendim historik për vendin tonë. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë”, ka deklaruar Presidentja Osmani, duke e cilësuar këtë hap si një sukses të madh diplomatik për Kosovën.

    Në deklaratën e përbashkët, Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës konfirmojnë njohjen reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961. Marrëdhëniet diplomatike hyjnë në fuqi nga data e nënshkrimit të marrëveshjes.

    Të dyja palët riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Po ashtu, ato shprehin gatishmërinë për ta zhvilluar bashkëpunimin mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.

    Sipas deklaratës, Kosova dhe Bahamas synojnë të thellojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, si konsultimet politike, tregtia dhe investimet, turizmi, arsimi dhe kultura, teknologjia dhe inovacioni, bashkëpunimi në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve.

    Të dyja shtetet kanë mirëpritur ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili pritet t’u shërbejë interesave të qytetarëve të të dy vendeve dhe të kontribuojë në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

  • Frutex dhe Golden Eagle ndajnë 10 mijë euro për mjekimin e ish ushtarit të UÇK-së, Xhem Rexhepi

    Frutex dhe Golden Eagle ndajnë 10 mijë euro për mjekimin e ish ushtarit të UÇK-së, Xhem Rexhepi

    Duke e kuptuar rëndësinë e mbështetjes dhe solidaritetit, Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Frutex, z. Shaqir Palushi, në bashkëpunim me Fondacionin Frutex dhe kompaninë Golden Eagle, ka ndarë një donacion në vlerë prej 10 mijë euro për mjekimin e ish ushtarit të UÇK-së, Xhem Rexhepit.

    Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhem Rexhepi, nga fshati Zhiti i Komunës së Vitisë, prej 17 vjetësh, është i shtrirë në shtrat, i goditur nga një sëmundje e rëndë që ia ka marrë të dyja këmbët, duke e lënë në një gjendje të vështirë shëndetësore dhe jetësore.

    “Është e dhimbshme dhe e papranueshme që një njeri i cili ka dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë tonë, sot të jetojë pa përkujdesjen e duhur institucionale dhe shoqërore. Gjendja e tij shëndetësore dhe plagët që i ka mbartur ndër vite janë një thirrje e fortë për ndërgjegjen tonë kolektive.”, është shprehur me këtë rast Palushi.

    Ky kontribut nuk është vetëm ndihmë financiare, por edhe një mesazh i fuqishëm se shoqëria jonë nuk duhet dhe nuk guxon t’i harrojë ata që dhanë më të mirën për Kosovën. Kujdesi për ish-ushtarët e UÇK-së është detyrim moral dhe kombëtar, ka thënë ndër të tjera udhëheqësi i Frutex.

    Ky akt human dhe fisnik është dëshmi e përgjegjësisë shoqërore dhe respektit të thellë ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit.

  • 1 vit burgim me kusht për burrin që goditi një grua me grushte e shuplaka

    1 vit burgim me kusht për burrin që goditi një grua me grushte e shuplaka

    Gjykata Themelore në Prishtinë, me gjykatës Sabit Sadikaj, ka dënuar me një vit burgim me kusht të akuzuarin V.V., i cili sipas aktakuzës e kishte goditur me shuplaka dhe grushte, si dhe me thikë i kishte gërvishtur dorën e majtë të dëmtuarës N.N.

    Shpallja e vendimit u bë nga gjykatësi Sadikaj, i cili tha se i akuzuari dënohet me një vit burgim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, me kusht që brenda tre viteve të mos kryejë ndonjë vepër të re penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Të dëmtuarën gjykata e udhëzoi për realizimin e kërkesës pasurore në kontest të rregullt juridiko-civil, ndërsa palët që janë të pakënaqura kanë të drejtë ankesë për vendimin e arsyetuar brenda afatit prej 30 ditësh.

    Prezent në shpalljen e vendimit nuk ishte i akuzuari V.V., as nga Prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, datë 3 gusht 2022, thuhet se më 27 maj 2022 në Fushë Kosovë, i pandehuri V.V., duke ushtruar presion ndaj dëmtuarës N.N. për të hapur telefonin e saj, e ka goditur në kokë me shuplaka dhe grushta, dhe pastaj me thikë i ka gërvishur dorën e majtë afër bërrylit, duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor me pasoja të përkohshme për shëndetin.

    Për këto veprime, V.V. ngarkohet me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    V.V. ngarkohet edhe me veprën penale “Shtrëngim”, por gjykata ka veçuar këtë çështje duke e deleguar paraprakisht në Departamentin për të Mitur.